Sabri Hamiti: Át Zef Pllumi, një fenomen kulturor
Studiuesi, një libër për veprën letrare të Pllumit . “Vetëm lartësitë morale mund ta bëjnë njeriun t’i qëndrojë burgimit e jetës në llogore”...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/11/sabri-hamiti-at-zef-pllumi-nje-fenomen.html
Studiuesi, një libër për veprën letrare të Pllumit.
“Vetëm lartësitë morale mund ta bëjnë njeriun t’i qëndrojë burgimit e jetës në llogore”
Át Zef Pllumi është një fenomen kulturor në kulturën e në letërsinë shqipe, në fund të shekullit njëzet e në fillim të shekullit njëzetenjë. Ky kapërcim apo lidhje e dy shekujve të botës shqiptare, sa i takon fenomenit Pllumi, i detyrohet në shumëçka rrethanave kulturore e sociale (kontekstit), po më shumë personalitetit të Pllumit (tekstit të tij). Këtë herë do të mundohemi që këtë fenomen ta shohim nëpër disa pika të mbështetjes, nëpër disa pamje.
1. Kundër/Përballë diktaturës
Át Zef Pllumi, me jetë e me vepër është dëshmuar kundër diktaturës komuniste në Shqipëri, të cilën disa herë e ka nominuar edhe si tiraní. Kundërshtimi i këtij sistemi është bërë: a) në trajtë të Rezistencës së kujtesës e b) në trajtë të Qëndresës në burg e llogore. Sistemi totalitar shqiptar nëpërmjet shurdhësisë politike ndaj mendimit tjetër, kundërshtues, alternativ apo individual, farkoi programin e harresës ndaj të kaluarës, trashëgimisë, të përhershmes dhe me përmbysje revolucionare synoi të krijonte “njeriun e ri” dhe “botën e re”. Át Zef Pllumi iu kundërvë këtij projektimi të harresës me kujtesën e vet të moshës së rinisë, të njohjes e të vlerësimit të vlerave tradicionale (të përhershme) të shqiptarëve të shtresuara në kohë. Kjo kujtesë, pastaj u bë si mbrojtje për të ruajtur paprishjen e vet shpirtërore në të gjitha sprovat që e pritnin në mosha të tjera. Pra, krijoi një standard, një kanon moral e intelektual, që të jep forcën njerëzore dhe detyrimin për të mos u dorëzuar e shtrirë përdhé. Vetëm lartësitë morale mund ta bëjnë njeriun kaq të qëndrueshëm në sprovimet e moshës së pjekur e të moshës së shtyrë, për t’i qëndruar burgimit e jetës në llogore për sa decenie, në lojën jetë a vdekje, si qëndresë trupore duke shpëtuar shpirtin. Këtë proces të tmerrshëm për shpërbërje të personalitetit, nuk e duruan shumë personalitete të shkëlqyeshme në jetën civile (qytetare). Át Zef Pllumi e mbijetoi këtë proces duke u bërë fitimtar i dyfishtë: duke i shpëtuar procesit të harresës, ai në fakt e ridimensionoi kujtesën, për të ndodhurat e reja mbi individin e mbi kolektivitetin, të cilën e bëri vepër si dëshmi nëpërmjet misionit vetëmbrojtës e të pasionit krijues që përfaqësohet në mënyrë të saktë e të shkëlqyeshme: rrno vetëm për me tregue. Pra, duke u shpëtuar Njeriu, te Át Zef Pllumi lindi edhe Shkrimtari. Ai më së forti, ndër shqiptarët, e provoi e dëshmoi që fjalët fluturojnë e shkrimi mbetet.
2. Faza postdiktatoriale
Shpejt pas daljes së Át Zef Pllumit nga burgu në jetën qytetare, diktatura ra: si zhvillim i brendshëm apo si reflektim i jashtëm, është diskutim për tjetër herë. Porse gjendja e përgjithshme, e parë nga ai e të tjerë mendimtarë të ndjeshëm, u karakterizua si: a) Rënie shpirtërore dhe b) Ringritje me “fragmente”. Shpërdorimi i njeriut (jo vetëm të një brezi) kishte krijuar një boshësi, një kotësi shpirtërore, e cila vështirë do të rimbushej e do të zgjohej. Në anën tjetër, prova e ringritjes provohej vetëm ndërmjet “fragmenteve” të shfaqura me emocione të egra e rebelime, që duke mos marrë trajtën e sistemit të maturuar kalonin në një çekuilibrim shpirtëror, bile edhe njerëzor. Asgjë e prishur kaq gjatë nuk mund të ndreqej kaq shpejt.
Át Zef Pllumi, si doktrinar e si qytetar, e para së gjithash si njeri i kujtesës kulturore, e ndien që shoqëria shqiptare nuk po vuante vetëm varfërinë materiale, po më tepër varfërinë shpirtërore, mungesën e kulturës e të komunikimit human. Prandaj, veprimi i tij i parë i ngutshëm ishte institucionalizimi i tolerancës e besimit, ushtrimi shpirtëror i individit, ringritja e paraqitja e kujtesës kulturore të shkëputur përdhunshëm; komunikimi i ndërmjetvetshëm, i brendshëm dhe me të tjerët. Është koha kur ai ringjalli kishën shqiptare, rithemeloi revistën “Hylli i Dritës”; ndërmori udhëtime mbrendashqiptare e udhëtime jashtë, kurdo e kahdo, për të treguar të vërtetën dhe nevojat e vendit të vet. Hapi udhë për lëvizje të të rinjve jashtë vendit për njohtime e studime. Në të gjitha këto veprime Át Zef Pllumi ngutej për të zënë kohën e humbur për veten e të tjerët, por duke kultivuar mirësinë e dashurinë si veti individuale e si doktrinë të krishterë françeskane të shërbimit e të dashurisë.
