Rusia, Europa dhe gjeopolitika e energjisë
Eric Draitser Nga Siria në Sochi, nga Polonia tek grupi muzikor “Pussy Riot”, konfliktet diplomatikë dhe gjeopolitikë mes Rusisë dhe Perëndi...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/rusia-europa-dhe-gjeopolitika-e.html
Eric Draitser
Nga Siria në Sochi, nga Polonia tek grupi muzikor “Pussy Riot”, konfliktet diplomatikë dhe gjeopolitikë mes Rusisë dhe Perëndimit po dominojnë titujt e mëdhenj të mediave. Megjithatë, prapa këtyre cështjeve qëndron konkurrenca ekonomike, që duhet të jetë kuadri i cdo lloj analize të politikës dhe ndërveprimit mes të dyjave
Furnizimi i Europës
Pozicioni dominues i Rusisë në tregun europian të energjisë e forcojnë Moskën, si një pjesë integrale të të ardhmes së Perëndimit, duke detyruar Uashingtonin dhe aleatët e tij që të angazhohen me rivalin e tyre lindor. Për më tepër, është pikërisht ky angazhim i domosdoshëm që rrit ndikimin e Rusisë si në Europë, ashtu edhe përreth botës – një ndikim ky që bën të nvojshme propagandën e vazhdueshme rusofobe në median dhe kulturën popullore perëndimore.
Që në vitet e parë të epokës post-sovjetike, Rusia ka rritur vazhdimisht eksportet e saj të energjisë, duke u ngjitur në pozicionin e sotëm, si furnizuesi më i madh dhe më i rëndësishëm i Europës me naftë dhe gaz. Me një të tretën e importit të naftës dhe gazit në Europë që vjen nga Rusia, marrëdhënia ekonomike mes të dyjave ka marrë një rëndësi parësore për të dy palët. Europa ka varësi të fortë nga Rusia për të furnizuar bazën e saj të prodhuesve dhe konsumatorëve, ndërkohë që Rusia ka varësi të fortë nga të ardhurat e naftës dhe gazit nga Europa, për të financuar zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik dhe diversifikimin e ekonomisë.
Ndërkohë që kjo marrëdhënie ka lulëzuar gjatë dekadës së fundit, të dy palët kanë punuar për ta cimentuar atë më tej, pavarësisht rezistencës politike të SHBA dhe disave në Europë. Ndërtimi i gazsjellësit rus Nord Stream, i cili u inaugurua zyrtarisht në 2011, e konsolidoi edhe më tej Rusinë si një furnizues kryesor me energji për Europën Veriore, sidomos fuqinë industriale të Gjermanisë. Nordstream transporton afro 55 miliardë metër kub gaz cdo vit, nën Detin Balltik, në Gjermani dhe në pjesën tjetër të Europës.
Nord Stream, që nga shumëkush është parë si një lëvizje e domosdoshme e Rusisë për të diversifikuar infrastrukturën e saj të shpërndarjes së energjisë, duke zbehur varësinë nga Ukraina, e ka rritur aftësinë manovruese tëRusisë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Europën. Vec kësaj, ai krijon një burim të qëndrueshëm të ardhurash për Moskën, e cila, që nga viti 2000, ka premtuar që të përdorë të ardhurat nga eksportet për të diversifikuar ekonominë ruse, me qëllim që të mos mbetet vetëm një “petro-ekonomi”.
Megjithatë, Nord Stream nuk është e vetme. Rusia po ndërton aktualisht një gazsjellës plotësues, i njohur si South Stream pipeline, i cili do të bëjë për Europën jugore, atë që Nord Stream bëri për Veriun. I planifikuar që të vihet në funksionim vitin që vjen, South Stream do ta bëjë Rusinë një aktor dominant sa i përket eksportit në Mesdhe dhe në Europën Qendrore. South Tream pritet të transportojë 63 miliardë metra kub gaz në vit, duke e bërë një prej gazsjellësve më të mëdhenj në botë, sa i përket vëllimit.
Parë në sfondin e krizës ekonomike që vazhdon në kontinent, Rusia bëhet një partner tregtar edhe më tërheqës për shtete që mezi presin të rishohin rikthimin e rritjes ekonomike.
Sigurisht, këta dy gazsjellës nuk janë e vetmja infrastrukturë energjetike e rëndësishme europiane, që kontrollohet nga Rusia. Aktualisht, Rusia vazhdon të sigurojë një pjesë të madhe të gazit për kontinentin përmes partnerit të saj kryenec, Ukrainës, rrjeti i tubacioneve të të cilës është ndërtuar që në epokën sovjetike. Rrjeti i merimangës i gazsjellësve ukrainas, bashkë me pronësinë ruse të operatorit bjellorus Beltransgaz, nënkupton që Moska ka cimentuar një pozicion dominues për vetveten vis-à-vis tregut europian, në tokë dhe në det.
