Vrasja e Kenedit
Të gjitha teoritë e konspiracionit përreth vrasjes së Presidentit janë hedhur poshtë. Por njëra prej tyre u mbijeton ende të gjitha analizav...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/11/vrasja-e-kenedit.html
Të gjitha teoritë e konspiracionit përreth vrasjes së Presidentit janë hedhur poshtë. Por njëra prej tyre u mbijeton ende të gjitha analizave edhe 50 vjet pas ngjarjes së Dallasit
Ka një teori konspiracioni që u mbijeton sulmeve
CNN – Gjatë gjysmë shekulli që nga vrasja e Presidentit Xhon Fixherald Kenedi (John F. Kennedy), ju mund të keni dëgjuar shumë teori komploti. Dekada hetimesh, dëgjesash, dokumentesh, librash e intervistash, kanë dështuar të kënaqin teoricienët e komploteve me një përgjigje përfundimtare ndaj pyetjes: A veproi Li Harvej Osvald (Lee Harvey Oswald) vetëm kur qëlloi mbi Presidentin?
Herë pas here, dyshuesit ndaj teorisë së një vrasësi te vetëm “kanë akuzuar 42 grupime, 82 vrasës dhe 214 njerëz si të përfshirë në vrasje”, thotë shkrimtari Vinsent Buljosi (Vincent Bugliosi).
Ka shumë paranojë.
Kështu, kur gazetarët, producentët apo historianët amatorë kërkojnë për teorinë më të re konspirative mbi JFK, ata thërrasin Dejv Perri (Dave Perry). “Njerëzit mendojnë se jam njeri antikomplot”, tha Perri së fundmi nga shtëpia e tij në Dallas.
Por ka një teori të cilën ai nuk e përjashton si mundësi. Për këtë do të flasim më poshtë.
Teoricienët e komplotit, thotë Perri, afrohen të gjithë pak a shumë me një shkallë obsesioni. Ata mund të besojnë se qeveria qe pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 apo se ulja në Hënë qe mashtrim. Këta njerëz përbëjnë turmën e njerëzve jashtë murit. Të tjerët, thotë ai, lexojnë libra, shohin dokumentarë dhe dalin në konkluzione më pak ekstreme.
Në prag të 50-vjetorit të vrasjes së Presidentit këtë muaj, një numër i madh librash mbi tragjedinë janë ripublikuar krahas publikimit të librave të rinj. Mbreti i filmave konspirativë mbi Kenedin, filmi “JFK” i Oliver Stone, është ripublikuar në disk.
Teoricienët janë duke u mbledhur nëpër simpoziume për të diskutuar. Në Pitsburg, në një takim të tillë u shfaq në panel Oliver Stone. Ai takim ngjante më shumë si një kishë sesa një konferencë akademike, sipas një gazetari që e ndoqi. Aty kishte njerëz që besonin që qeveria fshehu faktet, por edhe njerëz që besojnë se çdo gjë që qeveria thotë, është gënjeshtër. Shumë ende akuzojnë median se nuk ia doli të zbulojë të vërtetën.
Dhe Perri, një 70-vjeçar pensionist, ka kërkuar dokumente që nga viti 1976 për t’u marrë me këta skeptikë.
Dyshuesit i kërkojnë atij të analizojë histori të çuditshme që shfaqet.
“Unë nuk bëj atë punën seksi”, thotë Perri. “Unë jam ai që kontrolloj të dhënat në mënyrë skeptike. Shumica e njerëzve nuk habiten nga çfarë zbuloj unë”.
Ai kalon shumë kohë duke takuar hetues të tjerë të ngjarjes dhe rrjedhimisht ka dëgjuar shumë teori.
Magazina e librave shkollorë nga ku Osvald qëlloi Kenedin tashmë është një muze mbi tragjedinë. “Teoritë e komplotit janë ende vërdallë, sepse njerëzit nuk e dinë se çfarë të besojnë”, thotë një punonjës i muzeut ndërsa pranon se edhe ai vetë nuk është i kënaqur me historinë zyrtare.
Nëse Osvald nuk veproi vetëm, kush qe pas të shtënave në Dallas më 22 nëntor 1963? Disa teoricienë komploti besojnë se “njerëzit e naftës” mund të kenë organizuar vrasjen; të tjerë dyshojnë “njerëzit që nuk pëlqenin mënyrën se si Kenedi trajtoi të drejtat civile”.
