Semiopragmatika e realizmit socialist
Studiuesi dhe gazetari i njohur, dr. Ilir Yzeiri, boton librin “Semiotika e realizmit socialist (1944-1949)” “Semiopragmatika e realizmit so...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/11/semiopragmatika-e-realizmit-socialist.html
Studiuesi dhe gazetari i njohur, dr. Ilir Yzeiri, boton librin “Semiotika e realizmit socialist (1944-1949)”
“Semiopragmatika e realizmit socialist (1944-1949)” është monografia e tretë e Ilir Yzeirit, pas “Poetikës” (2000) dhe “Kadare, Agolli, Arapi – figuracioni në poezinë e viteve ‘60” (2011). Në këtë libër, ai ka nisur të gjurmojë dukuritë e shenjueshmërisë poetikë në letërsinë shqiptare të realizmit socialist, duke hetuar në fillim se çfarë ndodhi në procesin letrar shqiptar në vitet 1944-’45 e deri në vitin 1949, atëherë kur një kod dhe një sistem shenjash u përjashtuan dhe një kod dhe një sistem tjetër shenjash u aktivizuan për të interpretuar procesin letrar. Ky libër përmban dy pjesë dhe është i pari në serinë e studimeve për semiopragmatikën e letërsisë shqiptare që autori ka dëshirë të botojë në të ardhmen. Semiopragmatika e realizmit socialist shqiptar (1944-1949) është fillimi i një cikli me studime që synon të tregojë se çfarë ndodhi me shenjueshmërinë dhe me zbatimin e saj në procesin letrar në mes të shekullit të kaluar, atëherë kur letërsia, arti e kultura iu nënshtruan metodës së realizmit socialist.
Pse e keni quajtur me këtë titull një periudhë të tillë, si instalimi i realizmit socialist?
Studimi i semiotikës tërësore të socrealizmit dhe pragmatikës së saj si mendësi totalitare që la gjurmë në të gjitha llojet e ligjërimit publik dhe në atë kulturor veçanërisht, ende nuk është bërë sa dhe si duhet objekt për vështrim. Strukturalizmi, që shërbeu si shtysë për semiotikën, është një fushë e re, që edhe në Europë u përhap aty nga mesi i shekullit të kaluar. Ndërsa te ne, për arsye që dihen, pas vitit 1944, studimet të mbështetura në disiplina që frymëzoheshin nga strukturalizmi dhe nënvariantet e tij, as që mund të mendoheshin.
Po pas viteve ’90, çfarë ndodhi? Kanë munguar fare vështrimet e kësaj natyre?
Për argumentin tonë, një nga studiuesit e njohur në këtë fushë, Ardian Vehbiu, sidomos me librin e tij “Kulla e sahatit”, ka hedhur një themel të qëndrueshëm. Ndërsa vepra tjetër e tij, “Shqipja totalitare”, trajton tërësisht shfaqjen dhe mekanizmin mbi të cilin u ngrit semiotika gjuhësore që shërbeu për të shënjuar strukturën e nocioneve dhe koncepteve që u krijuan rishtas dhe që kishin si të shënjuar kohën ideologjike komuniste dhe si shënjues ndërtime nga më të larmishmet, por edhe të dallueshme dhe me kolorit të veçantë të një epoke që ka lënë gjurmë dhe zgjati pothuaj një gjysmëshekulli në jetën e shqiptarëve. Ndërkaq, edhe Aurel Plasari, në një studim të tij, analizon stilemat e përbashkëta të doktrinës teorike fashiste mbi letërsinë e artin që u përpunuan nga ajo që ai i quan elita e djathtë në Shqipëri dhe që u morën më pas nga elita e majtë si konstruksione të gatshme për metodën e re që mbështetej në teorinë socrealiste të letërsisë, siç do ta përmendim edhe më poshtë. Të dyja këto ndihmesa janë një mbështetje e mirë për të shpjeguar se çfarë ndodhi në mekanizmin e mentalitetit të atyre që iu përveshën punës për të ndërtuar një kulturë të re, një njeri të ri, duke thirrur në ndihmë për këtë edhe letërsinë.
Në cilat fusha u vu re kjo semantikë?
