TURQI / Stambolli, dy botë brenda një qyteti

Dy botë brenda një qyteti. Në prag të zgjedhjeve administrative, që mund të përcaktojnë të ardhmen e Turqisë, lagjet e Stambollit shfaqin të...


Dy botë brenda një qyteti. Në prag të zgjedhjeve administrative, që mund të përcaktojnë të ardhmen e Turqisë, lagjet e Stambollit shfaqin të gjithë kontradiktat dhe tensionet e vendit. Për të kuptuar që ndodhesh në Fatih, një prej lagjeve më të populluara dhe konservatore, mjafton të shohësh lart. Dekorimet elektoralë mbajnë ngjyrat e AKP, partisë së Rexhep Taip Erdoganit. “Ata republikanët e CHP nuk vijnë të bëjnë fushatë, e dinë që do i përzëmë menjëherë andej nga kanë ardhur”, thotë me shaka Mehmeti, një plak që shijon flladin e parë pranveror në kopshtin pranë shatërvanit të Valentes. Lagja Fatih është si një feud. Këtu, Mehmeti II Pushtuesi ngriti xhaminë që mban emrin e tij dhe tëcilës Erdogani, gjatë viteve të fundit, i ka vënë një theks krejt të ri. Zona i është nënshtruar e gjitha një restaurimi të fuqishëm. Me dëshirën e Kryeministrit, këtu janë zhvilluar funeralet e Necmedin Erbakanit, babai politik i kryeministrit dhe udhëheqës i padiskutueshëm i të djathtës islamike më ekstreme. Këtu u kryen dhe ritet e varrimit të Tenziles, nënës së Erdoganit, që u trajtua si një Kryetar Shteti. Sot lagja duket se vërtitet përreth kompleksit monumental. Që nga gratë me vello që shëtisin nëpër kopshte, deri tek burrat që ulen pranë shatërvanëve, të gatshëm për faljen. Që nga dyqanet që shesin fustane nusërie të bërë posacërisht për ata më fetarët (pra edhe vellon që e mbulon krejtësisht kokën), deri tek restorantet ku është gjithmonë e vështirë të gjesh një birrë. Këtu, Kryeministri Erdogan shihet ende si një shpëtimtar. “Mendoj se do të fitojë edhe këtë herë – shpjegon Fatma, studente 22-vjecare që shpërndan fletëpalosje të AKP. Unë jam rritur në këtë lagje. Një herë e një kohë konsideroheshim një zonë e varfër. Tani, shikoni përreth. Kanë ribërë gjithcka. Shtrimi i trotuarëve të rrugëve, kopshtet, fasadat e pallateve historoikë. Fatih ka ndryshuar pamje, zgjedhësit këtë gjë do ta kujtojnë kur të shkojnë të votojnë”. Por, rrezikojnë që të kujtojnë gjithashtu që kandidati për distriktin është Mustafa Demiri, i arrestuar dhe më pas i liruar në 17 dhjetor të vitit që kaloi në kuadrin e Tangentopolit turk, me akuza për korrupsion.</p>
Për të mbërritur në Nisantasi mjaftojnë pesë ndalesa Metroje (stacioni i nisjes, Vezneciler, u inaugurua pikërisht nga Kryeministri Erdogan dy javë më parë). Sapo merr Rumeli Caddesin gjendesh i katapultuar në një tjetër botë, me ritme të jashtëzakonshëm, vajza të veshura sipas modës, vitrina me firmat më të mira ndërkombëtare dhe restorante me cmime të lartë. Eshtë Stambolli i inteligjencias laike, “Republika e Nisantasit”, sic e quan me krenari kush banon aty. Këtu banon fituesi i Cmimit Nobel, Orhan Pamuk, këtu damat e mëdha të borgjezisë turke bëjnë garë për t’u fotografuar në revista. Këtu, në vend të artikujve fetarë gjenden dyqane që shesin fustane mbrëmjeje dhe kirurgë estetikë, të gatshëm për të dhënë një frymëmarrje përjetësie.

Këtu ndodhet edhe xhamia e Tesvikijes, ajo që Pamuku e përshkruan në librat e tij, por funeralët që janë zhvilluar këtu kanë qenë ata të bijës së Ataturkut dhe intelektualëve të mëdhenj të vendit.

Shitësit e DVD-ve të falsifikuar janë më optimistë për të ardhmen. “Përderisa titulli më i shitur është “Nymphomaniac” (filmi i Lars Von Trier, i ndaluar për shkak të skenave seksuale), kjo do të thotë që njerëzit kanë dëshirë të rezistojnë”, shpjegon Can, i cili e ka vendin ku shet pranë Abdi Ipekcit, një prej rrugëve më ekskluzive të Stambollit. Me që ra fjala tek rezistenca, pak më larg se Nisantasi ndodhet redaksia e “Penguen”, e përjavshmja satirike më e shitur në vend, praktikisht një makth për Erdoganin. “Kryeministri – thotë M.K.Perker, karikaturisti kryesor i periodikes – na ka denoncuar dhjetëra herë, por këtu jemi të qetë, sepse e dimë që një pjesë e mirë e popullsisë turke nuk do ta toleronte mbylljen tonë: Gezi Park ka shënuar një pikë pa kthim. Sigurisht, është e vështirë të thuash cfarë do të ndodhë. Për herë të parë në historinë moderne kemi një udhëheqës që nuk tërhiqet përpara asgjëje”.


Në pritje të votës së sotme, në Nisantasi mbajnë frymën. Nëpër tavolina pijet alkoolike, cmimi i të cilave është rritur për shkak ta taksave të qeverisë, rrjedhin lumë, por gjithësesi nuk mjaftojnë për të qetësuar njerëzit. Njerëzit janë të ndarë mes atyre që besojnë se Turqia do të shpëtohet nga ky devijim konservator dhe atyre që ndihen si orkestra e Titanikut. Ato rrugë, të mbushura me vajza me taka 12 centimetërshe rrezikojnë të shndërrohen në një rezervë indiane. (Marta Ottaviani/la stampa)/bota.al

Related

Shtypi i huaj 7241919019494193471

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item