Vdekja në letërsinë shqipe, nga Migjeni tek Ismail Kadareja

Kur flitet për vdekjen në letërsinë shqipe, se pse të vijnë në mend nga ato heroiket, me gjoksin mbështetur pas grykës së topit apo me armë ...

Kur flitet për vdekjen në letërsinë shqipe, se pse të vijnë në mend nga ato heroiket, me gjoksin mbështetur pas grykës së topit apo me armë në dorë… 
Shefja e Departamentit të Letërsisë, Dhurata Shehri

Është instiktive, kjo ndoshta për faktin që për një periudhë të gjatë gati 50-vjeçare, si jeta, ashtu edhe vdekja, duhet t’i shkonin për shtat njeriut të ri të socializmit.  “Përgjithësisht vdekja në letërsinë shqipe ka kërkuar arsye të jashtëzakonshme, heroike dhe është shoqëruar përgjithësisht me tragjizëm”, thotë shefja e Departamentit të Letërsisë në Fakultetin Filologjik, Dhurata Shehri. Dhe nuk është aspak e rastësishme që pikërisht prej këtij fakti, Departamenti i Letërsisë organizoi konferencën shkencore “Si vdesin personazhet në letërsinë shqipe”. Një rast për të qëmtuar në letërsinë shqipe ato raste vdekjesh që i shpëtojnë klisheve apo për të riparë, për të sjellë këndvështrime të reja mbi ato raste, të cilat janë analizuar në mënyrë tradicionale. Kështu u morën në analizë vepra të Mjedës, Migjenit, Kutelit, Kadaresë, Kongolit, Koreshit etj. Vepra të shkruara në kohë të ndryshme, ku edhe vdekja nuk vjen njëlloj. Po sot si vdiset në letërsinë shqipe, si vjen ajo në poezi apo në prozë…

Vepra të njëjta, prerje të ndryshme

Qëlloi që kumtues të ndryshëm të kishin marrë në analizë të njëjtën vepër, por parë nga këndvështrime të ndryshme. I tillë ishte për shembull rasti i “Andrrës së jetës” së Mjedës, marrë në analizë nga studiuesit dhe pedagogët Dhurata Shehri e Kastriot Gjika. Nëse Shehri e lexon vdekjen në veprën e Mjedës si një ikje nga heroikja te natyralja, njerëzorja, e ndodhshmja, e prekshmja, pa kërkuar shkaqe dhe përse, Gjika e sheh atë brenda botëkuptimit kristian dhe romantik të vdekjes. Ai e trajton vdekjen e Trinës në përqasje me Migjenin (“Bukuria që vret”) dhe vdekjen e Lokes në paralele me (mos)vdekjen e Tat Tanushit të Kutelit (“E madhe është gjëma e mëkatit”).
Si Agron Tufa, edhe Eldon Gjikaj, i referohen vdekjes në veprën e Mitrush Kutelit, si shembuj joklasikë në letërsinë shqipe. Në kumtesën e tij “Mortaliteti i kushtëzuar i personazhit të Mitrush Kutelit”, Tufa shqyrton marrëdhëniet ambigue që ka personazhi me vdekjen në jetën konkrete dhe me dimensionin transcendental të botës së përtejvarrit. Ndërsa Gjikaj ofron një tjetër analizë mbi “Vjeshtën e Xheladin Beut”. Për të vjeshta nuk është një element rastësor në veprën e Kutelit e aq më pak në fatin dhe vdekjen e Xheladin Beut, i cili deri më sot është trajtuar si përfaqësuesi “i denjë” i klasës feudale. Veprat e Kadaresë, gjithashtu janë marrë si raste jotipike prej disa prej kumtuesve. Kritikja Persida Asllani i referohet romanit “E penguara” të Kadaresë, “rekuiemit orfik dhe misionit etik të vdekjes”. “Orfeu modern i Kadaresë përbën mundësinë e vetme që të dëshmohet thelbi real i asaj çka Historia nuk e dëshmon dot. Letërsia është orfeu i fundit që shkon përtej dyerve të vdekjes. Ajo sfidon Historinë pikërisht aty ku ngjan se fillon mizorisht harresa”, thotë Asllani. Të njëjtit roman i referohet edhe Mark Marku, por ai heq paralelen mes veprës së Kadaresë dhe Ditarit të Drita Çomos, të cilët sipas tij kanë një personazh të përbashkët: një vajzë të dënuar me vdekje të shpejtë prej sëmundjes. “Studimi krahasues i dy veprave merr në analizë dy jetë dhe dy vdekje paralele, njëra fiksionale, tjetra reale. Të dy rrëfimet janë një mundësi e mirë analize e marrëdhënieve mes fiksionit dhe realitetit”. Edhe pedagogu Adem Jakllari i kthehet Kadaresë, por bashkë me të edhe veprave të Kongolit e Koreshit të botuar pas viteve 90’. Paralel me ta edhe fatet e personazheve të Kafkës, Kamysë, Sartrit etj. 

Nga Migjeni në postmodernizëm 

Nuk mund të mungojë as Migjeni me “Vetëvrasjen e trumcakut”, sjellë nga Eljon Doçe. Sipas tij, “përmes shëmbëlltyrës së trumcakut, “hapësirës” thuajse surrealiste ku zhvillohet ngjarja, si edhe ligjërimit me tone biblike, me anë të një skice aq të thukët me vëllim, por jo përmasat e shprehjes artistike, Migjeni na njeh me një formë të re të vdekuri- në emër të asgjëje dhe askujt, po aq të gjithçkaje dhe gjithkujt”. Agron Gjekmarkaj na sjell një rast vdekjeje të personazhit në letërsinë postmoderne shqiptare, duke iu referuar romanit të Zija Çelës, “Sos një buzëqeshje”. “Personazhi kryesor në këtë roman vdes sepse është simbol i çdo gjëje të mirë, të bukur, është ideal dhe libri është një strukturë narrative e pesimizmit, e cila mbahet si logjikë vetëm nga vdekja, e cila më lojën e saj ndan të mirën nga e keqja dhe triumfin e kësaj të fundit si kambanë alarmi për një shoqëri të dekompozuar, duke rrëshqitur në moralizim”. 

ALMA MILE

Related

Letërsi 2123249419158230346

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item