Majko: Shqipëria është bërë si Sicilia e viteve '70

“Mungesa e saj po na ha nga pak dhe çdo ditë. Shqipëria po kthehet dhimbshëm në një Sicili të viteve ‘70 dhe drejtësia shqiptare nuk ka asnj...


“Mungesa e saj po na ha nga pak dhe çdo ditë. Shqipëria po kthehet dhimbshëm në një Sicili të viteve ‘70 dhe drejtësia shqiptare nuk ka asnjë akt të vlerësimit publik. Bërtasim nga mëngjesi në darkë për një fshat me emrin Lazarat dhe bëjmë sikur nuk i shohim ‘lazaratasit’ e politikës në Tiranë” Ish-kryeministri Pandeli Majko, një nga figurat më të rëndësishme politike të Partisë Socialiste, jep alarmin se mungesa e drejtësisë në Shqipëri po rrezikon sovranitetin e vendit dhe institucioneve të saj. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, deputeti socialist nuk ngurron të theksojë se mungesa e drejtësisë po bën që Shqipëria t’i ngjajë Sicilisë së viteve ‘70, dhe se kjo situatë po kthehet në një turp kombëtar. Ai e quan Kryeministrin Rama jo shumë të fuqishëm përpara këtij fenomeni. Majko flet për “lazaratas” në mesin e Tiranës dhe lë të kuptohet se kjo situatë me drejtësinë, nuk po lejon luftën kundër korrupsionit. Sa për luftën kundër këtij të fundit, ai bëhet cinik kur përgjigjet se “ajo u ngjan këngëve të rakisë. Të vjen turp të flasësh”. Ish-kryeministri nuk preferon të futet në analiza të thella për qeverisjen pesëmujore të kabinetit “Rama”, por shikon firmosjen e marrëveshjes me Belgjikën për “mbrojtjen shoqërore të shtetasve” që lidhet me fondin e pensionit të emigrantëve, si nga arritjet më të mëdha të deritanishme. Majko e cilëson reformën administrative territoriale si historike dhe që vjen nga rëndësia pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1998 dhe shprehet hapur në favor të rikthimit të 36 rretheve të dikurshme në qendër të ndarjes së re, sepse, sipas tij, ai është shtrati ku fle hijshëm përkatësia dhe dinjiteti i qytetit shqiptar. Ai uron që PD-ja të mos e humbë shansin historik të marrjes pjesë në të dhe e konsideron si zhvillim pozitiv pjesëmarrjen e mundshme të PDIU-së në komisionin parlamentar për këtë çështje. Sipas Majkos, kongresi i ardhshëm i socialistëve, ku do të zgjidhet dhe kryetari i ri i kësaj partie, është një ngjarje politike dhe jo vetëm organizative, sepse do të reflektojë kalimin e PS-së në pushtet.
Z. Majko, qeveria “Rama” ka rreth pesë muaj që ka nisur punën. Cilat shikoni si fushat ku ajo gjatë këtyre muajve ka shpalosur një performancë të mirë?
Ku e shikoni të arsyeshme të ndërhyhet më me shumë shpejtësi dhe cilat duhet të jenë prioritetet për muajt në vijim? Do të ishte e padrejtë të bëja analistin në këtë situatë. Qeveria aktuale ka veç disa muaj që ka filluar punën. Besoj se edhe vetë Kryeministri Edi Rama do ta kishte të vështirë të fliste për këtë çështje. Kolegët e mi që po drejtojnë administrimin e vendit janë veç në fillimin e punës së tyre dhe fjalët e mira në favor të dikujt apo kritika me “dorashka” ndaj një tjetri nuk do të ndihmonin për asgjë. Jemi ende në fillimin e qeverisjes dhe njerëzit sapo kanë ndryshuar raportin social me të majtën e riardhur në pushtet. Priten veprime dhe jo fjalë. Është qartësisht e kuptueshme se konteksti i “analizave” do të nxiste lexuesin, më shumë se për ndjenjën e realizmit, të ngrinte pyetje të natyrës “Ku e ka hallin?”… Nga ngjarjet më të rëndësishme që, sipas meje, ka prodhuar qeverisja aktuale, ka qenë firmosja e marrëveshjes me shtetin e Belgjikës për “mbrojtjen shoqërore të shtetasve” që lidhet me fondin e pensionit të emigrantëve. Kjo marrëveshje është e para e këtij lloji dhe ka hapur precedentin që prek gati një të tretën e popullsisë së Shqipërisë që është larguar jashtë vendit për një jetë më të mirë. Duket si marrëveshje “rutinë”, por nuk është ashtu. Ajo konsideron interesat e të vetmit “eksport” që shteti shqiptar prodhoi 20 vitet e fundit, i cili ishte emigracioni. Pas kësaj marrëveshjeje të këtij lloji, “emigranti” bëhet “qytetar”. Nuk më takojnë mua shpjegimet. Ministri Veliaj dhe ambasadori Ilir Tepelena janë protagonistët e kësaj ngjarjeje pak të diskutuar sa të shënuar.
