Ditët e fundit të Bajram Currit, sipas dokumenteve arkivore të shtetit shqiptar

Nga Veli HAKLAJ * Më 29 mars 1925, në një shpellë në Grykën e Dragobisë u vra/vetëvra Bajram Curri, një ndër veprimtarët e Lëvizjes Kombëtar...

Nga Veli HAKLAJ*


Më 29 mars 1925, në një shpellë në Grykën e Dragobisë u vra/vetëvra Bajram Curri, një ndër veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Megjithëse kanë kaluar tetëdhjetë e nëntë vite, akoma edhe sot e kësaj dite ka diskutime dhe kundërshti për rrethanat në të cilat mori fund jeta e tij. Ndërkohë, shkaqet që e çuan Bajram Currin në këtë përfundim tragjik janë të evidentuara në dokumentet arkivore të shtetit shqiptar, një pjesë e të cilave, për arsye të ndryshme, akoma nuk janë bërë publike.

I.
1. Bajram Curri në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare
Me origjinë nga fisi i njohur i Krasniqes (Malësia e Gjakovës), i lindur në Gjakovë, Bajram Curri u shque si veprimtar i lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes, duke qenë një ndër udhëheqësit politikë e ushtarakë të kryengritjeve popullore kundërosmane dhe të luftës për çlirimin e bashkimin kombëtar të vendit. Ishte një ndër organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899 – 1900) dhe veprimtar i saj për autonominë e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit; drejtues kryesorë në kryengritjet kundërosmane në periudhën 1908 – 1912, që u finalizuan me shpalljen e pavarësisë. Pas vitit 1912, luftoi në Kosovë për mbrojtjen e saj nga pushtuesit serbë. Nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Londrës së 1913, që shkëputën Kosovën dhe treva të tjera shqiptare lindore e jugore nga shteti i pavarur shqiptar. Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe qe një ndër udhëheqësit kryesorë të tij. Në kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol në qeverinë e Sulejman Delvinës.
Në vitet 1920 – 1921, me cilësinë e komandantit të Operacionit, bashkëpunoi me ministrin e Brendshëm Ahmet Zogun për të realizuar vendosjen e autoritetit të shtetit shqiptar në tërë territorin e Shqipërisë së njohur nga Konferenca e Londrës 1913.

2. Bajram Curri në pendën e At Zef Valentinit
Në një publikim të vitit 1943, njeriu i shquar i letrave At Zef Valentini bën një portret të Bajram Currit, ku e profilizon si: “të páshkollë, por me shpirt të pajisun me atë trajtë kulture shpirtnore që janë kuptimet e trashëgueme të nderit, të besës, t’urtis, të burrnis, mund të themi se ishte natyrisht i gatuem për punë të mëdhaja e të bukura. Kur filluen atdhetarët e ndritun me ia çilun mendjen (Bajram Currit-V.H.) për një ide “vatani” mâ të gjânë e të naltë se mund të dinte qarku i ngushtë i mendësisë malsore, u pá ky oficer i págdhendun i ushtrisë turke tue derdhë lot mallëngjimi kur në tregtore të Berishajvet të Shkupit i kallxojshin se edhe shqipja shkruhet në letër e i këndojshin kângën e Pashko Vasës”.
Sipas At Valentinit, “kur në fund të 1924 Qeveria, së cilës ai i kishte shërbyer me gjithë zemër e me gjithë trimnin e fuqinë e vet – pá shpërblim si gjithë herë – ishte vum në t’ikun, dikush Bajramit i shtini në vesh se shum lehtas mund të merreshin tetë mijë napolona që ruheshin n’arkë të financës, për mos t’ua lânë në dorë kundërshtarëvet edhe për të pasë mjete me vijuem në qëndresë. Trimi s’përgjegji tjetër por veç: Faqe të zezë vedit s’i lâ.”

