Kastravecët e Lubonjës dhe një lloj tjetër i harruar - ISUF KALO

ISUF KALO Siç e shihni, m’u duk e tepërt t’i shkruaj edhe emrin Fatosit. Sepse, kur thua Lubonja, vetvetiu kushdo e kupton se nuk mund të je...

ISUF KALO

Siç e shihni, m’u duk e tepërt t’i shkruaj edhe emrin Fatosit. Sepse, kur thua Lubonja, vetvetiu kushdo e kupton se nuk mund të jetë fjala për dikë tjetër. Besoj se shumë veta do të jenë në një mendje me mua, nëse them që më tepër sesa person dhe personazh, Fatos Lubonja në fakt është shndërruar gjatë kësaj periudhe tranzicioni tonë demokratik në një institucion autentik të shoqërisë sonë të re. Një institucion ky i pavarur i lirisë, i mendimit të hapur, i zërit të ndërgjegjshëm, të guximshëm, i vetinstaluar i vetërritur e vetëzhvilluar, pa të cilin peizazhi ynë shoqëror politik letrar,  relacional e mediatik nuk do të ishte dot i plotë. Nuk di në çfarë lloj “gjallese” e fusni ju Lubonjën. Për mua ai nuk është zog cicërues, as papagall, as zvarranik, as peshkaqen e as luan. A është ai “animal” politik, humanist, mediatik, artistik? Apo aspak e njëkohësisht pak nga të gjithë ato?

Fatosi im 
Unë kam rastisur ta njoh ose, më saktë, ta takoj së pari Lubonjën (sepse nuk është aq lehtë ta njohësh atë) kur ai ishte ende Fatos. Ishte djalosh adoleshent dhe unë mjek fare i ri. Më patën thirrur në shtëpinë ku ai banonte me prindërit atëherë, në rrugën “Jul Variboba”, për ta vizituar si mjek, për diçka jo me rëndësi nga ana shëndetësore. Më kujtohet që asokohe ai ishte simpatik në pamje, me sy që i shkëlqenin dhe flokë të zinj që i binin mbi ballë. As vetë nuk e di pse më la që atë ditë një mbresë, që e kujtoj edhe sot. Kish diçka ndryshe, që ai që e mëtonte në shikim, në gjeste, madje dhe zërin ose, më saktë, në tonalitetin e tij. Kishte një lloj sigurie që nuk përputhej me moshën. Edhe pse me moshë të përafërt, ne të dy nuk patëm mundësi të bëheshim miq. Atëherë nuk e dija se ç’drejtim të tmerrshëm do merrte për shumë vite jeta e tij nga ato vite që zakonisht shpresohet të jenë më të bukurat e jetës. Por që ai mjerisht i kaloi në qeli. Nuk di më pas ç’ndodhi mes tij dhe mureve të burgut. Ai ka treguar diçka për ato në dy libra që i botoi kur doli në liri, ku duket qartas që në gjithë ato kohë burgosja vetëm sa ia ka ngulitur më thellë brenda mendjes dhe ndërgjegjes së tij ato principe, ide dhe ato revolta që e çuan atje e që i dëshmon ende sot kokëfortësisht, pa kompromis. Burgu bëri për të çudinë. Ai hyri në të Fatos dhe doli prej tij Lubonjë. Në ç’mënyrë ai i bëri transparente ato mure të trasha për të përçuar e sjellë te vetja vlera, njohuri, ide, principe, vizione pak të njohura, por dhe aspak të pranuara asokohe në vendin ku lindi? Ato janë jo materiale, prandaj nuk perceptohen, as preken dot fizikisht. Por pikërisht ato ai na i vë herë pas here para syve si fener verbues me një këmbëngulje persistente (jo inatçore), por të papërballueshme, duke na zgjuar e turbulluar. Dhe duke na shkundur pa droje. Pa na kërkuar asnjëherë ndjesë.

