I DASHURI BAJRAM BEJ I EM!/ Letra sekrete Princ Vidi, çfarë i shkruante Bajram Currit?!

Speciale/ 100 vjet nga Mbretëria. 21 gusht 1920 – Mbreti Vilhelm Vid i shkruan Bajram Currit Sipas kujtimeve të Tafil Boletinit, Bajram Curr...

Speciale/ 100 vjet nga Mbretëria. 21 gusht 1920 – Mbreti Vilhelm Vid i shkruan Bajram Currit


Sipas kujtimeve të Tafil Boletinit, Bajram Curri dhe Isa Boletini erdhën nga Shkodra mbasi mbaruen ceremonitë zyrtare. U pranuen në një audiencë të posaçme nga Wied-i e Sofija me nderime të mëdha. Kur kanë zbritë në skelë në Durrës, Mihal Grameno me një grup, shumica jugorë, i kanë pritë me brohoritje të bujshme. Katër net që ndejtën në Durrës si mysafirë të Wied-it, nuk i shkuen për vizitë asnjë ministri. Kurse hoteli ku rrinin Isa Boletini dhe Bajram Curri u bë qendër vizitash e kallaballëkut të madh që ndodhesh ato ditë në Durrës e vinte për t’i vizituar këta.

Nga Veli HAKLAJ*

Më 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër vendosi themelimin e Principatës së Shqipërisë, për t’i hapur rrugë ardhjes së Wilhelm Wied-it si Mbreti i parë i Mbretnisë Shqiptare në kohët moderne.