3. Veprimi i armatosur i Bajram Currit kundër institucioneve të shtetit shqiptar
Zhvillimet politike herë-herë konfliktuale, si dhe martesa e Ceno Beg Kryeziut me motrën e Ahmet Zogut, ndikuan në ftohjen e marrëdhënieve të Bajram Currit me Zogun. Për rrjedhojë, nga marsi 1922, Bajram Curri zgjodhi rrugën e veprimt të armatosur kundër institucioneve shtetërore shqiptare. Ishte një ndër protagonistët kryesorë në Revolucionin e Qershorit 1924. Pas Triumfit të Legalitetit (24 dhjetor 1924), u tërhoq në Krasniqe, duke qëndruar si mik i bajraktarit të Krasniqes, Sali Manit, nga ku vazhdoi përpjekjet e tij të dëshpëruara për organizimin e një lëvizjeje të re kundër pushtetit legjitim në Tiranë.
Më 2 janar 1925, Bajram Curri mbledh parinë e Krasniqes dhe një ditë më pas deklarohet besa e Krasniqes për me i kundërshtue çdo mësymjeje qeveritare. Më 8 janar, rreth agimit, forcat e Currit nga Krasniqja mësyjnë Gashin, e mbas një luftimi ku mbetën 10 të vdekun e një i plagosun nga forcat qeveritare dhe një i vrarë e një i plagosur nga mbështetësit e Currit, Bajram Curri merr vetëm Tropojën, qendrën e Gashit. Më 9 janar, fuqia e Currit nga Tropoja niset për në Bytyç duke patur për objektiv Krumën, qendrën e Prefekturës së Kosovës, ku kishte nisur dhe forca të tjera nga Krasniqja, (Niman Ferizi, Familja Curri, Zara, 1935, f. 37-38), duke paraqitur kështu një kërcënim serioz për stabilitetin e shtetit.
Për të shuar këtë rebelim të ri në Veriun e Shqipërisë, Ahmet Zogu, që në atë periudhë ishte kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, kishte emëruar komandant Operacioni për Veriun Ceno Beg Kryeziun, kurse vëllanë e tij, Hasan Kryeziun, prefekt të Kosovës (nënprefekturat Lumë, Has, Malësia e Gjakovës). Duhet konsideruar fakti se në këto emërime kishte ndikuar mbështetja politike që ata i dhanë veprimeve politike të Ahmet Zogut, por, sigurisht, edhe lidhja miqësore në mes dy familjeve Zogu dhe Kryeziu.
Në dosjet e Arkivit Qendror të Shtetit, fondi 152 – Ministria e Punëve të Brendshme, viti 1925, gjenden korrespondenca ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme me komandën e Operacionit të Veriut dhe prefekturat Shkodër, Kosovë, Dibër etj., mbi masat e marra nga qeveria për asgjësimin e çetës së Bajram Currit, një pjesë të të cilave po i publikojmë në këtë dossier për lexuesin e “Standard”.
Me telegram nr. 1, datë 8 janar 1925, komandanti i Operacionit të Veriut Ceno Begu, njofton Komandën e Operacionit në Tiranë se: “Bajram Bej ka marrëveshje me Malsinat e Shkodrës e me [të] Mirditës për me bâ prap kryengritje. Ashtu më lajmëron edhe Bytyçi, që kanë li[dhë] besë komita e Kosovës, ashtu dhe Krasniqja. Me si (merrni) masa për Shkodrën. Nesër nisemi për Krumë. Prap kam për me të lajmërue për gjendjen”. Ndërkohë që, edhe Prefektura e Peshkopisë do njoftonte nga burime të sigurta Ministrinë e Punëve të Brendshme se “fuqija e Bajram Currit gjindet të Ura e Llapave. Bajrami msheftas nëpër Reç ka ardhë e takue me Elez Jusufin dhe mbasi ka bujt dy net asht kthye.”
Në vijim të komunikimit të datës 8 janar 1925, komandanti i Operacionit të Veriut, Ceno Begu, me telegramin nr. 2 të dërguar nga Bicajt informonte Komandën e Operacionit në Tiranë se “Tropoja prapë u muer prej fuqisë kundërshtare. Fuqia e kësaj komande u nis për Krumë. Bytyçi na lajmëron se komita janë nisë për Bytyç e në Krumë. Merrni masat e duhura për Shkodrën dhe ata që janë me dyshim. Municion për pushkët italiane nuk kemi, asht pak. Jepi urdhën Dibrës me na dërgue”.
Pak orë më vonë, Ceno Begu nis telegram nr. 2/I, për Komandën e Operacionit në Tiranë, me këtë përmbajtje: “Sadik Gostivari na lajmëron se në Gash janë kah luftojnë dhe lypin ndihmë. Natën e kemi nisë fuqinë për Krumë dhe mandej për Malësië (Malësinë e Gjakovës-V.H.). Curri ju ka thânë [pasuesve të tij] se edhe Shkodra, Mirdita, Malësia e Madhe kanë me marrë pjesë [në lëvizje]. Tash u nisa për Krumë.”
Në një situatë të tillë, që po rëndohej nga ora në orë, duke vlerësuar potencialin e Bajram Currit për lëvizje të armatosura, përgjigja nga Tirana ishte e menjëhershme dhe ultimative. Në telegramin rezervat, nr. 19, datë 8 janar 1925, dërguar Komandës së Operacionit të Veriut urdhërohej: “Kundër Bajram Currit të përdoren masat më të rrepta e definitive që kështu të mos ket nevojë mâ me bâ operacione në ato vise. Për Shkodër po niset Aqif Lleshi me fuqinë  e tij. Në asht nevoja kemi me dërgue edhe mâ tepër. Dibrën tash po e lajmëroj që të nisi për aty 20 arka municion Italie. Na lajmëroni me shpejtësi gjendjen e atjeshme”.
