Jason Godwin: Ali Pasha, mizor dhe i pandalshëm si Stalini

Intervista/ Historiani dhe shkrimtari i njohur anglez, Jason Godwin, tregon për gazetën “Shqip” joshjen e tij nga Perandoria Otomane dhe si ...

Intervista/ Historiani dhe shkrimtari i njohur anglez, Jason Godwin, tregon për gazetën “Shqip” joshjen e tij nga Perandoria Otomane dhe si e njeh Ali Pashë Tepelenën…
Ishte i suksesshëm dhe despot i pamëshirshëm, i cili veproi në një shkallë të gjerë europiane: nuk është për t’u çuditur që më në fund osmanëve nuk u mbetej veçse ta shkatërronin. Unë e kuptoj që ata nuk guxonin t’i dilnin përballë, por e qëlluan përmes dërrasave të dyshemesë të shtëpisë së tij dhe kokën ia çuan në Stamboll. I hirshëm, magjepsës, mizor dhe i pandalshëm si Stalini.
Alda Bardhyli

Pas një pelegrinazhi të gjatë në Stamboll, Jason Goodwin, është kthyer në Sussex. Teksa shirat nuk pushojnë mbi Londër, ai sjell ndër mend bizantin, dritat, ngjyrat dhe gjithë atmosferën e mrekullueshme të Lindjes. Jashimin, personazhin përmes së cilit na bën të zbulojmë Stambollin e viteve 1830, e ka lënë diku në një kënd të bibliotekës, për t’u rikthyer sërish pas disa viteve. Pas librave letrarë, ish-studenti i historisë bizantine në Kembrixh dhe i biri i një prej shkrimtarëve më të njohur anglezë, John Michell, ka vendosur t’u kthehet librave historikë. Jason nuk mund të ndahet dot prej historisë. Vizitorët e rregullt të saj, e dinë se historia nuk mund të jetë thjesht një takim, por një bashkëjetesë e gjatë, gati-gati e pandalshme për këdo që do ta takojë. Kërkimet e tij historike do të shtrihen sërish në Stamboll, mbi arkitekturën e institucioneve fetare në këtë qytet dhe rilindjen. Vite më parë, teksa pinte çaj me turq të vjetër, ai do të mahnitej nga historia e disa njerëzve që kishin pasur ambicie të mëdha në Perandorinë Otomane. Ata ishin shqiptarët, historitë e të cilëve ai do t’i dëgjonte në çdo tavolinë ku ulej në Stambollin e sotëm, apo në dokumentet e kohës. Kur shkroi Pemën e jeniçerëve romanin që shtëpia botuese “Saras” ka sjellë në shqip, ai kishte në mendje pikërisht ata. Pjesa më e madhe e aparatit shtetëror në Turqi, nga mesi i shekullit të XIX kontrollohej nga shqiptarët. Ata kishin depërtuar në Perandorinë Otomane si shtetarë apo ushtarakë. Për shembull: sistemi i ujësjellësit në Stamboll ishte monopol i shqiptarëve, në ato vite. Më poshtë, Jason Goodwin, vjen në një intervistë për gazetën “Shqip”, duke na zbuluar detaje nga të pathëna nga historia…
Historia vazhdon të jetë një botëgrishëse për shumë shkrimtarë. Çfarë synonit të gjenit në të, kur u ndalët në Stambollin e shekullit XIX?
