Kush ia fut kot, Rama apo ambasadori amerikan? - ARTAN HOXHA

ARTAN HOXHA   AH SIKUR TË KISHE EDHE NJË A DY VENDE TË TJERA! …Populli protestues, në mbrëmjen e 15 nëntorit, me siguri nuk e dëgjoi dhe/ose...

ARTAN HOXHA
  AH SIKUR TË KISHE EDHE NJË A DY VENDE TË TJERA!

…Populli protestues, në mbrëmjen e 15 nëntorit, me siguri nuk e dëgjoi dhe/ose nuk e përthithi arsyen thelbësore të vendimit të Kryeministrit, vendim ky, i dhënë si konkluzion logjik në fund të fjalimit të gjatë me një fjali të vetme: “Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion”. 
Protestuesit u kthyen në shtëpi ngadhënjimtarë mbi të keqen e të bindur se Kryeministri ishte tërhequr prej tyre. Ca mendojnë nga frika e protestës, ca se ai është njerëzor e kishte dëshirë të mirë por nuk i del kundër popullit, ca se ai ishte nën presionin amerikan dhe protestën popullore e kishte aleatin e vet për t’i rezistuar presionit, ca se u tërhoq kur në lojë hyri opozita e ca kur në lojë hynë disa vende europiane dhe/ose fqinje e të tjera si këto.
Arsyeja që dha vetë Kryeministri, gjendet në rreshtat e fundit të fjalimit, pjesë kjo që jepet në kutizën bashkëlidhur ku, siç thotë, ai u ndal vetëm në një pikë dhe çdo arsye tjetër që mund të kenë menduar segmentet e ndryshme të protestuesve dhe mbështetësve të tyre, nuk ka qenë pengesë e pakapërcyeshme për Kryeministrin. 
Në fjalimin e tij, ai na bëri me dije se çdo pretendimi të paarsyeshëm, të marrë a idiot ia kishte gjetur përgjigjen e merituar dhe çdo rreziku a kërkese të arsyeshme ia kishte gjetur zgjidhjen e duhur, përveç njërës, ajo e thënë shkurt “Pse vetëm Shqipëria e varfër dhe e ndotur”.
Kryeministri u kujdes që këtë pikë ta paraqiste jo vetëm si pyetje torturuese dhe e arsyeshme e turmës protestuese, të cilën ai e dëgjoi me vëmendje, por edhe si pyetje torturuese dhe e arsyeshme e vetë atij. Pra, Kryeministër e lider i njehsuar natyrshëm me popullin. 
Meqë ky element kaq i rëndësishëm për të dhe për protestuesit mungoi ditën e vendimit, përgjigjja do të ishte automatikisht ajo që u dha, në të kundërt, nëse do të ishin përfshirë edhe një a dy vende që do të vinin në dispozicion territor si edhe Shqipëria, do t’u qetësohej shpirti të mbarëve e do t’u mbyllej goja të marrëve dhe ai vetë do na fliste për madhështinë e projektit ndërkombëtar me atë vetë strumbullar që e bënte Shqipërinë fanar.

KUSH IA FUT KOT, KRYEMINISTRI APO AMBASADORI AMERIKAN?