Si i shikoni zhvillimet në luftën kundër korrupsionit, nisur jo vetëm nga fakti se kjo luftë është tepër sfiduese për çdo qeveri, por dhe si një nga kushtet kyç që Shqipëria të arrijë të marrë statusin e vendit kandidat në muajin qershor?
Lufta kundër korrupsionit…?! U ngjan këngëve të rakisë. Të vjen turp të flasësh.
Ndërkaq, ka disa sulme ndaj mazhorancës në lidhje me ato që po quhen sulme të saj ndaj institucioneve të pavarura, siç është rasti i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe pasojat që mund të kenë në disa institucione nismat e reja ligjore, si ato në fushën e drejtësisë. Ku është ‘vija e kuqe’ në këtë raport që nuk duhet të kalohet nga shumica?
Mendoj se nuk vlen të diskutojmë “vizat e kuqe”. Janë shpërdorime të fjalës dhe kaq. Mes dy palëve politike në Shqipëri për momentin nuk ka bashkëpunim. Kjo u dedikohet mungesave sesa “vijave të kuqe”. Përdorimi i fjalorit të periudhës së luftës së ftohtë përshkruan krizën e besimit që ekziston në politikën shqiptare. Mos gaboni ta trajtoni vetëm si çështje personale liderësh. Ajo është edhe rrjedhojë e varfërisë së politikës në ofertën e vet. Kjo aktualisht nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Në kushtet e mungesave të dallimit midis së majtës dhe së djathtës, vlerësimi i degradimit të politikës do të ecë paralel edhe me dëshpërimin dhe kërkesën për ndryshim. Kornizat po “prishen” dhe profesionalisht nuk mund ta fsheh që jam duke e ndjekur me mënyrën time. Përqafimi i së resë nga një shoqëri si e jona ka të nevojshme edhe pamjen e “greminës” intelektuale që e rrezikon atë… Duhet t’i kalojmë “vijat e kuqe” brenda vetes ndaj së ardhmes që po vjen. Kjo nuk është këshillë. Është më shumë se kaq. Një nga reformat më të rëndësishme që pritet të bëhen në vend është ajo administrativo-territoriale. Pavarësisht thirrjeve të mazhorancës, opozita duket larg bashkëpunimit në komisionin parlamentar të ngritur për këtë çështje. Si mund të veprohet në këtë situatë?
A mundet që përfshirja në komision e një force opozitare si PDIU ta zgjidhë situatën? Reforma territoriale në Shqipëri është një emergjencë kombëtare. E kam thënë gjatë fushatës elektorale dhe hyn te bindjet e mia. Ajo nuk ka të domosdoshme procedurën se sa vendimmarrjen e guximshme për ta bërë atë. Në kushtet e një lëvizjeje masive të popullsisë, e paprecedentë për aktualitetin e hapësirës europiane, Shqipëria është shumë e vonuar. Nëse kjo reformë do të lidhet kryesisht me vendimmarrjet e procedurave politike, ajo do të rrezikojë në mos të vonohet, të katandiset në një “rrëmujë” të re administrative. Ndarja territoriale kërkon transparencë më shumë se sa marrëveshje politike. Ajo është një akt administrativ që mund dhe duhet të lidhë politikën me profesionalizmin e fushës. Në Shqipëri, komunitetet më të konsoliduara janë ato që dikur i quanim “rrethe”… Nëse pyet dikë sot se “Nga je?”, përgjigjja që merr nuk është as fshati apo emri i komunës së sotme por ai i “rrethit”. Këtu mendoj se duhet të fillojë reflektimi. Ndarja e vjetër administrative vetëm sa ka thelluar ndarjen midis banorëve që jetojnë në fshat dhe qytet. Ajo ka thelluar dallimin në cilësinë e shërbimeve. “Getot” e palegalizuara pranë qyteteve të mëdha janë thuajse një poshtërsi e cinizmit të politikës. Sot jam deputet në qendrën elitare të Tiranës, por nuk harroj se kam qenë “deputet fshati” në një nga zonat më të nderuara të Korçës. Edhe për këtë arsye, e di se reforma territoriale duhet të trokasë në radhë të parë