ZYGMUNT BAUMAN / Ndarja e pushtetit dhe politikës, që Perëndimi nuk di ta zgjidhë

ZYGMUNT BAUMAN Ne, europianët e shekullit të Njëzetë, gjendemi shpesh pezull mes një të kaluare të mbushur me horrore dhe një të ardhmeje të...

ZYGMUNT BAUMAN



Ne, europianët e shekullit të Njëzetë, gjendemi shpesh pezull mes një të kaluare të mbushur me horrore dhe një të ardhmeje të largët plot me risqe. Nuk mund ta dimë cfarë na pret në të ardhmen. Sot, cdo lloj zgjidhjeje që arrijmë të pranojmë, përballë sfidave dhe mosmarrëveshjeve të njëpasnjëshme, ka një atmosferë përkohshmërie. Duket sikur është, dhe në shumicën e rasteve demonstron në fakt që e tillë është, e vlefshme “deri në komunikimin e radhës”, me një klauzolë ad hoc e cila bën të mundur revokimin, ashtu sikurse ad hoc janë edhe ndarjet dhe koalicionet tanë, të brishtë dhe të pasigurtë. Në gazetën Le Monde të 2 shkurtit, Nicolas Truong, duke iu referuar koncepteve të shprehur në mënyrë të përsëritur nga Daniel Cohn-Bendit dhe Alain Finkielkraut, ka parashtruar dy skenarë të kundërt për të ardhmen e bashkëjetesë sonë, pra të europianëve. Cohn-Bendit ka publikuar bashkë me Guy Verhofstadt manifestin “Për Europën!” në të cilin promovon një rrugë të shpejtë, për të shmangur dhe kapërcyer mitin e sovranitetit territorial të shtetit-komb, për të ndërtuar një Federatë Europiane të bazuar me forcë mbi “identitetin europian”, i cili ende duhet ndërtuar, me durim dhe në mënyrë uniforme.  Ndërsa Finkielkraut është tërësisht i bindur për faktin që e ardhmja e Europës qëndron në unitetin e saj, por thotë se ky duhet t’i korrespondojë një uniteti (bashkëjetesë? bashkëpunim? solidaritet?) identitetesh kombëtarë.

Finkielkraut kujton këmbënguljen me të cilën Milan Kundera pohonte që Europa përfaqësohet prej arritjeve të saj, prej peisazheve, prej qyteteve dhe monumenteve; ndërsa Cohn-Bendit sjell në vëmendje autoritetin e Jyrgen Habermas, Hannah Arendt dhe Ulrich Beck, të bashkuar në kundërshtimin e tyre ndaj nacionalizmit. Sipas një logjike normale, këto janë dy rrugët që paraqiten para syve tanë, në vendin ku jemi mbledhur kolektivisht, në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Pa asnjë dyshim, struktura aktuale jokoherente e Bashkimit Europian – ku rregullat pa politikë që promovohen prej Brukselit bëjnë kontrast me politikën pa rregulla për të cilën Këshilli Europian është i famshëm, ndërkohë që Parlamenti është vetëm fjalë dhe asnjë cikë pushtet – i ushqen njëkohësisht të dy këto tendenca. Tetëdhjetë vjet më parë, Edmund Husserl paralajmëronte: “Rreziku më i madh që kërcënon Europën është lodhja e saj”.

Gjatë pesëdhjetë viteve të fundit, proceset e liberalizimit, të iniciuar, nxitur dhe kontrolluar nga qeveritë e shteteve që janë bashkuar vullnetarisht (ose janë shtyrë për ta bërë) me të ashtuquajturin “revolucion neoliberal” kanë prodhuar një ndarje gjithmonë e më të theksuar, si dhe rritje të probabilitetit për ndarje mes pushtetit (ose aftësia për të bërë) dhe politikës (ose aftësia për të vendosur se cfarë duhet bërë). Kompetencat dikur të mbyllura brenda kornizës së shtetit-komb kanë avulluar dhe kanë përfunduar në një tokë të askujt, atë të “hapësirës së flukseve” (sipas definicionit të Manuel Castells), ndërkohë që politika mbetet, ashtu si në të kaluarën, e ankoruar dhe kufizuar brenda territorit. Një proces i tillë ka prirje të jetë gjithnjë e më intensiv dhe i vetënxitur. Qeveritë e shteteve, tashmë të privuara nga pushteti dhe gjithnjë e më të dobëta, janë të detyruara të heqin dorë njëri pas tjetrit nga funksione që një herë e një kohë konsideroheshin monopol i natyrshëm dhe i pamohueshëm i organeve politikë të shtetit, për t’ia besuar këta funksione kurave të forcave të tregut të “liberalizuar” tashmë, duke i shkëputur kështu nga kuadri i përgjegjësive dhe kontrollit nga ana e politikës. Kjo gjë provokon zbehjen e shpejtë të besimit popullor tek aftësia e qeverive për të përballuar me efikasitet rreziqet ndaj kushteve të jetesës së qytetarëve të tyre. Këta besojnë gjithnjë e më pak që qeveritë janë në gjendje të mbajnë premtimet e tyre. Për ta thënë shkurt: kriza jonë aktuale buron mbi të gjitha nga një krizë e veprimit të qeverisë – megjithëse, përfundimisht është një krizë sovraniteti territorial.

