Sokol Olldashi, poezitë që shkruante për vdekjen

Sokol Olldashi “Do të ndez më pas një qiri/ Një cigare me qiririn të ndez/ E paketën në plis do ta fsheh/ Që ta pi pasi të vdes”. I njohur p...

Sokol Olldashi

“Do të ndez më pas një qiri/ Një cigare me qiririn të ndez/ E paketën në plis do ta fsheh/ Që ta pi pasi të vdes”. I njohur për dashurinë e tij për duhanin, që nuk e ndante nga dora, Sokol Olldashi ka shkruar me mjeshtëri një poezi për vdekjen. Që sigurisht do ta takonte një ditë, por jo aq shpejt, jo mbrëmjen e 20 nëntorit 2013. Gazetari i mirënjohur, Ilirjan Agolli, ka gjetur ndoshta formën më të veçantë për ta kujtuar Olldashin, duke sjellë për përdoruesit e shumtë të rrjeteve sociale disa nga poezitë më të bukura të ish-kolegut. Njëra prej këtyre poezive duket si përshkrim i përcjelljes së vetë Olldashit në banesën e fundit, kur i vëllai i hodhi mbi arkivol cigaret e tij të pandashme.
Debati
Ndërkohë, vdekja e Olldashit ka filluar t’ia lërë vendin një debati, si për vetë dinamikën e aksidentit, ashtu edhe për zhvillimet politike që mund të pasojnë. Një pjesë e medias është vënë nën akuzë për një raportim joprofesional dhe të mangët, ndërsa politika ka nisur të hedhë shigjetat e para të helmatisura. Nëse Olldashi ishte i vetëm ose jo në automjetin që e dërgoi drejt vdekjes dhe një intervistë e pritshme, ku ai do të fliste për zhvillimet në Partinë Demokratike, mbeten dy pikat me pikëpyetjen më të madhe. E në rast se ato që Olldashi do të thoshte në intervistë vetëm mund të hamendësohen, ajo që ndodhi natën e 20 nëntorit vetëm duhet zbardhur. Miqtë e tij përsërisin me nxitim se Sokol Olldashi ishte i vetëm në automjet, ndërsa policia ka qenë pasive në publikimin e një raporti përfundimtar mbi ngjarjet. Nga ana e tyre, organet hetimore është raportuar se po sigurojnë edhe tabulatet telefonike të personave, të cilët mbërritën të parët në vendin e ngjarjes.
Partia Demokratike
Forca më e madhe e opozitës duket e tronditur për atë që ndodhi më 20 nëntor, ndonëse Sokol Olldashi nuk ishte i preferuari i udhëheqjes së re dhe të vjetër të Partisë Demokratike. Sidoqoftë miqtë dhe shokët në PD nuk i mungonin Olldashit dhe tronditja mbetet e lartë. Politikanë të ndryshëm kanë komentuar se PD humbi një nga alternativat, për sa kohë Olldashi shihej si rival i Lulzim Bashës në zhvillimet e ardhshme të opozitës. Ai u ndesh me Bashën në korrik dhe doli nga gara i humbur, por me një deklaratë që shigjetonte Sali Berishën dhe pasuesin e tij për zgjedhjet jo të drejta brenda partisë, që sapo kishte humbur zgjedhjet.

Poezi nga Sokol Olldashi

(nga vëllimi poetik TEATRI I HIJEVE)

Të DIELËN

Do të shkoj në varreza të dielën,
Pa dalë dielli ende në ndajnatë,
S’do ta zgjoj rojen syfjetur,
Qetësisht do ta mbyll portën prapë.

Do të eci i heshtur ndër varre,
Në mes emrash që të shumtën s’i njoh.
Pak vend bosh do gjej të ngul kryqin,
Në dheun nga shirat bërë llohë.

Do të ndez më pas një qiri,
Një cigare me qiririn të ndez,
E paketën në plis do ta fsheh,
Që ta pi pasi të vdes.

E do të ik…

FUNERAL TRIPTIK

Popujt janë kortezhe të përmortshme,
Grumbuj Dykëmbëshash pas një arkivoli që vrapon.
Ata e vranë,
E përcjellin,
E qajnë.
Në fund të fundit me dhé Ata e mbulojnë.
Prifti bën Meshën e Fundit.
U uron krimbave oreks.
… … … … …
Jeta është një vdekje në marshim,
Një hipokrizi funebre nga pas,
Mbi të cilën
Zotat pshurrin në formë shiu,
Njerëzit në formë lotësh.
… … … … …
Unë jam një funeral i gjatë,
Një qefin i dalë nga një maternitet,
Në emër të Atit, Birit, Shpirtit të Shenjtë,
AMEN… … …

TË PAKTËN TI

Mos më mundo më kot, nënë!
Mos më fol
Për pranverë,
Lule,
Qiej të kaltër,
Zogj,
Mirësi!
Mos më gënje, të lutem,
As për Mujër, Halilër,
Që kasaphanën ta ndërrojnë me kasaphanë,
Për ëngjëj çengelë,
Ku varur rrinë kombet,
Si lopë të rrjepura, me miza ndër zorrë!

Mos më gënje, zemër!
Të paktën ti …

U JAP NJERËZVE SHANSIN E FUNDIT

Larg do të iki.
Larg kohës,
Larg tingullit,
Larg dritës,
Larg jetës.
Në inekzistencën
E çastit,
Qetësisë,
Errësirës,
Në abstraksionin e humbjes,
Për të mos kuptuar asgjë
Nga ligësia juaj naive,
Nga hipokrizia e lindur.
Më pas do të kthehem,
E
Në qofshi
Siç jeni,
Rishtaz do të shkoj
Për të mos u kthyer kurrë më.

TEATRI I HIJEVE

Rolet u ndanë keq në Skenën e Madhe
Që në fillim.
Më pas
Gjithçka kish marrë fund
E s’mund të çbëhej.
Regjisori
Këtë e kuptoi i fundit
Ndaj kur sipari u ngrit
Iku
Duke thënë se do të kthehej
Pas Shfaqjes.

Tirana Observer

Related

Letërsi 1326270176127277879

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item