Brigjeve me Kanione në Shqipëri

  Skrapari Kanionet e mrekullueshme që shtrihen përgjatë rrjedhës së Osumit, të befasojnë me pamje të panjohura surprizuese në katër stinët ...

 

Skrapari

Kanionet e mrekullueshme që shtrihen përgjatë rrjedhës së Osumit, të befasojnë me pamje të panjohura surprizuese në katër stinët e vitit.Rrjedha e vrullëshme e ujit të kaltër në gjatësinë e shtrirjes së tyre,është panoramë që rrall e takon.Vendi piktoresk e romantik, bëhet shumë sportive kryesisht në periudhën e verës.
Duhet të njohësh nga afër poetin e madh Xhevahir Spahiu, si dhe të kesh shijuar disa nga poezitë e tij më brilante, për të kuptuar mbase diçka të paktë nga magjia e vendlindjes së tij dhe se përse vargjet i ka aq të bukura e rebele. Malet kanë filluar të blerojnë dhe ujërat e zhurmshme të Osumit, në këmbë të malit të Tomorit, Fronit të Perëndive, siç e quante Naimi ynë, kanë marrë  pranëvere.
Kanionet e Skraparit janë të rralla në Europë. Mahnitja që ndjen pranë  tyre është e papërshkueshme. Ato kanë një gjatësi rreth 10 kilometra dhe thellësia e honeve shkon deri në 340 metra. Kohët e fundit, përveç ekipeve sportive të huaja që vijnë për kanotazh, vijnë edhe artist të ndryshëm,ku realizojnë videoklipet e tyre të këngëve.Pavarësisht nga këto bukuri spikatëse, çdo vizitor vëren me trishtim edhe rrallimin e njerëzve. Shumë banorë e kanë braktisur dhe po e braktisin vendlindjen, në kërkim të një jetë më të mirë drejt Tiranës, Durrësit a gjetke. Emigracioni, më së shumti drejt Greqisë fqinje dhe Italisë, ka hequr nga prodhimi forcën më të madhe aktive që përbëhet nga të rinjtë. Ndërsa lart, në fshatin Blezenckë, që i përket komunës së Çepanit, argumentojnë  me fakte se edhe këtu mund të jetohet. Madje mund të fitohet edhe më shume se në emigracion,nëqoftëse do të dihet të menaxhohen resurset e shumta të  natyrës së këtij vendi,duke u marrë me punët e zakonshme të krahinës, me vreshtari ,blegtori dhe kryesisht me turizëm.

Emigrimi, një e keqe që duhet ndalur




BLEZENCKA nga brigjet e Osumit duket si një ortek shtëpish që, prej rrëshqitjes së dherave,  po bie në humbëtirat e kanioneve. Realisht rrëshqitja ka filluar prej kohësh, por duket se vitet e fundit ka ndalur disi. Tashmë, nga 40 shtëpi që ka pasur dikur ky fshat, kanë mbetur vetëm 11.Megjithatë, ata që kanë mbetur, ushtrojnë zanatin e fermerit dhe kanë  filluar të bëjnë gati veglat  për punimin e tokës. Është  një zonë shumë e përshtatëshme për vreshtari,ullinjë e pemë frutore. Një vend të rëndësishëm e me shumë leverdi ekonomike,është blegtoria. vetëm me shitjen e produkteve të njohura të Skraparit, raki dhe verëra, bagëti  e produkte të qumshtit,banorët nxjerin fitime të mira.Kur mëson  për këto fitime, të vjen keq  kur ndesh vende të braktisura që janë edhe më shumë produktive. Shumë prej të rinjve vendas thonë se bëjnë të njëjtat punë në Greqi dhe fitojnë atje mbase më pak se sa po të punonin në pronat e tyre.