tek interesat e njerëzve se sa te dyert e politikës. Nuk e fsheh, se jam për një ndarje sa më radikale që do t’u japë titullin “qytetar” mijërave familjeve që jetojnë në qytet ose pranë tij, por që gëzojnë shërbime “fshati”. Nga ana tjetër, ndarja e re administrative duhet të parashikojë një nga ngjarjet më të rëndësishme në vazhdim të kombit dhe që është lëvizja e popullsisë drejt qendrave të mëdha të qytetërimit shqiptar si Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra, Korça, Elbasani, Fieri etj. Në një situatë të tillë, vendimmarrja është historike. Nuk jam për një reformë që fillon nga poshtë me parimin “çfarë do të bashkojmë”. Jam për një reformë territoriale që fillon nga lart, me pyetjen “çfarë do të ndajmë”. Njësia bazë fillestare sipas opinionit tim është “rrethi” i dikurshëm ku fle aq hijshëm identiteti i secilit. Padyshim që ky proces ka nevojë për diskutim publik. Politika nuk ka për çfarë të merret vesh në diçka që duhet bërë me nevojë ulëritëse. Për “detajet” padyshim që duhen kompromise. Paniku se “do të largohen shërbimet” nga zonat e thella është blof. Sipas meje, do të ndodhë e kundërta pasi zyrat e komunave që do “shkrihen”, do të funksionojnë më mirë si zyra shërbimesh pa “agallarët” që i drejtojnë sot. Nga këndvështrimi politik ardhjen e PDIU-së në këtë proces e konsideroj si fillim shpresëdhënës. Pas miratimit të Kushtetutës në vitin 1998, mendoj se ndarja e re administrative e Shqipërisë përbën një vendimmarrje me të njëjtën peshë historike. Besoj dhe shpresoj që Partia Demokratike të mos përsërisë gabimin që bëri dikur me ligjin themelor të shtetit, duke mos marrë pjesë në vendimmarrjen e kohës. Ai që mëson nga gabimet, ka stimën dhe respektin edhe të kundërshtarit. Kryeministri Rama ka hedhur edhe idenë e prokurorëve ndërkombëtarë për rihetimin e 21 janarit të vitit 2011. Cila mund të jetë mënyra më e mirë për të bërë drejtësi për këtë çështje e cila vijon të trazojë shoqërinë shqiptare?
Mendoj se ka qenë një mënyrë për të shprehur paqartësinë ndaj drejtësisë sonë. Ajo dhe mungesa e saj po na ha nga pak dhe çdo ditë. Shqipëria po kthehet dhimbshëm në një “Sicili” e viteve ‘70 dhe drejtësia shqiptare nuk ka asnjë akt të vlerësimit publik. Mungesa e saj është një turp zyrtar dhe i një kaste njerëzish që kontrollojnë interesat e të paprekshmëve. Bërtasim nga mëngjesi në darkë për një fshat me emrin Lazarat dhe bëjmë sikur nuk i shohim “lazaratasit” e politikës në Tiranë… Mungesa e drejtësisë po rrezikon sovranitetin e vendit dhe institucioneve të saj. Kryeministri ndihet pak i fuqishëm përballë drejtësisë që hesht. Çfarë duhet të ndodhë tjetër?!
Si e shikoni aksionin opozitar që në këtë vit duket se do të ketë si element të rëndësishëm edhe protestën në shesh? Si mundet të arrihet që opozita të jetë pjesë e reformave të rëndësishme që i duhet sot vendit?
Opozita po përpiqet të ringrihet. Ky është proces më se i natyrshëm dhe ka fare pak vend për diskutim. Me pak humor është për t’u vënë re që PD-ja e “re” po imiton pak si tepër skenarët dhe deri edhe skenat e “piktorit” opozitar të djeshëm Edi Rama. Sinqerisht, jo çdo gjë që ka bërë dikur Edi Rama në opozitë vlen të ribëhet sot kundër tij. Kam një vlerësim të matur për gjuhën politike të Bashës. Ajo nuk ka nivelin e trajtimit të “armikut” te kundërshtari, por ndërkaq atij i duhet të jetojë krah për krah “buldozerit” Berisha, që sapo i ka dorëzuar zyrën e kryetarit, por jo partinë. Rama ishte më me fat se sa Basha në këtë drejtim.
