BERNARD-HENRI LÉVY: Krahasimi i gënjeshtërt me Kosovën dhe Bosnjen
BERNARD-HENRI LÉVY Për krizën ukrainase dhe grabitjen e Krimesë, për referendumin grotesk që po imponon Putini dhe që Europa po rri dhe e v...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/03/bernard-henri-levy-krahasimi-i.html
BERNARD-HENRI LÉVY
Për krizën ukrainase dhe grabitjen e Krimesë, për referendumin grotesk që po imponon Putini dhe që Europa po rri dhe e vështron pa thënë asnjë fjalë, dëgjohen dy argumenta që duhet të cmontohen me urgjencë.
1. Përse banorët e Krimesë nuk duhet të kenë të drejtën që të vendosin për fatin e tyre? Dhe nëse për nga gjuha ata ndihen “vëllezër” të popullit rus, nëse ndiejnë që kanë më shumë afërsi me vendin e Putinit se sa atë të Robert Schumannit dhe Vaclav Havelit, në emër të kujt gjëje duhet t’u kundërvihemi?
2. Bosnja… Kosova… A nuk janë dy raste të vetëvendosjes, të pranuar nga komuniteti ndërkombëtar? Dhe të njëjtët persona, përfshi mua vetë, që njëzetë vite më parë mbështetën të drejtën e boshnjakëve dhe kosovarëve që të marrin në duar fatin e tyre, si mund t’ia mohojnë sot Krimesë?
Argumentit të parë mund t’i kundërvihesh duke thënë se të pushtosh territorin të cilit i kërkon njëkohësisht të shprehet për të ardhmen e vet, të dërgosh 30 mijë ushtarë, të rrethosh kazermat e tij dhe të terrorizosh popullsinë, është një mënyrë shumë e cuditshme për të përgatitur vetëvendosjen. Mund të kundërshtosh edhe duke thënë që të organizosh një referendum është një operacion kompleks, që nënkupton një logjistikë, vendvotime, lista elektorale të denja për këtë emër, vëzhgues dhe, sidoqoftë, një fushatë elektorale. Dhe të pretendosh të përgatisësh gjithcka brenda tetë ditëve, nën autoritetin e një qeverie kukull dhe me dhunë, tingëllon në rastin më të mirë një farsë, dhe në rastin më të keq, një akt force. Në fund mund të kundërshtohet që, edhe pa akte force, edhe pa trupa pushtues, edhe po të ishte gjetur koha për të organizuar një fushatë elektorale dhe një debat, një referendum i ngjashëm, nëse Europa do ta miratonte do të kishte pasoja apokaliptike: si do të përgjigjemi nëse, me këtë precedent, baskët spanjollë dhe francezë do të shpallnin bashkimin e tyre? Nëse hungarezët e Transilvanisë, shqiptarët e Maqedonisë, turqit e Bullgarisë, rusofonët e vendeve balltike, flamingët e Belgjikës do të shfrytëzonin një shembull të tillë, për të kërkuar edhe ata një ndryshim të vendit të cilit i përkasin?
Rrimë e vështrojmë, edhe pse janë të gjitha tema me një rëndësi jo të vogël. Në fakt, nacionalizmi gjuhësor është më tinzari nga të gjithë. Eshtë një nacionalizëm joqytetar, i bazuar mbi demonët e këqinj të diferencializmit. Dhe pa patur nevojë të përmendim sudetët, të ribashkuar me Gjermaninë në bazë të po këtij nacionalizmi gjuhësor pak përpara se Hitleri të pushtonte Cekosllovakinë, është e qartë që nëse bëjmë lëshim ndaj Putinit në lidhje me Krimenë do të thotë të provokojmë një valë goditjesh: asnjë kufi në Europë, nuk do të ishte më as i sigurtë, as i pranuar dhe do të dëmtonte, pak nga pak, ekuilibrin e kontinentit.
Sa për argumentin e dytë, ai është edhe më absurd. Dhe në gojën e vëzhguesve dhe komentatorëve me mend, edhe i papranueshëm. Të harrojmë rastin e Bosnjes, që nuk kuptoj se si mund të përmendet duke qenë se, pasi kaloi bing bangu që ishte rënia e komunizmit, në Jugosllavi dhe në gjithë Europën, sfida ishte dhe është edhe sot, të pengohet ajo që na kërkojnë ta miratojmë në Krime: shkëputja e serbëve të Republika Srpska dhe ribashkimi i tyre me “vëllanë e madh” aneksionist serb.
Në Kosovë, është e vërtetë që, ata që thonë se janë sot kundër aktit të forcës të Rusisë dhe në favor të integritetit të Ukrainës, janë po të njëjtët që pranuan, apo edhe nxitën, vullnetin për pavarësi të Prishtinës: po si mund të guxohet të bëhet një krahasim mes dy situatave? Si mund të injorohet fakti që komuniteti ndërkombëtar iu bashkua kauzës për pavarësi të kosovarëve vetëm pas një dekade spastrim etnik, masakra civile në shkallë të gjerë dhe pas dëbimit të më shumë se 800 mijë grave dhe burrave, krimi i vetëm i të cilëve ishte se kishin lindur myslimanë? Me fjalë të tjera, cfarë lidhjeje ekziston mes një Miloshevici që, në momentin e vdekjes së tij, po gjykohej në Gjykatën e Hagës për krime kundër njerëzimit, dhe drejtuesve të një Ukraine të re ushtarët e të cilës, në pamje që kanë bërë xhiron e botës, sfidojnë duarbosh, në mënyrë paqësore, ushtarët rusë, të armatosur deri në dhëmbë që zbarkonin në Sevastopul?
Për ne, europianët e Europës së lirë, elementi diskriminues është i qartë. Eshtë normale të mos hidhesh në favor të një nacionalizmi kundër një nacionalizmi konkurrues por, sërish, është thjeshtë në favor të të drejtës së popujve që të mos masakrohen dhe kundër asaj të despotëve që të masakrojnë popullin e tyre.
Njëra nga të dyja. Ose rreziku ekziston. C’të thuhet? Masakra ka nisur tashmë. Po, ka nisur si në Kosovë, duke sakatuar, u prerë kokën apo ekzekutuar me një plumb pas qafe banorët e fshatrave të tërë. Atëherë po, kemi arsye të forta të ndërhyjmë për t’i dhënë fund kasaphanës.
Ose rreziku nuk ekziston. Përkatësia e flamingëve në Belgjikë apo popullit të Krimesë në Ukrainë nuk kërcënon aspak integritetin e tyre fizik dhe lirinë. Detyra jonë, dhe në të njëjtën kohë interesi ynë, do të ishte të bënim cdo gjë për t’u kujdesur për respektin e kufijve që do të garantonin, të drejtën e popujve.
I duhet thënë po mbrojtjes së popujve. I duhet thënë jo projektit imperialist putinian për t’i vënë zjarrin shtëpisë tonë Europë./bota.al