Perri thotë se janë pesë teori komploti më popullore se të tjerat:
1. Lindon Xhonson e vrau
Perri e ka hedhur poshtë këtë. “Është një teori në përgjithësi e bazuar te deklaratat e bëra nga Madelene Broun (Madeleine Brown)”, një grua që Perri e konsideron si të çmendur. Ajo pati pretenduar se kishte një histori dashurie me Presidentin Xhonson. (Johnson). Ajo pretendoi gjithashtu Xhonson, në atë kohë zëvendëspresident, qe takuar me ish-zëvendëspresidentin Riçard Nikson (Richard Nixon), drejtorin e FBI Huver (Hoover) etj., natën para sulmit. Kjo nuk është aspak e vërtetë.
“Shumë teksanë nuk e pëlqenin Xhonsonin – ata mendonin se qe i keq – dhe për rrjedhojë krijuan këtë fantazi ku argumentohet se e vrau Kenedin për t’i zënë vendin. Por nuk ka prova për këtë”, thotë Perri.
2. Industria e armatimeve
As kjo teori nuk ngjit, thotë Perri. “Fantazia është se Kenedi po tërhiqte SHBA-në nga lufta e Vietnamit, ndërsa ushtria dëshironte të dërgonte më shumë njerëz në luftë. Kjo është teknikisht jokorrekt, pasi Kenedi foli për të zgjidhur problemin, por nuk deklaroi kurrë se do të tërhiqej”.
3. E vrau mafia
Sipas Perrit nuk ka vërtetësi këtu. “Ka së paku tri grupime që thuhet se e bënë: gangsterët e Çikagos, ato të Majamit dhe ato të Nju Orlinsit. Por gjithçka është vetëm thashethem”.
4. Osvald veproi vetëm si pjesë e një komploti të panjohur
Është e mundur që të ketë pasur individë që ndihmuan vrasësin, por që nuk qenë pjesë e një grupi më të madh, e ndoshta, të pavetëdijshëm se çfarë kishte ai në plan të bënte.
5. E bëri CIA
Kjo është teoria e komplotit që e josh më shumë Perrin. “Problemi është, mbi të gjitha, se është kjo teoria që nuk mund të përgënjeshtrohet”, thotë ai ndërsa qesh.
“Supozohet se Kenedi qe mërzitur nga shumë vrasje që bënte CIA”, thotë Perri. “Ai zbuloi se CIA po përpiqej të vriste Fidel Kastron, gjë që është fakt. Kështu, argumentohet se CIA ndiente se Kenedi dëshironte ta shpërbënte si organizatë dhe për të shmangur këtë, ata urdhëruan vrasjen”.
Perri vëren se ish-kreu i CIA-s, Alen Dulles, qe anëtar i komisionit që hetoi vrasjen. Komisioni përcaktoi se Osvald veproi vetëm. Osvald qe mbështetës i Kubës.
“Ne e dimë se Osvald qe në ambasadën e Rusisë në Meksikë”, thotë Peri. “Ne madje dimë edhe se me cilin foli ai. Por ne nuk dimë se çfarë tha. Pastaj, pak javë më vonë, ai vrau Kenedin”.
Mund të ketë qenë diçka e tillë që CIA të kishte të punësuar Osvald ose që ai të qe agjent i dyfishtë. A është e mundur që rusët urdhëruan Osvaldin për vrasjen?
Kjo nuk ka shumë gjasa, thotë Perri. Rusët nuk do të urdhëronin kurrë diçka të tillë për shkak të lidhjeve shumë të njohura që ai kishte me Rusinë dhe për simpatitë e tij prokubaneze.
Rusët e dinin se qenë të parët që do të dyshoheshin. Do të qe një akt lufte që mund të shkaktonte sulme bërthamore.
“Ne duhet të dimë se çfarë ndodhi në Meksikë”, thotë Perri.
Përgjigjja gjendet në dokumente ende sekrete të CIA-s. Këto pritet të bëhen publike në vitin 2017.
Por situata është e tillë. Ne ose e dimë sakaq të vërtetën, pra që Osvald veproi vetëm – ose në rastin më të keq, – të vërtetën nuk do ta marrim vesh kurrë. A do të jetë dakord Amerika me këtë?