Shëndeti: Vendet ku rreziku për të marrë grip rritet shumë

Në këtë periudhë virozash dhe gripi do të ishte mirë që të bëni kujdes për veten, duke shmangur vendet me shumë baktere! Ja se çfarë këshill...

Në këtë periudhë virozash dhe gripi do të ishte mirë që të bëni kujdes për veten, duke shmangur vendet me shumë baktere! Ja se çfarë këshillohet…

 Nëse po mendoni të bëni një udhëtim të bukur me kroçierë, kini parasysh se edhe aty probabiliteti për t’u infektuar me ndonjë virus është i madh. Dihet se edhe në anijet turistike infeksionet janë shumë të zakonshme. “Mjaftojnë pak grimca të norovirusit (virusit të gastroenterit), që ne të ndihemi keq”, thotë Lola Stem (Stamm), një epidemiologe në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill. Por nëse keni ndërmend të qëndroni në tokë, cilat mund të jenë ato vende që konsiderohen si “vatra të nxehta” mikrobesh në jetën e përditshme? Ne po ju sjellim gjashtë prej tyre, por edhe metodat për t’i shmangur.

“Pikë e nxehtë” mikrobesh: puna
Tryeza
Sipas një studimi të Universitetit të Arizonës, tavolinat fshehin qindra mikrobe më shumë se sa, për shembull, pllakat e tualetit të të njëjtave zyra. “Pastrojeni mirë telefonin tuaj, tastierën, monitorin dhe tryezën me një dezinfektues antibiotik të paktën një herë në ditë dhe përpiquni të mos hani ulur në pozicionin e punës, sepse grimcat e ushqimit ndihmojnë në formimin e mikrobeve”, këshillon dr. Stem.
Dera e frigoriferit
Edhe më e neveritshme nga mikrobet e provokuara nga paninia e kolegut tuaj, është dera e frigoriferit e zonës së ngrirjes, nëse në punë e keni një të tillë. Një studim i ndërmarrë nga Shoqata Dietike Amerikane demonstron se 44 për qind e frigoriferëve në ambientet e punës pastrohen një herë në muaj, ndërsa 22 për qind të rasteve vetëm një herë në vit. “Gjithçka që grumbullohet ose që mund të përfundojë në derën e frigoriferit bëhet një terren ushqyes për bakteret”, konfirmon më tej dr. Stem. Në një studim të publikuar vitin e kaluar, gjysma e sipërfaqeve të mobilieve në vende të zakonshme në zyra, mund të kthehen në vatra infektimi nga grimcat e mikrobeve për shembull të një kolegu të sëmurë, gjatë pushimit të drekës. Kështu që, nëse keni nevojë për një këshillë, në këtë rast ne ju sugjerojmë që duhet t’i lani shumë mirë duart përpara se të hani.
Banjat publike
Lavamani
Një studim i Universitetit të Kolorados ka identifikuar 19 grupe bakteresh, duke përfshirë edhe Staphylococcus aureus, virusin që lidhet me infeksionet rezistente ndaj antibiotikëve, i cili është gjetur në banjat publike. Sipas studimit të “NSF International”, lavamani mund të jetë zona me numrin më të lartë të mikrobeve, duke qenë se lagështia i ndihmon mikroorganizmat që të mbijetojnë.
“Peshqirët” (tharësit) elektrikë
Sipas një studimi të “Journal of Applied Microbiology”, tharja e duarve poshtë një tharësi elektrik mund të rrisë deri në 45 për qind numrin e baktereve të pranishme në lëkurën tuaj. Përdorni letra për t’i tharë duart dhe për të hapur derën e banjës kur të dilni…
Bankat
Bankomati
Duke pasur parasysh se 95% e njerëzve i lajnë duart jo shumë shpesh, sipas studiuesve të Universitetit të Miçiganit përdoruesit e bankomatit marrin edhe diçka tjetër nëpërmjet tij, përveç kartëmonedhave. Një studim i Universitetit të Arizonës ka provuar në fakt se çdo tast i vogël i bankomatit “strehon” një mesatare prej 1.200 mikrobesh, duke përfshirë virusin e ftohjes dhe atë të gripit.
