I jepet lamtumira Sokol Olldashit (VIDEO)

Mes lotësh dhe lulesh është përcjellë për në banesën e fundit deputeti demokrat, Sokol Olldashi, i cili humbi jetën në një aksident tragjik....




Mes lotësh dhe lulesh është përcjellë për në banesën e fundit deputeti demokrat, Sokol Olldashi, i cili humbi jetën në një aksident tragjik. Kuvendi i Shqipërisë ndryshe nga herët e tjera, sot u mbulua nga zija. I mbushur me lule të bardha, të afërm, miq, qytetarë e kolegë dhe nën tingujt e muzikës funebre, i dhanë lamtumira e fundit deputetit Sokol Olldashi. Në Kuvend janë parë të hyjnë edhe dy djemtë e deputetit të ndjerë, të cilët përpiqeshin të tregoheshin të fortë, në vendin ku babai i tyre ka mbrojtur me vendosmëri kauza të rëndësishme. Për më shumë se dy orë, deputetë, krerët e lartë të shtetit, miq dhe qytetarë kryen homazhe para arkivolit të deputetit të ndjerë të vendosur në hollin e Kuvendit.
 I jepet lamtumira e fundit Sokol Olldashit
14:00 – Pas ceremonisë së zhvilluar në selinë e Kuvendit, arkivoli me trupin e pajetë të deputetit Sokol Olldashi i është drejtuar varrezave të Sharrës, ku do të jetë edhe banesa e tij e fundit. Ka qenë kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili mbajti fjalimin në nder të deputetit Olldashi.
"Ky është një fjalim që nuk do doja ta mbaja kurrë. Po ne nuk kemi fuqi mbi ligjet e jetës, dhe jemi sot të detyruar prej tyre t’i japim lamtumirën mikun tonë të shtrenjtë, Sokol Olldashit. Sado të mundohemi me gjithë forcën tonë të mos e besojmë atë çfarë ndodhi mbrëmë rreth orës 9 e 30 në Kërrabë, duhet më në fund të pranojmë se ai ishte udhëtimi i fundit i Kolit në timon, dhe se sot ne jemi të dënuar të ndahemi fizikisht me të.
Jemi dënuar ne që ndamë rrugën e gjatë të politikës me të, po më shumë se sa ne; Glauku, Kleiti, Kela dhe Kozeta, familja e tij e shtrenjtë dhe e mrekullueshme.
Do t’i mungojë Glaukut dhe Kleitit, babai frymëzues, Kelës bashkëshorti i gjindshëm, dhe mamasë së vuajtur Kozetës, do t’i mungojë dashuria e madhe e jetës.
Po të mos ndodhte mbrëmë ajo pabesi e jetës në një kthesë në rrugën, për të cilën ti Sokol u mundove aq shumë ta bësh më të mirë për qytetarët e këtij vendi, me siguri se do të ishe sot këtu me ne, duke pirë cigaren tënde, duke bërë batuta kur e donte rasti, dhe serioz e i përkushtuar në misionin politik. Nuk mund të flas sot në kohën e shkuar, dhe nuk do ta bëj.
Kjo është vërtet një ndarje, për shkak të një ironie që jeta kësaj radhe bëri me ty, po jam i sigurt se do të jesh çdo ditë mes nesh, se është e pamundur të shuhesh aq shumë sa ke dhënë dhe aq shumë sa ke qenë prezent në ditët e secilit prej nesh, në politikë, në kohë të mira e të vështira, në gëzime e hidhërime.
Do të jesh me ne në politikë sepse na duhet kurajoja jote, na duhet forca për të ecur përpara. Na duhet vërtetësia dhe origjinaliteti yt.
Do të jesh me ne në mbledhje në kafene e kudo, se këndvështrimi yt është i veçantë.
Furtunat e motit si ato mbrëmë janë një shaka për ty, në krahasim me turbulencat e jetës dhe të politikës të cilat ti i përballove me dinjitet të pashoq, qysh se fillove angazhimin tënd publik.
