Enigma: Pse Papa Benedikti dha dorëheqjen?

Papa Benedikti u përball me një kishë të paqeverisshme dhe plot intriga. Një zyrtar i lartë i kishës pranon para një gazetari se cilat nga k...

Papa Benedikti u përball me një kishë të paqeverisshme dhe plot intriga. Një zyrtar i lartë i kishës pranon para një gazetari se cilat nga këto intriga e shtynë drejt dorëheqjes
Mark Dowd, BBC

Në shkurt, Papa Benedikti XVI tronditi botën kur u bë Papa i parë që jep dorëheqjen në më shumë se 600 vjet. Por vëmendja u zhvendos menjëherë te pasardhësi, zgjedhja e papës së ri. Në mes të kësaj drame, një pyetje nuk mori përgjigje të plotë kurrë – pse Benedikti dha dorëheqjen?
Deklarata zyrtare e dorëheqjes së Papa Benediktit flet për kushte të dobëta fizike dhe mendore si shpjegim, por është dyshuar shumë se kishte më shumë se kaq. Dhe hetimet e veta e kanë konfirmuar këtë.
Unë shkova të vizitoj kardinalin nigerian Francis Arinze në apartamentin e tij mbi sheshin “Shën Pjetër”. Ai është një nga figurat më të larta të kishës dhe e njeh Vatikanin si dorën e vet. Ai madje për disa ditë u përfol edhe si papë i mundshëm pas Benediktit. Dhe ishte një nga zyrtarët e lartë të kishës që qe i pranishëm në Pallatin Apostolik të Papës kur ai i dha lajmin personalisht.
E ngrita temën e skandaleve që patën paraprirë vendimin shpërthyes të Papës dhe në veçanti, Vatiliksin, skandalin ku shërbyesi i Papës Paolo Gabriele pati vjedhur dhe shpërndarë dokumente konfidenciale, ku zbuloheshin luftërat për pushtet brenda Vatikanit.
A mundet që ky skandal të ishte një faktor në dorëheqjen? Përgjigjja e tij ishte e papritur.
“Është e ligjshme që një person të spekulojë dhe të thotë ‘ndoshta’, për shkak se disa nga dokumentet e tij u morën në mënyrë të fshehtë. Ajo mund të jetë një nga arsyet”, më tha ai mua.
“Ndoshta u hidhërua aq shumë që vetë shërbyesi i tij publikoi kaq shumë letra, sa një gazetar ishte në gjendje të shkruante një libër. Mund të jetë një nga arsyet. Nuk besoj se ai po e shijonte këtë ngjarje.”
Në Vatikan, anëtarët e rinj dhe ambiciozë të kishës janë këshilluar “të dëgjojnë shumë, të shohin gjithçka dhe të mos thonë asgjë”. Që një figurë e tillë e lartë të bëjë diçka, që në thelb del nga qëndrimi zyrtar, është me të vërtetë domethënëse.
Në thelb, Papa Benedikti ishte një papë mësues, një teolog dhe intelektual. “Ideja e tij e ferrit ishte që të dërgohej në një seminar njëjavor trajnues mbi menaxhimin”, më tha një i brendshëm mua. Fati i tij i keq ishte se u bë papë në një kohë kur kishte vakum pushteti, në të cilin një numër anëtarësh të rangut të mesëm të kurisë së Romës, shërbimi civil i kishës, qenë kthyer në “Borxhia të vegjël”, siç ma shpjegoi një klerik tjetër.
Mos mendoni se po e them unë, ky vlerësim vjen nga burimi më i lartë, – udhëheqësi aktual i kishës. Dhe Papa Françesku nuk flet kot. “Oborri është lebrosa e papatit”, tha ai. Ai e përshkroi kurinë si “narciziste” dhe “vetëreferuese”. Kjo ishte ajo me të cilën Racingeri duhej të merrej.
Në vitet e fundit të Papës Gjon Pali i Dytë, zemra e zyrave qendrore të Kishës Katolike ishte dominuar nga klika ndërluftuese. Kjo ishte ajo që shërbyesi i Papës, Paolo Gabriele, tha se dëshironte të publikonte duke fotokopjuar dhe shpërndarë të gjitha ato dokumente.
Por Gabriele tha se marrëdhënia e tij me Papën Benedikt ishte si ajo e “babait dhe fëmijës”. Por pse ai veproi në këtë mënyrë, që me siguri do ta vinte në siklet njeriun që ai respektonte?
“Ai tha se kishte parë shumë gjëra të pakëndshme brenda Vatikanit. Në një pikë ai nuk mund të mbante më shumë”, thotë avokatja e tij, Kristiana (Cristiana) Arru, ndërsa luan me rozaren e saj, në intervistën e saj të dytë publike.
“Kështu ai kërkoi një zgjidhje. Ai thotë se pa shumë gënjeshtra. Ai mendoi se Papa po mbahej në errësirë në lidhje me disa ngjarje të rëndësishme.”
Gabriele u shpall fajtor për “vjedhje në rrethana rënduese” dhe kaloi tre muaj në arrest para se të falej nga papa. Por ky nuk ishte fundi i ngjarjes. Udhëheqësi i Kikës urdhëroi një hetim të gjerë mbi të gjithë problemin.
Tre kardinalë prodhuan një raport prej 300 faqesh. Nënkuptohej që raporti të mbahej i fshehtë i mbyllur me shumë çelësa, por një gazetë e rëndësishme italiane deklaroi se ishte informuar mbi përmbajtjen e raportit. Rezultati? Pati edhe më shumë rrjedhje sikletosëse informacioni, këtë herë me pretendimin e një rrjeti priftërinjsh gej që ushtronin “ndikim të papërshtatshëm” brenda Vatikanit.
Dhimbjet e kokës vijuan të shtohen për papën gjerman. Në shumë përpjekje gazetareske, “ndiq paratë” është një këshillë e mirë për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe kjo është e vlefshme edhe për Vatikanin.
Një nga historitë më habitëse që ne hasëm në këtë rast, ishte skena e përvitshme e Nativitetit në sheshin e “Shën Pjetrit”.
Për shumë vite qenë nënshkruar marrëveshje për të cilat Vatikani paguante disa herë më shumë sesa vlera e tregut. Kur një i brendshëm u përpoq të reformonte sistemin, oborri i papës e bindi Papën Benedikt ta promovonte problematikun në një rol 6 mijë kilometra larg Romës.
Gjëra të ngjashme ndodhën në Bankën e Vatikanit, për shumë vite një burim lajmesh të pakëndshme mbi Kishën Katolike. Ajo ishte ndërtuar për të ndihmuar urdhrat fetarë e fondacionet për të transferuar paranë e nevojshme në të katër anët e botës. Por kur një pjesë e madhe e transaksioneve janë në para të thata dhe dërgohen nëpër vende politikisht jo stabël të planetit, shumë gjëra mund të shkojnë keq.
Duket se zyrtarët e bankës morën vendime të rëndësishme pa informuar Papën. Kur bordi hoqi presidentin e vet reformator, Etore Goti Tedeski (Ettore Gotti Tedeschi), pikërisht në ditën kur u dha lajmi i arrestimit të Gabrieles, i cili shërbeu si heqje vëmendjeje, Papa nuk e mori vesh deri sa qe tepër vonë.
Ai ishte “shumë i habitur” nga kjo gjë, tha më vonë sekretari i tij privat. Goti Tedeski ishte një anëtar i Opus Dei dhe mendohej se ishte pranë Papës, por në fund ai nuk e mbrojti atë.
A ishte kjo shumë tepër për Papën e moshuar?
Le të ekzaminojmë fjalët ekzakte të zëdhënësit të Papës, atë Federiko (Federico) Lombardi: “Kisha kishte nevojë për më shumë energji fizike dhe shpirtërore, në mënyrë që të kapërcente problemet dhe sfidat e qeverisjes së kishës në këtë botë gjithnjë në ndryshim.” Ndoshta kjo ishte aq afër sa mund të marrësh nga një zyrtar i lartë i kishës, një institucioni që ishte bërë i paqeverisshëm dhe kishte nevojë për dikë tjetër për të ndaluar helmin në rrënjë.
Kjo është një kishë që tashmë ka mundësi të mëdha të lëvizë përpara dhe të përballet me sfidat e shekullit të 21. Shpesh i parë si një institucion i lartët, udhëheqësia e kishës tashmë po mbledh mendimet e katolikëve të zakonshëm mbi çështje shumë të nxehta, si kontracepsioni dhe martesa gej. Reforma ka dalë nga skandalet. Ky është një zhvillim që nuk ka kaluar pa u vënë re nga kardinali Arinze.
“Ajo që duhet të mbani mend”, thotë ai, “është se Zoti shpesh shkruan drejt në vija të shtrembëta”.