Roli i Bajram Currit në gjashtë muajt e qeverisjes së Mbretit Wied
(sipas kujtimeve të Tafil Boletinit, nipit të Isa Boletinit)
Princ Wied-i mbërriti në Durrës më 7 mars 1914, i pritun nga të gjithë delegatët e krahinave të Shqipërisë, përveç Bajram Currit e Isa Boletinit, të cilët nuk morën pjesë, jo pse kishin ndonjë kundërshtim ndaj tij, porse ku ishte Esad Pasha ata nuk shkonin.
Sipas kujtimeve të Tafil Boletinit, Bajram Curri dhe Isa Boletini erdhën nga Shkodra mbasi mbaruen ceremonitë zyrtare. U pranuan në një audiencë të posaçme nga Wied-i e Sofija me nderime të mëdha. Kur kanë zbritë në skelë në Durrës, Mihal Grameno me një grup, shumica jugorë, i kanë pritë me brohoritje të bujshme. Katër net që ndejtën në Durrës si mysafirë të Wied-it, nuk i shkuen për vizitë asnjë ministri. Kurse hoteli ku rrinin Isa Boletini dhe Bajram Curri u bë qendër vizitash e kallaballëkut të madh që ndodhesh ato ditë në Durrës e vinte për t’i vizituar këta.
Kosovarët që ndodheshin në Durrës u shtruan një drekë nderi në hotel “Kosova” delegatëve shqiptarë të kolonive me Fan Nolin në krye. Kur ata u renditën në tryezë, të gjithë përnjëherë, me za të naltë, filluen me thanë “Duem Bajram Currin, duem Isa Boletinin” dhe pasi këta dolën nga dhoma, plasën duartrokitjet e brohoritjet. Zhurma dëgjohej deri në shtëpi të Esad Toptanit, që e kishte aty afër.
Në muajin maj 1914, kryeministri Turhan Pasha iu ban një apel Isa Boletinit dhe Bajram Currit në emën të patriotizmit, për me iu shkue në ndihmë vllaznëve në Korçë e Gjirokastër që e kishte pushtue Greku, ku bandat terroriste me torturat ma barbare e çnjerëzore digjnin, piqnin dhe masakronin gra e fëmijë për me shfarosë popullin shqiptar muhamedan. Me një fjalë, një pjesë e Korçës dhe e Gjirokastrës ishin ba kasaphanë njerëzish, që coptoheshin me thika simbas zakonit alla grek.
Sado që me Esad Pashën nuk bashkoheshin, për këtë çështje thjesht patriotike, për me shpëtue atë pjesë të atdheut, apeli u pranua me gjithë qejf dhe përnjëherë filluen t’i tubojnë në Shkodër njerëzit. Po ashtu edhe Bajram Curri lajmëron Malësinë e Gjakovës. …
Në ato ditë nëpër Shkodër ishte hapë fjala për një farësoj lëvizjesh në Shqipërinë e Mesme. Esadistët e turkofilët e quenin “Ehlikijam” d.m.th. lëvizje populli, po jo me atë kuptim të keq që i japin rebelizmit, por si emër që u jepet lëvizjeve atdhetare fetare. Dhe na thonin: “Juve nuk ju liron rrugën ehlikijami me shkue në Epir”…
Tamam në ma të mirin qejf, tue u ba gati për në Epir, erdhën nga Durrësi, dy telegrame urgjente: “Bajram Currit e Isa Boletinit. Esadi iku për Itali. Rebelët po sulmojnë Durrësin. Me fuqitë që keni gati, lutem menjëherë nisuni për Durrës nga Shëngjini, me det.”
Ndonëse nga Malësia ende nuk kishin mbërritë fuqitë, Bajram Curri dhe Isa Boletini me 100 e ca kosovarë që kishin gati u nisën për në Lezhë. Aty gjetën Preng Pashën tue mbledhë fuqi.
Me 1 qershor në mbrëmje, Marka Gjoni me nja 700 mirditorë, Tafil Boletini me 100 e ca kosovarë dhe Hysni Curri me disa gjakovarë u nisën nga Shëngjini me vapor. Mbërritën në Durrës në orën 3 të mëngjesit. Kurse Preng Pasha, Bajram Curri e Isa Boletini ngelën në Lezhë, tue pritë fuqitë nga Malësia…
Më 15 qershor 1914, rebelët sulmojnë Durrësin… Në luftimet e datës 15 e 17 qershor, Bajram Curri e Preng Pasha ende ndodheshin në Lezhë tue mbledhë fuqi, që prej Lezhe, nëpër të thatë t’i drejtoheshin Shijakut. Mbasi përgatiten, me një fuqi të konsiderueshme kalojnë Milotin… Në Shlinza të Ishmit iu dalin përpara rebelët dhe me një kundërsulm i shpartallojnë keq, saqë Bajram Curri e Preng Pasha mezi shpëtojnë vetë e mundin me u kthye në Lezhë. Nga Shëngjini nëpër det erdhën në Durrës. Bajram Curri solli me vete fuqinë malësore, kurse Preng Pasha, jo vetëm që nuk pruni ndonjë fuqi me vete, por, simbas këshillave të ministrit italian në Durrës, të baron Aliotit, edhe ata mirditorë që kishin ardhë më parë i mori e iku nga Durrësi për në Lezhë… Emigrantët kosovarë me Isa Boletinin dhe Bajram Curri me malësorë të Gjakovës, pra vetëm fuqi kosovare, për një qëllim e për çdo gjë në harmoni të plotë, qëndruen në Durrës derisa u largue Mbreti Wied, më 4 shtator 1914.

Mbreti Wied nuk heq dorë nga angazhimi për të punuar për Shqipërinë
Në momentet e largimit të tij nga Shqipëria Wied-i nxori një shpallje ku, pasi pohonte angazhimin e vet dhe besimin që kishte në veprën e tij patriotike, u kujtonte shqiptarëve se shpërthimi i luftës në Europë kishte ndryshuar rrethanat gjeopolitike, ndaj kjo ngjarje e detyronte atë të largohej për një kohë në Perëndim, pa hequr dorë nga angazhimi i tij për të punuar për Shqipërinë. Duke mos abdikuar asnjëherë ai i konsideroi edhe më tutje të drejtat e tij mbi fronin e Shqipërisë. Këtë fakt e provon dhe letra që Wied-i, më 21 gusht 1920, nga Tiroli (Austri), i dërgon Bajram Currit, letër që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit, Fondi 418 – Bajram Curri, Dosja 8/2. Në kohën kur shkruhej kjo letër, forcat e armatosura të institucioneve shqiptare të dala nga Kongresi i Lushnjes, ja kishin dalë që me veprime energjike të shtypin lëvizjen esadiste në Shqipërinë e Mesme (mars-qershor 1920), të bashkojnë Shkodrën me pjesën tjetër të vendit (13 mars 1920), të bashkojnë Korçën me Shqipërinë (28 maj 1920), të vendosin rendin dhe qetësinë në Kastrat (korrik 1920). Këto ngjarje patën jehonë dhe u ndoqën me vëmendje të veçantë edhe nga qarqet ndërkombëtare të interesuara për fatin e Shqipërisë, sigurisht edhe nga Wilhelm Wied, që në atë periudhë jetonte në Austri, por Shqipërinë e konsideronte si atdheut e tij.

