Traditë/ Elbasan: Rrapi i Vojvodës, një monument i gjallë jetëgjatësie

Elbasani, me zanafillë qysh në Shekullin e Dytë para Krishtit me vendbanimet e atëherëshme Ilire “Skampa”, kufizohet në lindje nga Krasta e ...


Elbasani, me zanafillë qysh në Shekullin e Dytë para Krishtit me vendbanimet e atëherëshme Ilire “Skampa”, kufizohet në lindje nga Krasta e Madhe dhe e Vogël, në perëndim nga fushat dhe kodrat e ullishtave, në veri nga  ullishtat e qytetit, dhe në jug nga lumi Shkumbin. Qyteti rrethohet nga disa zona natyrore e turistike, që të tërheqin jo vetëm për bukuritë që ofrojnë, por dhe për emrat e veçantë të vendosur në shekuj nga vetë vizitorët.
Edhe pse kanë kaluar 700 vjet, ‘Rrapi i Vojvodës’, i shpallur Monument Kulture, vazhdon të ruajë pamjen fisnike edhe në ditët e sotme.
Ndodhet në të dalë të qytetit të Elbasanit në anën lindore,është i pagëzuar me emrin “Vojvoda”, emër i një komandanti ushtarak mëkëmbës në perandorinë Osmane, i cili ruante sigurinë në qytet.
Historiani Kujtim Bevapi, thotë për ATSH se, “i shpallur Monument Kulture, rrapi, i cili ndodhet në pjesën lindore të qytetit shërbente dhe vazhdon të shërbejë si pikë kufiri për hyrjen dhe daljen në Elbasan. Si vend, rrapi kryente funksionin e pritjes dhe përcjelljes së figurave, personaliteteve, delegacioneve në ditë të shënuara, festa e ngjarje të rëndësishme.
Ai shërbente gjithashtu edhe si pikë takimi e drejtimi për karvanet që vinin nga vise të ndryshme të perandorisë osmane. Përmasat tregojnë se ka një moshë 700 vjeçare, por që mund të jetë edhe më shumë se kaq”.
Edhe pse kanë kaluar kaq shekuj, rrapi ka një madhështi dhe një pamje shumë fisnike. Për shumë vite rrapi ky rrap u la në harresë, dhe asnjë nuk kujdesej për të, por këto vitet e fundit ai sërisht mori pamjen e dikurshme. Ish kryetari i Bashkisë Ardian Turku rrethoi rrapin, duke i dhënë atij rëndësinë shumë vjeçare dhe për të ruajtur vlerat që ai ka pasur. “Shumë poezi, këngë i janë kënduar këtij rrapi nga këngëtarë të njohur elbasanas”, shton historiani Kujtim Bevapi.
Para viteve 1990 rrëzë rrapit ndodhej edhe një çezmë me ujë të ftohtë. Shpesh herë kjo çezëm ftonte shumë kalimtarë nga rrethe të tjera si Korça, Erseka, apo edhe nga Tirana, të cilët ndalonin pikërisht këtu për të pirë ujë nga “çezma e rrapit”, njihej atëherë.
Pasi u shpall Monument Kulture mbas viteve 1990 çezma u prish, por edhe pa të bukuria e rrapit vazhdon të jetë tepër finsike dhe madhështore.
Shumë pranë rrapit është ngritur një pallat shumë katësh, ku vetë banorët në kohë thatësirash e ujisin atë dhe kujdesen sikur ta kenë një lule në vazon e ballkonit të tyre.
Të ulesh në lokalin e ndërtuar në godinën e pallatit, rrapi ngrihet gjigand përpara, dhe asnjëherë nuk është i vetëm. Shumë të rinj, pjesa më e madhe gjimnazistë por edhe studentë, lenë takim me miqtë apo shokët e tyre tek rrapi, për t’u larguar më pas, kush tek “ Parku Rinia” dhe kush me makinë drejt periferisë.
“Nga gojëdhënat thuhet se komandanti ushtarak, Vojvoda së bashku me ushtarët e tij, ndalonin shpesh në këtë rrap, argëtoheshin atje, flinin nën hijen e tij”, thotë Bevapi.

Duke qenë gjithnjë nën kujdesin e pushtetit lokal, si dhe të vetë qytetarëve elbasnas, mund të thuhet se ky rrap do të ketë një jetë edhe aq sa pati deri në ditët tona, duke qenë një nga më jetë gjatët në trevën shqiptare. /ATSH

Related

Kultura 3019752862573213002

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item