Shtohen zërat se Januzaj do të luajë për Anglinë!
Adnan Januzaj do të luajë për kombëtaren angleze, gjithmonë nëse babai i tij do të aprovojë këtë vendim të djaloshit shqiptar. Ky është lajm...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/shtohen-zerat-se-januzaj-do-te-luaje.html
Adnan Januzaj do të luajë për kombëtaren angleze, gjithmonë nëse babai i tij do të aprovojë këtë vendim të djaloshit shqiptar. Ky është lajmi i publikuar nga tabloidi prestigjioz britanik “The Sun”, sipas të cilit, djaloshi shqiptar është gati të mos luajë me asnjë kombëtare tjetër dhe të presë deri në vitin 2016 për të veshur fanellën e “tre luanëve”.
Mesfushori i talentuar i Mançester Junajtid ka mundësinë që aktualisht të përfaqësojë 3 kombëtare të ndryshme, të cilat mund t’i ofrojnë atij një vend në formacion që në miqësoren e marsit: Belgjikën, Shqipërinë dhe Kosovën. Por duket se djaloshi personalisht dëshiron të zgjedhë opsionin e katërt, atë më prestigjiozin, Anglinë. Këtë e ka pohuar për tabloidin britanik një nga miqtë e tij të ngushtë, duke shpjeguar arsyen e kësaj zgjedhjeje të adoleshentit. “Adnani ndihet si në shtëpinë e vet këtu në Angli. Ai adhuron futbollin që luhet këtu, stadiumet dhe pasionin e tifozëve. Ai ka refuzuar një ftesë të Belgjikës dhe nuk është penduar për një gjë të tillë. Ai është krenar dhe do të presë derisa të luajë për Anglinë. Pengesa e vetme është babai i tij. Ai ka një influencë të madhe në jetën dhe karrierën e Adnanit dhe ky i fundit e di se vendimi do të merret nga babai i tij”, ka treguar për “The Sun” një nga miqtë e 18 vjeçarit, i cili në këtë sezon ka shpërthyer në kampionatin anglez, duke pushtuar faqet e para të mediave ndërkombëtare.
Në Angli, ky lajm është pritur me mjaft bujë, ndonëse shumëkush mendon se “tre luanët” nuk duhet të veprojnë në këtë mënyrë për të afruar lojtarë që nuk janë anglezë. Por vendimi përfundimtar nuk është marrë ende dhe këtë e ka shpjeguar përsëri menaxheri i futbollistit, Dirk De Vris. “Objektivi ka qenë gjithmonë që të siguronte formacionin te Mançester Junajtid. Kjo ka qenë gjëja kryesore që i interesonte si lojtarit, ashtu edhe babait të tij. Në një moment të caktuar, do të merret një vendim, por nuk ka asgjë që të lë të mendosh se situata në fjalë do të ndryshojë së shpejti”, ishte komenti i tij për mediat belge.
Nëse Januzaj në fund do të zgjedhë Anglinë, kjo do të përbënte në fakt një avantazh më shumë për skuadrën e Mançester Junajtid. “Djajtë e kuq” janë të ndërgjegjshëm që nëse futbollisti nuk luan me një kombëtare në 3 vitet e ardhshme, ai do të përqendrohet tërësisht vetëm te klubi. Ndaj mendohet se pikërisht klubi anglez është ai që po insiston më shumë që Januzaj të zgjedhë Anglinë.