Studimi: Përse nuk mund t’u rezistoni blerjeve të reja?
Zbulohet prej shkencëtarëve misteri i dëshirës së madhe për të blerë gjëra qofshin të panevojshme, qofshin të papërballueshme nga konsumat...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/studimi-perse-nuk-mund-tu-rezistoni.html
Zbulohet prej shkencëtarëve misteri i dëshirës së madhe për të blerë gjëra qofshin të panevojshme, qofshin të papërballueshme nga konsumatorët që bien viktimë të reklamave
E keni fajësuar gjithnjë veten për dobësinë që keni kundrejt blerjeve të reja dhe dëshirës për të blerë akoma më shumë? Mos e fajësoni më, filloni të fajësoni trurin dhe ngatërrimin emocion-gjykim që ndodh në të.
Shkencëtarët kanë zbuluar se dëshira e madhe për të blerë diçka, ndonjëherë duket e parezistueshme, për shkak se emocionet dhe vlerësimi që u japim gjërave trajtohen nga e njëjta pjesë e trurit.
Të refuzosh blerjen e një palë këpucëve të Jimmy Choos ose blerjen e një makine sportive, mund të duket si një luftë dëshirash midis trurit dhe zemrës. Studimi i ri tregon se nuk ka të bëjë aspak me zemrën, pasi e gjithë dëshira është brenda në mendje.
Shkencëtarët e Universitetit Duke kanë zbuluar se fiksimit të madh për të blerë medoemos diçka, është e vështirë t’i bëjmë ballë, pasi emocionet dhe vlerësimi i përkasin një pjese të vetme të trurit.
Kjo mund të jetë gjithashtu arsyeja se përse apelet emocionale të bamirësisë janë kaq të suksesshme. Kërkuesit investiguan ‘neuroekonimiksin’, mënyrën sesi truri i vlerëson gjërat dhe zbuluan se procesi vendimtar mbi emocionet dhe vlerësimin, ndodhin të dy në lëvoren paraballore ventromediale, që gjendet midis syve tanë.
Kjo na bën konfuzë dhe dobëson aftësinë tonë për të marrë vendime të pavarura në lidhje me vlerësimin ekonomik të dëshirave tona. Për të njëjtën arsye jemi më impulsiv për blerjet që bëjmë, qofshin këto blerje të padobishme apo blerje që nuk mund t’i përballojmë.
Dr. Scott Huettell, i Qendrës Shkencore për Vendime Ndërdisiplinore në Universitetin Duke në Karolinën e Veriut, shprehet: “Lëvorja paraballore ventromediale trajton bilancin e dëshirës dhe mundësinë për ta minimizuar atë, në mënyrë që të rrisë efektivitetin monetar në rrethana të tjera.”
Kështu, kjo zonë e trurit heton nëse vlera e këtij produkti është e drejtë në krahasim me punën e vështirë që është bërë për fitimin e atyre parave.
Por studimi i ri tregon se puna ngatërrohet pikërisht këtu, pasi kjo zonë e trurit jo vetëm që ka arsyen e fuqishme të analizës çmim-vlerë, por këtu mbizotërojnë edhe emocionet, duke e ndërlikuar objektivitetin e vendimit tonë.
Shkencëtarja e neuroneve, Amy Uinecoff, e cila drejton studimin, shtoi: “Neuroshkenca përputhet me të kuptuarin intuitiv, ku emocionet duket se mbështeten në të njëjtin sistem vlerësimi”.
Sipas Dr. Huettel, gjykimi i vlerës dhe emocioneve mendohej prej shkencëtarëve se ndodhnin në pjesë të pavarura të lëvores dhe se nuk kishin dijeni deri më tani për lidhjen midis tyre.
Në studimin e publikuar në revistën “Neuroshkenca”, subjektet fillimisht u trajnuan për të bërë ‘rivlerësimin’, ku ata mund të ndryshonin përgjigjet e tyre emocionale në varësi të një situate.
“Në procesin e rivlerësimit personat shtyhen të rivlerësojnë thelbin e një stimuli emocional dhe nuk përpiqen ta shmangin këtë stimul apo ta shtypin dëshirën ndaj tij”, u shpreh Uinecoff.
Teksa truri i personave që u morën në studim prej shkencëtarëve u skanua duke përdorur MRI funksionale, atyre u tregoheshin skena ndjellëse dhe fytyra.
Pas çdo imazhi, subjekteve të studimit iu kërkua t’i linin ndjenjat e tyre të rridhnin ose të praktikonin rivlerësimin për të ndryshuar mendimet. Më pas atyre iu kërkua të kategorizonin sesa mirë apo keq u ndien.
Kjo mbivendosje dëshirë-vlerë e ngatërron trurin dhe e dobëson aftësinë tonë për të marrë vendime objektive rreth vlerës ekonomi dhe dëshirës.
Për këtë arsye, shumë njerëz janë më të prirur që të blejnë gjëra të panevojshme ose të papërballueshme prej xhepave të tyre, në mënyrë impulsive.
Në rastin e ‘një efekti të parregullt pozitiv’, që lejon përgjigjen emocionale, lëvorja paraballore ka treguar se punon më shumë, gjë për të cilën shkencëtarët thonë se mund të përdoret për të parashikuar sa vlerë i jep një person diçkaje.
Por kur subjektet në studim i shtypën përgjigjet e tyre emocionale për imazhet pozitive, kjo bëri të mundur uljen e vlerës së këtyre imazheve për këta njerëz.
“Kjo ndryshon natyrën tonë të referimit kundrejt mendimit për këto gjëra”, tha Huettel.
Ai shtoi se reklamuesit prej shumë kohësh përdorin dëshirat tona emocionale për të na shtyrë të vlerësojnë një produkt, por ata nuk e kanë idenë përse kjo funksionon gjithnjë.
Studime të mëparshme ishin përqendruar vetëm në vlerësimin negativ të emocioneve, por këtë herë shkencëtarët e Universitetit Duke në Karolinën e Veriut, vrojtuan përgjigjet pozitive dhe negative.
Mungesa e deritanishme e informatave lidhet me faktin se ne kemi pasur vetëm një panoramë të përgjigjes negative kundrejt dëshirave.
Shkencëtarët këshillojnë që të mos kundërshtoni çdo dëshirë tuajën në lidhje me blerjet, por ato më të rëndësishmet si blerja e një makine apo e një shtëpie. Ato duhen menduar në disa këndvështrime.