A jemi pranë një Lufte III Botërore?
John Simpson A kemi ne një Luftë Botërore pranë? Nuk mund ta dimë me siguri, jo mëshumë se Normal Angell në vitin 1910. Por këtë herë, me si...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/a-jemi-prane-nje-lufte-iii-boterore.html
John Simpson
A kemi ne një Luftë Botërore pranë? Nuk mund ta dimë me siguri, jo mëshumë se Normal Angell në vitin 1910. Por këtë herë, me siguri ka më shumë garanci për të shpresuar se nuk do ketë.
Këtë vit Britania do të përkujtojë 100-vjetorin e nisjes së Luftës së Parë Botërore. Një shekull më vonë, a mund të shpërthejë një tjetër luftë botërore? Duket e pamundur, por është pikërisht kjo, ajo që njerëzit besonin kudo përpara vrasjes së dukës Franz Ferdinand nga një ekstremist serb në vitin 1914.
Natyrisht ka disa pika të nxehta sot. Europa dhe Rusia po shkëmbejnë akuza të forta për Ukrainën dhe Kina e Japonia po përplasen për disa ishuj të pabanuar në Detin e Kinës Lindore. Ka veçanërisht dy rreziqe në këtë kohë.
Së pari, që vendet e vogla mund të tërheqin vendet e mëdha në luftë. Në vitin 1914, Rusia, Franca dhe Britania u përfshinë në krah të Serbisë, ndërkohë që Gjermania mbështeti Austrinë.
Së dyti, që qeveritë ndonjëherë tundohen të besojnë se mund të nisin një luftë të kufizuar, që mbaron me sukses e në mënyrë të shpejtë.
Zakonisht e kanë gabim.
Sot ne mendojmë se bota jonë e globalizuar është kaq e lidhur sa kjo e bën të pamundur shpërthimin e një lufte të gjerë. Epo edhe në vitin 1910, një person i quajtur Norman Angell, mendonte kështu.
Ai shkroi një libër të titulluar “Iluzioni i Madh”, ku theksohej se lufta do të ishte çmenduri nisur nga lidhjet e ngushta të tregtisë mes fuqive të mëdha.
Ishte një libër best- seller, por edhe pse kishte pak a shumë të drejtë dhe mori çmimin “Nobel” për Paqen 22 vite më vonë, lufta shpërtheu gjithsesi.
Megjithatë, gjërat kanë ndryshuar shumë 100 vite më pas. Pavarësisht se si duket, bota jonë është më pak e rrezikshme dhe më pak e prirur për luftë. Kërcënimi i luftës bërthamore nuk qëndron më varur sipër nesh. Për momentin në botë janë duke u zhvilluar 30 luftëra. Por ato janë shumë më pak shkatërruese.
Mes viteve 1950, kur shpërtheu Lufta Koreane, dhe vitit 2007, kur numri i vdekjeve në Irak nisi të binte, çdo vit kishte 148 mijë viktima në vit nga luftërat. Nga viti 2008 deri në vitin 2012, shifrat kanë rënë në mënyrë dramatike në 28 mijë viktima në vit. Kjo shifër do jetë akoma më e ulët në vitin 2014.
Duke i vendosur shifrat pak më ndryshe, në 14 vite të shekullit të 21-të, numri mesatar i vdekjeve ka qenë 55 mijë, edhe pse ka akoma shumë debat në lidhje me numrin ekzakt të njerëzve që kanë vdekur gjatë pushtimit në Irak nga SHBA e Britania. Kjo është gjysma e shifrave të vitit 1990 dhe një e treta e numrit të vdekjeve gjatë Luftës së Ftohtë.
Në fund, një tjetër vëzhgim komfortues. Britania vuajti humbje të mëdha si rezultat i Luftës së Parë Botërore dhe epidemisë së gripit që shpërtheu në Europë pas saj. Por nëse krahason shifrat e censusit në vitin 1911 dhe 1921, do të shohësh se popullsia britanike në të vërtetë u rrit gjatë atyre viteve me rreth 3 milionë.
A kemi ne një luftë botërore pranë? Nuk mund ta dimë me siguri, jo më shumë se Normal Angell në vitin 1910. Por këtë herë, me siguri ka më shumë garanci për të shpresuar se nuk do ketë.
*Marrë nga BBC