Qëndresa ose fshati i kullave

Në qëndër të fshatit dallohen një grumbull kullash, të cilat duken si fortesa të vogla. Duken punimet cilësore të mjeshtërve të vjetër që kanë synuar jetëgjatësinë e ndërtesave për të mbajtur në to të gjallë jetën e shumë brezave. Në shtëpinë e Haki Luman Muçit tregojnë me krenari se kullën e kanë ndërtuar disa mjeshtra të Oparit. Gurët e portës dhe të qosheve janë të gdhendura nga kryemjeshtri Shahin Opari. Kulla ka dy pllaka përkujtimore, atë të përfundimit të punimeve në vitin 1937 si dhe tjetrën që tregon se kulla ka qenë bazë e rëndësishme gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Duke e parë të mbushur ende me banorë të duket akoma si një shtab emergjence që s’e ka braktisur llogoren e jetës në këtë vend.Kulla shërbenë edhe si bujtinë për vizitorë të ndryshëmnë kohë pelegrinazhesh turistike.Në fshat ka edhe kulla të tjera ku bujtësi mund të gjej mikëpritje,ngrohtësinë  karakteristike të vendasve,si dhe ushqimin e bollshëm tradicional.

NDERTESA E SHTABIT

Realisht nuk ka asnjë shtab gjëkundi, por baraka e konstruktuar  me arka municioni të duket si e tillë. Para saj ndodhet një shtyllë elektrike betoni ku shkruhet “LSI”.Dikur ajo u përdor si shtab electoral i partive politike. Në të vërtetë këtë barakë e ka ndërtuar një i moshuar që s’do ta braktise fshatin e vet. Ai është 70-vjeçari Xhevahir Jahja, i cili ka konstruktuar edhe shtëpinë, duke e transformuar thuajse në të re. “Fshatin tim të lindjes s’do ta braktis kurrë” – thotë me krenari ai. i moshuari banon me të ëmën 88-vjeçare, Shefikanë, me gruan, djalin e madh e nusen që ka 3 fëmijë. Poshtë këmbëve të kodrinës së butë janë honet e kanioneve. Ato janë thithëse, por ky fshat i bukur s’do jetë pre e tyre. “Ai do të qëndrojë i sigurt si mbi një trampolinë malore”-thonë banorët. Ndërsa në krahun tjetër të lumit, disa vendas kanë ardhur nga Tirana dhe kanë ndërtuar një banesë të re. Ndoshta po fillon rikthimi. Tokat e punuara rreth shtëpisë së bukur blerojnë. Është ngjyra e përtëritjes së jetës.Shënja e rikthimit në vendlindje.



LEGJENDA E VIDHIT

Në qendër te fshatit ndodhet një ndërtesë e konstruktuar me arka municionesh. Pranë saj është një pemë e rrëzuar, por që askush nuk e ka marrë për dru zjarri. Pema është një vidh shekullor me mbi 30 metra gjatësi që është rrëzuar nga mosha, por që ka prapa një histori. Legjenda thotë se Kryegjyshata e parë e Bektashinjve në Shqipëri  është ndërtuar në fshatin Prishtë. Fshatarët ende besojnë se pema ka lulëzuar pikërisht në vendin ku ka mbështetur majën e shkopit të vetë Kryegjyshi i ardhur nga Stambolli.

GURI HIDROMETRIK

Që prej kohësh që s’mbahen mend, edhe këtu banorët kanë gjetur në natyrë objekte të cilat u kanë shërbyer si mjete të përcaktimit të dukurive të ndryshme natyrore e gjeografike. Duke banuar në brigjet e një lumi malor, në një vend me klimë mjaft  kapricioze, banorët e mençur kanë arritur të përcaktojnë me shenja se kur do të ketë shira, diell, dëborë etj. Pak a shumë si banorët e Egjiptit të lashtë. Interesant është një gur që gjendet në thellësi të shtratit të lumit, pranë urës së vjetër. Kur ky gur mbulohet nga uji i reshjeve, atëherë lumi përmbyt tërë qytetin e Çorovodës. Bazuar tek këto thënie, këtë lloj guri, që shquhet hijerëndë në mes të shtratit lumor, mund ta quajmë si Gurin Hidrometrik të Skraparit.