Ti je një model për t’u ndjekur nga ne dhe të tjerët që do të na pasojnë, ndaj je dhe do të jesh mes nesh.
Po jam i sigurt se do te jesh një këshilltar i pazëvendësueshëm për dy djemtë e tu të cilët i ke rritur dhe i ke mbrujtur me parimet më të mira.
Do të jesh një bashkëshort i shtrenjtë për gruan tënde. Dhe do të jesh sot e deri në fund, djali i vetëm në botë për mamanë tënde të dhembshur.
Nuk ka se si të jetë kjo një ndarje e përhershme.
Zoti vendosi që ti të shkosh në një banesë tjetër, por ti Kol mbetesh mes nesh me gjithçka ke bërë.
Zakoni e do të themi lamtumirë;
Lamtumirë miku ynë!
Shpirti yt u prehtë në paqe
Homazhet
Ora 13:45 - Presidenti i Republikës Bujar Nishani, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, u përkul me nderim përpara trupit të pajetë të deputetit Sokol Olldashi dhe më pas ngushëlloi dhe u dha kurajo familjarëve të tij. Pas kreut të shtetit, homazhe ka kryer edhe ambasadori amerikan në vendin tonë, Aleksandër Arvizu.

13:35 - Zv/kryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa zhvilluan homazhe ne Kuvendin e Shqipërisë në nderim të deputetit Sokol Olldashi. Në një prononcim të shkurtër për mediat, zv/kryeministri Kuçi tha: “Qytetarët e Kosovës e kujtojnë si një njeri të devotshëm. Lavdi veprës së zotit Olldashi”. 
13:10 -Mbërrin kryeministri i vendit Edi Rama
Kryeministri Edi Rama i është drejtuar Kuvendit, për të kryer homazhe në nderim të deputetit Sokol Olldashi, sapo ka mbërritur nga Londra, ku zhvilloi një vizitë zyrtare. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, kryeministri Rama u përkul përpara trupit të pajetë të deputetit Olldashi, u shprehu ngushëllimet familjarëve të deputetit dhe më pas i pikëlluar la edhe një shënim në librin e kujtimeve. 
13:00- Ish-kryeministri Fatos Nano është përkulur përpara trupit të pajetë të Sokol Olldashit dhe ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e deputetit. Në një deklaratë të shkurtër për mediat,  Nano tha se Olldashi do t’i mungojë familjes, politikës dhe të ardhmes së vendit.
“Sokol Olldashi ishte një nga ne politikanët e tranzicionit, me sakrificat, kontributet dhe debatet. Fatkeqësia është që iku pa radhë, nuk ishte radha e tij”, - deklaroi Nano.
12:30 -Edhe deputetët e Partisë Socialiste u shprehën të pikëlluar për humbjen një prej figurave të politikës shqiptare. Deputetët e majtë kanë kryer homazhe njëri pas tjetrit, të kryesuar nga kreu i grupit Gramoz Ruçi, i cili deklaroi: “Është një humbje tragjike për familjen, bashkëshorten fëmijët, për publicistikën shqiptare, për opozitën shqiptare, për politikanët shqiptarë. Pavarësisht se jemi kundërshtarë politikë, ne me dhimbje jemi këtu të gjithë si grup parlament për të nderuar dhe respektuar si njeri, politikan, vëlla e mik, kolegun tonë Sokol Olldashi".
