Si e kam njohur Petro Markon

BARDHYL MINXHOZI Dëgjova që Petro Marko kishte 100-vjetorin e lindjes. U ktheva rreth 30 vite më parë, atëherë kur ai kishte kaluar të shtat...

BARDHYL MINXHOZI


Dëgjova që Petro Marko kishte 100-vjetorin e lindjes. U ktheva rreth 30 vite më parë, atëherë kur ai kishte kaluar të shtatëdhjetat dhe unë isha një gazetar ri. Ai vinte pothuaj çdo ditë te klubi atëhershëm i gazetareve për të pirë kafenë Me atë pamjen e tij simpatike, me flokët kaçurrelë dhe paksa të gjatë, i ngjante një fisniku që jetonte në një kohë tjetër. Të rritur me librat e tij, me legjendat rreth personit të tij, të gjithëve na dukej atje në qoshen e klubit sikur kishte dalë nga ndonjë libër historie. 
Ishte një fat i madh të rrije dhe bisedoje me së, jo thjesht nga kurioziteti për emrin e tij në letërsi dhe gazetari. Ai ishte një burrë i jashtëzakonshëm që të imponohej me një modesti mahnitëse. Pas një kohe të dukej si një shok dhe mik i vjetër. Petro kishte një respekt dhe nostalgji për gazetarinë. Ishte një mrekulli kur fliste për jetën si gazetar në vitet ‘30. E vërteta ishte se ne e njihnim më shumë si shkrimtar, sesa si një gazetar brilant dhe të madh. Ai që ka lexuar reportazhet dhe shkrimet e Petro Markos do të kuptojë menjëherë se ai është ndër gazetarët e mëdhenj të publicistikës shqiptare.

Petro Marko ishte një njohës i jashtëzakonshëm i vendit të tij. Kishte një kujtesë fenomenale për vende, ngjarje dhe persona. Mbaj mend një herë kur u ktheva nga Shkodra dhe nisi të me pyeste me detaje për qytetin. Dukej qartë që kishte jo vetëm njohje për Shkodrën, por dhe nostalgji. Më përmendi emra të rëndësishëm të kohës që ai kishte takuar në Kafen e Madhe, dhe veçanërisht Migjenin. Ata që kanë lexuar reportazhin e vitit 1946 (nëse nuk gaboj) në gazetën “Bashkimi” me titull “Shkodërloçja nuk është reaksionare”, do të ndiejë dashurinë e Petro Markos. 


“Kur vendosa të shkoj në Spanjë, – më ka thënë Petro, – kam takuar Migjenin dhe i thashë se do të shkoj në Spanjë”. “Petro, – i kishte thënë Migjeni,  – kjo është poema më e mirë që ke ba deri tash!”.
Petro Marko, me gjithë moshën dhe një lloj mënjanimi të dukshëm nga jeta publike e kohës, e shprehte qartë portretin e një rebeli të lindur. Ai kishte qenë gjithmonë një njeri i lirë. Jeta e tij gjithmonë kishte qenë një aventurë në kërkim të së vërtetës, së veçantës dhe së bukurës. Historitë e tij personale në Spanjë, në Shqipëri, Itali, Francë, ishin jo vetëm mbresëlënëse në mënyrën se si ai i tregonte, por dhe thelbi i jetës së një njeriu të jashtëzakonshëm. Ai fliste shumë pak për librat e botuar. Por fliste shumë për ato që kishte ndër mend të shkruante.
Ka qenë një gabim që nuk kam mbajtur shënime nga bisedat e gjata me të. Ai ishte një enciklopedi e gjallë për letërsinë, gazetarinë dhe historinë e Shqipërisë. Ai i kishte njohur të gjithë njerëzit e rëndësishëm të kulturës, artit dhe politikës shqiptare. Ai kishte njohur Heminguein dhe kishte qenë në një kamp përqendrimi në Itali me Sandro Bertinin (Presidentin e ardhshëm të Republikës italiane). Ai ishte shumë i kujdesshëm kur përmendte emra të veçantë. Me gjithë jetën e tij të komplikuar nga politika (i burgosur nga regjimi në vitin 1948, me libra të ndaluar etj.) ai nuk nënshprehte asnjë urrejtje. Ai ishte i bindur për vërtetësinë e jetës së tij. Atë nuk e shqetësonte lavdia zyrtare e munguar. Ai vinte çdo mëngjes në klubin e gazetarëve për të pirë kafenë si në shtëpinë e tij të vjetër dhe kënaqej si një fëmijë kur bisedonte me ne të rinjtë.
Petro Marko nuk jepte këshilla prej mësuesi, megjithëse ishte profesor i gazetarisë dhe i gjuhës moderne shqipe. Në gazetari, thoshte ai, kanë rëndësi faktet dhe gjuha e qartë. Por ai ishte një interpretues i shkëlqyer i realitetit. Mjafton të kujtojmë shkrimin e shkurtër “Në Tiranë ra dëborë”. Pasi përshkruan se si nxënësit dhe të rinjtë i gëzohen dëborës duke ndërprerë mësimin etj., e mbyll shkrimin me këtë fjali: “Në Tiranë ra dëborë, dhe për herë të parë qyteti ynë është i pastër”
!

Related

Letërsi 2639802689698706827

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item