Lubonja ynë 
Mos kujtoni se këtë hyrje e bëra për t’jua prezantuar apo për ta hyjnizuar Lubonjën. Përkundrazi, këtë shkrim po e bëj për të dëshmuar që dhe ai gabon ose, më saktë, harron. Thuhet se “gabimi më i madh në jetë është të duash të jesh i pagabueshëm”. Nëse ai do të donte të ishte i tillë, besoj se do të qe vetë i pari që do e urrente veten. Mua më ka ndodhur, ndoshta edhe juve, që të mos kemi qenë gjithmonë në një mendje me ato që shkruan apo thotë Lubonja. Por, nëse flas për veten time, e vërteta është që asnjëherë nuk i kam fshirë dot shpejt nga mendja ato që ai analizon, që shpall dhe propozon. Sepse fjalët e tij janë me shumë gjemba, janë nga ato që, përveçse shpojnë, ngulen, mbeten diku dhe i mbartim me ose pa vetëdije në qenien tonë. Apo edhe më shpesh janë si gurë të rëndë dëshmish, akuzash, dëshirash, hamendësimesh, revoltash, faktesh dhe të vërtetash të përjetuara prej tij apo të lexuara diku, që ai i hedh pa ngurrim në pusin e ndërgjegjes sonë shoqërore. Ato, pavarësisht nëse i pëlqejmë, i miratojmë ose jo, do të mbeten aty pa kthim, përgjithnjë.
Lubonja, kur i hedh, kur i thotë ose i shkruan ato, e bën me shumë siguri, me temperament të zjarrtë, plot pasion. E vetmja gjë që, me sa duket ai nuk di ose nuk do që të bëjë, është humori. Por kjo nuk i pengon disa njerëz që, kur i lexojnë apo dëgjojnë, i marrin një pjesë të tyre si shaka. Punë për ta!
Kastravecët me shumë fara  
Në një nga shkrimet e fundit të Lubonjës për “kastravecët e fushës dhe ata të shoqërisë sonë të sotme”, pikasa që vëzhgimi e analiza e tij për ta qe i cunguar. Jo i plotë. Sepse ai kishte harruar ose anashkaluar një lloj tjetër të tyre. Një lloj i veçantë e i rrallë kastravecësh ky, që, ndryshe nga të parët, nuk ka shanse të shtohet, as në numër e as në prodhimtari. Dhe që nuk shitet por që po pakësohet çdo vit, çdo muaj, çdo ditë drejt zhdukjes së pandalshme. 
Ky lloj kastraveci është kastravec me shumë fara. Kurse ata të Lubonjës mund të jenë edhe krejt pa to. Pikërisht farat janë mallkimi i tij. Ato në brendësi janë jo vetëm të shumta, por edhe të mëdha e të forta. Këto fara, po të mbillen e të vaditen, do të mund të prodhonin frute e produkte gjithfarësh, nga ato me shumë vlerë për njerëzit dhe vendin. Mirëpo, për fat të keq, prezenca e tyre i bën ata të papërdorshëm. 
Duhet thënë se, ndryshe nga ata kastravecë që përmend Lubonja, të cilët në këtë apo atë masë ndodh të kenë brenda tyre kimikate apo edhe helme, kastravecët me fara nuk përmbajnë asnjëherë të tilla. Ndodh vetëm të jenë ndonjëherë të hidhëruar. Por janë hidhërime nga ato që mbeten brenda “zemrës”. Nuk helmojnë të tjerët. Karakteristikë tjetër është se ata, ndryshe nga kastravecët e Lubonjës, përmbajnë pak, në mos aspak ujë. Dhe janë fare të lirë. Ata që kanë guximin t’i përdorin për diçka, mjafton të paguajnë për ta vetëm ca qindarka. 
Kastravecët e llojit të tillë dallohen pa vështirësi që nga forma e jashtme. Ata nuk janë kokëmëdhenj si kungujt. As të verdhë nga zilia si ata. Janë të thjeshtë në pamje e pa poza, jo të kapardisur si bananet në frutiere luksoze. Karakteristika më dalluese është se kanë  gjithmonë formë të drejtë, sepse farat që kanë brenda nuk i lejojnë ata që të përdridhen, të përkulen e të shtrembërohen.