Deklarata
“Unë duhet të njoh paaftësinë time”
Pasi kam ekzaminuar në mënyrë të përsëritur ndërgjegjen time para Zotit, unë kam dalë në përfundimin se fuqitë e mia, për shkak të moshës së thyer, nuk janë më të përshtatshme për të ushtruar në mënyrën e duhur ministrinë e Pjetrit… Në botën e sotme, ku ndodhin kaq ndryshime të shpejta dhe që ka kaq tronditje nga pyetje të rëndësisë së thellë për jetën dhe besimin, në mënyrë që të qeveriset shtëpia e Shën Pjetrit dhe të shpallet Fjala e Zotit, duhet njëkohësisht fuqia e trupit dhe e mendjes, fuqi që në muajt e fundit, është përkeqësuar te mua në atë masë sa unë duhet të njoh paaftësinë time për të përmbushur siç duhet ministrinë që më është besuar.
Deklarata e dorëheqjes, 11 shkurt 2013


Çfarë është kuria e Romës?
Kuri do të thotë “oborr” në latinisht
Organi administrativ i Selisë së Shenjtë – qeveria universale e Kishës Katolike
Papa delegon anëtarët e kurisë të kujdesen për aspekte të caktuara të jetës katolike dhe doktrinës
Përbëhet nga shumë zyra me bazë në qytetin e Vatikanit, përfshirë Sekretariatin e Shtetit – i cili kujdeset për marrëdhëniet e jashtme dhe diplomatike – dhe një numër kongregacionesh e gjykatash.

Related

Lajme 1100944568780085945

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item