Hileqarët në shkollë kërkojnë punë shteti
Një grup studentësh u ngarkuan të hedhin zaret në mënyrë të fshehtë dhe të japin rezultatet. Rezultatet u krahasuan me probabilitetin dhe u ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/11/hileqaret-ne-shkolle-kerkojne-pune.html
Një grup studentësh u ngarkuan të hedhin zaret në mënyrë të fshehtë dhe të japin rezultatet. Rezultatet u krahasuan me probabilitetin dhe u zbulua se një pjesë mashtruan. Por mes atyre që mashtruan, shumë kërkuan punë shteti
Studimi
Emily Alpert Reyes, LATimes
Studentët e kolegjeve që kopjojnë në një detyrë të thjeshtë ka më shumë gjasa të kërkojnë vende pune në shtet, zbuluan studiuesit në Universitetin e Harvardit dhe Universitetin e Pensilvanisë në një studim të kryer me qindra studentë në Bangalore të Indisë.
Rezultatet e tyre, të publikuara në një raport, sugjerojnë se një nga forcat që kontribuojnë në korrupsionin e qeverisë mund të jetë fakti se cilët janë njerëzit që synojnë dhe luftojnë për një vend të tillë pune.
Për shembull, “nëse njerëzit mendojnë se punët në qeveri janë të korruptuara, njerëzit e ndershëm mund të mos kërkojnë të hyjnë në këtë sistem”, thotë Rema Hana, një profesore në Universitetin e Harvardit. Për të luftuar këtë problem, qeveritë mund të kenë nevojë të gjejnë mënyra të reja për të analizuar njerëzit që kërkojnë vende pune shteti, shton ajo.
Kërkuesit kryen disa eksperimente me më shumë se 600 studentë që po përfundonin kolegjin në Indi. Në një detyrë, studentët duhet të hidhnin zaret privatisht dhe të raportonin numrin që merrnin. Sa më i lartë të ishte numri, aq më shumë do të paguheshin. Çdo student i hodhi zaret 42 herë.
Megjithëse kërkuesit nuk e dinë me siguri nëse ndonjë student gënjeu, ata mund të thonë se numrat që raportuan ishin shumë më të lartë se sa numrat që do të dilnin nga një hedhje e zakontë – me pak fjalë, nëse kishte studentë që kapën shesh besh apo dopio shesh më shumë nga sa imponojnë ligjet e probabilitetit kur zaret hidhen 42 herë.
Hiletë dukej se ishin të gjithëpërhapura: më shumë se një e treta e studentëve raportoi rezultate që kishin vetëm 1 për qind probabilitet në shpërndarjen e parashikuar. Studentët që dukshëm mashtruan kishte 6,3 për qind gjasa të thoshin se dëshironin të punonin për qeverinë.
“Në tërësi, ne zbulojmë se individët jo të ndershëm – të matur në lojën me zare – parapëlqejnë të hyjnë në shërbim të qeverisë”, shkroi Hana dhe bashkautori i studimit Shing-Ji Uang (Shing-yi Wang), ndihmësprofesor në Pensilvani.
Ata shtuan, “në mënyrë të rëndësishme ne tregojmë se hiletë në këtë detyrë janë lehtësisht të parashikueshme si sjellje mashtruese”.
I njëjti test, që iu ngarkua një grupi më të vogël infermierësh qeverie, tregoi se ata që dukej se kishin mashtruar me zaret kishin më shumë gjasa të shmangnin punën. Studime të mëparshme sugjerojnë se pjesa më e madhe e mungesave në punë është mashtrim.
Kërkuesit kryen testime të tjera për të kapur karakteret: në një eksperiment tjetër, studentët luajtën një lojë në të cilën mund t’i dërgonin një mesazh anonim lojtarit tjetër, qoftë duke u thënë atyre në mënyrë të ndershme se lëvizja do t’i mundësonte të fitonin para, ose në mënyrë të pandershme t’i shtynin drejt një lëvizjeje të gabuar. Mashtrimi i studentit tjetër do t’i ndihmonte të fitonin më shumë para.
Një test i tretë u kërkoi studentëve të ndajnë një shumë rupish (monedha vendëse) mes tyre dhe një bamirësie që e zgjidhnin ata vetë; për çdo rupi që ata vendosnin të dhuronin, shuma për bamirësinë do të dyfishohej. Testime të tjera matën aftësinë e tyre të memories dhe të të kuptuarit apo pyetën studentët nëse ata do të kopjonin në provime ose që besonin nëse shumica e bizneseve paguajnë ryshfet.
Rezultatet ndryshonin nga një test në tjetrin: në testin e bamirësisë, mbajtja e më shumë rupive për vete ishte më e zakontë mes studentëve që ëndërronin për punë shteti. Gjithsesi, gënjeshtra gjatë lojës me mesazhe dukej sikur nuk kishte korrelacion me dëshirat e studentëve për punë.
Kërkuesit spekuluan se dallimi mes lojës në fjalë dhe hedhjes së zareve, që të dyja të krijuara për të matur pandershmërinë, mund të jenë të tilla që studentët ndiheshin ndryshe nga vjedhja e studentëve të tjerë se sa në rastin e hedhjes së zareve.
Vëzhgimi i njerëzve mbi korrupsionin bëri pak gjëra për të parashikuar nëse njerëzit ishin të prirur për të gënjyer në jetën reale dhe kjo përbën një telash për qeveritë që po mendojnë të shtojnë ushtrime të tilla në testimet për punë.
Ankesat për korrupsion kanë shkaktuar skandale të mëdha në Indi, e cila renditet si vendi i 94 nga 176 vende e territore për perceptimin e korrupsionit, një indeks i përgatitur nga “Transparency International”.
Hana tha se ishte kureshtare të mësonte nëse të njëjtat rezultate do të merreshin edhe në vende të tjera, ku punonjësit e qeverisë kanë paga më të larta dhe korrupsioni shihet si një problem më i vogël.