Perandoria Romake: E “vranë” apo u “vetëvra”?

Kështu shemben perandoritë Ende pa lindur ende Perandoria, një historian grek i romanizuar, Polibi, ngrinte pikëpyetje për atë republikë që ...


Kështu shemben perandoritë
Ende pa lindur ende Perandoria, një historian grek i romanizuar, Polibi, ngrinte pikëpyetje për atë republikë që po zgjerohej duke bërë njërin pushtim pas tjetrit: “Dy janë mënyrat sipas të cilave çdo lloj shtet vdes: njëri është shkatërrimi që vjen nga jashtë; tjetri, në të kundërt, është kriza e brendshme. E vështirë të parashikohet i pari, ndërkohë që i dyti përcaktohet së brendshmi”. Në thelb është kjo skema mbi të cilën diskutohet ende për të kuptuar se si u shemb ai konstruksion i jashtëzakonshëm, që ishte romakëzimi. E vranë, apo u vetëvra?
Hipoteza kundërthënëse
Një historian i madh francez, Andre Piganiol, në vitin 1947 shkruante: “Qytetërimi romak nuk vdiq nga një vdekje natyrore. U vra”. Por nga kush? Nga truket dhe lufta e egër e barbarëve që mësynë për shekuj të tërë, deri sa ia eleminuan aftësinë për rezistencë? Apo nga armiqtë e brendshëm, nga burokracia, nga korrupsioni, nga paaftësia e perandorëve të tmerrshëm dhe budallenj, nga kriza ekonomike, nga revoltat dhe nga luftërat civile, nga revanshi i fshatit ndaj qytetit siç hidhte hipotezën Rostovcev, nga pacifizmi i të krishterëve siç thoshte Gibbon, nga luksi dhe nga teprimet e mëdha siç shkruante Montesquieu? Mbetet vetëm të zgjedhësh: janë renditur plot 210 shkaqe për rënien e perandorisë romake, disa prej tyre madje edhe në kontradiktë mes tyre.
Ata që tregohen më shumë me gisht janë barbarët, të pranishëm në shumë rindërtime të të ashtuquajturës vrasje të Romës. E megjithatë nuk ka patur asnjë vrasje. Ka patur një atentat, kjo po, por që pati sukses të pjesshëm. Dhe nuk ka patur as edhe një dekadencë të mirëpërcaktuar. Kriza politike, sociale dhe ekonomike e shekullit të III, që prodhoi 22 perandorë në pesëdhjetë vite, u pasua nga riorganizimet brilantë të Dioklecianit dhe Konstantinit, të cilët i lejuan Perandorisë së Perëndimit që të mbijetonte edhe për pothuajse dy shekuj. Kështu që, konncepti i dekadencës, shumë subjektiv, u la dhe u zgjodh ai i “transformimit”. Dhe ata shekuj fatalë nisën të përcaktohen në mënyra të ndryshme: “perandori e ulët”, “lashtësi e vonë”, “perandori e vonë”. Në çdo rast, një periudhë me tipare të saj të veçantë, as më e mirë dhe as më e keqe, se sa ato që i kishin paraprirë: vetëm e ndryshme.
Shkaktarët kryesorë
Pasi është vendosur që duhet folur për transformim, mbetet të vendoset se kush ka qenë autor i krimit në tentativë që, në çdo rast, na ka shtyrë të qartësojmë një vijë ndarëse mes lashtësisë dhe mesjetës në atë datë fatale, 476, kur një djalë me një emër tingëllues, Romolo Augusto, praktikisht u rrëzua nga një prijës barbarësh (por në shërbim të perandorisë).