12:20 - Berisha dhe Topalli: Humbëm një nga politikanët me të rëndësishëm 
Pasi la shënimin dhe mbaroi homazhet, Sali Berisha deklaroi përpara mediave: “Njëri nga politikanët më të talentuar, njëri nga zërat më të fuqishëm, qeveritarët më eficentë. Është shënuar në memorien e kohës me vepra të pavdekshme. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve dhe dua të them se Sokol Olldashi jeton dhe do jetojë midis nesh me veprën e tij, trashëgiminë e tij me gjithçka që ai bëri për PD-në, për vendin, për kombin e tij. Ndërsa ish- kryetarja e Kuvendit Jopzefina Topalli deklaroi para medieve, tha se kanë humbur një koleg të jashtëzakonshëm. "E kam dash shumë Sokolin. Ishte një njeri i rrallë. Një demokrat i jashtëzakonshëm. Ngushëllimet më të sinqerta. Kemi humbur një koleg të jashtëzakonshëm". 
12:12 - I pari që u përkul përpara trupit të pajetë të deputetit Sokol Olldashi ishte kryetari i PD-së Lulzim Basha, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij. Pasi ngushëlloi familjarët, i përlotur dhe me duart që i dridheshin, zoti Basha la shënimin e tij në librin e kujtimeve. Pas kreut të PD-së, ish-kryeministri Berisha dhe zonja e tij Liri Berisha nderuan deputetin Olldashi. Më pas homazhe u kryen nga ish-kryetarja e Kuvendit Topalli, kreu i grupit të PD-së Edi Paloka dhe me radhë deputetë të tjerë të Partisë Demokratike. 
12:06 - Pak pas mbërritjes së arkivolit me trupin e pajetë, në Kuvend janë futur të gjithë familjarët e deputetit Olldashi. Dhimbja në fytyrat e tyre ishte e papërshkrueshme. Të gjithë përqafoheshin mes tyre për të përballuar dhimbjen e madhe.
11:54- Mbërrin makina me trupin e pajetë të Sokol Olldashit në selinë e Kuvendit.
11:40 – Ka mbërritur ish-kryeministri Sali Berisha, si dhe deputetët e tjerë të PD-së. Gjithashtu kanë mbërritur edhe disa prej deputetëve të Partisë Socialiste.
11: 35- Arkivoli me trupin e pajetë të deputetit Sokol Olldashi, i mbuluar me lule të bardha, u përcoll mes duartrokitjesh nga banesa e tij drejt Kuvendit të Shqipërisë, ku do të zhvillohen homazhe në nder të deputetit, përpara se ai të dërgohet në banesën e fundit. Qytetarë të shumtë u mblodhën përpara banesës së deputetit, për ti dhënë atij lamtumirën e fundi
11:30 – Ka nisur ceremonia homazheve në nder të deputetit Sokol Olldashi, i cili humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës në një aksident tragjik në aksin rrugor në aksin Tiranë –Elbasan. Para pak minutash është nxjerrë nga banesa trupi i pajetë i politikanit Sokol Olldashi dhe është nisur drejt selisë së Kuvendit.
Jashtë selisë së Kuvendit janë mbledhur personalitete të politikës shqiptare, trupa diplomatike, shumë personalitete nga fusha të ndryshme, por edhe qytetarë. 
11:00- Pritet të nisë ceremonia e homazheve te Kuvendi i Shqipërisë në nder të deputetit Sokol Olldashi. Mësohet se ceremoni ishte parashikuar të zhvillohej në orën 11:00, por njoftohet se vonesa erdhi për shkak të mbërritjes me vonesë të të vëllait të Olldashit, i cili jeton në Gjermani. Ditën e sotme qeveria shqiptare e ka shpallur ditë zie, për shkak të humbjes së politikanit demokrat. Ndërkohë në orën 14:00 është parashikuar të zhvillohet ceremonia e përcjelljes së trupit drejt banesës së fundit.
Sot ditë zie
Këshilli i Ministrave e shpalli të enjten ditë zie kombëtare në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar. Sipas vendimit të qeverisë, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtizë, ndërsa shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit.
Vendimi
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të  pikë s 8, të kreut VII, të ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
 V E N D O S I:
1.     Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 21.11.2013, në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar.
2.    Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtize.