Siç njoftohet me qarkoren e datës 9 janar 1925, në përpjekjen me forcat qeveritare të drejtuara nga Ceno Begu në Bytyç “forcat e Bajram Currit u shkatëruan krejtësisht dhe se Bajram Curri ka marr të ikun në Krasniqe, ku po ndiqet nga ana e qeverisë”. Ceno Begu që kishte njoftuar drejtpërdrejtë kryeministrin Ahmet Zogun për këtë operacion, mori përgëzimet dhe falenderimet e këtij të fundit për suksesin.
Ndërkohë, brenda datës 9 janar, Ceno Begut iu dërgua telegrami tjetër urgjent nga kryeministri Ahmet Zogu me urdhërin: “Currin gjallë â vdek duhet ta zini dhe fuqinë e tij duhet ta shkatërroni krejt tue marrë gjithë masat që kështu të shuhet revolucioni i Kosovës e të mos përsëritet mâ”. Me anë të këtij telegrami Ceno Begu autorizohej nga Ahmet Zogu që: “batalionin e atyshëm ta merrte nën urdhnin e tij; në qoftë se kompanikomandantat nuk ishin të besueshëm të emnonte të tjerë besnikë; prefektin, në qoftë se i sillte pengime, ta pushonte nga detyra dhe për këtë të lajmëronte”.
Në vijim të veprimeve operacionale, më 11 janar 1925, Ceno Begu me forcat qeveritare mbërrini në Gash dhe të nesërmen sulmoj Krasniqen. Sipas informacioneve që vinin nga Prefektura e Shkodrës, rezultonte që Bajraktari i Bujanit (Sali Mani) me 60 veta i ka shkue në ndihmë Currit. Si rrjedhim kjo ministri urdhëronte Komandën e Operacionit të Veriut që “një kompani 110 vetësh të asaj komande pa vonesë me zânë të gjitha vanat e Drinit për mos me lânë me kalue për në Pukë komitat e fuqis së Currit.”
Pas rezultatit të veprimeve operacionale të ditëve të para në nënprefekturën e Malësisë së Gjakovës, Ceno Begu do lajmëronte Ministrinë e Punëve të Brendshme se “gjithë krenët e antarët e Currit, të cilët kanë qenë shkaktarë dhe kryetarë të revolucionit por dhe në çdo kohë kundërshtarë të kabinetit të sotshëm, i kam marrë nën vërejtje dhe prej tyne shumë kan me u denue për dekë. Të burgosunit janë këta: Brah Alia, Tarçuk Rama, Ibrahim Rrustemi, Sadik Bardhi gashjanë; Latha Zogu, Sadik Rrustemi, Murat Beka, Bajram Halili, Ibrahim Halili, Ram Osman Alia, Zog Sadria, Zeqir Asllani bytyçjan; Hysen Selmani, Abdi Saiti, Alush Smajli hasjan.” (AQSH, F. 152, V. 1925, D. 9, f. 37)
Në këto kushte, Bajram Curri lëshon banesën e bajraktarit të Krasniqes dhe me afro 100 pasues merr bjeshkët dhe niset drejt Majës së Hekurave. Më 14 janar 1925, të lodhur nga bora e madhe dhe të ftohtit, por dhe nga uria shtrihen në borë për të pushuar. Në vijim të udhëtimit në Alpe, Bajram Currin, që nuk kishte ma fuqi me ecë, e vendosin në një batanije dhe e tërheqin me radhë. Sipas rrëfimit të Niman Ferizit, kur mbërritën në majën e bjeshkës së Hekurave (2 600 metra e lartë), Curri, duke i pa bashkëluftëtarët e tij të zverdhun, pa bukë e shumicën të ngrirë në trup e në kambë, ku vetë ishte i ngrimë në shpatull, ju thotë atyre: “Perëndia paska premtue që unë me vdekë mbi borë në majë të këtyne bjeshkëve. Nuk due më kot me ju marrë në qafë edhe ju. Kthehuni menjëherë nëpër shpijat tueja e më lini këtu. I Madhi Zot ju ndihmoftë e udha e mbarë ju qoftë se nuk keni shka bâni mâ!!”
Pas këtyre fjalëve, shumica e njerëzve kthehen nëpër shtëpijat e tyre dhe mbetën me Bajram Currin, Shefqet Draga, 4-5 valbonas, Tahir Zajmi dhe dy xhandarët e tij. Valbonasit e morën Bajram Currin për me e qitë në Grykën e Dragobisë. Dy xhandarët, që së bashku me Tahir Zajmin ecnin përpara për me sigurue rrugën, ikën dhe iu dorëzuan forcave qeveritare në katundin e Dragobisë. Tahir Zajmit i shkasin këmbet dhe bie para një patrulle qeveritare ku e arrestojnë. Ndërkohë, valbonasit ia dalin me e qitë Currin në bjeshkët e Valbonës, ku mbetën tetë ditë pa bukë, sepse çdo banor që mund t’u dërgonte ushqime linte gjurmë në borë.
Bajraktari i Krasniqes, Sali Mani, pasi ja kishin djegë kullat, me familjarët e tij kishte ngelë në Krasniqe, dhe, mbasi merr masa dhe strehon gratë dhe fëmijët, shkoi me mashkujt e tij në bjeshkët e Valbonës, ku u bashkuan me Bajram Currin, duke qëndruar me të deri sa ai u vra.
Trupi i Bajram Currit u bart prej Krasniqes, nëpër Bytyç dhe u varros në Krumë zyrtarisht. Për kryerjen e ceremonive përkatëse u shpenzuan 400 franga ari.
Ndërkohë që me urdhër të ministrit të Punëve të Mbrendshme Ahmet Zogut xhandarët që kishin marrë pjesë në vrasjen e Bajram Currit u gostitën gjashtë ditë, duke shpenzue 2 000 (dymijë) franga. Kurse për katër xhandarët e plagosun në luftën për zanjen e Currit “u kërkue çelja e një kredie për me mujtë me i çue në Prizren për mjekim, mbasi spitalet e Shtetit shqiptar ishin larg.”