Duhet thënë që fajtorët e vërtetë kanë qenë pikërisht ata, barbarët. Sigurisht që barbarët kanë gisht, në një mënyrë apo një tjetër. Studimi më i fundit i historianit anglez, Peter Heather ka nxjerrë në pah se si erozioni progresiv i territoreve i kishte hequr administratës qendrore rekrutë për ushtrinë dhe burime për të paguar trupat, duke e bërë shtetin gjithnjë e më të pambrojtur përballë kërcënimeve. Perandoria, në fakt, nisi të thërrmohet që në 378, kur Gotët fituan përballë romakëve në Adrianopojë dhe u vendosën për një kohë të gjatë të pashqetësuar në Thraki (mes Greqisë dhe Turqisë së sotme): që atëherë pati një vijimësi pushtimesh, infiltrimesh dhe bastisjesh përgjatë të gjithë kufijve. Jo vetëm kaq: rajone të tërë u shkëputën nga autoriteti qendror prej rebelimeve me sfond social, si të ashtuquajturit bagaudë në Francën e sotme, apo me sfond fetar, si në Afrikë.
Një rreth vicioz
Pasi humbi Afrikën për shkak të vandalëve, pasi humbi Galinë, ndarë mes visigotëve, alanëve, burgundëve, frankëve dhe alemanëve, pasi humbi Spanjën, objekt grindjesh mes visigotëve dhe suebëve, pasi humbi rajonet danubianë, të përthithur prej hunëve dhe popujve satelitë të tyre, administrata qendrore u bë gjithnjë e më grabitqare ndaj popullsisë, dhe gjithnjë e më borxhlie ndaj ushtrisë (me kalimin e kohës paguhej jo më në para, por në natyrë). Rrethi u mbyll kur barbarët – gjithnjë ata – të rekrutuar në armatat romake për të kompensuar mungesën e rekrutëve, të pakënaqur me pagën, nisën të pretendojnë territore në Itali dhe eleminuan komandantin suprem të ushtrisë, Flavio Oreste, që ishte kundër pretendimeve të tyre.
Pjesa tjetër, e gjithë pjesa tjetër, duket se është mbi të gjitha frut i një konsumimi, një vjetërimi pothuajse fiziologjik në një qytetërim të madh. Pashmangshmëria e vdekjes së një perandorie është parashtruar dhe trajtuar nga filozofë dhe historianë autoritarë, si Oswald Spengler, që thoshte se periudha e kohëzgjatjes së një perandorie është mes një mijë dhe dy mijë vite, apo Arnold J. Toynbee, që fliste për faktorë krize të cilëve në të ardhmen e largët është e vështirë t’u shpëtosh.
Shkaqe të brendshme
Në rastin e perandorisë romake, keqfunksionimet e sistemit mund të gjenden me okë. Për këtë arsye shumë historianë në gjurmët e Gibbon, nuk e konsiderojnë të mundur që popuj të papërpunuar dhe injorantë, të paorganizuar dhe konfuzë, të kenë marrë më në fund në duar frenat e një shteti të mirëstrukturuar dhe organizuar. Ramsay MacMullen, një prej historianëve që flet më së shumti për “shkaqet e brendshëm” e ka përqëndruar analizën e tij në humbjen e etikës në menaxhimin e gjësë publike. Studiuesi amerikan ka nxjerrë në pah përhapjen kapilare të korrupsionit mes burokracisë së tepruar perandorake, dhe gjithashtu edhe në ushtri, në cdo nivel, me tangente, kërkesa të paligjshme dhe zhvatje deri të institucionalizuara, në një lloj “privatizimi” të perandorisë, që i minoi asaj kohezionin politik, efiçencën administrative dhe solidaritetin financiar. “
“Që nga hartimi i faturave fiskale në një zyrë bashkiake cfarëdo në Romë e deri tek konsujt e vitit pasardhës, cdo akt qeverie ishte në shitje”, ka shkruajtur ai. Vec kësaj, guvernatorët, të interesuar më së shumti për përfitimin personal, varfëronin provincat me makutërinë e tyre, ndërkohë që askush nga Roma nuk ndërhynte për të frenuar teprimet e tyre.