Kastravecët e librave 
Të tillë kastravecë, edhe pse jo të shumtë, janë të mishëruar te disa nga njerëzit e shoqërisë sonë. Ata mund të hasen te disa fëmijë, djem e vajza të mbara shkollore, që quhen respektivisht nga të tjerët qullacë, peshkopë, humbamenë, kaqolë, çuna e goca mamaje. Kjo sepse ata besojnë, binden dhe bëjnë gjithçka që u këshillojnë prindërit, edukatorja, mësuesit. Ata nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë në jetë prapësira. Kanë mësuar mirë, kanë qenë shpesh në tabelë nderi të shkollës, kanë marrë fletë lavdërimi e, disa prej tyre, edhe medalje ari. 
Më pas, në universitete kanë shkëlqyer, pasi kanë djersitur duke lexuar e studiuar dhe duke u përpjekur të bëjnë kërkime shkencore, të mbrojnë mastera e doktorata brenda e jashtë vendit. Ata kanë shumë vlerësime pozitive dhe entuziaste nga kolegët me të cilët kanë punuar jashtë vendit. Kanë CV shumë të pasur, të cilat i bëjnë prindërit e tyre dhe ata vetë tepër krenarë. Sepse këta kastravecë besojnë, ndjekin dhe zbatojnë pa lëkundje në ato virtyte që u kanë predikuar gjyshi, prindërit, mësuesit, librat, teatrot, interneti dhe filmat që kanë parë.
Ata besojnë thellësisht që në fund të fundit e mira fiton ndaj të keqes dhe që virtyti e mposht vesin dhe krimin. Përkundrazi, si të  gjithë torollakët nuk besojnë se me para mund ta blesh suksesin dhe lumturinë. Ato, sipas tyre, krijohen e fitohen vetëm me djersë, me ndershmëri dhe drejtësi. Besojnë se të gjithë njerëzit e mirë, shpirtërisht të pastër si Davidi Koperfildi dhe Anjeza do kenë patjetër fund të lumtur në jetë. Dhe gjithë të ligjtë, servilët dhe hipokritët si Uriah Hipi në fund të fundit do të ndëshkohen nga drejtësia. Sepse e drejta, sado që ta pengojnë, një ditë prej ditësh del, në mos nga Zoti, nga jeta vetë. Historia e Edmond Dantesit të mirë, që pas burgut të pamerituar gjeti mrekullisht një thesar dhe u bë kont i Montekristos, për t’u hakmarrë e ndëshkuar njërin pas tjetrit të gjithë keqbërësit e tij, sipas mendjes së tyre nuk është thjesht roman apo histori letrare imagjinare, por ngjarje që ka ndodhur vërtetësisht në jetë. 
Këta kastravecë me këto parime dhe bindje që kanë natyrisht janë objekt zbavitjeje, romuzesh e gallate nga ish-shokët e shoqet e tyre të shkollës, të lagjes, të njerëzve të njohur e të panjohur për ta, nga ish- studentet bashkëmoshatarë të dobët në shkollë apo fare pa shkollë, të cilët fati, zotësia, shkathtësia, kazinoja, dredhia, manovrimi, reflekset, guximi për të bërë gjëra të ndaluara u ka mundësuar të bëhen biznesmenë të suksesshëm, drejtorë kompanish dhe institucionesh, madje edhe lart e më lart në poste të larta politike e shtetërore, policore, gjyqësore, parlamentare, mediatike e deri qytetarë nderi. Vetvetiu këta i shikojnë këta lloj kastravecësh herë me mëshirë, herë me përbuzje dhe herë  me qesëndi si “njerëz koti”, me shumë mend që nuk i hanë qentë, të pazotë, jo praktikë, jo pragmatikë, pa reflekse për jetën, që ëndërrojnë në hava, “pa këmbët në tokë”, që numërojnë yjet, që “nuk nxjerrin dot qimen nga qulli”. Dhe që nuk kuptojnë se në shoqërinë moderne të sotme të tregut të lirë, të vetmet mallra për të cilat tani për tani nuk ka vend në të, janë mirësia dhe dituria. 

Mary Cury dhe Servantesi 
Kastravecët me fara të mëdha njohurish, idesh, aftësish, me fara të mëdha ndershmërie, korrektese, sinqeriteti vazhdojnë t’i mbartin ato bashkë me ëndrrat e vizionet e pashtershme, që vetvetiu shikojnë “me sy hapur” për të ardhmen. Ata besojnë (prandaj me hak i quajnë 100% teveqel) se dikush patjetër do kujtohet e do kuptojë dobinë dhe vlerat e tyre. Të gjitha predikimet që kanë dëgjuar që në fëmijërinë e hershme dhe deri kur u thinjën, a nuk kanë qenë siguruese për këtë? Për më tepër, ata shpresojnë në fjalët që pat thënë për ta dikur Mary Cury: “Njerëzimit i duhen njerëzit praktikë, pragmatistë, që punojnë për interesin vetjak e njëkohësisht interesin e përgjithshëm, por atij i duhen edhe ëndërrimtarët për të cilët përkushtimi ndaj qëllimeve të mira që kanë, është aq imperativ, sa u bëhet e pamundur të mendojnë për vetveten dhe interesat materiale të tyre”.
Mirëpo shkencëtarja e madhe Cury ka shumë kohë që ka vdekur. Madje, vdiq ende e re, para kohe, viktimë nga rrezet e padukshme, që ajo vetë i zbuloi në të mirë të njerëzimit.  
Kastravecët me fara nuk kanë mësuar asgjë nga pësimi tragjik i saj. Ata ende mbajnë në mendjet e tyre fjalët e bukura justifikuese që ajo tha për ta. Dhe kështu vetvetiu duken sot në sytë e të tjerëve si personazhe të Servantesit. Secili prej tyre si një Don Kishot që, edhe pse i pafuqishëm dhe krejt pa mbështetje, vazhdon të ëndërrojë, të besojë e të dëshirojë se do të mundë një ditë prej ditësh që ta ndryshojë për më mirë botën. 
Në të vërtete, ata pa e kuptuar as vetë janë nga dita në ditë duke u pakur, duke u shuar e duke iu nënshtruar fatit të tyre fatal. Me epitafin: “Racë e dikurshme kastravecësh. Tashmë e zhdukur”.

Në vend të epilogut 
Fatos, më lejon t’ju pyes diçka: Ç’dreqin pate që nuk deshe të mbeteshe përgjithmonë Fatos? Mos vallë u bëre Lubonjë për të shpëtuar edhe këtë racë kastravecësh të harruar?

Related

Opinione 6301373109921957859

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item