Përse meshkujt kanë hundë më të mëdha se femrat?
Si evoluon organi i nuhatjes gjatë pubertetit te meshkujt, për t’u dhënë atyre mundësi të furnizojnë muskujt e zhvilluar me oksigjenin e nev...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/11/perse-meshkujt-kane-hunde-me-te-medha.html
Si evoluon organi i nuhatjes gjatë pubertetit te meshkujt, për t’u dhënë atyre mundësi të furnizojnë muskujt e zhvilluar me oksigjenin e nevojshëm
Studimi
Hunda njerëzore është e të gjitha formave dhe masave. Por një karakteristikë e veçantë është se meshkujt kanë hundë më të madhe se femrat.
Një studim nga Universiteti i Ioua-s arriti në përfundim se hundët e meshkujve janë rreth 10 për qind më të mëdha sesa ato të femrave, bëhet fjalë për zonën e popullatës europiane.
Ndryshimi në masë, besojnë shkencëtarët, vjen prej ndërtimit të ndryshëm të gjinive dhe kërkesave për energji. Meshkujt, në përgjithësi, kanë më tepër masë të muskujve, që kërkojnë më shumë oksigjen për rritjen dhe mirëmbajtjen e indeve muskulore.
Hundët më të mëdha mundësojnë më shumë oksigjen për frymëmarrjen dhe për gjakun në mënyrë që të furnizohen muskujt. Kërkuesit gjithashtu theksuan se te meshkujt dhe femrat fillojnë të bëhen të dukshme ndryshimet rreth moshës 11 vjeç, pra kur fillon puberteti.
Nga aspekti fiziologjik, meshkujt fillojnë të zhvillojnë më shumë masa muskujsh në atë kohë, ndërkohë që femrat zhvillojnë më shumë masa dhjami. Kërkimi i mëparshëm kishte treguar se, gjatë pubertetit, afërsisht 95 për qind e peshës së trupit te meshkujt vjen prej masave të lira të dhjamit, krahasuar me 85 që kishin femrat.
“Kjo marrëdhënie është diskutuar në literaturën shkencore, por ky është studimi i parë që ekzaminon si përmasa e hundës është e lidhur me masën e trupit te meshkujt dhe femrat në një studim të gjatë”, tregon Nathan Holton, asistent profesor në Universitetin Ioua, që është gjithashtu edhe drejtuesi i kërkimit të publikuar në American Journal of Physical Anthropology (Revistën Amerikane të Antropologjisë Fizike).
Është demonstruar se teksa masa e trupit rritet te meshkujt dhe femrat gjatë zhvillimit të organizmit, meshkujt shfaqin një rritje dispropocionale në përmasën e hundës.
E gjitha kjo vjen për shkak të ndryshimit të kërkesës së energjisë si për shembull konsumi i oksigjenit, shkalla metabolike dhe kërkesa e përditshme për energji gjatë rritjes së trupit.
Kjo gjithashtu shpjegon faktin se përse hundët tona janë më të vogla sesa ato të paraardhësve tanë, si për shembull neandertalët. Arsyeja, besojnë kërkuesit, është për shkak se të lashtët kishin më tepër masa muskulore dhe u duhej më shumë oksigjen për t’i ushqyer ato.
Njerëzit modernë kanë masa më të pakta muskujsh, ndaj u mjafton një hundë më e vogël. “Pra, te njerëzit, hunda mund të bëhet akoma më e vogël, sepse trupat tanë kanë kërkesa më të ulëta për oksigjen sesa njerëzit e lashtë”, thotë Holton, duke theksuar se kafazi i brinjëve dhe mushkëritë janë më të vogla te njeriu i sotëm, gjë që përforcon idenë se nuk na duhet aq më shumë oksigjen për të mirëmbajtur trupin sesa paraardhësit tanë.
E gjitha kjo tregon sesi njerëzit bashkëkohorë kanë ndryshuar prej atyre të kohërave të lashta në mënyrë fizike. Holton dhe skuadra e tij analizoi masën e hundës dhe rritjen te 38 individë europianë. Ata u mbajtën nën vëzhgim që nga mosha tre vjeç deri në moshën 20-vjeçare dhe u shqyrtuan për përmasat e brendshme dhe të jashtme me intervale kohe të rregullta.
Kërkuesit zbuluan se djemtë dhe vajzat kishin të njëjtën përmasë hunde, që nga lindja deri në fillimin e pubertetit, rreth moshës 11 vjeç. Që prej këtij momenti, ndryshimi i përmasave filloi të rritej duke u bërë gjithnjë e më i dukshëm.
“Edhe nëse përmasa trupore është e njëjtë”, sqaron Holton, “meshkujt kanë hundë më të mëdha, sepse shumica e trupit është e përbërë prej atij indi”.
Holton thotë se zbulimet mund të jenë një rrugë e mirë për të zbuluar të vërtetën rreth popullsive të tjera, meqenëse ndryshimet te psikologjia e meshkujve dhe femrave varion nga kulturat dhe racat.
Një kërkim i mëparshëm duket se i mbështet hulumtimet e Holtonit. Në vitin 1999, një studim i publikuar në Revistën Europiane të Ushqimit, tregon sesi kërkuesit dokumentuan se nevojat për energji te meshkujt dyfishohen krahasuar me femrat pas pubertetit.
Kjo tregon një rritje disproporcionale të shpenzimit të energjisë te meshkujt gjatë periudhës së zhvillimit në pubertet dhe më pas.
Një tjetër aspekt interesant i studimit është se na bën të mendojmë më shumë për hundën tonë. Ajo jo vetëm që nuk është një ‘zbukurim’ që ndodhet në mes të fytyrës sonë, por përkundrazi është një organ shqisor që ndihmon në dhënien e oksigjenit të nevojshëm për trupat tanë.
“Kështu, në këtë kuptim, ne mendojmë për hundën sikur të jetë e pavarur nga kafka dhe më tepër e lidhur me aspekte të ndryshme të anatomisë”, thotë Holton.
Tomas Southard, profesor dhe kryetar i ortodontikës që merret me trajtimin e çrregullimeve të dhëmbëve dhe nofullave, në Universitetin Ioua është gjithashtu kontribuues për studimin. Shkencëtarët janë të gjithë të një mendimi, se më tepër kërkime duhet të kryen në këtë fushë për të zbuluar të tjera ndryshime që ndodhin gjatë pubertetit te meshkujt dhe femrat. Ndryshime që sjellin pasoja të mëvonshme për jetën e dy gjinive të kundërta.
Ajo që ka rëndësi mbi të gjitha është fakti se meshkujt, ndër të tjera, duhet të falënderojnë edhe hundën për të qenët aq shumë të fuqishëm dhe aq energjikë.