Europianët, ashtu sikurse pjesa më e madhe e banorëve të tjerë të planetit, janë duke përjetuar aktualisht një “krizë të politikës ashtu sic e njohim”, dhe në të njëjtën kohë janë të detyruar të gjejnë apo të sajojnë zgjidhje lokale për kriza globale. Europianët, ashtu si pjesa më e madhe e banorëve të planetit, mendojnë që modalitetet që përdoren aktualisht për “të realizuar gjërat” nuk funksionojnë si duhet, ndërkohë që në horizont akoma nuk po shfaqen modalitete alternativë dhe efikasë (një situatë që filozofi italian Antonio Gramshi e quante gjendja e “intervalit mes dy mbretërimeve” – ose një situatë ku i vjetri ka vdekur tashmë apo është duke vdekur, por i riu nuk ka lindur ende). Qeveritë e tyre, ashtu si shumë të tjera jashtë Europës, gjenden përpara një dileme të pazgjidhshme. Megjithatë, ndryshe nga shumica e banorëve të planetit, bota e europianëve është një ndërtesë me tre, dhe jo me dy kate. Mes fuqive globale dhe politikave kombëtare ndodhet Bashkimi Europian.

Futja e një hallke të ndërmjetme në zinxhirin e varësisë e ngatërron disi ndarjen mes “atyre” dhe “nesh”. Nga cila anë është Bashkimi Europian? Nga ajo e politikës “tonë” (autonome), apo pushtetit “të tyre” (heteronim)? Nga njëra anë, Unioni konsiderohet një mburojë që mbron shumësinë e shteteve të vecantë. Nga ana tjetër, shfaqet si një lloj kolone e pestë e fuqive globale, një satrap i pushtuesve të huaj, një “armik i brendshëm” dhe një pararojë e forcave që komplotojnë për të gërryer dhe më në fund anuluar mundësinë që kombi dhe shteti të ruajnë sovranitetin e tyre. Një perceptim ky, që shfrytëzohet në mënyrë të paskrupullt dhe të padrejtë nga sirenat e neo-nacionalistëve, të cilët disa javë para zgjedhjeve europiane po fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje, sic e pamë në zgjedhjet e fundit në Francë, ku triumfoi Fronti Nacional. Neo-nacionalistët e paraqesin ëndrrën e sovranitetit nacional/territorial si kurë për të gjithë sëmundjet që ka shkaktuar, sipas tyre, realiteti i sotëm.

Ashtu si pjesa tjetër e planetit, Europa sot është një vend shkarkimi për problemet dhe sfidat që gjenerohen në nivel global. Megjithatë, ndryshe nga pjesa tjetër e planetit, Bashkimi Europian është edhe një laborator, ndoshta unik, ku përditë projektohen, diskutohen dhe kolaudohen propozime për t’u bërë ballë atyre sfidave dhe atyre problemeve. Do të thoja madje që ky është një faktor (ndoshta unik) që e bën Europën, trashëgiminë dhe kontributin e saj ndaj botës jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen e planetit. Një planeti që sot ndodhet përballë transformimit të dytë vendimtar të bashkëjetesës njerëzore në historinë moderne – dhe që është kalimi tejet i mundimshëm nga “tërësia e imagjinuar” e shteteve-kombe te “tërësia e imagjinuar” e njerëzimit.  Ky proces është ende në fillime dhe – nëse planeti dhe banorët e tij do të mbijetojnë – është i destinuar të vazhdojë. Për këtë, Bashkimi Europian mishëron një shans shumë konkret. Megjithatë, nuk është e lehtë të arrihet objektivi. Nuk ka asnjë garanci për sukses dhe do të vendosë pjesën më të madhe të europianëve, zgjedhësve dhe udhëheqësve të tyre të zgjedhur, përpara një fërkimi të fortë mes prioriteteve që bien ndesh mes tyre dhe zgjedhjeve të vështira.


Ideja e Europës ndoshta ka qenë dhe mbetet një utopi. Por ka qenë dhe mbetet një utopi aktive, që sforcohet të krijojë dhe konsolidojë aksione, që përndryshe do të ishin të shkëputur dhe shumëdrejtimësh. Një utopi, veprimtaria e të cilës, në fund do të varet prej aktorëve të saj./bota.al

Related

Analiza 5439490495763926689

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item