Origjinale apo jo? – Zbulohen letra private të Himmlerit
Rreth 700 letra dhe shumë foto private të Heinrich Himmlerit, një nga drejtuesit e lartë të nacionalsocializmit, janë bërë tani publike. Let...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/origjinale-apo-jo-zbulohen-letra.html
Rreth 700 letra dhe shumë foto private të Heinrich Himmlerit, një nga drejtuesit e lartë të nacionalsocializmit, janë bërë tani publike. Letrat mund të jenë origjinale, por vlera e tyre historike është e diskutueshme.
Qindra letra private që shefi i SS-ve, Heinrich Himmler, i ka dërguar nga 1927 deri 1945 gruas së tij, Marga, janë zbuluar tani, vlerësuar dhe pjesërisht botuar. Krahas letrave ka edhe fotografi, ditarë, libra të ekonomisë shtëpiake dhe një libër me receta gatimi, siç thuhet të Marga Himmlerit. Michael Hollmann, presidenti i Arkivit Federal, tha për të përditshmen gjermane “Die Welt” se ai i konsideron autentike dokumentet, megjithëse origjina e tyre e vërtetë deri tani nuk ka qenë e mundur të zbulohet dhe letrat janë të disponueshme vetëm si negativë fotografish.
Ushtarë amerikanë duhet t’i kenë marrë dokumentet nga shtëpia e Himmlerit pas përfundimit të luftës 1945. Se si dhe kur ato kanë rënë në duart e Chaim Rosenthalit në Izrael, i cili në 2007, me sa duket, ia ka shitur babait të regjisores Vanessa Lapa, është e paqartë. Sot ato ndodhen në një kasafortë në Tel Aviv.
Sa vlerë kanë për shkencën informacionet e fituara?
Në letra Himmleri thekson dashurinë e tij për të shoqen dhe tregon për jetën e përditshme pa dhënë hollësi konkrete dhe pa treguar për krimet e tij. Ai e paraqet veten si një luftëtar të egër, të rreptë dhe antisemit të bindur. Letrat, fotot dhe librat e ekonomisë shtëpiake ofrojnë një vështrim në jetën private të familjes Himmler. Por kjo nuk është diçka e re, thotë filozofja dhe historiania Bettina Stangneth në bisedë me DW. “Jeta private e Himmlerit nuk është tokë e pazbuluar. Para dhjetë vjetësh qenë publikuar pjesë nga ditarët e gruas së tij. Askush nuk pati folur atëherë për një thesar historik”. Parimisht dëshmitë nga jeta private e nacionalsocialistëve nuk janë as të reja dhe as mbresëlënëse, thotë studiuesja e pavarur. Ajo ka kryer shumë hulumtime rreth Adolf Eichmann-it, i cili ka qenë gjithashtu pjesëtar i ekipit drejtues të Hitlerit. “Para një viti e gjysmë për shembull do të dilnin në ankand letra dashurie të Joseph Goebbel-it, por askush nuk shfaqi interes për to”, – thotë Stangneth.
Jan Erik Schulte, historian në institutin Hannah Arend për studimin e totalitarizmit, ka tjetër mendim. Ai e konsideron gjetjen “unikale” për shkak të numrit të letrave dhe shënimeve private. Shënimet dhe letrat private janë interesante dhe me siguri unikale për një nacionalsocalist të rangut të lartë. Studimet për Himmlerin plotësohen me sfumatura të reja, mendon historiani.
Histori magjepsëse nga vrima e çelësit
Ngjashëm shprehen edhe ekspertët për çështjen e magjepsjes ndaj letrave të një vrasësi në masë. “Interesi i madh publik mund të shpjegohet edhe me faktin që letrat dhe shënimet private përcjellin ndjenjën se mund t’i afrohesh më shumë personit”, – thotë Schulte. Stangneth e cilëson përmbajtjen e letrave si “histori nga vrima e çelësit”. “Detajet nga jeta private janë thjesht shumë të preferuara”, – thotë ajo. “Dëshira për to është po aq e vjetër sa vuajerizmi. Para së gjithash një Himmler si person privat me dobësi, është më i lehtë për t’u duruar, se sa një drejtues i lartë i Rajhut, i cili predikon se mund të jesh vrasës në masë dhe njëkohësisht i ndershëm”.
Për shkencën letrat paraqesin burime të reja. Por materiali, nga sa mund të gjykohet deri tani, është jospektakolar, thotë Stangneth. “Studiuesit do të gjejnë tek-tuk vogëlsi, detaje, që mund të jenë interesante. Por Himmleri nuk mund të interpretohet nga e para. Askush nuk ka dyshuar ndonjëherë që ai ka qenë një kriminel i bindur. Letrat vetëm sa e konfirmojnë këtë”. Schulte nga Instituti Hannah Arendt shpreson që tani në opinionin publik të mos ketë diskrepancë mes Himmlerit privat dhe politik, mes babait të familjes dhe vrasësit në masë. “Është i njëjti person, nuk ka dy Himmler, vetëm një”, – thotë ai.
Film dhe libër për letrat e Himmlerit
Në shkurt 2014 letrat e Himmlerit do të botohet nga shtëpia botuese Piper, nga historiani Michael Wildt dhe stërmbesa e shefit të SS-ve, Katrin Himmler. Veç kësaj regjisorja Vanessa Lapa do të prezantojë në Berlinale filmin e saj “Der Anständige”, bazuar në letrat e Himmlerit. Nuk mund të konstestohet që materiali është bazë për një film të mirë, thekson Stangneth. “Burime si këto i mundësojnë një artisti perspektiva dhe kontraste të reja, të cilat na nevojiten për të kuptuar”, – thotë ajo. “Por nëse regjisorja fiton nga zhurma me të cilën po i bëhet aktualisht reklamë filmit të saj, i cili është bashkëfinancuar nga ‘Welt’, nuk e di”, – thotë Stangneth. Ajo thotë se në korin e zërave i mungojnë ata të paanshëm./standard