3. Frat e Padre: Njeriu
Zef Pllumi me statusin e misionarit, si frat e si padër (vëlla e át), rinis të krijojë personalitetin e vet shpirtëror e kulturor në botën shqiptare duke rimarrë kthimin e madh të shtratit të vet kulturor të rinisë, natyrisht tash dhe me përvojën e sprovimeve të mbijetesës së diktaturës. Ky rikthim kulturor ka dy lidhje të forta: a) Pllumi me Fishtën dhe b) Nxënësi me Mësuesin. Në të ri e në pleqëri, Át Zef Pllumi nuk ka pushuar ta dojë e ta adhurojë Gjergj Fishtën, duke e pranuar si ikonë të shqiptarizmës, por edhe si pikë mbështetëse të tij në vijën kanonike e shpirtërore, si qenie, si pamje. Pllumi, diku vonë thotë se është kundër miteve dhe këtë e ka provuar me natyrën e vet rebeluese e kontestatore, veçse kur flet për Fishtën, ky deklarim relativizohet. Po pra, mbasi Fishta mbetet kreu i kulturës e letërsisë françeskane, të cilën e konsideron themelore për kulturën shqiptare. Edhe shkrimi i tij i fundit i rëndësishëm është për kryeveprën e Fishtës, Lahuta e Malcís. Në botimin XV françeskan të Lahutës (Shkodër 2006), Át Zef Pllumi në tekstin e parathënies zbulon shumë të pathëna për kryeveprën e për autorin e saj; për strukturën finale të veprës dhe për perceptimin fishtian për veprën e vet; vetëdijen fishtiane që po krijonte veprën “për të vërtetën ideale e jo reale shqiptare”.
Po, shumë kohë kishte kaluar me zbrazëti të mëdha, dhe dialogu i kohëve dukej vështirë i ribërë. Prandaj, shkrimin e vet e përfundon me pamje të realitetit të lakuriquara, që nuk i pranon me një fije të hollë të ironisë, për të vënë pikën fundore me një:
Duen botën e re!…
Okei!
4. Vepra letrare
Át Zef Pllumi, shkrimtar e moralizator, patjetër që i ngjan Gjergj Fishtës, ani që ky rrnoi vetëm për me tregue fatin e kombit shqiptar e të botës shqiptare; i ngjet po ashtu Naim Frashërit, ani që ky rrnoi vetëm për me tregue ëndrrën e kombit shqiptar; këtij i ngjan edhe më tepër për një shpërthim të jashtëzakonshëm shkrimor që realizohet mbrenda një decenieje. Po ndryshimi me pararendësit e mëdhenj është në llojin e shkrimtarisë, që përmblidhet në: a) letërsi dokumentare, b) letërsi utopike, c) letërsi personale.
Me kryeveprën e vet Rrno vetëm për me tregue, Át Zef Pllumi krijoi veprën më të rëndësishme të llogorologjisë shqiptare, ndër më të njohurat në vendet e botës komuniste, të krahasueshme me veprat e Shalamovit apo të Solzhenicinit. Aty tregohet e përshkruhet si dëshmi jeta paralele shqiptare, me pamje të ndëshkimit ekstrem, me pamje të ferrit. Vetë autori tregon që ka hequr dorë nga episode e situata kaq të egra të gjesteve të njeriut ndaj njeriut, duke u frikësuar që do të dalin të pabesueshme për logjikën e lexuesit të zakonshëm e të njeriut normal. Dëshmia shkrimore e reales të Át Zef Pllumit për jetën individuale e kolektive në llogor kapërcen imagjinaren shkrimore. Në anën tjetër, në vështrimin zhanror vepra Rrno vetëm për me tregue është një letërsi dokumentare, që mund të quhet shembull, nëse jo edhe model, në letërsinë shqipe.
Mirëpo, dëshmitari i një pamjeje të realiteteve, në hapin tjetër krijon letërsinë e mundësive, si projektim i marrëveshjes humane shqiptare. Vepra Frati i Pashallarëve është një utopi, një shkrim utopik, me të gjitha karakteristikat e letërsisë të mëtimit pozitiv, si program i veprimit jetësor e si ndiesi. Zhvendosja e ndodhive në të shkuarën, në fakt është një projeksion në të ardhmen (natyrisht duke e kapërcyer të tashmen) si moralitet e si filozofi. Në thelb kjo vepër është një roman i edukatës besimtare kombëtare. Vepra e Át Zef Pllumit Frati i Pashallarëve në raport me veprën Rrno vetëm për me tregue është si utopia në raport me distopinë shqiptare.
Saga e fëmijnisë (vepër e mbetur në dorëshkrim) është një letërsi e pastër personale, madje autobiografike, në të cilën autori kthehet në botën e pafajshme të fëmijërisë, për të pushuar përfundimisht në një botë, ku nis gjithmonë filli i ëndrrës së re për jetën e individit, si dëshmi, dhe jetën e njerëzimit si metaforë. Kjo duket thirrja e fundit, e artikuluar në trajtë të lutjes, për mirësinë e dashurinë njerëzore.