Letra e Mbretit Wilhelm Wied për Bajram Currin

Achensee në Tirol, 21 gusht 1920

I dashuri Bajram bej i em!
Më ka ardhur shumë keq që nuk mujta të flas me ju para se t’u nisesha nga Vjena për në Shqipëri. Rrethana të këqia më kanë pengue.
Me gëzim të madh mësova mbi veprimet e shkëlqyera të trupave shqiptare tona dhe mbi veprimin t’Uej besnik. Keni muajt me organizue brenda një kohe të shkurtër një armatë dhe një gjindarmëri të cilat kanë dhënë vepra të shkëlqyeshme.
Ju përgëzoj për sukseset e shkëlqyera dhe jam krenar për ushtarët tonë trima, të cilët po çlirojnë vendin nga të gjitha ndërhyrjet e huaja. Ju keni sulmue armiqtë tonë si luani i vërtetë i Kosovës.
Ne duhet t’u përmbahemi medoemos kufijve të vitit 1943, ata duhet me çdo mjet të sigurohen dhe të përkrahen. Kjo është detyra e Juaj dhe këtë ju, si një forcë besnike, do ta arrini patjetër. Kur të jetë arritur kjo pikë, sigurimi i kufijve të vendit të vitit 1913, atëherë do të mundohemi me u miqësue me komshinjtë tanë, me qëllim që Shqipëria të ketë mundësi me u zhvillue qetësisht përbrenda. Për të ja arritur këtij qëllimi, duhet që Ju, në bashkëpunim me Ministrin e Brendshëm, siç e keni bërë deri tashti në mënyrë të shkëlqyeshme, me asgjësue Partinë kaq të dëmshme për Shqipërinë, e me mbikqyrë të gjithë elementët e këqi dhe me i mbajtë zapë. Ne kemi nevojë vetëm [për] patriotë të mirë, të cilët punojnë me zell për zhvillimin dhe të mirën e vendit tonë. Kush ka mbajtur anën e armikut, nuk është i përshtatshëm për një bashkëpunim.
Prosperiteti dhe pavarësia e plotë e Shqipërisë është qëllimi i ynë. Për këtë çështje do të punojmë me të gjitha forcat.
Ju falenderoj Ju prijësin e lavdishëm, të gjithë oficerat, nënoficerat dhe ushtarët për qëndrimin e tyre të guximshëm që keni realizue suksese kaq të bukura për vendin tonë të dashur. Përshendetni të gjithë nga ana ime, se jam krenar që ju përkas juve.
Siç kam marrë vesht, ju keni pritë në mënyrë madhështore të ikurit nga Kosova. Kam merak shumë për fatin e tyre, dëshiroj të kemi një raport mbi këtë çështje si edhe mbi organizimin e ushtrisë dhe të gjindarmërisë. E quaj shumë të rëndësishme me pasë trupa të perfeksionuar dhe të disiplinuar, me gjithë që këta tash për tash nuk mund të jenë në një sasi të madhe. Vetëm Ju jeni në gjendje me mbajtë në vend rregull dhe qetësi dhe, në rast nevoje, me marrë edhe masa shumë të rrepta (të pamëshirëshme). Vetëm ekzistenca e një armate të shkëlqyeshme dhe trime, do t’i detyrojnë komshinjtë me respektue kufijt e Shqipërisë. Dëshiroj që përgatitjes të një ushtrie të tillë t’i kushtoni rëndësinë më të madhe, me qëllim që të jenë gjithnjë të gatshëm me krye veprime, siç kanë zhvillue në kohët e fundit nën udhëheqjen t’Uaj.
Me entuziazëm dhe me një zjarr rinor keni veprue për të mirën e atdheut tonë dhe keni krye një detyrë kaq të rëndësishme. Sukseset tregojnë se keni veprue drejtë. Ju falenderoj në mënyrë të posaçme për punën t’Uaj dhe për të mirën e Shqipërisë.

