Në pikëpyetje shkëputja e Krimesë nga Ukraina. Janukoviç: “Faji i Perëndimit”
Në Republikën autonome të Krimesë është rikthyer risku i shkëputjes nga Ukraina. E vërteton pushtimi i selisë së parlamentit lokal nga një k...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/ne-pikepyetje-shkeputja-e-krimese-nga.html
Në Republikën autonome të Krimesë është rikthyer risku i shkëputjes nga Ukraina. E vërteton pushtimi i selisë së parlamentit lokal nga një komandë e armatosur filo-ruse, po ashtu edhe i 2 aeroporteve. Rishfqet në Rostov të Rusisë ish-presidenti ukrainas i shpallur në kërkim, Viktor Janukoviç dhe nuk mungojnë deklaratat e forta
Tronditja e pushtetit në Ukrainë ka zgjuar ëndrrat e separatistëve të popullsisë me etni ruse (rreth 60%) që jeton në gadishullin e Krimesë. Rajoni u aneksua nga Ukraina në vitin 1954, e ofruar nga lideri sovjetik Nikita Krushov me rastin e 300-vjetorit të bashkimit të dy vendeve. Moska ende sot mban në gadishull bazën e flotës së saj në Detin e Zi. Pas dëbimit të presidentit filo-rus Viktor Janukoviç dhe marrjes së pushtetit nga opozita nacionaliste në Krime, u rindezën tensionet separatiste nga ana e ruso-fonëve.
Një ditë pas formimit të qeverisë së re në Kiev, të drejtuar nga besniku i Julia Timoshenkos, Arseni Iatseniuk, uniteti i Ukrainës vazhdon të vihet në dyshim. Tensioni i lartë midis Moskës dhe Kievit arriti në një stad tjetër, kur natën midis së enjtes dhe të premtes në dy aeroportet e Sebastopolit dhe Sinferopolit në Krime, u vendosën nga rusë të armatosur. Një aksion që nga vetë ata u justifikua me vullnetin për të ndaluar mbërritjen e militantëve dhe parandalimin e trazirave, por që nga ana e ministrit të Brendshëm ukrainas, Arsen Avakov, u pagëzua si një “pushtim ushtarak” i Rusisë.
Ndërkaq, mundësia e shkëputjes së Krimesë nga Ukraina duket edhe më konkrete, pas pushtimit të selisë së parlamentit të qeverisë lokale në Sinferopoli nga një tjetër komando burrash të armatosur pro-Rusisë. Në fasadën e ndërtesës u vendos flamuri rus, pak orë më vonë i njëti organ shpalli për në 25 maj referendumin për të kërkuar më shumë autonomi, ditën kur në Ukrainë do të mbahen zgjedhjet presidenciale.
Situata u acarua, në atë pikë sa presidenti i përkohshëm ukrainas, Oleksandr Turchynov, paralajmëroi se, çdo lëvizje e trupave ruse do të konsiderohet si agresion ushtarak: “Do të doja t’i drejtohesha udhëheqjes së Federatës Ruse, lidhur me detyrimet e marrëveshjes bazë rreth pranisë ushtarake ruse në Sevastopol dhe në lidhje me papranueshmërinë e shkeljes së ligjeve ukrainase, nga personeli ushtarak i Flotës Ruse në Detin e Zi”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë paralajmëruar Moskën se çdo ndërhyrje ushtarake në Ukrainë do të ishte e papranueshme dhe se do të përballej me një reagim të ashpër ndërkombëtar.
Viktor Janukoviç: “Krimea duhet të mbetet pjesë e Ukrainës”
Në konferencën për shtyp që mbajti sot në qytetin rus Rostov, Viktor Janukoviç theksoi: “Qeveria ukrainase është e paligjshme, ndërsa unë vazhdoj të jem presidenti i ligjshëm i Ukrainës. Zgjidhja e vetme është respektimi i marrëveshjes së arritur më parë me opozitën, për formimin e një qeverie të përbashkët që do të udhëheqë vendin deri në ndryshimet e ardhshme kushtetuese dhe zgjedhjet e parakohshme”.
Mbi viktimat e protestave, ish-presidenti mohoi të kishte dhënë urdhër për të hapur zjarr: “Asnjëherë nuk i kam dhënë urdhra policisë për të qëlluar, e cila, ju e dini mirë se ishte e paarmatosur deri në momentin e fundit, kur u bë real kërcënimi për jetën e tyre”. Dhe fajëson Perëndimin: “Trazirat, përleshjet dhe viktimat janë pasoja të krizës politike, rezultat i politikave të papërgjegjshme të Perëndimit, i cili ka nxitur e favorizuar protestat”
Në lidhje me çështjen e Krimesë, Janukoviç shtoi se Ukraina duhet të mbetet e bashkuar dhe e pandashme: “U drejtohem të gjithë banorëve të Krimesë me lutjen për të mos lejuar gjakderdhje dhe përçarjen ndëretnike. Si president aktual i Ukrainës deklaroj se Krimea duhet të mbetet medoemos pjesë e shtetit ukrainas, duke ruajtur një autonomi të gjerë”.
Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës ka ngritur çështjen e ekstradimit të Janukoviçit të shpallur në kërkim ndërkombëtar për “organizimin e vrasjes së qëllimshme në masë të njerëzve, si dhe abuzimin me pushtetin”.
Gjermania, Franca, Polonia, të shqetësuara për Krimenë
Gjermania, Franca dhe Polonia janë “thellësisht të shqetësuara” me zhvillimet në Krime dhe u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të ulin tensionet. Deklarata është bërë nga ministrat e Jashtëm të tre vendeve të Bashkimit Evropian, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në negociatat që kanë çuar në nënshkrimin e marrëveshjes midis ish-presidentit Viktor Yanukovych, dhe opozitës, për t’iu dhënë fund trazirave vdekjeprurëse në Ukrainë.
Hua prej 15 miliardë dollarësh nga FMN
Fondi Monetar Ndërkombëtar konfirmoi se Ukraina ka kërkuar ndihmë ekonomike. “Jemi të gatshëm t’i përgjigjemi. Do të dërgojmë skuadrën tonë për të nisur një dialog paraprak me autoritetet vendase”, pohon kreu i përgjithshëm i FMN-së, Kristinë Lagard. Ministri ukrainas i Financave njoftoi dje se do të diskutojë për një paketë ndihmash prej 15 miliardë dollarësh për të zëvendësuar fondet e bllokuara nga Rusia pas ndërrimit të qeverisë. Edhe Parlamenti Evropian kërkoi unionit që të ofrojë një zgjidhje urgjente financiare afatshkurtër dhe afatgjatë për Ukrainën./ Dorina Gjuzi