Në njëfarë mënyre, një roman historik hap shtigje drejt së kaluarës ku historitë e zakonshme nuk arrijnë dot të shkelin: romani mund të jetë vepër e imagjinatës, por edhe i vërtetë. Në librin Pema e Jeniçerëve, për shembull, unë munda të transmetoj diçka për kulturën dhe rëndësinë e jeniçerëve (të cilët shpesh ishin shqiptarë), gjë e cila zakonisht nuk thuhet në librat e historisë. Sigurisht që ata u bënë një problem dhe më në fund u mposhtën dhe historia priret të favorizojë fitimtarët. Por ata në vetvete kishin edhe diçka prej një fisnikërie të egër dhe bashkë me ta vdiq edhe diçka shumë thelbësore për idealin osman. Unë zgjodha të shkruaj për vitet 1830 në Stamboll, sepse është një periudhë e pasur me drama, e ndarë ndërmjet reformatorëve, të cilët kërkonin ndryshim dhe tradicionalistëve që donin kthim në të shkuarën. Është një qytet i ndarë mes Lindjes dhe Perëndimit, Europës dhe Azisë, Detit të Zi dhe Mesdheut. Ky qytet më ka magjepsur gjithnjë, mbase qëkur lexova poezitë e William Butler Yeats, kur isha fëmijë. Unë kam studiuar histori bizantine në Cambridge. Para pesëmbëdhjetë vjetësh mora rrugën – bashkë me vajzën që tani është gruaja ime – nga Balltiku në Bosfor, nga Polonia deri në Stamboll. M’u deshën pesë muaj. Në kohën kur arritëm në Krakovë dhe kuptohet para se të hynim në Transilvani, jehona historike, kulturore kishte ndryshuar disi – në vend të Gjermanisë dhe Rusisë, ne po fillonim të ndienim ndikimin e Stambollit dhe të osmanëve. Ky ndikim ishte në ushqim, arkitekturë, muzikë – madje edhe në mendjet e njerëzve. Pas kësaj, Stambolli më pushtoi të tërin. Fillova të bëja kërkime për një histori të osmanëve, e cila u botua disa vite më parë: “Zotët e Horizonteve”. Mua më tërhoqi Stambolli i viteve 1830, sepse është një periudhë shumë interesante në historinë e atij qyteti të jashtëzakonshëm, një kohë vërshimesh, ndryshimesh dhe idesh të reja, kur osmanët ndërmorën një eksperiment rrënjësor, por të pasuksesshëm për të rinegociuar marrëdhëniet me nënshtetasit e tyre dhe me botën mbarë. Kështu që Stambolli në vitet 1830 ndien njëherësh joshjen nga modernizmi dhe tërheqjen nga tradita. Por mbi të gjitha, Stambolli ishte një port i madh dhe pikëtakimi ndërmjet Europës dhe Azisë. Nuk ishte thjesht një qytet turk: ishte qytet grek, hebre, armen, një kryeqytet botëror që po fillonte të krijonte edhe një popullsi të madhe me të huaj. Ishin gjithë ato tensione dhe konflikte – dhe është vendi i përkryer ku mund të gjesh një kufomë…
Pak javë më parë në Stamboll, u gjenda duke pirë çaj me disa policë turq të sjellshëm. Ishin të trishtua,r sepse nuk ishte bërë kurrë ndonjë film me temë periudhën osmane; mendoj se kishin të drejtë. Fundja, osmanët janë ekzotikë, të huaj apo sido që të jenë – por historia e tyre është edhe jona. Dhe kuptohet që në letërsi është çuditërisht e paeksploruar.
Por, ju vendosët të tregonit gjithë atë çfarë patë, apo përjetuat në rrëfimet për të shkuarën, përmes një personazhi, detektiv Jashimit. Çfarë përfaqëson ky personazh për ju? A përcjell ai ndonjë mesazh për botën e sotme?
Unë fillova të shkruaj një histori magjepsëse sipas atyre të historikut Dan Brown – por më në fund, ne shkruajmë historitë që na interesojnë. Shpresoj që libri të jetë plot me befasi, të papritura dhe mendoj se ashtu është–deri më tani është përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, por nuk ngjason shumë me romanin e Dan Brown-it. Në retrospektivë mendoj që Jashimi si personazh funksionon, sepse mishëron dhembshurinë që ndiejmë për njerëz të tjerë si ne, sado të paarsyeshëm apo të paqartë që mund të duken. Ai ka vuajtur, por nuk bie pre e zemërimit apo keqardhjes dhe brengës: përkundrazi, ai përpiqet të kuptojë dhe madje të falë. Është detektiv, apo hetues, sepse dëshiron të bëjë gjërat e duhura.
Duke iu referuar jetës suaj, asaj çfarë ju keni bërë publike. Kur jeni në Britani, ju pëlqen ta kaloni kohën në familje, dhe të shkruani, pra nuk jeni një tip eunuku: si ju erdhi ideja për të shkruar një roman me këtë temë?