3.     Ceremonia e homazheve organizohet ditën e enjte, datë 21.11.2013, nga ora 11.00 deri në orën 14.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
4.     Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Berisha shpreh pikëllimin për humbjen e Sokol Olldashit
Ish-kryeministri në një mesazh të shpërndarë në rrjetin social “Facebook”, ka shprehur dhimbjen e madhe që po përjeton për humbjen e deputetit Sokol Olldashi.
Mesazhi i Berishës
I dashur Sokol, lajmi i zi për aksidentin tragjik përmbyti me dhimbje, pikëllim dhe zi të madhe, zemrat, shpirtrat, e bashkëshortes, djemve, prindërve, miqve, të afërmve tuaj, por dhe të demokratëve dhe demokrateve dhe mbarë shqiptarëve. I rritur në kampet e punës të regjimit barbar, si enfant prodige i vuajtjes, sakrificës, kurajës dhe qëndresës njerëzore, Sokol Olldashi me guximin, mençurinë, shpirtin e tij të pamposhtur, do të hynte në lëvizjen demokratike të viteve ‘90 dhe do të shkëlqente si njeri prej yjeve më të shndritshme të saj. Bashkëshortja, djemtë, prindërit, miqtë, të afërmit e tu humbën mbrëmë njeriun e tyre më të dashur, Partia Demokratike, demokratët dhe mbarë shqiptarët humbën njërin prej drejtuesve, personaliteteve më të vendosur dhe më të shquar të këtyre dy dekadave, humben njërin prej politikanëve më të talentuar, qeveritareve tanë më të aftë. Parlamenti shqiptar humbi oratorin me logjikë të kristaltë, ligjbërësin e zotë, avokatin e zjarrtë të qytetareve dhe interesit të tyre. Publicistika, studiot, arenat e debateve nuk do të kenë më yllin e tyre të papërsëritshëm. Kurse unë nuk do të kem më jo vetëm një mik të çmuar, por dhe njërin prej bashkëpunëtorëve më të afërt, më të aftë, më të guximshëm të jetës sime politike.
I dashur Sokol, sot dhimbja në zemrat tona është më rëndë se guri, zija më e zezë se nata, më e zezë se ajo kthesa që të zuri pritë dhe në vitin e dyte të rinisë së burrit të çoi tinëzisht miku ynë i dashur në banesën e përjetësisë. Ora që unë po shkruaj këto pak fjalë ka kaluar katër e mëngjesit dhe të them të vërtetën sytë në ndonjë çast dhe më njomën dhe lëpehen dhe në ndonjë fjalë germat edhe më zbehen, por unë të siguroj se këto janë vetëm çaste. Ne nuk mund vajtojmë dhe kurrë, nuk do të vajtojmë për ty. Ti je dhe do mbetesh përjetë i gjalle midis nesh. Ti jeton në krenarinë, në frymëzimin, vizionin, guximin tonë. Ti jeton në zemrat e të rinjve që ngrije peshë, në shkrimet e tua perla të publicistikës sonë, në fjalimet, debatet, batutat e tua të papërsëritshme, jeton në vepra që kanë ndryshuar këtë vend përgjithmonë.  
Miku unë, me kitarën tënde, tingujt e saj melodiozë gjithnjë do këndojmë dhe festojmë së bashku me ty, veprën tuaj të pavdekshme, veprën tonë. Po Koli, prehu i qete me dëshirën e Zotit në paqen e merituar. Lamtumirë mik i dashur, lamtumirë Sokol, ti përjetë je midis nesh. I lehte qoftë mbi ty, dheu i tokës sonë!! sb
PD-ja e bashkuar për vdekjen e Sokol Olldashit
Grupi i Partisë Demokratike ka dalë në një deklaratë të përbashkët për vdekjen e kolegut të tyre, deputetit Sokol Olldashi. Në këtë deklaratë është përfshirë: Lulzim Basha, Sali Berisha, Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Astrit Patozi, Edi Paloka, Flamur Noka, Majlinda Bregu, Genc Ruli, Ilir Rusmajli, Jemin Gjana, Adriana Gjoni, Aldo Bumçi, Arben Qirjako, Arta Sakja, Edmond Spaho, Eduart Halimi, Fatos Beja, Keltis Kruja, Lajla Përnaska, Mesila Doda, Myqerem Tafaj, Rajmonda Bulku, Albana Vokshi, Gert Bogdani.
