Teknologjia moderne, robotët nxjerrin njerëzit jashtë loje

Robotët mund të futen në zona ku njeriu e ka të vështirë. Ata mund të jenë një ndihmë e mirë në raste fatkeqësish natyrore. Deri në vitin 20...

Robotët mund të futen në zona ku njeriu e ka të vështirë. Ata mund të jenë një ndihmë e mirë në raste fatkeqësish natyrore.


Deri në vitin 2013, në gjithë botën do të jenë 1.2 milionë robotë industrialë “të punësuar”. Tani robotët janë duke analizuar dokumentet, mbushin recetat, realizojnë detyra të tjera që dikur ishin ekskluzivitet i njerëzve. Po cilat janë profesionet që do të marrin robotët?
Farmacist: Herën tjetër kur të shkoni në ndonjë farmaci dhe të kërkoni për ilaçet e recetës suaj, mos u habisni nëse pas banakut do të shihni një robot. Kjo ka ndodhur në “UCSF Medical Center” në SHBA. Roboti, pasi merr në mënyrë elektronike recetën, i merr ilaçet, i paketon dhe shpërndan në dozën e duhur.
Avokatët dhe asistentët e tij: Në vend që të paguani një “ushtri” me avokatë për të parë dokumentet tuaja, më mirë punësoni një “program” i cili mund ta bëjë këtë punë në fraksion sekonde dhe me kosto më të ulët. “The New York Times” raportoi se kompania “Blackstone Discovery” në Palo Alto ka krijuar programe që analizojnë 1.5 milionë dokumente për më pak se 100,000 dollarë.
Shoferë: Gjithnjë e më shumë po punohet për automatizimin e makinave në mënyrë që të rritet siguria dhe që njerëzit të shkurtojnë kohën për të shkuar në punë.
Astronaut: Falë bashkëpunimit me “General Motors”, Robonaut2 i NASA-s është modeli i fundit i teknologjisë androide. Në të ardhmen këta robotë do të ndihmojnë ata që ecin në hapësirë të bëjnë punë shkencore.
Shitës dyqani: Gjithnjë e më shumë kompanitë po kërkojnë mënyra për të shitur sa më shumë produkte, por me më pak punëtorë. ATM-të kanë ulur kërkesën për punësimin e arkëtarëve në banka, asistentët virtualë mund t’iu përgjigjen pyetjeve të ndryshme 24 orë në ditë etj.
Ushtar: Do të duhet shumë kohë derisa sa ushtritë e njerëzve të zëvendësohen nga robotët, por po bëhen përpjekje. Gjithnjë e më shumë në misione të ndryshme po futen edhe makinat luftuese.
Dado: Nëse ka një gjë që e kemi mësuar nga Hollivudi është se robotët nuk janë vetëm mjete të “vdekura”, por burim argëtimi. Shembull i tillë është roboti “Hello Kitty” që është ideal për ata prindër që nuk kanë kohë të kujdesen shumë për fëmijët.
Shpëtues: Robotët mund të futen në zona ku njeriu e ka të vështirë. Ata mund të jenë një ndihmë e mirë në raste fatkeqësish natyrore.
Reporterë dhe gazetarë sportivë: Kushton më lirë që të “paguash” një program sesa të punësosh një gazetar sportiv. Ky është përfundimi i dalë pas krijimit të një programi për mbulimin e shërbimit të informimit mbi ndeshjet sportive që u realizua nga “Northwestern University”.