Natyrisht Perëndimi, SHBA në vecanti, e sheh këtë marrëdhënie përfitimi të ndërsjellë mes BE dhe Rusisë si kërcënuese për hegjemoninë gjeopolitike të Ëashingtonit në Europë. Për këtë arsye, janë marrë një sërë hapash nga qeveritë dhe korporatat perëndimore për të dëmtuar dominimin energjetik të Rusisë.
Kontrolli i influencës ruse
Rritja e dominimit energjetik rus përbën shqetësim të madh për SHBA dhe establishmentin politk të BE, që pranojnë se, nëse lihet pa kontroll, forca ekonomike dhe politike e Moskës do ta dobësonte së tepërmi pozicionin strategjik të Perëndimit. Kështu që, në dritën e këtij fakti të pagabueshëm, SHBA dhe aleatët e vet europianë kanë nisur një sërë projektesh për gazsjellës, që synojnë të frenojnë rritjen e Rusisë.
Ndoshta më ambiciozi i këtyre projekteve të financuar nga Perëndimi është Nabucco. I konceptuar për të sjellë energji në Europë nga Iraku, si dhe rajoni i pasur me gaz i Kaspikut përmes Turqisë, Nabucco mendohej të përfshinte dhe gazsjellësin Trans-Anatolian (TANAP), mes shumë projekteve dhe degëve të tjera më të vogla, të cilat të gjitha do të konsideroheshin si një projekt i vetëm gjithëpërfshirës. Vec kësaj, Trans-Adriatic Pipeline (TAP), që gjithashtu do të sillte gaz në Europë përmes Greqisë, iu shtua këtij ekuacioni diversifikimi.
Zhvillimet e fundit politikë, ekonomikë dhe diplomatikë e kanë bërë jofizibël projektin e plotë Nabucco. Kjo gjë ka shtyrë kompanitë energjetike dhe qeveritë perëndimore që të promovojnë një version të reduktuar të projektit të njohur si Nabucco Ëest, që do të sillte gaz nga Turqia në Europë, duke përfunduar në Austri.
Vec kësaj, The State Oil Company of Azerbaijan (SOCAR) ka shtruar 1200 kilometra tubacione të reja gazi nëpër ish republikën sovjetike, Gjeorgjinë (sot aleate e NATO-s), duke shtytur shumëkënd të spekulojë për një diversifikim të mëtejshëm të infrastrukturës. Në mënyrë të vecantë, ekspertët e shohin zgjerimin e gazsjellësit gjeorgjian si një shenjë se projekti Trans-Caspian dikur i ndërprerë, i cili do të sillte gazin e Kaspikut nga Azerbajxhani në Turqi përmes Gjeorgjisë, mund të rigjallërohet.
Në thelb, të gjithë këta projekte u kuptuan si përpjekja më e fortë e Europës për të diversifikuar furnizimin me gaz, me qëllim që të reduktojë varësinë nga importet rusë. Në mënyrë të vecantë, Nabucco dhe të tjerët u menduan si mënyrë për të dëmtuar gazsjellësin South Stream. Sigurisht, nuk ka të bëjë vetëm me reduktimin e varësisë nga Rusia, por më shumë lidhet me fitimin e hapësirës manovruese kundër Moskës, në lidhje me një sërë konfliktesh gjeopolitikë.
Konkurrenca energjetike dhe loja e madhe e shahut
Cdo konflikt gjeopolitik mes Rusisë dhe Perëndimit ka një dimension energjetik në vetvete. Konflikti aktual në Ukrainë, mund të kuptohet, të paktën pjesërisht, si një betejë për kontrollin e infrastrukturës kritike të shpërndarjes së gazit.
Në kulmin e vet gjatë dekadës që kaloi, gazsjellësit ukrainas zinin afro 80 përqind të të gjithë shpërndarjes së gazit nga Rusia në Europë. Mosmarrëveshja ruso-ukrainase për gazin në vitin 2009, nxorri në pah se sa i rëndësishëm është gazi për marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, dhe c’është më e rëndësishmja, sa kritike ishte Ukraina për të ardhurat totale të Rusisë nga eksporti i gazit. Ky konflikt, dhe të tjerë që i paraprinë, ishte një prej motivuesve kryesorë për ndërtimin prej Rusisë të Nord Stream dhe South Stream.
