Si u ngrit në Vjenë Agjencia e parë Telegrafike Shqiptare
Nga ROBERT ELSIE Publicisti austro-hungarez Leo Freundlich (Leo Frojndlih, 1875-1953) lindi në një familje hebraike në qytetin Bielitz-Biala...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/si-u-ngrit-ne-vjene-agjencia-e-pare.html
Nga ROBERT ELSIE
Publicisti austro-hungarez Leo Freundlich (Leo Frojndlih, 1875-1953) lindi në një familje hebraike në qytetin Bielitz-Biala (Bielsko-Biala), tani në Poloni, dhe jetoi në Bohemi ku në vitin 1907 u zgjodh deputet ne parlamentin perandorak në Vjenë. Pas dështimit të socialistëve gjermanë në zgjedhjet e vitit 1910, në Boheminë veriore, Freundlich-u u tërhoq nga politika, u nda nga gruaja dhe u nis për në Vjenë, kryeqytetin e madh të Perandorisë shumëkombëshe austro-hungareze.
Kur erdhi në Vjenë, Freundlich-u sigurisht nuk dinte asgjë për shqiptarët dhe Shqipërinë, por kjo do të ndryshonte shpejt. Gjatë tërheqjes së Perandorisë osmane nga Evropa juglindore në kohën e Luftës Ballkanike, Shqipëria shpalli pavarësinë, dhe Leo Freundlich do të luante një rol të posaçëm në Vjenë në “zbulimin” e këtij vendi ballkanik dhe të popullit të tij.
Deri më sot emri Leo Freundlich lidhet në radhë të parë me librin e vogël të tij Albaniens Golgatha: Anklageakten gegen die Vernichter des Albanervolkes, Vjenë 1913 (shqip Golgota shqiptare: akuza kundër shfarosësve të popullit shqiptar, Tiranë 1995). Në këtë monografi ai përmblodhi artikujt e shtypit të kohës për të informuar botën për masakrat e kryera nga forcat serbe në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë viteve 1912 dhe 1913. Freundlich e botoi këtë material edhe në italisht, në librin Golgota dell'Albania: atti d'açusa contro gli sterminatori del popolo albanese (Viçenza 1913).
Në Golgotën Shqiptare, Freundlich-u përmend një vepër tjetër, e cila për mua ishte krejtësisht e panjohur – Korrespondenca Shqiptare – dhe kjo më shtyri të hulumtoja. A ishte libër, revistë shkencore e kohës? Nuk gjeta asnjë gjurmë të Korrespondencës Shqiptare në asnjë bibliotekë, as në Bibliotekën e madhe Kombëtare të Austrisë në Hofburg të Vjenës. Kaluan shumë vite dhe pothuajse kisha harruar Korrespondencën Shqiptare. Mirëpo në vitin 2008 gjatë një vizite ne Vjenë, më në fund e gjeta, në Bibliotekën e Universitetit të Vjenës. Ekzemplari në tre vëllime i Korrespondencës Shqiptare që ndodhet aty përmban jo më pak se 1100 faqe të daktilografuara dhe disa faqe të shkruara me dorë – një thesar i vërtetë albanologjik.
Ç’është Korrespondenca Shqiptare? Që prej pranverës së vitit 1913 dhe deri në muajin gusht të vitit 1914, Leo Freundlich mblodhi ditë për ditë informacione për zhvillimet në Shqipëri dhe ua shpërndau këto “lajme të fundit” nga Ballkani instancave zyrtare, kryesisht ministrive dhe organeve të qeverisë austro-hungareze. Korrespondenca Shqiptare ishte, si të thuash, agjencia e pare telegrafike shqiptare.
Përveç artikujve të shtypit që grumbulloi, Freundlich ishte në kontakt me shumë figura në Shqipëri, si Ismail Qemal bej Vlora, Syrja bej Vlora, Dervish Hima dhe Fan Noli por edhe shumë të tjerë pa emër, dhe i botoi letrat dhe mesazhet e tyre në Korrespondencën Shqiptare. Në bazë të kontakteve të tij, Freundlich u bë zëdhënësi i çështjes shqiptare në Vjenë.
Korrespondenca Shqiptare nuk ishte e vetmja agjenci telegrafike në Vjenë gjatë viteve para Luftës së Parë Botërore. Në librin Großmacht Presse (Shtypi - Fuqia e Madhe), Vjenë 1920, botuesi konservator Joseph Eberle (1884-1947), redaktori i gazetës katolike Reichspost, e përmend Korrespondencën Shqiptare si një organ në një sërë korrespondencash “hebraike,” siç thotë. Pra në Vjenë kishte agjenci të tjera informacioni si lobistë për çështje të ndryshme politike.
