Vjosa, lumi me emër vajze
Vjosa është një lum i cili buron në veriperëndim të Greqisë në epir dhe derdhet në Shqipëri në Detin Adriatik. Në antikitet, Vjosa njihej me...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/03/vjosa-lumi-me-emer-vajze.html
Vjosa është një lum i cili buron në veriperëndim të Greqisë në epir dhe derdhet në Shqipëri në Detin Adriatik. Në antikitet, Vjosa njihej me emrin Anio.
Lumi rrjedh nga malet e Pindit në lindje të Janinës, kurse Burimi gjendet në malin Mavrovouni.Rrjedha e tij vazhdon në drejtim të veriperëndimit për në Shqipëri. Lumi ka një gjatësi prej rreth 272 km. prej të cilave 80 km në territorin e Greqisë, kurse rreth 192 km brenda territorit të Shqipërisë. Vjosa lag zona me një sipërfaqe prej 6706 km, 2154 km² prej të cilave gjenden brenda kufijve të Greqisë, dhe 4552 km² brenda Kufijëve të Shqipërisë.Prurja mesatare e ujrave në grykëderdhje është rreth 204 m³/s. Në muajin Prill prurja është rreth dhjetë herë më e madhe se në gusht..
Lumi Vjosa, rrjedha e të cilit përshkon jugun e Shqipërisë, është dhe kufiri ndarës natyror midis rrethit të Fierit (në veri) dhe rrethit të Vlorës. Ai është një lum i lundrueshëm, pasi rrjedh kryesisht në zona fushore.
Rrjedha e sipërme e lumit në Greqi kalon shpesh herë midis zonave malore me pyje. Një pjesë e tyre janë zona të mbrojtura natyrore dhe që i përkasin parkut kombëtar Vikos-Aoos, i cili shtrihet për rreth maleve Timfi (2497 m. mbi nivelin e detit). Në këtë park, i cili është dhe parku i dytë më i madh i Greqisë jetojnë edhe sot arinj të kaftë.Përroi voidomatis, një degë e Vjosës (Aoos) krijon grykën e vikos, një grykë kjo tepër e mahnitshme. Duke pasur parasysh koefiçientin (0,82) të thellësisë (900 m.) me atë të gjerësisë (1100 m.), gryka e Vikos-Aoos vlen si gryka më e thellë në botë. (Ka zona në botë që janë më të thella por edhe më të gjera dhe anasjelltas). Kjo zonë quhet Zagoria dhe është e njohur jo vetëm si zonë për alpinizëm, por edhe për fshatrat karakteristike me shtëpi prej guri. Jo larg nga Konica brenda për brenda parkut kombëtar kalon edhe Vjosa në një grykë të ngushtë. Në Konicë ndodhet dhe një urë historike me harqe prej guri,e cila është ndërtuar mbi Vjosë. Prej këtu e tutje lumi shfrytëzohet edhe për qëllime ekonomiko-bujqësore.
Dhe pikërisht pas Konicës, lumi e kalon kufirin greko-shqiptar, pikë kjo ku derdhet edhe përroi Sarantaporos që vjen nga lindja. Sarantaporos shërben edhe si vijë kufitare greko-shqiptare për disa kilometra. Diku aty është ndërtuar edhe një pikë kalimi për persona civilë.
Peizazhi turistik, natyror e sportivë i rrjedhës së Vjosës është një mrekulli e natyrës shqipëtare. Ujë i rrjedhëshëm dhe i bollshëm përshkon gjithë rrjedhën e saj. Në rrjedhën e lumit Vjosa, shtrihen qytetet Përmet,Këlcyrë, Tepelenë dhe shumë fshatra e vendbanime që e kanë lidhur ekonominë dhe mbijetesën me ujrat e këtij lumi.
Në vijërrjedhën e saj, hasen vende pushimi ku gjenden burime ujore malore të cilat derdhen në lumin Vjosë në formë ujrash, të rrethuara nga një masiv pemësh. Është peizazh karakteristik ku ndërthuren natyrshëm bimësia barishtore, drurët pyjorë me bimësinë higro – hidrofile që gjendet përgjatë burimeve ujore në shtratin e lumit Vjosë, habitat ku shprehen mirë të gjitha tipet e bimësisë. Gjatësia e kësaj lugine është 13 km dhe gjerësia 1-1.5 km.