Epo, doja të krijoja një personazh me një pikëpamje pak ndryshe nga shoqëria –dikë që të mos i përkiste plotësisht botës ku gjendej. Mendoni për detektivët e mëdhenj në letërsi – Marlou i autorit Chandler, Sherlok Holms, apo madje edhe Herkul Puaro (personazh i krijuar nga Agata Kristi) – ata janë kryekëput njerëz të vetmuar, të shkëputur nga bota së cilës i studiojnë moralin dhe motivet. Dhe një eunuk është shembulli më i skajshëm! Eunukët zënë një vend të konsiderueshëm në historinë botërore, veçanërisht në lindje. Ata mund të përshkruheshin si “shërbëtorë të përkryer”, sepse vetë nuk mund të kishin ambicie për të pasur dinasti. Vetëm në Europën Perëndimore shtetet e epokës së Mesjetës u besuan priftërinjve beqarë dhe murgjve. Jashimi, eunuku im hetues, është mjaft i përkushtuar në shërbimin ndaj njerëzve. Por, ka edhe një arsye praktike, se përse një eunuk do të bëhej një detektiv i mirë në shoqërinë osmane: sepse ai mund të shkojë kudo. Mund të shkojë madje edhe pas vellos dhe të vizitojë gratë në harem. Është pothuajse i padukshëm.
Te Pema e jeniçerëve ju flisni për shqiptarët. Duke iu referuar kërkimeve që ju keni pasur në Turqi, për shkrimin e këtij romani, çfarë kemi mësuar më tepër për shqiptarët në Stambollin e atyre viteve. Si ka qenë raporti mes shqiptarëve dhe osmanëve?
Jam magjepsur krejtësisht nga marrëdhënia ndërmjet shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane, gjë e cila ishte e gjatë dhe komplekse duke dhënë frutat e saj për të dyja palët. Aty nga shekulli XIX, pjesa më e madhe e aparatit shtetëror osman, në fakt kontrollohej nga shqiptarët dhe duket qartë që ata kanë pasur ambicie të mëdha në historinë dhe kulturën osmane! Qëndresa ishte e ashpër, por më në fund shqiptarët depërtuan në Perandori si shtetarë apo ushtarakë. Për shembull: sistemi i ujësjellësit në Stamboll ishte monopol i shqiptarëve–që është edhe temë e librit tim tjetër që titullohet Guri i Gjarprit. Pastaj është edhe Mehmet Ali Pasha, i cili zaptoi Egjiptin dhe e bëri pronë të familjes. Në vitin 1999 unë udhëtova mes përmes Shqipërisë, nga Saranda në Durrës dhe nga Durrësi në Tiranë, prej ku shkova drejt kufirit me Maqedoninë në Ohër. Kam vizituar Butrintin dhe Gjirokastrën dhe kam parë Syrin e Kaltër. Udhërrëfyesi im ishte një njeri i mrekullueshëm nga Saranda, i cili më gjeti një shofer dhe një Mercedes të vjetër-  dhe me shumë fisnikëri më dha edhe besën, ndërkohë që udhëtonim bashkë. Ky ishte një nga udhëtimet e mia më mbresëlënëse dhe më emocionuese në gjithë jetën time. Shqipëria m’u duk një nga vendet më të bukura që kisha parë ndonjëherë. Ushqimi ishte i shijshëm dhe njerëzit që takova ishin jashtëzakonisht miqësorë dhe të duruar me një të huaj.
Më mahnitën kodrat e bukura me tarraca në jug me pemët frutore dhe arkitektura tradicionale e qyteteve të vjetra. Në fakt, unë po kërkoja gjurmë të rrugës së vjetërEgnatia, e cila lidhte Romën me Stambollin dhe në lindje të Tiranës gjetëm një rrip të kësaj rrugë tek e cila shkuam pasi kaluam përmes një ure me litarë. Atje gjetëm udhën e vjetër romake me gurë gjigandë kalldrëmi, e cila kalonte përmes kodrave dhe mes përmes rrugës ecte një grua duke endur lesh në një shkop: m’u duk sikur m’u shfaq një pamje jashtë kësaj kohe.
Më la vërtet mbresa aftësia e shqiptarëve për të mbijetuar, për t’ia dalë mbanë dhe madje për të jetuar mirë. Miku im më tregoi që tarracat ishin ndërtuar gjatë viteve 1960 dhe 1970, sipas udhëzimeve kineze: çdo fundjavë, – më thoshte ai, -të rinjtë e qytetit i dërgonin nëpër kodra për të punuar. Unë i thashë që duhej të kishte qenë një shtrëngesë/detyrim i tmerrshëm dhe ai qeshi. Aspak – djemtë dhe vajzat hanin dhe çlodheshin nën dritën e yjeve, ndoshta i binin kitarës ose bënin dashuri… Dhe më kujtohet një urë e vogël, poshtë kalasë së Skënderbeut në Krujë, e cila ishte ndërtuar duke përdorur anët dhe baza e një makine të vjetër. Çfarë mendjemprehtësie! Ndërkohë që Tirana me kafenetë e saj ishte një qytet disi më shik. Sigurisht që fillimisht ia nisa duke lexuar Edit Durhamin, e cila e donte Shqipërinë, bashkë me gjakmarrjet e saj dhe rregullat e zakonet klanore. Që prej atëherë kam lexuar shumë për këtë vend.
