Zbulimi /Dorëshkrimi origjinal u gjet në plehera/ Fjalori i rrallë i Thimi Mitkos sheh dritën e botimit
Andrea Llukani Një nga prurjet e reja të Panairit të Librit 2013 ishte botimi i Fjalorit Italisht-Greqisht-Shqip të Thimi Mitkos. Fjalori ës...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/11/zbulimi-doreshkrimi-origjinal-u-gjet-ne.html
Andrea Llukani
Një nga prurjet e reja të Panairit të Librit 2013 ishte botimi i Fjalorit Italisht-Greqisht-Shqip të Thimi Mitkos. Fjalori është botuar në dy vëllime: në të parin paraqitet Fjalori bisedimor italisht-greqisht-shqip dhe në të dytin kemi Transliterimin dhe fjalësin e pjesës në gjuhën shqipe. Fjalori ishte i humbur dhe doli në dritë në sajë të përkushtimit të studiuesit Shpëtim Sala, i cili pas një pune disavjeçare arriti ta botojë këtë vepër të rëndësishme të leksikografisë shqiptare
Një nga prurjet e reja të Panairit të Librit 2013 ishte botimi i Fjalorit Italisht-Greqisht-Shqip të Thimi Mitkos. Fjalori është botuar në dy vëllime: në të parin paraqitet Fjalori bisedimor italisht-greqisht-shqip dhe në të dytin kemi Transliterimin dhe fjalësin e pjesës në gjuhën shqipe. Fjalori ishte i humbur dhe doli në dritë në sajë të përkushtimit të studiuesit Shpëtim Sala, i cili pas një pune disavjeçare arriti ta botojë këtë vepër të rëndësishme të leksikografisë shqiptare.
Përpjekjet për të sjellë në Shqipëri dorëshkrimet e Thimi Mitkos kanë filluar në qershor të vitit 1937, në kuadrin e festimeve të 25-Vjetorit të Indipendencës. Legata Shqiptare në Kajro në atë kohë ka pasur një letërkëmbim me Dhimitër Mitkon (djalin e Thimi Mitkos) për të siguruar dorëshkrimet që ruheshin nga pasardhësit e Thimi Mitkos. Dorëshkrimi i Thimi Mitkos është blerë nga Z. Shpëtim Sala, më 25 qershor të vitit 2011, në një pikë ambulante ku shiteshin libra të vjetër. Kjo pikë ka qenë përballë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori”. Dorëshkrimi i Th. Mitkos nuk i ka pasur shënimet identifikuese për autorin, titullin, vendin dhe vitin e dorëshkrimit. Për këtë arsye studiuesi Shpëtim Sala u interesua pranë Arkivit Qendror të Shtetit ku gjenden dorëshkrimet e Thimi Mitkos. Pas krahasimit të materialeve arkivore doli se dorëshkrimi i “Fjalorit italisht-greqisht-shqip” është shkruar nga Thimi Mitko gjatë viteve 1887-1888.
“Fjalori italisht-greqisht-shqip” i Thimi Mitkos u hartua për të shërbyer si mjet afrimi, bashkëpunimi e miqësie midis shqiptarëve, grekëve dhe italianëve. Ky fjalor ka qenë një mjet i rëndësishëm bashkëpunimi kulturor, tregtar dhe shkencor midis popujve. Fjalori tregjuhësh i Th. Mitkos është një zbulim i papritur i dorëshkrimit të autorit. Ai ka vlera të rëndësishme për njohjen e gjuhës shqipe të shek. XIX. Gjithashtu kemi të bëjmë me një vepër të një rëndësie të veçantë për leksikografinë e sotme shqiptare. Fjalori tregjuhësh i Th. Mitkos e jep leksikun e gjuhës shqipe duke u mbështetur në dy grupime kryesore të fjalëve, si fjalët e ligjërimit të folur popullor, ashtu edhe fjalë të ligjërimit libror të shqipes së vjelur nga botimet e shkuara në gjysmën e dytë të shek. XIX. Ndër fjalorët e hartuar dhe të botuar në shek. XIX, Fjalori i Kristoforidhit i botuar në vitin 1904, është më i rëndësishmi. Kostandin Kristoforidhi punoi gati 25 vjet për hartimin e tij. Thimi Mitko ka punuar për hartimin e fjalorit të tij pothuajse në të njëjtën kohë me Kristoforidhin. Të dy fjalorët përfaqësojnë një kontribut shumë të çmuar dhe dëshmojnë për lëvrimin e gjuhës shqipe të kohës. Kristoforidhi e mblodhi leksikun e gjuhës shqipe gjatë udhëtimeve për përhapjen e literaturës së Shoqërisë Biblike të përkthyer nga ai vetë në gjuhën shqipe, nga Jugu në Veri të Shqipërisë, ndërsa Thimi Mitko e ka mbledhur një pjesë të mirë të leksikut të gjuhës shqipe nga kontaktet me shqiptarët toskë e gegë të emigruar jashtë vendit, kryesisht në Egjipt, ku dhe kaloi pjesën më të gjatë të jetës së tij.
