Vetëvlerësimi i konsumuar
Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli M...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/11/vetevleresimi-i-konsumuar.html
Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli
Majkëll R. Edelshtajn
Dejvid Ramsej Stile
Shpesh, dëshira e një personi për vetëvlerësim lidhet me miratimin prej një personi tjetër – shokut të jetës, prindërve, etj. Tara, një zonjë mjaft tërheqëse 41-vjeçare punonte si sekretare ekzekutive te një firmë reklamash në Medison Skueër. Ajo kishte një vajzë në shkollën e mesme dhe një djalë në shkollën fillore. Ishte grua e gjatë, e hollë dhe mund ta merrje për modele. Ndonëse gjatë bisedës e përmendi se kënaqej të shtunave mbrëma, kur dilnin jashtë me të shoqin dhe një çift tjetër, në më të shumtën e kohës më zbrazi një litani problemesh e ndjenjash të zymta.
- Nervozohem për çdo gjë dhe pastaj më kap dëshpërimi. Shqetësohem për sëmundjet dhe po ashtu për situata të ndryshme në punë. Më gërryen nga brenda zilia ndaj grave të tjera që kanë ndonjë gjë më të mirë se ç’kam unë. Nuk dua të takoj njerëz të rinj. Nëpër dasma, apo kur shoh filma, më dalin fare kollaj lotë dhe e urrej përherë veten që qaj. Dëshiroj vazhdimisht të isha tjetër njeri. Ndihem si ndonjë qaramane. E urrej pamjen sesi dukem. Nuk qetësohem dot dhe ndihem e frikësuar nga bosi im.
Toni i zërit të sugjeronte se Tara e përbuzte shumë veten, gjë të cilën ajo qe gati ta vazhdonte edhe më tej.
- Duken si shumë gjëra për tu marrë me to, – e ndërpreva unë. – Nga të tëra këto, cila duket se të ka shqetësuar më shumë këto ditë?
- Vështirë ta them. Mendoj se janë marrëdhëniet me t’im më, kur vjen e rri me neve. Ajo është shumë kritikuese dhe zakonisht e ka drejtpërdrejt me mua. Ja, p.sh. natën e kaluar, ajo po ankohej se shtëpia qe rrëmujë. Unë e di se mund ta bëj më mirë pastrimin e shtëpisë, por thjesht nuk kam kohë. Ime më s’ka shkuar kurrë në ndonjë punë, kështu që e ka patur tërë kohën e nevojshme për ta mbajtur dritë shtëpinë. Por në një farë mënyre e ndjej se ka të drejtë. Unë DUHET ta mbaj vërtet shtëpinë të pastërt e të rregullt. Nuk e ndjej asnjëherë veten rehat në një shtëpi të rrëmujshme.
- Le ta zemë, sikurse thoni, se në shtëpinë tuaj ka rrëmujë të madhe.
- Kjo është e lehtë.
- Dhe ti je e dëshpëruar nga kjo.
- Po, jam.
- Kjo do të thotë se diku në shtëpi ju keni një DUHET.
- E keni fjalën për: “Unë DUHET të kem një shtëpi të pastër?
- Pikërisht!
- Unë mërzitem shumë kur shoh pluhura apo rrangullina nëpër shtëpi, – pranoi Tara. – Ndihem edhe vetë si plehrë.
- Po le të supozojmë më të keqen, se ju jeni vërtet një amvisë e çrregullt shtëpie. Kjo është vetëm një nga aspektet e jetës suaj. Ama, nga kjo nuk rrjedh se në tërësinë tuaj si person, ju nuk qenkeshit grua e mirë.
- Por unë s’jam e mirë për asgjë. Me fëmijët jam nënë koti. Ata nuk janë me aq personalitet sa fëmijët e Maritës, pa le që edhe në punë po bëj gafa përherë, aq sa ka raste kur e qelb fare.
- Ta gemë sikur të gjitha këto janë të vërteta – por unë dyshoj se në vetëgjykimet tuaja ju kërkoni të përkryerën – ju prapë keni ende forca për të ndryshuar. Dhe kjo forcë është një nga aspektet e juaja. Po ta vini në përdorim e të përmirësoni disa prej këtyre fushave, atëherë do të keni gjëra shtesë, ku spikat aftësia juaj. Për më tepër, në të ardhmen mund të zbuloni aktivitete të tilla, të cilat s’i keni provuar kurrë më parë dhe nga ato do ta kuptoni shpejt se e keni një farë talenti.
I tregova Tarës edhe arsyen tjetër se, të bëje gabime s’do të thoshte se ishe njeri fare kot. Thjesht fakti se ajo kishte arritur të mbijetonte, se nuk kishte pësuar kurrë aksidente automobilistike, se nuk e kishte helmuar veten apo se nuk i kishte dalë ndonjë kamioni përpara, tregonte se nuk bënte gjithmonë veç gabime ose, që punonte keq.
Disa nga DUHET e Tarës ishin:
• Unë DUHET të marr miratimin e mamasë se shtëpia është në rregull, përndryshe jam grua pa vlerë.
• Unë DUHET t’i kryej të gjitha pastrimet, ndryshe jam një krimb.
• Unë DUHET ta bëj shtëpinë të duket më mirë nga ç’është, ndryshe nuk jam aq e zonja.
• Më DUHET ta bëj këtë menjëherë, ndryshe kjo dëshmon se jam krejt kot.
Pasi i diskutuam DUHET e saj, Tara i zëvendësoi me këto konkluzione:
• Megjithëse miratimi i mamasë është i preferueshëm, unë mund ta pranoj plotësisht veten kështu si jam, pavarësisht nga kritikat e saj.
• Do të doja t’i bëj të gjitha pastrimet, por nëse nuk i bëj, kjo tregon vetëm se jam thjesht një grua e papërkryer, që punon në mënyrë të papërkryer.
• Dua që shtëpia të duket më mirë, por një shtëpi më pak e pastër s’do të thotë se jam qenie më pak e kompletuar.
• Preferoj t’i vë rregull shtëpisë qysh tani, por fundja, edhe po dështova me pastrimin, ky dështim nuk është kuti me të cilin matet i tërë thelbi im.
Vetëpranim
Synimi për tu ndjerë mirë me veten është një kurth. Nëse njerëzit të kritikojnë, ose, nëse nuk vazhdon t’i mbash lart standardet e tua, ti nis ta konsiderosh veten si një njeri të pavlefshëm dhe ndihesh i pashpresë. Ndërsa, kur del mirë në sytë e vetvetes dhe të tjerëve, priresh të mendosh se tani duhet vazhduar që t’i provosh vetes se je në gjendje ta ruash këtë vetëvlerësim; kështu, ti ndihesh i pasigurt, madje edhe atëherë kur të shkojnë punët mbarë.Ju mund të përdorni teknikat e përshkruara në këtë kapitull për të çrrënjosur problemin tuaj bazë – vetëvlerësimin. Në vend që ta vlerësoni veten, pranojeni atë ashtu si jeni – një qenie njerëzore e gabueshme, që mund ta gëzojë jetën, pavarësisht sesa varfërisht i kryen punët dhe pavarësisht se kush nuk ju aprovon.