NYT: Stuhi e frikës në Turqi

Megjithëqë fjala turbulencë nuk ekziston në gjuhën turke, me gjasë ajo paraqet përshkrimin më të mirë të gjendjes së politikës në Turqi gjat...


Megjithëqë fjala turbulencë nuk ekziston në gjuhën turke, me gjasë ajo paraqet përshkrimin më të mirë të gjendjes së politikës në Turqi gjatë ditëve të sotme, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja New York Times, dhe vazhdon të shpjegojë se edhe në gjuhën turke ka shumë fjalë të tjera, që tregojnë “tension”, “pamje mashkullore” dhe “polarizim”, e që të gjitha shkaktojnë shqetësim në shtetin e Turqisë. Turqia është vend fluid, vend i konflikteve dhe kundërthënieve. Disponimi ndryshon çdo javë, ndonjëherë edhe çdo ditë. Deri tash, vendi është parë si kombinim i suksesshëm i islamit dhe demokracisë perëndimore dhe vend me ndikim rajonal në Lindjen e Mesme. Kjo pikëpamje po zbehet me të shpejtë, dhe nëse Turqinë e shohim si lum, ai po ecën më shpejtë se kurrë, shkruan New York Times. Me zgjedhjet lokale, presidenciale dhe të përgjithshme, që do të mbahen, ky është një vit i polemikave të zëshme dhe të shqetësimit. Asgjë nuk e reflekton më mirë stuhinë se sa shtimi aktual i teorive konspirative. Kryeministri Recep Tayyip Erdogan, disa herë i ka akuzuar të jashtmit se kanë dorë në protestat në Gezi Park, verën e kaluar, me ç’rast u vranë 6 vetë dhe 8 mijë u plagosën. Disa zyrtarë qeveritarë patën hedhur insinuata se forcat e errëta po operonin prapa skenës, përfshirë diasporën hebreje, agjencinë CIA, pastaj rrjetet BBC, CNN dhe lobistët e interesit, fjalë që përdoret për komplot të bankave vendëse dhe të jashtme, për të cilat zyrtarët besojnë se dëshirojnë ta dëmtojnë Turqinë, për përfitime të mëtejshme për interesat e tyre. Një reporter turk i BBC-së hapur është akuzuar se është spiun i jashtëm. Protestuesit në Sheshin Taksim janë quajtur terroristë. Ishte sugjeruar se kompania ajrore gjermane, Lufthansa, po përpiqej ta shkatërronte me qëllim një aeroport të ri e të rëndësishëm në Stamboll, shkruan New York Times. Në mediat shoqërore ka thashetheme të pafundme për “shtet të thellë brenda shtetit të thellë”. Shkallë-shkallë, Turqia po shndërrohet në një vend të mbërthyer në paranojë. Ka dyshime publike në rritje se lajmet janë të filtruara, nëse jo të manipuluara. Incizimet, që kanë rrjedhur aktualisht,kanë zbuluar se hulumtimet e opinionit të publikuara në gazetën kryesore, ndoshta kanë qenë të kurdisura për ta kënaqur qeverinë. Gazetarët kanë marshuar për të protestuar kundër ndalesave në lirinë e shtypit. Në vendin ku liria e të shprehurit është zvogëluar, ndërsa diversitetet në media janë rrudhur, mediat sociale janë e vetmja alternativë e komunikimit, informimit dhe keqinformimit, shkruan New York Times. Një ligj i ri që ka kaluar në Parlament, më tutje e ka  kërcënuar lirinë e opinionit, megjithëqë presidenti Abdullah Gul, që tha se do ta nënshkruaj atë, ka pranuar se disa pjesë të tij janë problematike. Nëse trazirat në Gezi kanë nxitur teori konspirative, hetimet aktuale të korrupsionit i kanë fryrë zjarrit. Zyrtarët qeveritarë vazhdimisht flasin për komplot të jashtëm. Turqia ka lëvizur shumë mirë, thonë ata, dhe tash aktorët e fshehur dëshirojnë ta ndalin atë nga rritja e mëtejshme. Këto akuza rezonojnë brenda disa segmenteve të shoqërisë. Shtrohet pyetja se përse në Turqi ka nevojë për teori të konspiracionit? Një pjesë e përgjigjes qëndron në faktin se Turqia ende nuk është demokraci e pjekur dhe politikat e saja janë mashkullore, agresive dhe të polarizuara. Polarizimi i Turqisë e prek çdo shtresë të jetës shoqërore, kulturore dhe ekonomike. Kur kontrollet dhe balancet, ndarja e autoriteteve dhe diversitetet e mediave janë në rrezik, atëherë ata në qeveri bëhen shumë të fuqishëm. Një pjesë e përgjigjes qëndron edhe në frikësimet e vjetra, që shkojnë shumë larg në arsim. Njëra nga këngët në fëmijëri ishte “Një, dy, tre, rrofshin turqit... katër, pesë, gjashtë, Polonia ka rënë, shtatë, tetë, nëntë, Rusët janë tradhtarë”. Fëmijët i kanë kënduar këto këngë pothuajse gjithkund në rrugë, duke brohoritur se italianët ishin dhelpra, e gjermanët derra... Në Turqi fëmijët janë rritur në besimin se Turqia në tri anë është e kufizuar me ujë, ndërsa në anën e katërt me armiq. Grekët kishin aspiruar ta ri-okupojnë Stambollin dhe ta bëjnë Konstantinopojë. Arabët nuk ishin për tu besuar. Rusët kishin bërë komplot për ta okupuar Bosforin. Çdokush e kishte dëshiruar një pjesë të Anatolisë, tokë e Turqisë, ndërsa i vetmi mik i turqve ishin turqit, shkruan e përditshmja New York  Times. Në të kaluarën, njëra nga anët e  fuqishme të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të zotit Erdogan, ishte politika e jashtme me “zero probleme me fqinjët”. Por kjo politikë nuk është mbështetur. Por, kohët kanë ndryshuar. Të rinjtë janë shumë më të hapur ndaj botës se sa gjeneratat e mëparshme, dhe njerëzit janë para politikanëve të tyre. Për aq sa turqit synojnë t’i pranojnë teoritë e konsiparcionit, turqit po ashtu, janë shumë të lodhur nga to, shkruan në fund të artikullit e përditshmja News York Times. Përgatiti: Fatmir Bujupi/rel/

Related

Shtypi i huaj 1985341598013715124

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item