Mbledhja e leksikut
Thimi Mitko kishte grumbulluar një fond të pasur me fjalë dhe shprehje shqipe prej vendlindjes së tij, Korçës, ku kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë e tij. Ai e zgjeroi mbledhjen e leksikut të gjuhës shqipe në forma të ndryshme: 1-Nga kontaktet me emigrantët shqiptarë që ndodheshin në Egjipt. 2-Nga takimet e udhëtimeve të shpeshta në Rumani, Bullgari, Turqi etj, me bashkëatdhetarët e tij. 3-Nëpërmjet letërkëmbimit me patriotë, me rilindës të tjerë dhe albanologë. 4-Nëpërmjet literaturës që botohej në gjuhën shqipe. Thimi Mitko në letrat që u dërgonte miqve të tij në Rumani, Itali, Bullgari, Greqi etj, u ka kërkuar vazhdimisht libra e periodikë, që botoheshin në gjuhën shqipe.
Th. Mitko e filloi mbledhjen e materialeve folklorike gjatë qëndrimit në Vjenë. Në të njëjtën kohë ai kishte nisur edhe mbledhjen e leksikut të gjuhës shqipe, të cilën ai e vijoi në mënyrë më intensive mbasi u vendos në Egjipt. Një dëshmi e angazhimit të hershëm të Th. Mitkos për mbledhjen e leksikut të gjuhës shqipe është botimi në gazetën “Pandora”, më 1 janar të vitit 1860, i artikullit “Rreth Korçës”. Në të përfshihet edhe shkrimi i Th. Mitkos “Leksikografi greko-shqiptare”. Në artikull jepet shpjegimi dhe kuptimi i afro 80 fjalëve. Biografët shqiptarë dhe të huaj, që janë marrë me studimin e veprimtarisë së Th. Mitkos në fushën e letrave e kanë vlerësuar atë si mbledhës të folklorit, duke i përmendur “Bletën Shqiptare” dhe “Mjalt e Bletës”. Ata kanë dhënë njoftime të zbehta për fjalorët e hartuar prej tij. Th. Mitko në veprën “Bleta Shqiptare” përfshiu një fjalës mjaft të vlefshëm shqip-greqisht, duke dhënë edhe fjalët e huaja që ai kishte nxjerrë prej teksteve e materialeve folklorike të përfshira në libër, nga: turqishtja, greqishtja, arabishtja, persishtja, ballgarishtja, italishtja etj. Thimi Mitko ka nënvizuar: “fjalë të këtilla janë të huaja, tërësisht të tepërta, të pavlefshme dhe kakofone, prandaj ato fjalë me origjinë dhe rrënjë të huaj duhet t’i flaki populli shqiptar”. Th. Mitko nuk i përktheu në gjuhën shqipe këto fjalë, por ai dha shembuj të përdorimit, sinonimet dhe shpjegimet e tyre.