VËRA E NUSES


Pranë brigjeve me kanionë ekziston një gropë për të cilën tregohet një histori. Një legjendë për dashurinë dhe besnikërinë. E monumentalizuar tashmë në gurët gëlqerorë të breglumit. Gropa, të cilën nxituam ta fiksojmë në objektiv quhet nga vendasit “Vëra e Nuses”. Ajo ndodhet në vendin me toponiminë Bigas. Nusja vinte nga Grepcka në Rovesë. Legjenda vjen nëpërmjet një kënge te trishtuar e tragjike.
O moj udhë, e mbara udhë
Hapu ti të futem unë…
Ç’kishte ndodhur që nusja në ditën më të bukur të jetës së saj të bënte një thirrje kaq tragjike për t’u vetësakrifikuar. Përgjigjen vazhdon ta japë legjenda. Krushku shoqërues, i dehur nga bukuria e nuses, s’e ka kontrolluar veten dhe, duke përfituar nga rruga e keqe, ka tentuar ta shtrëngojë në gjinjtë e plotë e dehës…Nusja s’e ka duruar këtë turp dhe është hedhur  ne kanione…Realisht për shkaqe dashurie të parealizuara e drama të mëdha shpirtërore mund të jenë vetëflijuar shumë vajza të bukura, dhe sot legjenda e kësaj nuseje ka si monument pikërisht një gropë në anë të kanioneve. Këtë legjendë të rrallë të Skraparit e tregojnë shumë vendalinj.

“Varret e kaurit” gjenden në Gjerbës .Aty dikur, janë strehuar banorë të Himarës, të cilën në furinë e largimit nga pushtuesit turq a mbase nga piratët e shumtë të brigjeve Joniane,largoheshin në vende më të thella pë ti shpëtuar plackitjeve e vrasjev,por këta nuk kishin harruar që të merrnin me vete edhe kambanën e kishës së tyre si pjesë të pandarë të identitetit kulturor e shpirtëror. Në ditë të vështira populli i kësaj treve u është gjendur vëllezërve të Himarës në fatkeqësi, duke u dhenë vend në sqetull të malit të tyre të shenjtë. Historia përsëritet. Si në vitin 1999 me popullin e Kosovës. Varret e e vjetra të  himarjotëve, edhe sot quhen “Varret e kaurit”.
Interesante është edhe një poezi në librin “Pezull” me një shënim poshtë saj, i poetit Xhevahir Spahiu. Ai i kumton lexuesit se Gërdeci është vendlindja e Vojsava Kastriotit. Kjo është shkruar në faqen 38, poshtë poezisë 25_big“VOJSAVA”  dhe poeti  përafron emërtimin e lumit Vjosë e frutit “vojsë”. Ai shkruan mes të tjerave në 3 vargje:
Kam një letër nga funddheu. Është E Gjergjit, dora vetë
kapedanit të kalave, nipit tuaj, bir Vojsave, rrënjë e rracës
së Muzakajve.

Dhe Gërdeci e Gjerbësi janë pranë e pranë, ashtu siç rrinë pranë e pranë edhe shumë fakte mbresëlënëse të historisë sonë. Nuk mund të rrish pa i kujtuar këto vlera kur udhëton nëpër këtë trevë të veçantë. Është koha kur erërat fryjnë me vrull. Të duket sikur nëpër luginat dhe grykat e Skraparit ushton dhe historia. Një vend i mbushur me bukuri dhe histori,meriton dhe një vëmëndje  dhe konsideratë për atë që quhet infrastrukturë rrugore.Kjo do të sillte më shumë turist në këtë zonë,e për pasoj më shumë të ardhura./ATSH

Related

Reportazhe 3585015191288424254

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item