Deklarata e PD-së
Mbrëmë humbi jetën në një aksident tragjik, deputeti i PD-së, Sokol Olldashi. 
Nëna, humbi njeriun më të dashur të cilin e rriti me aq shumë mund dhe sakrifica për shkak edhe të regjimit, i cili e internoi familjen e Sokolit, kur ai ishte vetëm dy vjeç në Selenicë të Vlorës. 
Bashkëshortja humbi njeriun e saj të zemrës, fëmijët humbën babanë e dashur. PD humbi ish-ministrin dhe deputetin e saj, humbi ish-drejtuesin e Forumit Rinor, zërin e fortë dhe qytetar në Parlamentin e Shqipërisë dhe mikun e betejave politike për një shoqëri të lirë, të zhvilluar dhe më të mirë. 
Shoqëria humbi një zëdhënës të sajin, ndërsa gazetaria një mik dhe koleg të përhershëm dhe të kudogjendur. 
Politika dje ka mbajtur frymën. Ka qenë në vendin e aksidentit e bashkuar si rrallë mund ta shikosh atë, duke kuptuar se përtej betejave dhe debateve të ditës, vlera e jetës është më e madhja. 
Sokoli do të na mungojë të gjithëve. Fati e desh të largohet në një moshë të re dhe përballë tij të gjithë jemi të pafuqishëm për të protestuar, por jemi të mundur për të reflektuar, se sa e shkurtër është jeta e njeriut. 
Do ta kujtojmë çdo herë si njërin nga ne, si mikun dhe shokun tonë me të cilët kemi ndarë momente të vështira, por edhe ditë të bukura. Si bashkudhëtar të një historie për të cilën ai pati fatin që të japë kontribut dhe të lërë emrin në një sërë veprash madhore, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe si ish-ministër i Brendshëm, në goditjen e grupeve të krimit të organizuar më të rrezikshme në Ballkan. I dha zemër dhe rini PD-së, forcë dhe energji për ta shtyrë atë drejt rezultateve më të mira. 
Sot më shumë se gjithçka ka vlerë heshtja dhe lutja e secilit nga ne për Kolin. Është koha për të kujtuar një mik që ndahet nga ne papritur duke na lënë në befasi se nuk do e dëgjojmë më zërin e tij në Kuvendin e politikës, në debatet që e bëjnë më të shëndetshme demokracinë, por edhe në tryezat e kafenesë së mëngjesit apo në takimet spontane në rrugët e Tiranës, Durrësit, Fierit dhe të gjithë vendit. 
E tillë është jeta. Koli e jetoi me vrull. Vrapoi, nuk eci. Dhe shpejtësia ndonjëherë është edhe kapriçoze. Të ndal në mënyrë tragjike, ashtu sikurse bëri mbrëmë me Kolin. Iku ashtu sikurse ishte mësuar të ecte, duke vrapuar, vetëm se kësaj radhe për të shkuar në një jetë tjetër, për të cilën i lutemi Zotit, që ta vendosë në anën e të mirëve.  
I gjendemi pranë familjes së tij në këto momente të vështira dhe lusim Zotim t’i japë forcë që të kalojë këtë ditë të vështirë.
Mesazhe ngushëllimi 
Mesazhe të shumta janë drejtuar familjes Olldashi, pas humbjes tragjike të deputetit demokrat, Sokol Olldashi. Mijëra qytetarë kanë ngushëlluar familjen nëpër rrjetet sociale dhe mes tyre nuk kanë munguar as miqtë dhe kolegët e ish-ministrit.