Recesioni, teknologjia që vrau klasën e mesme
“Punët që ikin nuk kthehen më”, – thotë Andrew McAfee, kërkuesi kryesor i qendrës së biznesit dixhital në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets të SHBA-së. Sipas tij, asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që kompjuterët të “vrasin” aq shumë aftësi dhe mundësi njerëzore sesa ç’po ndodh në shtatë vitet e fundit.
Ekonomia botërore po ravijëzohet nga makineritë që gjenerojnë dhe analizojnë sasi të mëdha të dhënash, duke filluar nga smartfonët, tabletat, kompjuterët që iu lejojnë njerëzve të punojnë kudo, madje edhe kur janë në lëvizje. Janë “të zgjuarit”, mikrorobotët që bëjnë që biznesi të drejtohet nga fuqia kompjuterike, në vend që të punësohen njerëz.
Çdo profesion po zëvendësohet nga kompjuterët që nga sekretaret, te agjentët e udhëtimit, të gjithë po “zhduken”.
“Nuk ka sektor të ekonomisë që nuk po e pëson nga ky fenomen”, – thotë Martin Ford, drejtues i një kompanie programimi që ka shkruar librin me titull “Dritë në tunel”, që parashikon humbjen e vendeve të punës.
Në 50 vitet e fundit, teknologjia e ka reduktuar ndjeshëm numrin e të punësuarve në prodhim. Robotët dhe makineri të tjera që kontrollohen nga programe kompjuterike punojnë më shpejt dhe bëjnë më pak gabime se njerëzit. E njëjta gjë po ndodh edhe në sektorin e shërbimit. Teknologjia po përdoret nga çdo lloj organizate që punëson njerëz. Punëtorët në korporatat e mëdha ose të vogla po zëvendësohen nga kompjuterët. Pavarësisht se hartohen ligje dhe politika, teknologjia po zëvendëson forcën e krahut.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 2009 kur nisi rimëkëmbja ekonomike u quajt “shërimi i papunësisë”, por ky ishte një term i gabuar, madje e tillë mund të quhet edhe mungesa e kthimit të vendeve të punës për klasën e mesme. Sipas statistikave 50% e vendeve të punës të humbura u përkisnin atyre të shtresës së mesme, ndërsa analizat e “Moody’s” bën të ditur se vetëm 2% nga 3.5 milionë vende pune të kësaj kategorie u rikthyen.
Në gusht të vitit 2012, studimet e ndërmarra nga ekonomisti Henry Siu i universitetit “British Columbia” dhe Nir Jaimovich nga universiteti “Duke” zbuluan se vendet e humbura nga shtesa e mesme ishin më të mëdha, 9 në çdo 10 vende pune.
Në Evropë, kompanitë nuk mund të ktheheshin më pas edhe sikur të donin. Ekonomitë e zhvilluara gjithnjë e më shumë po përdorin makineri, sidomos në prodhim. Kostoja e lirë e punës për të mirat dhe shërbimet e krijuara nga elektronika nuk është më e tillë duke qenë se kostoja e jetës po rritet. Çfarë do të sjellë e ardhmja?
Historikisht, kompanitë dhe industritë e reja kanë shërbyer si “inkubator” për krijimin e vende të punës. Por, tani ka gjasa që kjo të mos jetë një aksiomë e vërtetë. Sipërmarrësit
nuk kanë më nevojë të punësojnë njerëz për të bërë detyrat kancelarike apo administrative, pasi ata e “marrin” biznesin me vete, jashtë. Tableti është vetëm 2-3 vjeç dhe tashmë është “pronar” i jetës sonë.
Teknologjia rriti papunësinë
Një nga “mëkatet” më të mëdha të teknologjisë është se rrit papunësinë te njeriu. Një studim i ndërmarrë kohët e fundit nga “Associated Press” mori në shqyrtim të dhënat e punësimit në 29 vende, ndërkohë që intervistoi shumë analistë, ekonomistë, ekspertë teknologjie, prodhues programesh dhe robotësh, drejtues ekzekutivë, por edhe punëtorë që konkurrojnë me makinat e zgjuara. AP arriti në përfundimin se të gjitha vendet e punës që janë “zhdukur” i përkasin shtresës së mesme të vendeve të zhvilluara të Evropës, Amerikës së Veriut dhe Azisë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjysma e 7.5 milionë vendeve të punës të humbura gjatë recesionit ishin nga klasa e mesme. Shifrat janë më të zymta në Evropë. Në 17 vendet që përdorin euron si monedhën e tyre të shkëmbimit, 7.6 milionë vende pune të klasës së mesme u “zhdukën” nga janari 2008 deri në qershor të vitit 2012.
Dy të tretat ishin “viktima” të teknologjisë. Për momentin teknologjia më shumë po “vret” sesa po krijon vende pune. Në të ardhmen besohet se mund të ndodhë edhe e kundërta.
Por çfarë po ndodh me Shqipërinë? Edhe ajo ka “viktimat” e saj, por të papërllogaritura kaq mirë. Muzika dhe shtypi i shkruar janë dy nga “të shumtit”.

Related

Teknologji 8778196775401321291

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item