Një dëshmi e hershme mbi punën e Th, Mitkos për hartimin e fjalorit thotë se ai ka bashkëpunuar me një shqiptar nga Porua e Greqisë, i cili quhej Mereços Beu. Thimi Mitko i ka shkruar Kristoforidhit më 25 mars 1872, lidhur me përdorimin e disa fjalëve shqipe si: prift, uratë, uratar, gjakatar, zonë, krijetar, krijues, bamës, bërës etj. Në vijim të kësaj letre ai i ka shkruar: “Por megjithatë një herë e një kohë unë e kam studiuar gjuhën tonë dhe kam mbledhur disa fjalë shqipe, të cilat do t’jua dërgoj kur të më dalë rasti. Ndoshta ato do të jenë të vlefshme për Fjalorin tuaj të gjuhës shqipe”. Në letërkëmbimin e Mitkos me De Radën shprehet shqetësimi për të përcaktuar alfabetin dhe për ta standartizuar gjuhën shqipe. Th. Mitko ka dhënë shpjegime etimologjike për një numër të konsiderueshëm toponimesh shqiptare. Në gazetën “Fiamuri Arbërit” në vitin 1884, ai botoi toponime nga krahina e Korçës dhe përreth saj. Th. Mitko ka botuar po në këtë gazetë në vitin 1886 artikuj për disa toponime të Shqipërisë Jugore dhe të Mesme, të cilat përkonin me toponimet arbëreshe. Letërkëmbimi dhe dokumentet arkivore dëshmojnë, se Th. Mitko ka punuar për një kohë mjaft të gjatë, afro 40-45 vjet, për mbledhjen e leksikut të shqipes dhe hartimin e fjalorëve.
Mbi leksikun e fjalorit
“Fjalori italisht-greqisht-shqip” i Th. Mitkos pasqyron gjendjen e shqipes në gjysmën e dytë të shek. XIX. Th. Mitko ka pasur gjithashtu një njohje mjaft të mirë të gjuhëve greke dhe italiane. Në kolonën e parë të fjalorit tregjuhësh “italisht-greqisht-shqip”, Th. Mitko ka vendosur italishten. Në kolonën e tretë të shqipes Th. Mitko shkruan: “..kush nuk di këtë gjuhë, nuk mund kurrë të ndienjë bukuriat të bejtarisë Evropës”. Në kolonën e parë na jep vetëm një fjalë italisht, së cilës i përgjigjen dy, tri e më tepër fjalë greke të vendosura në kolonën e dytë dhe shpesh shumë më tepër fjalë shqipe të vendosura në kolonën e tretë. Duke e vënë italishten si gjuhë të parë, ai e ka konsideruar atë si gjuhë të njohur në fushën e kulturës, arsimit, prodhimit, tregtisë, fesë etj. Greqishten e ka vendosur si gjuhë të ndërmjetme, plotësuese, me vlera në shpjegimin e fjalëve dhe frazave. Në mjaft raste Th. Mitko është nisur nga gjuha shqipe për të dhënë kuptimin e fjalëve në italisht dhe greqisht. Në këto raste në shtyllën e italishtes nuk është dhënë fjala përgjegjëse, vendi është lënë i paplotësuar. Shpesh janë dhënë fjalët në italisht dhe përgjegjëset e tyre në shqip dhe është lënë bosh vendi i fjalës në kolonën greke. Në shqip Th. Mitko jep më shumë fjalë si sinonime dhe ndonjëherë edhe shpjegime.
Në kohën e hartimit të fjalorit në trojet shqiptare mungonin institucionet kulturore, industria, komunikacioni, sistemi financiar etj. Trojet shqiptare ndërkohë kishin shkallën më të ulët të zhvillimit në skajin më të errët të Perandorisë Osmane në mesin e shek. XIX në krahasim me vendet e tjera perëndimore. Th. Mitko ka dhënë leksikun e gjuhës shqipe duke u orientuar në shtrirjen gjuhësore të trojeve kombëtare shqiptare. Ai ka përfshirë në fjalorin tregjuhësh edhe mjaft fjalë që sapo kishin hyrë në përdorim në gjuhën shqipe. Rndësi të veçantë i ka kushtuar terminologjisë shkollore, fjalëve të teksteve dhe të mjeteve mësimore. Th. Mitko ka përfshirë në fjalorin tregjuhësh fjalë dhe shprehje të fushave të ndryshme të jetës, të kulturës, fesë, të ekonomisë e të mjedidit shqiptar në shekullin XIX. Fjalë që shënojnë mënyrën e jetesës, gatimit, veshjet, mjetet dhe orenditë e nevojshme për zyrat, emërtime për bimët, kafshët dhe shpendët.