Nga pikëpamja e semantikës, ky entuziazëm preku të gjitha anët e procesit letrar, kuptimin për letërsinë, për autorin, për subjektin e temat, për intrigën e zgjidhjen, shkurt, gjithë kodin që kishte shërbyer si mjet për të analizuar, interpretuar e klasifikuar produktin letrar dhe mendimin teorik për letërsinë gjithashtu.
Por cilat janë tiparet e semiopragmatikës së socrealizmit shqiptar dhe që ju i keni nxjerrë si përfundime në këtë libër?
Për të shpjeguar se cilat janë tiparet e semiopragmatikës së socrealizmit shqiptar që u ngjizën gradualisht nga viti 1944 e deri më 1947 për të marrë formë përfundimtare në Konferencën III të Lidhjes së Shkrimtarëve që u mbajt në tetor të vitit 1949, jam nisur nga disa premisa. Në fillim, meqenëse analiza jonë kërkon të rrokë semiopragmatikën, kam sqaruar disa nocione dhe kam ndriçuar gjithashtu edhe njohuritë për këto fusha, të cilat kanë qenë për një periudhë të gjatë jashtë qarkullimit teorik e filozofik letrar. Martin Heideger, me konceptin e tij për letërsinë, është më afër objektit që po analizojmë. Ai shkruan: Letërsia është art dhe ligjërim: është një sistem estetik – tekst – që ngërthen një regjistër retorik të gjinive, të stilit ose të figurave dhe një regjim socio-historik – arkiteksti- që përfshin një rrëfim konstitucional (ose një rrugëtim), që përfshin ai vetë një ligjërim institucional. Kur themi art, kemi thënë teknikë; kur themi ligjërim, kemi thënë gramatikë; kur themi teknikë e gramatikë, kemi thënë tekhnê:poiêsis et physis. Sistemi estetik e bën letërsinë art; regjimi socio-historik e bën atë zanat: letërsia bëhet art kur artizanët bëhen artistë: origjina e artistëve gjendet në origjinën e veprave të artit. Ky përcaktim i Heidegerit do të na ndihmojë në analizën tonë, sepse e dallon qartë marrëdhënien tekst-arkitekst, një marrëdhënie që në këtë periudhë fiton një përmasë të re, sepse arkiteksti dikton tërësisht tekstin me një trysni të detyrueshme që nuk ishte njohur më parë. Po ashtu, me këtë përcaktim ne do të kuptojmë se përse diktati partiak kërkonte që shkrimtarët të ktheheshin në artizanë dhe përse statusi i tyre nuk humbiste gjë në qoftë se ata ishin më shumë artizanë sesa artistë.
Ju përmendni në libër jo realizmin socialist, por fenomenologjinë letrare?
Një mundësi tjetër për të depërtuar sa më mirë në thelbin e argumentit që po trajtojmë, është edhe fenomenologjia letrare e përpunuar sidomos nga Roman Ingarden dhe e mbështetur si në fenomenologjinë e Huserlit, ashtu edhe në teoritë e rrëfimit të Pol Rikër-it. Në analizën e tij për rrëfimin e fiksionit, Rikër e quan Mimesis I frymëzimin e autorit, drejtimin nga vjen përftesa e krijimit letrar, ose parakuptimi i botës së veprimit. Autori është kushti i ekzistencës së veprës dhe ai e quan atë Mimesis II. Në vitin 1975, Rikër pohonte se letërsia shkatërron referencën me realitetin dhe krijon një referencë tjetër, atë me botën e saj. Në vitin 1983 ai fliste për “fshirjen e referencave përshkruese”, një metaforë kjo që na largon nga ideja e shkëputjes radikale të botës së veprës në raport me botën reale dhe na përafron me tezën (që është konstante e tij në librin “Koha dhe rrëfimi”), sipas së cilës bota e fiksionit është rajoni i asaj që ndërtohet me sikur. Edhe ky përcaktim i Rikërit do të na ndihmojë për të parë se si estetika e socrealizmit e modifikoi botën fiktive të veprës dhe i nxiti shkrimtarët që, në vend të saj, të paraqitnin një botë që nuk ishte as imagjinare, as fiktive, por që ngjante më shumë me një projeksion ideal, me një imazh transparent që ndërtohej si zgjerim i një ideje fikse që kishin komunistët për të ndërtuar botën e re.