Paratë kesh
Sipas një studimi në Universitetin e Oksfordit, çdo tërheqje parash përmban një mesatare prej 26.000 bakteresh. Rekomandohet që të dezinfektoni duart tuaja sapo të dilni nga banka, ose rrisni numrin e transaksioneve në bankën tuaj online!
Supermarketet
Karrocat
Do të ishte më mirë që të përdornit dezinfektuesin e çantës tuaj (për shembull facoletat e lagura) mbi dorezën e karrocave përpara se të filloni të bëni pazarin. Përse? Ndoshta sepse “përveç mikrobeve të mbetura në karrocë nga klientët e tjerë të supermarketit, duket se edhe mikrobet e pranishme te mishi i gjallë ngelin mbi ta dhe për fat të keq, këto mikrobe janë me mijëra”, thotë dr. Stem. Do të ishte mirë që pakot t’i mbështillnit me qese të posaçme.
Çantat e shpenzimeve të ripërdorshme
Janë më të mirat për ambientin, sigurisht, por bashkë me të ju mund të merrni edhe bakteret e supermarketit dhe të dyqaneve. Po sipas një studimi tjetër të Universitetit të Arizonës, 90 për qind e blerësve nuk i lajnë këto çanta rregullisht. Studiuesit kanë gjetur bakteret e quajtura koliforme, te mishi i gjallë, dhe bakteret E.coli pothuajse në çdo çantë të ripërdorshme që është marrë si rast studimi. Rekomandohet që t’i lani me duar ose lavatriçe çantat e pazarit dhe të përdorni gjithmonë qese të veçanta për mishin dhe perimet.
Dhomat e hoteleve
Telekomandat dhe çelësat e dritave
Një studim i Universitetit të Hjustonit ka gjetur se pikërisht këto janë objektet më të ndotura në dhomat e hotelit. Kështu që në valixhe mos harroni të fusni edhe facoletat dezinfektuese!
Karrocat për pastrimin e dhomave
Ato kanë shumë baktere, që do të thotë se rreziku prej tyre është shumë i lartë, duke qenë se këto lloj karrocash kalojnë nga një dhomë në tjetrën. Nëse në një hotel qëndroni për disa ditë, pas derës së dhomës që keni prenotuar vendosni shënimin “Mos na shqetësoni” për të parandaluar marrjen e mikrobeve nga dhomat e tjera.
Palestra
Peshat
Një studim i “Journal of Clinical Sports Medicine” ka gjetur viruset që provokojnë ftohjen tek 63 për qind e personave që stërviten në palestra. Studiuesit zbuluan se mjetet e peshave ishin më të ndotura se mjetet e përdorura për gjimnastikë: 73% kundrejt 51%. Edhe më keq: dezinfektimi dy herë në ditë nuk ka bërë asgjë për të ulur numrin e viruseve, pasi ato pajisje normalisht përdoren nga shumë njerëz. Lëvizja juaj: mbani gati për çdo rast dezinfektuesin tuaj personal.
Dorashkat e ngritjeve të peshave
Kërkuesit japonezë zbuluan se bakteret Staphylococcus të gjetura te peshat dhe makinat lidhen me poliestrin, materialin e përdorur në shumë doreza. Kështu që, kur mbaroni një pjesë të ushtrimeve, kur ulni peshën dhe pastroni sytë, hundën apo buzët gjatë pushimit, ju mund të infektoheni. Këshilla e rastit: mos përdorni dorashkat. Jo vetëm që do të shmangni bakteret, por do t’i ndieni edhe më mirë peshat e ushtrimeve kur qëndroni pa to. Mos harroni të jeni shumë të kujdesshëm që të mos prekni fytyrën me duar në fund të stërvitjes, pasi fillimisht ju duhet ta fshini me një peshqir të pastër.

Related

Shëndet & estetikë 7123172503781086628

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item