Në largësinë rreth 3 km nga qyteti Këlcyrës ndodhen Rrepet e Grykës, që funksionon si pikë turistike. Peizazhi i drurëve pyjorë i harmonizuar me burime të bollshme ujore ka vlera atraktive, estetike e ekoturistike. Përgjatë luginës Gryka e Këlcyrës gjendet burimi ujor Uji i Zi, që ruan kaltërsinë edhe kur përzihet me ujërat e lumit Vjosë. Ky peizazh ka vlera mjedisore të pazevendësueshme, tepër çlodhës dhe rekreative për vizitorët. Frekuentohet nga vizitorë vendas dhe të huaj.
Lumi Vjosa tek ne është një nga lumenjtë e fundit,“të egër” të Evropës. Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa rrjedh e pandikuar në mënyrë të natyrshme e karakterizuar nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme. Në disa zona shtrati i lumit arrin një gjerësi më shumë se 2 km. Së bashku me degët e saj,Vjosa ofron një ekosistem dinamik, pothuajse natyror. Ky ekosistem unikal, përfaqëson një trashëgimi të vërtetë natyrore.Rrugëtimi i saj natyror përfundon në detin Adriatik, në veri të lagunës së Nartës një nga lagunat më të mëdha dhe ekologjikisht më të pasura në bregdetin shqiptar, e përcaktuar si rezervat natyror i menaxhua.
Njohuritë shkencore për Vjosën dhe biodiversitetin e saj janë shumë të kufizuara. Ndoshta është një nga lumenjtë më pak të studiuar në Evropë: Aq e vërtetë është kjo saqë mund të thuhet se janë më të plota njohuritë për biodiversitetin e sistemeve lumore në Amerikën e Jugut apo Azi se sa për Vjosën. Shumë pak studime janë kryer deri tani.E megjithëkëtë edhe këto pak studime janë shtrirë më së shumti në pjesën e luginës se sa në studimin e habitateve dhe specieve ujore si peshqit apo shpendët për të cilat Vjosa kosiderohet si zonë kyçe për këto vlera të biodiversitetit shqiptar.Vjosa bart një popullsi të qëndrueshme të lundërzës dhe llojeve të ndryshme të peshqve migratorë, midis tyre ngjala e Evropës.rrezikuar në mënyrë kritike dhe të tjerë lloje peshqish subendemikë.
Flora e ekosistemit të Vjosës është gjithashtu mbresëlënëse. Në rrjedhën e sipërme janë të pranishme disa lloje të rrezikuara të bimëve endemike, të tilla si Solenanthus albanicus.
Rrjedha e mesme dhe e poshtëme karakterizohet nga dushkaja të përziera.
Lumi Vjosa ka një vend të veçantë dhe të rëndësishëm në jetën e përditshme të
Banorëve që jetojnë përgjatë brigjeve të tij.Tarracat e saj u sigurojnë fshatrave tokën pjellore për aktivitete bujqësore të tilla si prodhimet agrokulturore dhe blegtorale. Sasia dhe shumëllojshmëria e peshkut janë jetike për ekonominë dhe mirëqenien e peshkatarëve vendas.
Turizmi rekreativ në Vjosë dhe degët e saj janë gjithnjë në rritje, veçanërisht në vitet e fundit ku entuziastët kanë filluar të organizojnë veprimtari të tilla si rafting, kanotazh, not,etj.Shumë biznese të vegjël dhe të rinj si kompanitë e ekoturizmit në zhvillim kanë bazuar ekzistencën e tyre në rrjedhat natyrore të Vjosës. Për më tepër, Vjosa dhe uji i saj i kristaltë kanë pasur një ndikim në zemrat e shqiptarëve dhe në vlerat e tyre kulturore. Mjafton të përmendim faktin se Vjosa është një emër vajze mjaft i përhapur në trevën mbarëshqiptare dhe sigurisht që zanafilla e kësaj përhapjeje kaq të gjerë qëndron tek bukuritë e lumit dhe natyra e tij e paprekur. Një vëmëndje më e madhe nga pushteti lokal dhe ai qëndror,në vijën lumore ku rrjedhin ujrat e Vjosës,do të rriste më tej biznesin vendas dhe do të ishte një ofertë shumë tunduese për vizitorin vendas dhe atë të huaj.Si kodo në Shqipëri,problem mbetet infrastruktura rrugore.Shtrirja dhe përfundimi i autostradës Fier-Gjirokastër-Kakavijë,bënë që, udhëtimi dhe aktivitetet turistike e sportive në këtë zonë të bëhen më të shpeshta dhe të sigurta./ATSH