Ka ndonjë histori në lidhje me shqiptarët të cilën do të donit ta veçonit?
Ka me qindra gjëra që më buisin në mendje, por më pëlqen historia që cigaren e parë e drodhën me dorë topçinjtë shqiptarë në Misilongi, gjatë Luftës për Pavarësinë e Greqisë, pasi u ishin thyer llullat.
Ju e quani një prej figurave të njohura të historisë sonë Ali Pashë Tepelenën një dhelpër në libër… Çfarë dini për këtë personazh, dhe cilat kanë qenë raportet e tij më Perandorinë Otomane?
Ali Pasha është një nga njerëzit me të cilët do të më kishte pëlqyer të haja darkë, me kusht që në tryezë të mos ishte e ëma (unë mendoj që ajo ishte edhe më e frikshme). Ai njihej gjithandej, por është i famshëm edhe në Angli për shkak të takimit të tij me Lord Bajronin. Ishte i suksesshëm dhe despot i pamëshirshëm, i cili veproi në një shkallë të gjerë europiane: nuk është për t’u çuditur që më në fund osmanëve nuk u mbetej veçse ta shkatërronin. Unë e kuptoj që ata nuk guxonin t’i dilnin përballë, por e qëlluan përmes dërrasave të dyshemesë të shtëpisë së tij dhe kokën ia çuan në Stamboll. I hirshëm, magjepsës, mizor dhe i pandalshëm si Stalini.
Çfarë dini tjetër për historinë e Shqipërisë. Keni lexuar autorë shqiptarë?
Pak. As mjaftueshëm mund të them. Përveç Kadaresë, është e vështirë të gjesh shumë vepra të përkthyera. Në anglisht ne nuk përkthejmë shumë libra nga gjuhë të tjera, megjithëse mendoj që po fillon të ndryshojë. Të shkruarit në gjuhën angleze përfaqëson një botë të gjerë, nga Afrika në India, nga Mbretëria e Bashkuar në SHBA, Kanada, Australi…
Skënderbeu?
Natyrisht që e di se kush është Skënderbeu – jetën e tij e kam studiuar për historinë time mbi osmanët, – Zotat e Horizonteve, – duke përfshirë edhe marrëdhënien e tij komplekse me osmanët. Madje kam vizituar edhe fortesën e tij në Krujë!
Pema e jeniçerëve është edhe historia e një burri i cili nuk mund t’i dojë gratë fizikisht, por prapëseprapë i dashuron: a është kjo e mundur?
Historia thotë se Zoti donte që gjithçka që kishte krijuar ta adhuronte dhe lëvdonte, secili me zërin e vet; gjë që shpjegon edhe pse njerëzit në botë janë kaq të ndryshëm. Po kështu burrat dhe gratë. Së bashku ata duhet të plotësonin njëri-tjetrin, si zërat në një kor. Ky është dhe ideali. Në përgjithësi të mësosh të duash atë që është ndryshe, është thelbi i dashurisë –tolerance është dashuri në formën e saj më të dobët. Është e rëndësishme të kuptojmë se sa të lëndueshëm mund të jenë të tjerët. Burrat dhe gratë janë veçanërisht të prekshëm nga njëri-tjetri; për të kapërcyer këtë gjë, atyre u duhet të zbulojnë besimin. Seksi është njëri nga aspektet e tij, por vetëm njëri. Jashimi i do edhe burrat. Unë vetë u rrita i rrethuar nga gra dhe ato mbeten ende një mister magjepsës edhe sot e kësaj dite.
Si njohës i mirë i historisë otomane, mund të na thoni, cili është ndikimi i kësaj periudhe historike mbi vendet që ishin nën sundimin osman të asaj kohe? 