Me përshëndetje të përzemërta jam
Princi i juaj dashamirës

Wilhelm


Profil biografik i Mbretit Wied
Wlhelm von Wied (1876-1945), Princ gjerman, u caktua nga Fuqitë e Mëdha evropiane në tetor 1913 në krye të shtetit shqiptar. U lind më 26 mars 1876 në NeuWied të Gjermanisë. Ishte djali i dytë i një familjeje fisnike gjermane që jetonte në kështjellën e Neuwed-it mbi lumin Rin. Nëna e tij ishte princeshë e Holandës. Wied ishte kapiten në kalorësinë gjermane dhe nga oficerët më të njohur në Potsdam, vend ku ishte vendosur regjimenti i tij.
Më 30 nëntor 1906 u martua me princeshën Sofia von Schonburg – Waldenburg, e cila do të ishte faktori kryesor që do të ndikonte në pranimin përfundimtar të tij si mbret i Shqipërisë. Erdhi në Shqipëri më 7 mars 1914 dhe u largua më 3 shtator 1914, duke mos abdikuar asnjëherë nga froni. Vdiq më 18 prill 1945 në Sinaia të Rumanisë, pasi ishte tërhequr prej vitesh nga politika.

Profil biografik i Bajram Currit
Bajram Curri (1862-1925), u lind në Gjakovë, u shque si veprimtar i lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes, ndër udhëheqësit politikë e ushtarakë të kryengritjeve popullore kundërosmane dhe të luftës për çlirimin e bashkimin kombëtar të vendit. Ishte një ndër organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe veprimtar i saj për autonominë e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit; drejtues kryesorë në kryengritjet kundërosmane në periudhën 1908-1912, që u finalizuan me shpalljen e pavarësisë. Pas vitit 1912, luftoi në Kosovë për mbrojtjen e saj nga pushtuesit serbë. Nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Londrës së 1913-ës, që shkëputën Kosovën dhe treva të tjera shqiptare lindore e jugore nga shteti i pavarur shqiptar. Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe qe një ndër udhëheqësit kryesorë të tij. Në kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol në qeverinë e Sulejman Delvinës. Pas marrjes së pushtetit nga Ahmet Zogu, u vendos në Krasniqe. Që nga ky moment zgjodhi rrugën e veprimit të armatosur kundër institucioneve shtetërore. Pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit (1924), u rrethua në një shpellë në Dragobi dhe u vra/vrau veten më 29 mars 1925.


Studiues

Burimet
AQSH, F. 418 – Bajram Curri, pa vit, D. 8/2.
Album historik- 100 vjet pavarësi shqiptare, “Uegen”, 2012.
Fjalori enciklopedik shqiptar, 1, 3, “Kristalina K-H”, Tiranë, 2008.
Historia e popullit shqiptar, III, “Toena”, Tiranë, 2007.
Kahreman Ulqini, Gjurmë të historisë kombëtare në fototekën Marubi, “8 nëntori”, Tiranë, 1982.
Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar, 1912-2005, “55”, Tiranë, 2006.
Romeo Gurakuqi, Mbi 100-vjetorin e Mbretnisë së parë shqiptare të Wilhelm Wied, “Panorama”, 7 mars 2014.
Tafil Boletini, Pranë Isa Boletinit, Kujtime 1 (1892-1916), “Album”, Tetovë, 1996

Standard

Related

Histori 1230305430480166267

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item