4.   500 napolona ari për informatorin e vendndodhjes së Bajram Currit
Në telegramin shifër nr. 42/III, datë 6 prill 1925, të prefektit të Kosovës Hasan Kryeziu për Ministrin e Punëve të Brendshme, gjejmë dhe shumën e premtuar për informatorin që do të jepte të dhënat për vendndodhjen e Bajram Currit. Sipas këtij telegrami: “Kjo Prefekturë ka mbetë e shtrëngueme me konfirmue premtimin e bamun prej anës së Komandantit të Përgjithshëm të Operacionit të Veriut për vrasjen e Currit tuj sigurue hetuesit që kanë me dhanë dijeni ku gjindet Curri i mshefun se ka me dhanë Qeveria një shpërblim 500 napolona ari. Prandaj lutena në baz të këtij premtimi dhe në themel të ligjës relative për vrasjen e të arratisunve të na dërgohet kjo shumë të hollash për kundenimin(?) e hetuesit besnik”.
Në vijim të telegramit 42/III, më 10 maj 1925, prefekti Kryeziu do të dërgonte telegramin shifër 42/VI, ku “lutej të merrej parasysh shpenzimi i bám për qëllimin në fjalë tue dërgue këtu të hollat prej andejmi”.
Më 15 maj 1925, me telegramin shifër nr. 430/IV Res, Ministria e Punëve të Brendshme do njoftonte Prefekturën e Kosovës se: “Të hollat në fjalë ju[a] kemi dërgue, prandaj të kryeni formalitetet tue na pa[ra]qitë dëshmin e duhun sa mâ parë.”