Kriza aktuale politike në Ukrainë duhet të pranohet se është pjesërisht e bazuar mbi konkurencën ekonomike mes Europës dhe Rusisë, për Ukrainën. Marrëveshja e partneritetit me BE që ish presidenti Janukovic e refuzoi ishte hartuar për të qenë një marrëveshje “ekskluzive”, që do të detyronte Ukrainën të zgjidhte o Rusinë, o Europën, duke e shtyrë qeverinë drejt një pozicioni të pambrojtur. Kriza që po shpaloset në këtë vend është një rezultat i drejtpërdrejtë i masave të tilla provokuese.
Lufta në Siri, dhe më pas kriza diplomatike mes Rusisë dhe Perëndimit, është gjithashtu pjesërisht rezultat i cështjeve që lidhen me energjinë. Ditët e para të konfliktit në Siri përkuan saktësisht me firmosjen e të ashtuquajturit “gazsjellës Islamik”, një gazsjellës që do të sillte gazin iranian dhe iraken në Mesdhe, dhe më tej në Europë, përmes Sirisë. Natyrisht, një zhvillim i tillë do të kish qenë një sulm i drejtpërdrejtë kundër hegjemonisë së gazit të Katarit, dhe monarkive të Gjirit më në përgjithësi.
Parë në këtë këndvështrim, financimi dhe armatimi i vazhdueshëm nga Katari dhe Arabia Saudite i grupeve terroristë në Siri, përbën një përpjekje të këtyre monarkive për të penguar cdo “futje hundësh” në të ardhurat e gazit që i shesin Europës. Sigurisht që Rusia, aksesi i të cilës në tregun europian është i sigurtë prej North Stream-it dhe South Stream-it të sipërpërmendur, i erdhi në ndihmë Damaskut, aleatit të vetëm që i ka mbetur në Lindjen e Mesme, në një përpjekje për të bllokuar atë që shihet si një përpjekje për të shkatërruar vetë kombin e Sirisë.
Të tjerë zhvillime në sektorin energjetik i ndërlikojnë edhe më shumë këto cështje. Zbulimet e fundit të rezervave të gazit pranë brigjeve të Izraelit në Mesdheun Lindor ofrojnë një motivim më shumë për fuqitë e SHBA-NATO për të destabilizuar interesat ruse, si dhe të largojnë aleacët kycë të Rusisë nga ndikimi i Moskës. Zërat për një gazsjellës të mundshëm Izrael-Turqi do të kuptoheshin si një tjetër përpjekje për të dëmtuar dominimin rus të gazit. Sigurisht, metodat aq të lëvduara të nxjerrjes së gazit, ato të “Shale revolution” dhe “fracking” kanë shtyrë të gjithë aktorët, përfshirë Rusinë, që të rivlerësojnë planet e tyre strategjikë për energjinë dhe të ekzaminojnë të gjithë opsionet e mundshëm për të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë.
Ringritja e Rusisë nga ditët e errëta të fillimviteve ’90 ka ndodhur kryesisht prej eksportit të energjisë. Zhvillimi i vazhdueshëm ekonomik, si dhe zhvillimi i mëtejshëm politik dhe ushtarak, përbën një kërcënim për hegjemoninë NATO-SHBA në Europë dhe në të gjithë botën. Eshtë ky kërcënim që fuqitë perëndimore po përpiqen ta eleminojnë me forma të ndryshme. Mbrojtja e famshme raketore në Europën Lindore, lufta në Siri, kriza në Ukrainë, dhe shumë cështje të tjera janë faktorë të rëndësishëm në këtë konkurrencë.
Përvec kësaj, media perëndimore po vazhdon t’i mëshojë një propagande të pandalshme lufte për të demonizuar Rusinë. Karakteri rusofob i këtyre sulmeve maskohet me retorikën e të drejtave të njeriut dhe lirisë. Megjithatë, këto janë thjeshtë për të mbuluar një përpjekje të mirëorkestruar për të manipuluar opinionin publik që të besojë se, ashtu sikurse gjatë Luftës së Ftohtë, armiku është Rusia, dhe SHBA-NATO përfaqësojnë forcat e të mirës. Si zakonisht, mediat e mëdha janë shërbyes të bindur të politikës së jashtme të SHBA-NATO.
Për të gjithë këto arsye, është e qartë se beteja për influencë vazhdon më e fortë se kurrë. Loja gjeopolitike e shahut ka dalë sërish në qendër të skenës. Dhe poshtë saj, forca shtytëse janë naftësjellësit dhe gazsjellësit./bota.al
* Eric Draitser është një analist i pavarur i gjeopolitikës, dhe komentator në “RT”