Kështu që rryshfetmarrja, me implikimet e saj të ndryshme, e dëmtoi dhe gërreu perandorinë më shumë se sa cdo faktor tjetër. Shfaqet kështu panorama e një krize ekonomike progresive, e acaruar më shumë nga inflacioni, nga zhvlerësimi dhe nga një takim jo i përpjesshëm, ku u bënë bashkë të gjithë keqfunksionimet e një sistemi që u kishte dalë nga kontrolli perandorëve, gjithnjë e më të izoluar, dhe i kompromentuar nga shtytje centrifugale dhe shumë të vecanta.
Jemi padyshim përpara një perandorie tashmë të dobësuar, që nuk është më në gjendje të sprapsë kërcënimet, si ato të jashtme, si për shembull infiltrimet përgjatë kufirit, ashtu edhe ato të brendshme, si përshembull gjeneralët barbarë që zëvendësojnë perandorët. Një perandori që po shkonte drejt vdekjes për shkak të plakjes, të cilës, në perëndim, popuj të tjerë i morën testamentin përpara se të shuhej përfundimisht, duke e rivitalizuar dhe duke nisur nga fillimi.
Sigurisht, atyre iu deshën shekuj e shekuj – të paktën të gjithë shekujt e mesjetës së hershme – për të risjellë nivelin e administratës, të arteve dhe të shoqërisë në një cilësi të krahasueshme me atë të perandorisë romake në kulmin e saj.
Por, shumë larg të qënurit një element shkëputje nga perandoria kanë qenë prokurorët, duke përshtatur sistemete  administratës civile të paraardhësve të tyre, pjesërisht ligjet, dhe duke formuar përmes të ashtuquajturave mbretëri “romako-barbare”, shumë prej shteteve që përbëjnë Europën sot.
Pra ideja e një vrasjeje të mundshme të perandorisë duhet të ridimensionohet. Në vitin 476 barbarët  goditën me thikë perandorinë romake por, nuk e vranë, thjeshtë e lanë sakate. Sakate nga pjesa e saj perëndimore ku thjeshtë nuk u konsiderua më e nevojshme prania e një sovrani të vetëm.
Pjesa lindore duroi dhe 1 mijë vite
Kur Konstantini hipi në fron, në vitin 306, pati intuitën për të parë në një qytet grek të Azisë së Vogël, ngritur pikërisht në pikën e kalimit mes Azisë dhe Europës, një kryeqytet të ri dhe më strategjik të perandorisë. Quhej Bizant dhe pas rindërtimit që kërkoi sovrani, do të merrte emrin Kostandinopojë. Pasardhësit e perandorit të madh vazhduan duke konsoliduar tendencën e ndarjes së botës romake në dy pjesë, occidentis dhe orientis: por ndërkohë që në perëndim kriza e pushtetit solli në vitin 476 zhdukjen e asaj pjese të perandorisë, në lindje dinastia e krijuar ishte shumë solide dhe që në fillimin e shekullit V afirmimi i të huajve në radhët e ushtrisë u shoqërua pashmangshmërisht nga valë të dhunshme ksenofobe, duke i mbyllur rrugën cdo lloj barbari – që nga goti Gainas deri tek alani Aspar – që aspironte për një pushtet më të madh se sa ai i sovranit.
Perandori romak mbijetoi kështu edhe për një mijë vite të tjerë në pjesën e vet lindore, fillimisht i mbiquajtur romeo, më pas bizantin, duke marrë madje për disa dekada, në kohën e Justinianit, Italinë dhe Afrikën. Vetëm në fundin e Mesjetës, tashmë e reduktuar me një shtrirje jo më larg se sa rrethinat e Kostandinopojës, pësoi goditjen fatalë nga turqit otomanë në vitin 1453. Në tërësi, qytetërimi i lindur në brigjet e Tiberit kishte qeverisur, në format e veta të ndryshme, për më shumë se dy mijë vite.
History Today/bota.al

Related

Suplement 4815992533508096236

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item