Kur Çu En Lain, ministrin e Jashtëm të Mao Ce Dunit e pyetën se çfarë mendonte për rezultatet e Revolucionit Francez të vitit 1789, ai në mënyrë mbresëlënëse u përgjigj se ndoshta ishte tepër herët për të dhënë një përgjigje. Por unë mendoj se për shumë njerëz të zakonshëm në Europën mesjetare, osmanët erdhën si një lehtësim, sepse ata paguanin më pak taksa dhe morën më shumë siguri. Kjo ndryshoi me kalimin e shekujve. Në disa vende, ndikimi qe negativ: ata vunë në krye një klasë udhëheqëse hipokrite e cila i vuri palët kundra njëra-tjetrës dhe mësuan t’i fshinin ndjenjat dhe motivet e tyre të vërteta dhe shtypën më të dobëtit, ndërkohë që u lëpinin këmbët më të fortëve. Nga ana tjetër, osmanët mund të zgjeronin sferën e veprimit për disa njerëz, ndërkohë që ofronin masa sigurie dhe familjaritet për të tjerë.

Çfarë mund të mësojnë sot vendet europiane nga historia e Perandorisë Otomane?
Turqia vijon të jetë një vend protagonist. Flitet shumë për të në lajme, si kandidate për anëtare të BE; por ka edhe shumë interes dhe vetëdije për trashëgiminë e Perandorisë Osmane. Kjo është e vërtetë edhe për vetë turqit, – tani ata janë shumë më të hapur drejt së kaluarës së tyre në krahasim me vite më parë. Gjithashtu, mos harroni që shumë vende europiane mund të pretendojnë pak nga historia e periudhës osmane për veten e tyre. Natyrisht Italia – osmanët arritën në Otranto në vitin 1480 dhe u dyndën deri në brigjet e lumit Piave. Por edhe të tjerë të përfshirë edhe më drejtpërdrejt, – për shembull ata që ishin nën sundimin osman.
Keni arritur të ktheni një ngjarje historike në një thriller letrar. Ishte e lehtë të shkruanit një histori të tipit Agata Kristi?
Jo, por ishte tepër zbavitëse! Ju thoni Agata Kristi, por unë do të thosha Raymond Chandler, Graham Green dhe madje Dan Brown.
Është e lehtë të mbash baraspeshën ndërmjet historisë dhe trillimit?
Për mua është e lehtë: i them vetes se po shkruaj një thriller dhe kërkesat e një thrilleri janë të larta. Unë i vë zotim vetes të zbavit lexuesin dhe nëse gjatë leximit ai mëson edhe për të kaluarën, akoma më mirë. Unë ruaj atmosferën dhe ngjarjet e mëdha historike, sa më saktë që të mundem. Por unë shkruaj vetëm për të kaluarën, sepse përpiqem edhe që ta kuptoj më mirë, kështu që në këtë mënyrë trillimi im është vazhdim i studimeve të mia.
Kush janë romancierët tuaj të parapëlqyer, shkrimtarët që ju kanë frymëzuar? A ka mes tyre shkrimtarë që shkruajnë mbi krime…?
Shkrimtarët që admiroj janë të shumtë: Anne Tyler, Rose Tremain, Italo Calvino, Umberto Eco dhe George MacDonald Fraser, i cili shkruan librat Flashman! Agjenti i Fshehtë nga Graham Green është një nga librat thriller më të mirë që janë shkruar ndonjëherë. Edhe pse mund të tingëllojë e pazakontë, unë e konsideroj shkrimtaren Beatrix Potter si një nga rrëfimtaret më të mira; këtë gjë e them dymbëdhjetë vjet pasi merrem me këtë punë. Ende marr dhe lexoj librat e saj me kënaqësi. Ende mund të marr dhe lexoj librat e saj me kënaqësi –për të disatën herë – ndonjë fëmije të vogël në shtrat. Që atëherë kam kuptuar që shumë nga situatat në librin Pema e Jeniçerëve janë frymëzuar nga libriRrëfenja e Z. Tod. Për sapo flasim, në përgjithësi adhuroj edhe shkrimtarët e shekullit XIX dhe zbulimi im më i lumtur i kohëve të fundit ka qenë autori Edmond de Amicis, libri i të cilit mbi Kostandinopojën është përkthyer në anglisht për herë të parë. Është një vepër mjeshtërore e epokës viktoriane, – ku është përfshirë gjithçka – dhe me sa duket ai
Ka përfunduar saga e Jashimit?
Në asnjë mënyrë! Është e vërtetë që për një a dy vjet nuk do të shkruaj më romane me Jashimin, por janë pesë romane me këtë personazh dhe një tregim të shkurtër që do ta botoj së afërmi. Ndërkohë, po bëhen plane për ta kthyer historinë e librit Pema e Jeniçerëve në një film hollivudian, gjë që do të ishte madhështore, – sepse periudha osmane është një burim i pashtershëm për mendjet tona!

Related

Kultura 1749407131192687102

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item