Le t’i besojmë për një moment Kryeministrit që përfshirja e një apo dy vendeve të tjera, me territor si Shqipëria – jo vetëm me financa dhe ekspertë – paskësh qenë kaq e rëndësishme për të sa ndante prerazi PO-në dhe JO-në e tij. 
Paskëtaj vjen natyrshëm pyetja se kur e ka formësuar këtë kusht Kryeministri në mendjen e vet, kur ua ka bërë të ditur amerikanëve dhe si reaguan ata? 
Vetë ai nuk na dha asnjë fakt a provë për të kuptuar përgjigjet mbi këtë pyetje, ndonëse në fjalimin e gjatë, para kamerave dhe pas mureve të Kryeministrisë, nuk la gjë pa përmendur e rob pa sharë. 
Ndaj, na duhet të hulumtojmë tërthorazi rreth përgjigjeve të mundshme të kësaj pyetjeje të përberë, përgjigje këto që janë shumë të rëndësishme si për protestuesit dhe kauzën e tyre, ashtu edhe për raportet e Shqipërisë me SHBA dhe për përgjegjshmërinë kryeministrore në një vend demokratik.
Le të supozojmë se Kryeministri e ka pasur këtë shqetësim dhe e ka shndërruar në kusht në një moment të caktuar kohe, qoftë ky që në fillesë, kur tha “Po, në parim ne jemi të gatshëm të përfshihemi në këtë operacion si pikë mbështetjeje në Mesdhe…”, qoftë diku në mes të procesit apo ndoshta edhe rreth 10 ditë para afatit të 15 nëntorit, pra në ato ditë kur edhe nga mediet ndërkombëtare u përhap lajmi se Shqipëria kishte pranuar destinimin territorial, ndërsa vende të tjera ose heshtën, ose u tërhoqën, ose lëkundeshin, moment ky që në Shqipëri nxiti fillimin e reagimit popullor dhe formulimin e pyetjes “Pse vetëm Shqipëria?” dhe/ose “Pse Shqipëria”. Cilido qoftë momenti i formësimit të kushtit në mendjen e Kryeministrit, e rëndësishme është se kur ai ia ka bërë të qartë palës amerikane këtë kusht dhe cila ka qenë përgjigjja e tyre. 
Nëse Kryeministri ia ka bërë të ditur kushtin dhe amerikanët e kanë pranuar, atëherë Kryeministri ynë është tërësisht korrekt, i qartë e i larë me këdo e, për rrjedhojë, i vetmi që ia ka fut kot është ambasadori amerikan në Tiranë, i cili, pyetjes së Sokol Ballës në “Top Story” më 14 nëntor se “ç’mendon SHBA nëse Qeveria nesër thotë JO”, ai iu përgjigj se “kjo do të ishte zhgënjyese për SHBA”. Ambasadori, pra SHBA, ia fut kot, pasi nuk mund të ishte zhgënjyese përgjigjja JO e Kryeministrit, kur kushti i vënë prej tij dhe i pranuar prej amerikanëve nuk ishte plotësuar. 
Por, mundet gjithashtu që Kryeministri nuk e ka pasur fare këtë pyetje në mendje deri ditën e fundit ose, edhe nëse e ka pasur, nuk ua ka shtruar si kusht amerikaneve deri ditën e fundit, ose ua ka shtuar në një moment në kohë, por ata nuk e kanë pranuar dhe Kryeministri është tërhequr nga ky kusht. 
Në fakt, në tri fjalimet e tij, më 11,12 dhe 13 nëntor, ndërsa trajtoi jashtë teme çështjen e asgjësimit të armëve e lëndëve kimike siriane, Kryeministri u mor goxha me argumentet e parrezikshmërisë së këtij operacioni dhe dobitë e mëdha që do të kishte vendi dhe në asnjë moment nuk dha asnjë, asnjë ide mbi kushtin në fjalë, ndonëse ato ditë pyetja “Pse (vetëm) Shqipëria” ishte bërë e rëndë plumb. Përkundrazi, në ato ditë ai jepte përshtypjen se vendimi ishte thuajse i plotësuar në çdo element dhe ky perceptim mund të jetë edhe shpjegimi se, pas çdo dite që ai fliste, masa e ankthit dhe kundërshtisë popullore rritej në mënyrë ekspotenciale.
Ndaj, ka shume arsye të besohet se është Kryeministri që ia futi kot dhe pra, ka të drejtë ambasadori amerikan kur tha që SHBA do të zhgënjehej nga përgjigja JO. 
Nga ky dyshim i fortë Kryeministrin nuk e shpëton detyrimi për konfidencialitet. Që në momentin kur bota mbarë e mori vesh se Shqipëria ishte vendi i vetëm që kishte pranuar e kjo quhej fakt i kryer, Kryeministri, në fjalimet e tij para datës 15 nëntor mund të ishte shprehur, në një mënyrë a tjetrën se Shqipëria nuk do të ishte e vetmja pikë territoriale destinimi. Nuk e tha në asnjë moment këtë, ndonëse foli për aspekte të tjera “po aq konfidenciale”.
Në këtë situatë papërcaktueshmërie të përgjigjes së pyetjes thelbësore të shtruar, bëhet i domosdoshëm zhbirilimi, ndaj Kryeministri duhet pyetur si nga institucionet shtetërore, ashtu edhe nga mediet dhe ai ka detyrimin të përgjigjet, ndërsa ambasadori amerikan afërmendsh nuk do të ishte i detyruar, por do të ishte i mirëpritur të mos e mbyllte debutimin medietik me intervistën që dha te “Top Story” më 14 nëntor.
Përndryshe, nëse nuk ka përgjigje, natyrshëm do të lindin të tjera pyetje që mbajnë gjallë dyshimin, ankthin, paqartësinë, të cilat gërryejnë besimin publik, aq të domosdoshëm në demokraci e për demokracinë. 
Në këto rrethana, një nga këto është edhe pyetja vijuese.

A U MBYLL ME KAQ?

