Në më pak se 48 orë Ukraina ndërron faqe

Nga Bernd Johann Papritmas ngjarjet rrjedhin me shpejtësi. Parlamenti në Ukrainë shkarkon presidentin Viktor Janukoviç. Në maj do të zgjidhe...

Nga Bernd Johann

Papritmas ngjarjet rrjedhin me shpejtësi. Parlamenti në Ukrainë shkarkon presidentin Viktor Janukoviç. Në maj do të zgjidhet presidenti i ri. Edhe një lajm i mirë nga Kievi, politikania opozitare, ish-kryeministrja Julia Timoshenko është liruar. Në Ukrainë ngjarjet pasojnë me shpejtësi njëra-tjetrën dhe janë zhvillime historike. Një revolucion demokratik po ndodh në Europë. Populli përmbys një regjim autoritar dhe të korruptuar, që e ka trajtuar si pronë private vendin dhe pasuritë e tij. Kur populli u mbrojt kundër kësaj, regjimi dha në fund urdhër të qëllojë mbi ta.
Pas gjakderdhjes të ditëve të fundit dhe skenave si të një lufte civile zgjidhja politike e konfliktit tani është e mundur. Krahas parlamentit një qeveri kalimtare duhet të organizojë procesin e vështirë të riorganizimit politik. Qeveria e re duhet të formohet sa më parë. Në të duhet të përfshihen mundësisht të gjitha forcat politike, edhe nga radhët e mbështetësve të mëparshëm të Janukoviçit. Sepse përndryshe konflikti, që ndau të gjithë Ukrainën, mund të përshkallëzohet përsëri. Dhe nuk mund të përjashtohet, që vendi pastaj të ndahet në dy pjesë.
Kryeqyteti Kiev, qendra dhe Perëndimi i vendit, janë në duart e opozitës. Edhe forcat e sigurisë duket se mbështesin pushtetin e ri. Por në Lindjen dhe jugun shumë të populluar të Ukrainës ka rezistencë të madhe. Këtu e kishte bazën e pushtetit presidenti i deritanishëm. Guvernatorët e qeverive lokale dyshojnë në legjitimitetin e vendimeve të parlamentit në Kiev. Flitet për një grusht shteti dhe rrëzim të pushtetit në Kiev. Kjo mund të shkaktojë irritim politik dhe të sjellë një radikalizim të ri të konfrontimit politik.
Mbi të gjitha sepse në Lindje ndikimi i Rusisë është i madh. Moska flet për kërcënim të rendit kushtetues nga ekstremistët, duke bërë të qartë se i refuzon ndryshimet në Ukrainë. Rusia vazhdon të ndjekë interesat e veta në Ukrainë. Ajo mbështeste regjimin e Janukoviçit. Do të ishte naive, të mendoje që Kremlini në të ardhmen do të qëndrojë larg politikës së brendshme ukrainase.
Ditët e Janukoviçit në politikë me siguri që janë të numëruara. Por ai nuk do ta pranojë humbjen e pushtetit. Politikisht ai është krejtësisht i diskretituar. Ai mban përgjegjësinë për krimet ndaj popullit të tij. Për këtë arsye shumë deputetë nga partia e tij kanë votuar për largimin e tij dhe për caktimin e zgjedhjeve të reja. Kjo është një shenjë e mirë. Megjithatë mbetet të shihet, se si do të reagojë në përgjithësi partia e Janukoviçit ndaj ngjarjeve në Kiev. Ekziston rreziku që politikanët radikalë në radhët e saj të vazhdojnë të nxisin njerëzit kundër lëvizjes demokratike në Kiev. Kundërshti mund të shkaktojë Julia Timoshenko. Ajo ka bërë ndërkohë të ditur se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale. Ndër udhëheqësit e deritanishëm të opozitës, ajo është ndoshta ende politikania më e preferuar. Por ajo shkakton vazhdimisht ndarje politike. Me aq pasion sa e mbështesin disa, me aq forcë e refuzojnë të tjerë ukrainas deri tani.
Ukraina tani ka nevojë në radhë të parë për dialog. Nevojitet një fillim i ri. Opozita, e cila ka marrë tani pushtetin në Ukrainë, duhet të dëshmojë se hapat e bërë do të çojnë edhe në një pajtim kombëtar. Vetëm atëherë mund të arrihet transformimi demokratik. Mbetet të shpresohet, që edhe politikanët nga Lindja e Ukrainës, që deri tani kanë mbështetur Janukoviçin, të jenë të gatshëm për një fillim të ri.
Ndërkohë pas marrjes së pushtetit në Ukrainën e tronditur nga kriza, opozita e deritashme ka zënë të gjitha postet e rëndësishme. Parlamenti në Kiev e caktoi kryetarin e parlamentit, Aleksander Turçinov edhe si president të përkohshëm. Deputetët votuan që i besuari i udhëheqëses së opozitës Julia Timoshenko të marrë përkohësisht edhe të gjitha fuqitë e kryetarit të shtetit.
Parlamenti caktoi zgjedhje presidenciale për më 25 maj. Në këto zgjedhje do të kandidojë edhe Timoshenko. Politikani opozitar, Vitali Klitçko ka lajmëruar prej muajsh kandidaturën e tij. Presidenti i shkarkuar, Viktor Janukoviç megjithatë nuk e ka deklaruar deri tani dorëheqjen.
Turçinovi u bëri thirrje më tej parlamentarëve që deri këtë të martë të bien dakord për një “kabinet të besimit kombëtar” si dhe për një koalicion. Ndërkohë në Rusi ka shpresa se kthimi në politikë i Julia Timoshenkos do të sjellë një gjendje më stabile në vend. Politikania me përvojë në postin e kryeministres mund të ndihmojë në qetësimin e situatës në Kiev, tha të dielën në Moskë deputeti me ndikim, Leonid Sluzki. Rusia kërkon ta vazhdojë dialogun me Ukrainën, edhe nëse kjo “ndërlikohet” pas ndryshimit të pushtetit. Perëndimi nuk do të arrijë “t’i ndajë popujt vëllezër”, shtoi Sluzki, kryetari i një komisioni të rëndësishëm për çështjet ndërkombëtare të Dumas.
Rusia e bllokoi deri në sqarimin e situatës së pushtetit në vend dhënien e ndihmave Ukrainës. Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehu gatishmërinë që ta mbështesë me kushte Ukrainën. “Nëse autoritetet ukrainase i drejtohen FMN, qoftë për konsultim, qoftë për diskutime për ndihma financiare, të lidhura me reforma ekonomike, ne kuptohet që jemi gati”, tha shefja e FMN, Christine Lagarde në takimin e ministrave të financave G-20 në Sidnej.
Në Kiev gjendja ka qenë e qetë. Me patrulla opozita ruan edhe më tej barrikadat në sheshin Maidan.

Related

Shtypi i huaj 7212759222817894942

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item