Kufij Shengen për internetin?
Gjermania dhe Franca po konsultohet për një të ashtuquajtur “Shengen Routing”. Të dhënat duhet të mbeten mundësisht brenda Evropës. Por a mb...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/kufij-shengen-per-internetin.html
Gjermania dhe Franca po konsultohet për një të ashtuquajtur “Shengen Routing”. Të dhënat duhet të mbeten mundësisht brenda Evropës. Por a mbron kjo vërtet nga përgjimi apo i shërben vetëm kompanive të IT?
Shkurtesa “www” do të thotë “world wide web”, pra një rrjet mbarëbotëror dhe si i tillë pa kufij. Por përgjimet masive të qarkullimit të të dhënave në internet nga NSA, të cilat javët e fundit kanë shkaktuar pakënaqësi të mëdha në raportin me SHBA, duket se janë bërë shkas që të mendohet për ta kanalizuar më shumë qakullimin e të dhënave në korsi kombëtare. Ekzistencën e planeve konkrete për këtë, e konfirmoi edhe kancelarja Angela Merkel në mesazhin e saj të përjavshëm video në internet: këto ditë ajo do të diskutojë me qeverinë franceze nën drejtimin e François Hollande se si mund të ngrihet një rrjet evropian komunikimi, për të shmangur survejimin nga shërbimet sekrete nga SHBA.
Rregulla Shengen për paketat e të dhënave
Ngritja e një rrjeti evropian të dhënash është hedhur për diskutim që para disa javësh nga Deutsche Telekom, një prej kompanive më të mëdha të telekomunikacionit në Evropë me seli në Bonn. Në jetën reale marrëveshja Shengen rregullon qarkullimin e lirë ndërkufitar dhe të mallrave brenda Evropës. Por në Shengen nuk bëjnë pjesë të gjitha vendet e BE-së dhe në këtë mënyrë një “Shengen routing” mund të shmangte në mënyrë elegante Britaninë e Madhe, shërbimi sekret i së cilës GCHQ ka rezultuar një nga pikat e zellshme të përgjimit brenda BE-së.
Në forume të ndryshme në Internet aktivitistët e rrjetit bëjnë tashmë shaka me të ashtuquajturin “Schlandnet” (formë e shkurtër e “Deutschlandinternet” – interneti Gjermanisë). A pajtohen kufijtë kombëtarë me idenë e internetit që përfshin gjithë globin? Dominique Petersen nga Instituti për Siguri në Internet në Universitetin e Vestfalisë ka dyshime për këtë. Rrjeti i internetit nuk është ngritur nga shtete por ka pasur që në fillim një strukturë globale. “Serverat gjigantë të firmave të internetit gjenden kryesish jashtë vendit dhe provider-at i dërgojnë paketat e të dhënave përmes vendeve të ndryshme.” Mund të arrihet vërtet që qarkullimi ndërevropian i të dhënave të mbetet në Evropë, por ai përbën vetëm një pjesë të vogël të qarkullimit në internet: “Kur unë për shembull navigoj në Facebook, blej në Amazone apo lëviz në portale të tjera të mëdha, atëherë të dhënat dalin në mënyrë të pashmangshme nga hapësira gjermane apo evropiane.”
Rrjeti evropian: i pakuptimtë por i shtrenjtë?
Philipp Blank, përgjegjës pranë Deutsche Telekom për sigurinë në rrjet dhe mbrojtjen e të dhënave, e mbron megjithatë iniciativën për një “Shengen-Routing”: nuk bëhet në asnjë mënyrë fjalë për të përqendruar gjithë qarkullimin në internet brenda kufijve kombëtarë. “Ne pyesim vetëm: Përse një email nga Boni në Berlin të përcillet nëpërmjet Nju Jorkut dhe Londrës?” – thotë Blank në intervistë me Deutsche Welle-n dhe i referohet shembullit nga SHBA: “Atje prej kohësh zbatohet në praktikë rregulli që qarkullimi kombëtar në internet, kur dërguesi dhe marrësi janë në SHBA, nuk përcillet nëpërmjet vendeve jashtë SHBA.”
Dominique Petersen nga Instituti për sigurinë në Internet dyshon megjithatë që një rrjet evropian komunikimi do të sillte vërtet më shumë siguri për të dhënat: “Mund të jetë e vërtetë që kështu u vështirësohet puna shërbimeve sekrete të huaja, të cilat nuk disponojnë potencialin teknik të shërbimeve të fshehta amerikane apo britanike”, thotë studiuesi. “Por për NSA për shembull nuk është aspak problem të ngrejë stacione përgjimi në Gjermani apo diku tjetër në Evropë.” Sipas Petersen një “Shengen routing” është jo vetëm i padobishëm por edhe i shtrenjtë, pasi për momentin router-at e internetit kërkojnë jo vetëm rrugën më të shpejtë por edhe më të lirë për paketat e të dhënave, që dërgojnë përreth globit. Nëse tani do të detyrohen të mbeten brenda Evropës navigimi në internet mund të bëhej shumë i shtrenjtë për përdoruesit.
Zëdhënësi i Telekom Philipp Blank thotë se kompania e tij synon të rifitojë besimin e humbur të përdoruesve të internetit pas skandalit të NSA-së. Por për të arritur këtë njerëzve duhet t’u bëhet e qartë se sa e rrezikshme është të lundrosh në internet: “Email-et janë si të thuash si kartolina që mund t’i lexojë kushdo rrugës për në destinacion. Kjo vlen edhe kur dërgohen vetëm brenda Gjermanisë.” I vetmi mjet mbrojtës është kodimi i të dhënave thotë Blank. “Atëherë s’ka rëndësi se në ç’rrugë kalojnë paketat e të dhënave dhe çfarë ndodh rrugës me to.”/standard