 “U trishtova kur mora vesh lajmin për humbjen e deputetit Sokol Olldashi. Kam pasur fatin ta njoh nga afër Olldashin. Do ta mbaj përherë kujtimin e tij”, shprehte ambasadori Aleksandër Arvizu. 
“Lamtumirë miku im! Ishe më i mirë se ç’duhej për këtë botë! Zoti të dhëntë paqen e tij!” është shprehur në “Facebook” deputetja demokrate Mesila Doda.
“U prehtë në paqe Sokol Olldashi”, është shprehur deputeti socialist Erjon Braçe.
 “Një lajm i tmerrshëm dhe fatkeq, që sikurse shkreptima e natës kur vjen, prishi qetësinë e familjes, miqve, atyre që e kanë njohur apo jo!!! Një humbje jashtëzakonisht e rëndë për familjen, miqtë, shoqërinë dhe politikën shqiptare!!! Lutjet shkojnë për shpirtin e tij, që të prehet në paqe dhe për familjen, që Zoti t’i japi forcë në momentin më të vështirë të jetës së tyre!!!”, Gerti Bogdani.
Majlinda Bregu: Lamtumirë Koli, miku im i mire. Paç paqe në atë botë më shumë se trazirat e kësaj që le
Eduard Halimi: Lamtumirë i dashur miku im. 
Shpëtim Idrizi: U prehtë në paqe Koli, Zoti ia lehtësoftë humbjen e dhimbjen familjes dhe miqve! 
Kastriot Islami: I dashur Koli! Sonte morëm vesh një lajm tronditës deri në fund të pabesueshëm. Një ngjarje e rëndë për familjen e të afërmit, miqtë, kolegët, të gjithë ne… Uroj të prehesh i qetë. Zoti i dhëntë forcë familjes! 
Shegushe Ligori: Kam biseduar me të kur ishte ministër i Transporteve për punimet në rrugën që i mori jetën! Fliste me shumë pasion për këtë investim! Madje edhe për ristrukturimin e rrugës së vjetër për ta bërë atë turistike… Ngushëllime familjes dhe të afërmve të deputetit e politikanit të karrierës, Sokol Olldashi! 
Taulant Balla: Një lajm i hidhur në këtë mbrëmje për të gjithë ndarja nga jeta e kolegut tonë, Sokol Olldashi. U prefsh në paqe, Sokol! 
Piro Lutaj: I trishtuar pa masë për aksidentin tragjik, i cili i mori jetën kolegut tim Sokol Olldashi, nuk gjej fjalë për të ngushëlluar familjarët e Sokolit, në mënyrë të veçantë bashkëshorten dhe 2 djemtë. U prehtë në paqe Sokoli i paharruar! 
Rudina Seseri: Ngushëllime dhe keqardhje për Sokol Olldashin dhe familjen e tij në këtë mbrëmje të vështirë. 
Andis Harasani: Refuzoj ta besoj lajmin për mikun tim, Sokol Olldashi! 
Astrit Bushati: Humbëm një mik! Ndihem keq! Pushofsh në paqe, Kol! 
Alfred Peza: E tmerrshme… E takova mikun dhe kolegun tim Sokol Olldashi sot në 18:30 në barin e hotel “Rogner” 
Politikanë shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia gjithashtu kanë shprehur ngushëllimet e tyre për vdekjen e deputetit Sokol Olldashi.
