Të vërtetat përgjysmë të armëve kimike - MENTOR NAZARKO
MENTOR NAZARKO Çështja e armëve kimike dhe e demontimit të tyre në Shqipëri është një çështje aq e rëndësishme, sa për të do të flitet gja...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/11/te-vertetat-pergjysme-te-armeve-kimike.html
MENTOR NAZARKO |
Çështja e armëve kimike dhe e demontimit të tyre në Shqipëri është një çështje aq e rëndësishme, sa për të do të flitet gjatë. Ligjërimi kombëtar rreth tyre do të luhatet midis dy pozicioneve ekstreme: qoftë si një rast kur vendi shpëtoi falë një mobilizimi popullor dhe kombëtar të jashtëzakonshëm nga një rrezik apokaliptik, qoftë si një rast i humbur për protagonizëm ndërkombëtar, kompensim të bollshëm mjedisor dhe shlyerje borxhi ndaj mikut tonë të madh. Përgjigjja e vërtetë rreth kësaj çështjeje mbetet ende pezull. Pse? Sepse askush prej njerëzve që kanë qenë aktivë në opinionin publik në lidhje me këtë çështje mund të thotë një po ose një jo definitive. Pra, në rastin më të mirë, e vërteta rreth rreziqeve të demontimit të tyre, vendimit për demontim në Shqipëri, mbetet e përgjysmuar. Për të ilustruar pamundësinë e kuptimit të kësaj çështjeje, apo e marrjes së pozicionit përfundimtar në lidhje me këtë çështje, do të citoja një inxhiniere kimiste shqiptare, e cila po doktorohet në Lajpcig. Komenti i inxhinieres që ngjan profesional për shkak të edukimit të saj, akoma më shumë na shtyn në mëdyshje rreth asaj që ndodhi.
Erisa Saraçi. Me një kërkim 2 orësh dje (duke qenë e fushës) kam në detaje mekanizmin e veprimit të agjentëve kimike gaz mustard e sarin (komponentët kryesorë të armëve kimike) në organizmin e njeriut, si dhe mënyrat e asgjësimit të armeve kimike. Në fund pranohet nga specialistë që asgjësimi është kryer me sukses deri tani nga shumë vende, përfshirë Shqipërinë (dhe asgjë nuk i ndodhi turizmit shqiptar nga kjo gjë deri ne 2007-n), POR asnjë proces dekompozimi nuk është 100% i pastër.
Shqetësimet e mia pas informimit në detaje janë: 1. siguria e ruajtjes së tyre dhe 2. mbetjet nga asgjësimi i kimikateve.
1. Shqipëria duhet të bëhet një vend shumë i kujdesshëm, nëse pranon lëndë kaq të rrezikshme brenda saj (ata që kanë dashur të bëjnë gjenocid në vendin tonë, do e kishin Kalin e Trojës gati). Vendi i depozitimit e përpunimit duhet të ketë masa shumë të rrepta sigurie. Te punësuarit në impiant (që, të themi të drejtën, do hapë vende pune për të paktën 10 vite për inxhinierë e kimistë, që aktualisht punojnë në call-center!) duhet të trajnohen rigorozisht në aspekt profesional e të sigurimit. Këto i ka në dore t’i sigurojë qeveria, se nuk po shpik rrotën, kanë shembuj plot.
2. Ndërsa për mbetjet, hirin e gazet, megjithëse ka mënyra trajtimi të mëtejshëm, përsëri do kenë në përbërje elemente të dëmshme: metale të rëndë, gazet acide etj., që do ndikojnë në atmosferën e ambientit ku depozitohen për një kohë shumë të gjatë. Këtë nuk e riparon dot as shuma e majme që SHBA i ka premtuar Shqipërisë, as anëtarësimi në BE, as Nobeli për paqe.
Sido që të jetë, qeveria nuk mund të ankohet apo të injorojë “JO”-në e popullit të saj, të cilit vetë nuk ia shpjegoi në kohë sa më sipër.
Zonja në fjalë e ka bërë komentin në faqen e një intelektuali shqiptar me famë akademike, i cili ishte rreshtuar në frontin e “JO”-së masive. Edhe ky fakt është dëshmi e pavendosmërisë në lidhje me këtë çështje, por që thellon më shumë një ndjenjë tjetër të asaj që i ka munguar protestës, veçanërisht të mendimit intelektual shqiptar, apo të shoqërisë civile.
Për nga natyra, shoqëria civile, veç përmasës protestative, ka dhe përmasën e raportimit dhe të ekspertizës. Kjo ekspertizë i mungoi tërësisht protestës. Mungoi mendimi i ekspertëve nga jashtë apo brenda vendit, të cilët do të saktësonin gjithë rreziqet apo avantazhet. Më saktë, në kushtet e mungesës së transparencës së detyruar që e shoqëroi procesin, mendimi i kualifikuar shkencor, pjesë natyrale e shoqërisë civile, do t’i ofronte opinionit publik, qeverisë, atë listë kushtesh që mund t’i kërkoheshin palës ofruese – SHBA-ve, dhe, pse jo, dhe koston me të cilën mundej apo s’mund të pranohej procesi i demontimit.
