Kalbja e historisë në fushën gri të legjendave

Emin Azemi Përzierja e gjeografisë me historinë, herët a vonë shkakton konflikt dhe dualizëm brenda kuptimit   shkencor për etninë, e cila d...

Emin Azemi

Përzierja e gjeografisë me historinë, herët a vonë shkakton konflikt dhe dualizëm brenda kuptimit shkencor për etninë, e cila duhet ta ketë kontinuitetin e gjallimit në kuadër të hapësirës gjeografike, kodit etno-psikologjik e gjuhësor dhe burimësisë historike. Politikisht, kontinuiteti i Maqedonisë lidhet me një ish-shtet federativ, shpërbërja e të cilit ka prodhuar një entitet të ri, i cili me automatizëm dëshiron t’i përvetësojë atributet gjeografike të një regjioni më të gjerë, po me të njëjtin emër.
Sekreti i jetëgjatësisë së miteve është shpjeguar si shndërrim në përjetësi i figurave që kanë mbajtur gjallë substancën e një kombi. Porosia, e cila vjen nga thellësia e shekujve, përpunohet në mbamendjen e popujve dhe krijon imazhin e ekzistencës së “një mbinjeriu”, i cili në momente të vështira gjithmonë ka qenë në anën e të dobëtit. Popujt që kanë luftuar për liri, përpos heronjve realë, kanë ditur të glorifikojnë edhe figura me përmasa mitike joreale. Mic Sokoli, fjala bie, te shqiptarët përfaqëson modelin e mitit që ka prodhuar nacionalizëm banal, për arsye se gjoksi i tij si shkëmbi, i paraqitur si i tillë në vargjet e këngës, ia ka arritur të relativizojë fuqinë dhe strategjinë ushtarake të një armate të organizuar. Konkurrimi i mitit banal me historinë reale, ka krijuar te shtresat e paarsimuara të popullit ndjenjën e vetëmjaftueshmërisë.
Miti për “mosndryshimin e emrit” të Maqedonisë rrënjët i ka tek leximi politik i shkencës së historisë. Insistimi për ta mbajtur emrin e shtetit që është identik me emrin e një rajoni tejkufitar në Greqi, me qendër Selanikun, nuk e ka bindur deri më tani botën e dijës për legjitimitetin shkencor të tij. Zëvendësimi i legjitimitetit shkencor me manipulimin politik ditor, ka prodhuar lajthitjen më të madhe kolektive të shekujve XX dhe XXI, duke injektuar në disponimin publik “truptha” të huaj që i transmetojnë gabimisht informatat historike.
Ky vrap maratonomak i  ballkanasve pas hijeve të së kaluarës, sa është iracional, aq është edhe komik. Ka shumë të ngjarë që këta i kanë harxhuar energjitë për t’u marrë me të ardhmen, ndaj nuk ngurrojnë të mbajnë kokën prapa në tentim për të zënë me dorë hijen mashtruese të historisë që u shkon prapa.
Fiksimi pas figurave mitike që dita-ditës po derdhen në bronz, në sheshet dhe rrugët e Maqedonisë, sipas teoricienëve të ndryshëm, do të duhej të trajtohej si epokë postrevolucionare. Nuk e dimë nëse këtu ka ndodhur tash frik ndonjë revolucion.
Konotacioni i emrit “Maqedoni” semantikisht mbulon një rrafsh më të gjerë gjeografik, historik, etno-gjuhësor dhe do të konsiderohej shkarje e rëndë pretendimi për ta mbyllur këtë konotacion brenda kuptimësisë politike të një ish-Republike Jugosllave, e cila lidhet gjeografikisht me një pjesë të popullit sllav që veten e quan maqedonas. Prandaj, përzierja e gjeografisë me historinë, herët a vonë shkakton konflikt dhe dualizëm brenda kuptimit shkencor për etninë, e cila duhet ta ketë kontinuitetin e gjallimit në kuadër të hapësirës gjeografike, kodit etno-psikologjik e gjuhësor dhe burimësisë historike.
Politikisht, kontinuiteti i Maqedonisë lidhet me një ish-shtet federativ, shpërbërja e të cilit ka prodhuar një entitet të ri, i cili me automatizëm dëshiron t’i përvetësojë atributet gjeografike të një regjioni më të gjerë, po me të njëjtin emër.
Gjuhësisht, kontinuiteti i Maqedonisë lidhet me një grup të vogël sllavofolësish dhe me asnjë çerek dëshmie shkencore nuk është arritur të argumentohet kontinuiteti gjuhësor në mes të maqedonasve antikë dhe maqedonasve të sotëm që flasin gjuhë sllave.
Për të mbajtur gjallë nacionalizmin maqedonas nuk ka nevojë të bëhen udhë të largëta e të lodhshme në kërkim të figurave mitike nga zonat e errëta të historisë. Mjafton të përkujtohen ata emra të shquar nga shekulli i kaluar, që këtij populli ia ruajtën gjuhën e shkruar dhe e ngritën në piedestalin e vlerave konkurruese me popujt e tjerë. Duke mos u mjaftuar sllavizmi, këta që po ngrenë shtatore mitike, kanë rrezik të shkaktojnë konfliktin më të madh brenda popullit të tyre.
Sa i përket historisë, maqedonasit po i nënshtrohen një rreshtimi të ri, që para se të jetë vullnetar dhe i arsyeshëm, po bëhet gjithnjë e më i dhunshëm dhe bizar. Të gjithë ata që nuk e pranojnë identitetin antik dhe figurat që i përkasin kësaj periudhe, përfshi edhe Aleksandrin e Madh, shpallen hiç më pak se tradhtarë. Sipas kësaj, i bie, që maqedonasit duhet patjetër dhe me zor të përqafojnë një identitet, i cili historikisht ka qenë shumë larg perceptimeve dhe përjetimeve të tyre. Kësaj ndryshe i thonë edhe histori me komandë. Urdhri (i politikës) për të komanduar memorien kolektive të një populli është inxhinieringu më bizar që mund t’i bëhet krenarisë dhe formimit shpirtëror të atij populli. Historia pamësrishmëm po futet në tunelin e errët të mitomanisë.
Zona gri e legjendave që ka kapluar këtë histori të shkruar, për autorësi ka një politikë amatore, e cila në fund s’ka si të interpretohet ndryshe pos si rrëfim fantastik me fabul të huazuar nga diznillendi i gjysheve që mundohen të shtrembërojnë gojën për të folur si vocërrakët e tyre.
Disponimi publik i shqiptarëve ‘pro’ ndryshimit të emrit të Maqedonisë, nuk buron tek ndonjë prirje ksenofobike e tyre kundrejt fqinjëve të tyre maqedonas dhe më së paku duhet interpretuar kjo si armiqësi e shqiptarëve me historinë e fqinjëve të tyre.
Nëse në ndonjë anketë do të formulohej një pyetje ku do të kërkohej nga qytetarët e Maqedonisë të deklarojnë sensibilitetet e tyre historike kundrejt kuptimit të emrit “Maqedoni”, shqiptarët, këtu, me siguri do të mund të prijnë, sepse ata kanë shumë arsye dhe motive, të argumentuara edhe shkencërisht, për një interaksion historik në mes të Maqedonisë antike dhe kontinuitetit të formimit etnokulturor e psikologjik të tyre.

Related

Opinione 4759760784465552914

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item