Në kohën e tensionit të lartë politik në Ballkan në prag të Luftë së Parë Botërore, Korrespondenca Shqiptare shërbeu si pikë orientimi për politikën e jashtme të Austro-Hungarisë. Nuk dihet se çfarë ndikim konkret pati në jetën politike të Monarkisë së Dyfishtë. Megjithatë Korrespondenca Shqiptare u ofroi lexuesve, në atë kohë por edhe sot, një mori të dhënash për zhvillimet kritike në trevat shqiptare dhe rreth tyre gjatë “vitit të mbrapshtë” para shpalljes së Luftës, konkretisht nga qershori 1913 deri me gusht 1914.
Pak kohë pas shpërthimit të Luftës Botërore, Freundlich ishte i detyruar të pezullonte punën e Korrespondencës Shqiptare, sigurisht për mungesë fondesh.
Më vonë, gjatë Luftës, Freundlich u përpoq ta ringjallte Korrespondencën Shqiptare, në vitin 1916, por cilësia e njoftimeve nuk krahasohet me të dhënat e mbledhura gjatë viteve 1913 dhe 1914. Në këtë kohë Freundlich-u ishte i angazhuar me një punë tjetër. Ai ishte kryeredaktori i gazetës shqipe të Vjenës Vëllazënija. Kjo gazetë u botua në gjuhën shqipe në emër të Shoqërisë Dija, fillimisht dy herë në javë. Doli nga janari 1916 deri në nëntor 1918, kur Lufta e Parë Botërore përfundoi me dështimin e plotë të Austro-Hungarisë. Vëllazënija ishte një gazetë informative, mund të themi propagandistike, një dukuri e veçantë që vlen të lexohet edhe sot. Ishte zëri shqiptar i qeverisë perandorake në kohën e luftës në Ballkan.
Pas luftës, me ndërmjetësimin e Musa Jukës (1880-1955) të cilin e kishte njohur në Vjenë, Leo Freundlich-u hyri në shërbim të Ahmet Zogut (1895-1961), si sekretar shtypi i Mbretërisë shqiptare në Vjenë. Ai i shërbeu Zogut edhe gjatë viteve ’30, ndër të tjera për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare midis Shqipërisë dhe Rajhut gjerman. Thuhet se në kohën e nazismit kur ballafaqohej me përshëndetjen e re “Heil Hitler” që e urrente, Freundlich-u përgjigjej me “Heil Zogu” duke ngatërruar qëllimisht bashkëbiseduesit gjermanë të cilët mendonin se kjo ishte një përshëndetje e zakonshme në Shqipëri.
Kur jeta për hebrenjtë e Austrisë u bë e padurueshme, Leo Freundlich u arratis në Zvicër dhe Luftën e Dytë Botërore e kaloi në varfëri në Gjenevë, i ndihmuar herë pas here nga të dy vajzat e tij në Nju Jork. Vdiq aty në shkurt të vitit 1953. Kështu ishte jeta e Leo Freundlich-ut, figurë ende pak e njohur në albanologji.
Në përfundim, dëshiroj të shtoj këtu disa fjalë për fatin e Korrespondencës Shqiptare.
Pas zbulimit të veprës, shkova në Vjenë me një aparat fotografik në një ditë të ftohtë dimri. Kësaj radhe, më datën 15 shkurt 2008, mora veprën në tre vëllime në dorë, në sallën e madhe të leximit të Bibliotekës Universitare, dhe e fotografova në këmbë, faqe për faqe. Fotografimi i kësaj vepre me më shumë se 1100 faqe zgjati më shumë se shtatë orë. Duhet të them se jo vetëm u lodha shumë dhe ngela pa bukë, por mërzita studiues të tjerë në sallën e leximit që donin qetësi.
Pas fotografimit dhe përmirësimit digjital, vepra u daktilografua nga tri studente të gjermanishtes të Universitetit të Prishtinës, drejtuar nga Blerta Ismajli, të cilave u jam mirënjohës. Redaktimi dhe përpunimi i materialit nga ana ime zgjati sigurisht një vit, por pas kësaj pati shumë vonesa, probleme të zakonshme për të gjetur një botues dhe, në radhë të parë, për të gjetur fonde për shtypjen e librit. Lidhur me këtë dua t’i shpreh mirënjohjen edhe zotit Konrad Cleëing, zëvendësdrejtorit të Institutit të Studimeve të Evropës Lindore dhe Juglindore (Institut für Ost- und Südosteuropaforschung) në Regensburg të Bavarisë, i cili pranoi këtë vepër të madhe për botim në kolanën e botimeve të këtij Instituti të njohur shkencor./shqiptarja