Mbërritëm këtu te një pjesë e rëndësishme e çështjes. Transparenca. Nëse do diheshin që më parë kërkesat e palës shqiptare ndaj miqve që i përmendi Rama, demontim tërësor i një pjese të armëve kimike, rikthim tërësor i mbetjeve, pastrim i zonave të tjera të rrezikshme të mjedisit shqiptar, fitim financiar ose jo, përfitime të tjera diplomatike, mbase protesta s’do të ishte kaq e plotë. S’do të ishte kaq e zjarrtë. Panorama social-politike e shekullit XXI mbase do të ishte e varfër kësisoj pa protestën më të madhe, më spontane që u organizua ndonjëherë. Pra, nëse do të kishim më shumë transparencë rreth kushteve të vëna nga pala shqiptare, mbase të lëkundurit e sotëm do të ishin në frontin e “PO”-së. Edhe kjo është një e vërtetë përgjysmë në lidhje me çështjen e armëve kimike.
Duke mbetur te transparenca, del dhe një çështje tjetër, për të cilën e vërteta përsëri mbetet përgjysmë. A dinte gjithçka zoti Basha në lidhje me operacionin? Po, është përgjigjja, që ai e konfirmoi vetë, ashtu siç e konfirmoi dhe ambasadori amerikan. A dinte ai aq sa duhet të dinte, dhe a mundej Rama të informonte opozitën apo Presidentin më shumë sesa ambasadori amerikan? Me shumë gjasë jo, edhe pse kjo çështje është shumë sensitive, siç thotë dhe ekspertja Saraçi në citimin e mësipërm. Nëse do të kishte transparencë që në fillim në lidhje me këtë çështje, atëherë vetë siguria e një operacioni të tillë, nëse do të kryhej në Shqipëri, do të kërcënohej ndjeshëm. Brenda opinionit publik, brenda popullsisë ka aktorë, të cilët do ishin të interesuar të krijojnë akte destabilizimi me shumë qëllime: prishje marrëdhëniesh midis Shqipërisë dhe SHBA-ve etj, etj. Të cenoje sigurinë e një transporti kaq delikat si ky, do të ishte relativisht e lehtë për grupe terroriste ndërkombëtare.
Po kur Basha e dinte, atëherë pse protestoi në shesh së bashku me Berishën? Mirë Berisha që duke iu kundërvënë fabulës sizifiane të maces që e ha vetëm një herë gjalpin, s’ndihej fare fajtor para SHBA-ve, sepse besonte që mund të pajtohej prapë me to, po Basha? Ai dinte aq sa mund të dinte, atëherë çfarë kuptimi kishte preteksti i transparencës? Apo pse Rama gënjeu?
Le të shkojmë pak te gënjeshtrat e Ramës. Siç po kuptohet, por siç duhet të dihej prej ekspertëve të shoqërisë civile që mjerisht munguan tërësisht në këtë protestë, në lidhje me negociatat apo kontaktet, transparenca komandohej nga OKB apo organizata që e asiston atë për armët kimike. Atëherë ku ka gabuar Rama? Le ta besojmë opsionin e opozitës, se Rama i ka thënë “PO” Amerikës pa pyetur popullin, duke vendosur kushte që lidheshin me karrierën e tij personale. Ku e di opozita këtë? SHBA-të nuk ia kanë thënë, sepse, siç e bëri të qartë ambasadori Arvizu, Rama ka thënë vetëm po në parim. Por dhe sikur të ketë thënë po, me kushte të lehta në fillim, s’ka asnjë dyshim se, nën trysninë e protestave, Rama duhet t’i ketë shtuar kushtet, duke përfunduar në listën që bëri të qartë ditën e fjalimit të gjatë para publikut. A nuk ishte një listë e mirë kushtesh ajo? Rama nuk mundet ta ketë shpikur pas pilafit një listë të tillë kushtesh, duke qenë në sytë e gjithë botës, pra dhe të vetë negociatorëve. Edhe kjo çështje do të mbetet e vërtetë përgjysmë, sa kohë që s’do t’i marrim vesh asnjëherë të gjitha detajet në lidhje me çështjen e armëve.
Dhe një vëzhgim i fundit në lidhje me protestën. A ishte kjo një protestë tërësisht mjedisore, apo e frymëzuar politikisht apo çfarë? Nëse do të ishte mjedisore, ajo do të ishte në nivele të larta dhe më parë për çështje të ngjashme, megjithëse në përmasa të vogla. Ose le të besojmë se do të jetë edhe tash e tutje njëlloj vigjilente. S’ka fare rëndësi se në protesta mund të kenë marrë pjesë veprimtarë politikë të opozitës, sepse s’ka dyshim se në tërësinë e vet protesta ishte apolitike. Ama s’mund të thuhet me bindje se protesta ishte tërësisht e frymëzuar nga bindje mjedisore apo ekzistenciale.
Kam një hipotezë tjetër. Protesta arriti në nivele të tilla edhe për një arsye. Ka një dëshirë, ka një vullnet latent popullor për të ndryshuar përfaqësimin politik, për të pasur një subjekt të ri politik, të ndryshëm nga ato që e popullojnë skenën. Por duhet organizim. Jo një parti mjedisore, por një parti që ka të fortë përmasën mjedisore. A është kjo e vërtetë? Jo tërësisht, por me gjasë në këtë frymëzim madhështor që ishte në themel të protestës, kishte diçka që lidhet me mungesën e përfaqësimit politik.