Protestuesja ukrainase bie në dashuri me policin (FOTO)
Mes dhunës dhe trazirave politike në Ukrainë, një protestuese e re ka treguar rrëfimin e saj se si ka rënë në dashuri me një polic gjatë pro...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/protestuesja-ukrainase-bie-ne-dashuri.html
Mes dhunës dhe trazirave politike në Ukrainë, një protestuese e re ka treguar rrëfimin e saj se si ka rënë në dashuri me një polic gjatë protestave në Kiev.
Lidia Pankiv, 24-vjeçe, thotë se ka qenë një prej protestuesve në rrugë që po bënin fushatë kundër korrupsionit, ditën kur është takuar me policin Andrei.
Lidia, me profesion gazetare, ka qenë në grupin e femrave që vepronin si “mburojë njerëzore” dhe që qëndronin në mes të policëve dhe një grupi protestuesish me shpresën se prezenca e tyre do ta ndalte dhunën.
“Ishim duke qëndruar afër policisë dhe më thirri një mikeshë. Policët i kishim përballë ndërsa ajo më kërkoi që t’i ndihmoja që ta gjente një mikeshë të sajën e cila ishte arrestuar. Ajo kërkonte nga unë që të shkruaja diçka. I thash të më thërriste sërish dhe i dhashë numrin të cilin ajo duhej telefonuar. Ia tregova dy herë meqenëse ishte shumë zhurmë”, ka treguar Lidia momentet e para të njoftimit të saj me Andrein.
Por, në vend të telefonatës që po e priste, ajo pranoi një mesazh telefonik që nuk ishte nga ndonjë protestues, por nga një prej policëve që po qëndronin përball saj.
Andrei nuk ia kishte treguar emrin e tij të plotë nga frika se do ta humbte punën, por i kishte thënë se dëshironte të martohej me të.
“Pavarësisht zhurmës së madhe, e mbajta në mend numrin tënd që ia dhe shoqes tënde. Nuk ta di as emrin. Isha duke qëndruar përball teje me mburojë përpara. Kur na stopove, e kuptova se dua të martohem me ty. Andrei”, ishte mesazhi që Lidia kishte pranuar atë natë.
Lidia më pas ka treguar se si kishte pranuar të takohej me të, me qëllimin që ta bindte Andrein se është në anën e gabuar. Mirëpo, thotë se, me kalimin e kohës, ajo kishte rënë në dashuri me të.
Lajmin se ka rënë në dashuri me policin, ajo e bëri publik në një emision direkt të një televizioni lokal, por krahas këtij rrëfimi, ajo kritikoi televizionin se si po merrej më shumë me të sesa me protestat anti-korrupsion.