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti ka ngushëlluar familjen Olldashi për humbjen e më të shtrenjtit të tyre. Në një telegram ngushëllimi Ahmeti shkruan: “E nderuara familje Olldashi, lajmin e kobshëm për humbjen e parakohshme të mikut tim dhe deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Sokol Olldashi, e pranova me hidhërim të thellë, andaj në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta për këtë humbje të madhe për të gjithë ne. Kontributi i Sokolit në të gjitha zhvillimet demokratike në Shqipëri është i lartë dhe vepra e tij do të kujtohet me shumë respekt dhe mirënjohje nga të gjithë shqiptarët në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe në çdo vend tjetër ku ata jetojnë. Të gjithë ne bashkëndjejmë me dhimbjen e familjes suaj dhe ju mbajmë në lutjet tona gjatë këtyre ditëve të vështira për ju dhe të gjithë ne”,- shkruan në telegram ngushëllimin e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Nga ana tjetër edhe kreu i LDK-së në Kosovë, Isa Mustafa ka dërguar një mesazh ngushëllimi. Ai shprehet se, Partia Demokratike e Shqipërisë humbi një veprimtar të madh të demokracisë së re shqiptare, kurse shteti shqiptar një anëtar të spikatur të legjislacionit.
“Vdekja tragjike e Sokol Olldashit është një humbje e cila kapërcen kufijtë e shtetit shqiptar. Ishte njeri me dije dhe kulturë evropiane, njeri që komunikonte me gjuhën dhe logjikën evropiane, prandaj të gjithë ne do ta ndjejmë mungesën e njeriut tonë. I shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes Olldashi për humbjen e më të dashurit të saj, kryetarit të PD-së, z. Lulzim Basha dhe Parlamentit shqiptar për humbjen e një figure të madhe të demokracisë”, shkruan Isa Mustafa në mesazhin e tij ngushëllues.
 “Ngushëllime të sinqerta familjes Olldashi. Vlerësoj lart kontributin e deputetit Olldashi. Ndarja e parakohshme nga jeta, e Olldashit është e dhimbshme”, politikani kosovar Behgjet Pacolli.
Bashkia Tiranës ul flamujt në gjysmë shtizë 
Bashkia e Tiranës ka vendosur që flamujt në kryeqytet të ulen në gjysmë shtizë gjatë kohës së homazheve për deputetin e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, i cili humbi jetën mbrëmjen e kaluar, si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. 
Ngjarja 
Deputeti i PD-së, ish-ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, është shuar në një aksident tragjik. Automjeti që ai drejtonte ka dalë nga rruga dhe deputeti demokrat, 41 vjeç, nuk ka mundur të mbijetojë. Ngjarja u regjistrua rreth orës 21:20 minuta të mbrëmjes së të mërkurës në rrugën Tiranë-Elbasan, pranë zonës së njohur si “Lapidari” në Qafë-Kërrabë.
Automjeti, që drejtohej nga vetë deputeti, tip “Benz”, me targë AA 003 NH, ka dalë nga rruga, duke përfunduar disa metra në një humnerë, çka ka rezultuar fatale për jetën e 41-vjeçarit.
Në kilometrin e gjashtë të  autostradës Tiranë-Elbasan,  në një kthesë të saj për shkak të terrenit të lagësht, deputeti demokrat duket se ka humbur kontrollin e mjetit.
Kanë qenë banorët e zonës që kanë parë se një makinë ka dalë nga rruga dhe kanë njoftuar menjëherë policinë, ndërsa janë përpjekur t’i vijnë në ndihmë deputetit Sokol Olldashi.
Policia dhe autoambulancat e zjarrfikëset mbërritën në vendngjarje, por për shkak të pozicionit të makinës, terrenit të vështirë dhe shiut që binte vazhdimisht, trupi pajetë i deputetit demokrat është nxjerrë vetëm pas rreth dy orësh, pasi ndodhi aksidenti.
Burime të policisë bënë të ditur se automjeti ka pësuar disa rrotullime, madje identifikimi i viktimës është bërë nga dokumentet që mbante me vete.
Kuvendi shtyn seancën plenare
Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se seanca plenare e parashikuar për sot do të shtyhet për javën e ardhshme, për shkak të humbjes së jetës së deputetit Sokol Olldashi. 
Lajmin për mediat e bën të ditur zyra e shtypit të Kuvendit.
/Shekulli Online/ E.L./

Related

Lajme 4295512599085428059

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item