Për të qenë të ndershëm deri në fund, duhet marrë në konsideratë se Kryeministri u shpreh publikisht e pa asnjë drojë, më 15 nëntor, për këtë kusht thelbësor dhe amerikanët e kanë dëgjuar ndaj ai, ose i) është fare-fare i pastër e i larë me amerikanët ose ii) është një i marrë, që nuk ngurron të sajojë të paqena në minutë të fundit sa për të kaluar lumin e me shpresë se nuk merret më njeri me ç’thotë apo se aq ia bën nëse merren.
Por, ka edhe një alternativë të tretë: iii) ç’ka tha Kryeministri, është një akord i përbashkët e i minutës së fundit me amerikanët, me qëllim që të dyja palët njëherazi të dilnin sa më të lara nga kjo marrëveshje, miratimi i së cilës, për vetë rrethanat e krijuara dhe rezistencën popullore, ishte bërë i pamundur e ndaj, në dakordësi, u gjet preteksti, Kryeministri e tha dhe SHBA e mbylli me një deklaratë të thatë e të ftohtë, pa thënë se ishin zhgënjyer.
Nëse qëndron alternativa e tretë, çështja mbyllet me kaq për këtë dhe të tjera projekte të ngjashme për nga rrezikshmëria e perceptuar apo reale në të ardhmen, pasi edhe Kryeministri e politika në tërësi edhe SHBA e çdo vend tjetër panë se përballë kanë një popull që tashmë, me a pa të drejtë, nuk toleron të tilla projekte.
Nëse qëndron alternativa e dytë, çdo vend serioz do të ngurronte të hynte në marrëveshje me një Kryeministër të marrë a karagjoz, por kjo nuk përjashton vende që s’pyesin për kësi defektesh dhe/ose situata, në të cilat pikërisht këto defekte të Kryeministrit janë të dobishme për realizimin e qëllimeve imediate, pra nuk mund të thuhet se u mbyll me kaq e s’do ketë tentativa të tjera në të ardhmen. 
Nëse qëndron alternativa e parë, pra një Kryeministër që ka hequr dorë vetëm dhe vetëm se nuk iu plotësua i vetmi kusht i mirëkuptuar nga amerikanët dhe jo nga presioni i protestuesve dhe arsye të tjera, kjo parathotë se, në një tjetër rast të ngjashëm, nëse do të plotësohet ky kusht, Kryeministri do të thotë PO dhe vendimi final do të varet nga balanca e forcave të brendshme, të cilën ai do të rreket ta kthejë në favor. Këtu nuk përjashtohet edhe rasti sirian në fjalë, nëse, pas pak ditësh, në projektin e asgjësimit do të përfshihen një a dy vende të tjera dhe përfshirja e Shqipërisë do të vazhdonte të ishte e nevojshme, pasi do të ishte e palogjikshme që qoftë Kryeministri të mos i kthehej PO-së kur ai nuk druhet nga turmat dhe është i bindur në vlerat e mëdha pozitive të projektit në fjalë e qoftë amerikanët të mos i ktheheshin Shqipërisë si pikë destinimi territorial, pasi të kishin plotësuar kushtin e vetëm të mbetur pa plotësuar deri më 15 nëntor. Kuptohet që data s’do të përbënte pengesë.
Si përfundim, me ç’tha vetë Kryeministri për çështjen (ç’thanë amerikanët gjithashtu) nuk mund të thuhet me bindje se ajo u mbyll me kaq, ndërsa, me ç’thotë populli protestues se pse u tërhoq Kryeministri (dhe amerikanet bashke me të), pra që e mori mësimin nga pësimi, duket se u mbyll me kaq.
Varet se cili prej të dyve, Kryeministri apo populli, ka të drejtë.

KONKLUZIONI IM

Me ç’tha Kryeministri dhe për sa e njoh, ai u tërhoq nga frika se “1 milion shuplakat për Saliun” mund t’i ktheheshin në “1 milion e 700 mijë shuplaka” për atë dhe vetëm atë. 
Por, nuk ka zënë mend. 
Ai është i bindur se kishte të drejtë, por popullin e marrosën shtriganët, ndaj, më parë se të kuturisë në një tjetër tentativë të ngjashme ai duhet të eliminojë shtriganët, të çlirojë popullin nga magjia e ta bëjë për vete. 
Kjo i vlen, në radhë të parë, për forcimin e pushtetit në tërësi që desh i rrëshqiti nga duart pa e nisur. Për këtë, i duhet t’u rikthehet kauzave populiste për qëllime arriviste. Hapi i parë nis me gjuetinë e shtriganëve. Disa për ndëshkim, të tjerët për riedukim. Kush, si e kur merreni vetë me mend. 
Të shohim ç’këllqe ka.

Pjesa e fundit e fjalimit të Kryeministrit 

“…E për t’i ndarë gjërat duke ndarë edhe gjënë për të cilën ju protestoni, ka vetëm një pikë ku unë u ndala pa mundur ta kapërcej dot në diskutimet me partnerët tanë: Pamundësia për t’u përfshirë brenda afatit të përcaktuar, edhe të një a dy vendeve të tjera në zinxhirin e operacionit të shkatërrimit të armëve kimike – jo thjesht financiarisht apo me ekspertizë, sepse të tilla ka, por flas për pjesëmarrje direkte. Nëse disa vende të tjera do të kishin përparuar në kohë për t’u bërë pjesë e operacionit, unë do të isha gati sot t’ju thosha ja plani ynë, ja marrëveshja me partnerët, ja sa pak do rrezikojmë dhe sa shumë do të fitojmë moralisht si komb po edhe fizikisht si vend, duke u bërë pjesë. E askush s’do thoshte as pse vetëm Shqipëria dhe as që ky operacion kërkon një vend të varfër e të ndotur si Shqipëria e sotme. Por fatkeqësisht, ky element kaq i rëndësishëm për ju njësoj si për mua, sot mungon. Dhe prandaj, me besnikërinë e plotë ndaj Shqipërisë dhe respektin më të madh ndaj miqve e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm, ata e kanë marrë vendimin tim e mësojeni tani edhe ju: Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion”.

Related

Opinione 817873011949623901

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item