Ndërkaq Partia Socialiste duket se ka “harruar” që nga muaji shtator të zhvillojë zgjedhjet e brendshme për zgjidhjen e kryetarit të kësaj partie. A mund të përligjet kjo vonesë?
Keni të drejtë. Justifikimi i vetëm është që kongresi për një parti në pushtet është edhe një ngjarje politike. Ai do të reflektojë kalimin e partisë sonë në pushtet dhe jo vetëm një ngjarje organizative. Ai do të bëhet, sigurisht,… ose siç thonë ministrat tanë kur duan të të rrëshqasin me shprehjen “Pa merak!”…(qesh)
A ndihet sot PS-ja e përfaqësuar me të gjitha rrymat e saj, siç janë qëndrestarët, të rinjtë, gratë, grupimet e caktuara në kabinetin qeverisës?
A ka favorizim të një grupimi më shumë se një tjetri? Me humor duhet thënë shprehja “Na mbytën gratë!”… Në PS po qarkullon mendimi për të krijuar Forumin e Burrave Socialistë…Por le ta lëmë humorin. Pjesëmarrja e grave në qeverisje është një cilësi që e kanë pranuar edhe kundërshtarët e PS-së. Vlen të thuhet me bindje se ato nuk na kanë bërë të ndihemi keq në qeverisje. Në Njësinë Pesë të Tiranës, ku unë jam deputet, drejtojnë gratë dhe shtabi elektoral ishte në shumicë me gra. Qëndroj me respekt karshi asaj që gratë kanë sjellë në Partinë Socialiste dhe do të ishte marrëzi ta mendosh sot të majtën pa prezencën reale të tyre.
Ju keni lajmëruar edhe mbajtjen e mbledhjes së ambasadorëve të NATO-s në muajin maj në Tiranë, ku do të jetë i pranishëm dhe Sekretari i Përgjithshëm, Rasmunsen. A ka vend për përmirësimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me këtë aleancë të fuqishme ndërkombëtare?
Marrëdhënia e Shqipërisë me NATO-n është pa asnjë metaforë politike një marrëdhënie thelbësore që përfaqëson ndryshimin e statusit ndërkombëtar të Shqipërisë pas viteve ‘90. Sado ditë “gri” që të kalojë Shqipëria, në çdo rast ajo në rrugëtimin drejt së ardhmes ka në krah një cilësi që quhet NATO. Kjo aleancë do të shërbejë si një ombrellë për ditë të mira dhe të këqija, duke i dhuruar shqiptarit të thjeshtë sigurinë për të nesërmen dhe brezit më të ri kërkesën për më shumë. Kombi ynë është racë luftëtarësh dhe rrugëtimi ynë drejt Perëndimit filloi nga ajo që ai kupton më shumë në historinë e tij të mbijetesës. Aleanca më e madhe e historisë së njerëzimit nuk ka çfarë t’u provojë shqiptarëve, pasi viti 1999 ishte dhe mbetet i skalitur në memorien tonë kombëtare. Marrëdhënia me NATO-n do të jetë një cilësi e përhershme për Shqipërinë dhe shqiptarët, ku mirënjohja po ia lë vendin provës sonë kolektive se meritojmë më shumë. NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ndihmuan kombin tonë të traumatizuar nga dramat ballkanike. Ata na ulën në tavolinën e vendimmarrjes. Ne jemi aty ku flitet dhe vendoset. Një karrige tjetër bosh na pret, Bashkimi Europian. Jemi në mes të një rrugëtimi kaq serioz, i cili është dhe mbetet më i rëndësishmi në historinë tonë moderne. Si në një legjendë, udhëtimi i kombit shqiptar drejt Brukselit na bën të dukemi si një Konstandin në kërkim të motrës së tij… Jemi kaq të vjetër. Dhe sillemi kaq fëmijërisht me fatin tonë. Të dyja këto cilësi po na ndajnë pa zhurmë nga koha e njerëzve që praktikojnë, por nuk besojnë. Sigurisht.  

Related

Intervista 3894277324673009995

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item