Fjalori ka dhënë fjalë që përdoren në dialogje të kulturuara dhe me sjellje etike. Në pjesën e titulluar: për të falurë nderës e për të bërë komplimente, a kajde, jepen fjalët dhe shpjegimet e përshëndetjeve. Th. Mitko i jep bisedat duke iu drejtuar dëgjuesit në vetën e dytë shumës. Bashkëbiseduesit u drejtohen njëri-tjetrit me ju për mirësjellje. Për kohën kur u shkrua Fjalori, përfshirja e fjalëve dhe e shprehjeve të mirësjelljes ka synuar të nxisë komunikimin etik midis shqiptarëve. Gjithashtu Thimi Mitko ka përfshirë në fjalorin e tij termat fetarë. Ai shqipëroi mjaft terma fetarë nga italishtja dhe greqishtja. Th. Mitko ka përfshirë në pjesën Mbi kishën mbi 55 fjalë shqipe për terminologjinë fetare. Ai shqipëroi: therrore për altar, shenjtërore-ja për il santuario, ujë të bekuarë për aqua benedetta, kryeati për il patriarca, kryepeshkëvë për arvicesco etj.
Th. Mitko e ka pasur të pamundur të shmangë plotësisht fjalët me preardhje nga osmanishtja. Në fjalor janë përfshirë fjalët filxhan, qilar etj. Mitko ka përfshirë në fjalor një pjesë mjaft të vogël të fjalëve të huaja që ndodhen në fjalorin e “Bletës Shqiptare”. Janë afro 920 fjalë me preardhje greke dhe nga osmanishtja që ai i ka veçaur në “Bletën Shqiptare”. Ai i ka quajtur ato tërësisht të tepërta, të pavlefshme dhe kakofone.
Gjendja fizike e dorëshkrimit
Dorëshkrimi i Fjalorit italisht-shqip-greqisht është gjetur nga studiuesi Shpëtim Sala i mbështjellë me një letër të zverdhur, të ngjashme me letrat me të cilat ambalazhoheshin artikujt ushqimorë dikur në Shqipëri. Fjalori është gjetur pa kopertinë, pa ballinë (frontespic) dhe me fashikuj të palidhur (të paqepur). Shkrimi është plotësisht i kuptueshëm, duke përjashtuar disa raste të veçanta. Dorëshkrimi nuk ka të shënuar emrin e autorit, titullin, përmbajtjen, kohën kur është hartuar, apo edhe të dhëna të tjera informuese të mundshme. Gjendja fizike e dorëshkrimit është e mirë, por vihen re dëmtime në një numër mjaft të vogël si: grisje, njolla myku, pjesë të mangëta, të cilat në raste të veçanta e vështirësojnë leximin e tekstit. Dorëshkrimi ka përthyerje të disa fletëve në cepa dhe në pjesët anësore, të shkaktuara nga mbështjelljet e pakujdesshme. Letra me të cilët është shkruar dorëshkrimi është prodhuar në mënyrë industriale, nga celuloza e drurit. Dorëshkrimi përbëhet prej 326 faqesh. Fjalori ka afro 30 shënime jashtë tekstit, në pjesën e poshtme të tij. Shënimet janë bërë në gjuhët italisht dhe shqip. Në shumicën e rasteve janë edhe një fjalë e vetme me vlerën e një sinonimi. Besoj se ky fjalor tregjuhësh do tu shërbejë studiuesve për të njohur më mirë me leksikun e shqipes së viteve 1887-1888.