II.
1. Shefqet Draga tregon për ditët e fundit të Bajram Curit

Me shkresën nr. 42 Rezervat, datë 6 prill 1925, prefekti i Kosovës, Hasan Kryeziu, i dërgon Zyrës Sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Tiranë kopjen e procesverbalit mbajtun mbi të zanunin – shokun e Bajram Currit – Shefqet Dragen, i cili ndodhej i rreshtuem ende në Krumë, “nga shkaku se ishte i sëmurë tepër, i mërdhimë kâmbësh sa që s’mundet të qëndrojë se i kanë ramun tân gishtat e kâmbve”.
Në Arkivin Qendror të Shtetit, fondi 342 – Prefekturë e Kosovës, viti 1925, dosja 33, gjendet procesverbali i pyetjes së bashkëluftëtarit të Bajram Currit, Shefqet Draga, i datës 3 prill 1925, me 11 fletë, me 18 pyetje – përgjigje. Këtij dokumenti arkivor i mungojnë tre fletë, përkatësisht ato me nr. II, III dhe IV, që përmbajnë pyetje – përgjigjet II-V, kurse një pjesë e fletëve të tjera janë të dëmtuara në këndin poshtë – djathtas. Megjithatë është një dokument arkivor me shumë vlerë që hedh dritë mbi ditët e fundit të Bajram Currit, deri në momentin kur u vra nga forcat qeveritare të atëhershme, apo vrau veten që të mos kapej i gjallë. Dëshmitarët e këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë pohuar se xhamadani i Bajram Currit u gjend i hequr dhe i vendosur disa metra larg trupit të tij të vdekur, pa njolla gjaku. Sipas të drejtës zakonore të Veriut të Shqipërisë, ky gjest i tij në momentet e fundit të jetës interpretohej si mesazh për pasuesit e gjakut të tij që ta konsideronin të mbyllur konfliktin e familjes Curri me familjen Kryeziu të Gjakovës.
Në vijim po japim këtë procesverbal, duke ruajtur gjuhën e dokumentit.

Kopje
Procesverbal
I mbajtun në Zyrën e Prefekturës së Kosovës më 3 prill 1926, mbi të zanunin në arratië, shokun e Bajram Currit, Shefqet Draga nga Mitrovica e Kosovës, i cili dëfton kështu:
Quhem Shefqet Draga, i lindun në Mitrovicë më 1900 mjeshtri, kur isha civil merresha me tregëti edhe që kam hy në Shqipëri në shërbim të gjindarmëris shqiptare (s’parit më 1 janar 1922 me gradën Tetar; deri në muajin tetor po të atij viti, s’dytit më 1 nëntor 1923 e deri në ardhjen në fuqi të Qeverisë legale). Shkaku i [të] dalunit tim prej gjindarmëris s’parit herë asht se unë nën komandën e rrethkomandantit të Durrësit nëntoger Ahmet Kajcen shkuem për me i shtypë rebelat e kryengritjes së marsit 1922 në katundin Sukth të rrethit të Durrësit dhe, për shtrëngimet tona bamun në popullsinë e atij katundi përmendun për zanjen të pjesës rebelizueme, Qeveria na shtrëngoj për këtë vepër tuej na qitë prej shërbimit. S’dytit kam mujt m’u futun në degën e gjindarmërisë me ndërmjetsien miqsore të ish Ministër Rexhep Mitrovicës.
P.I. (Pyetje e parë-V.H.) Qeveria të këshillon për me diftue të drejtën ç’kje shkaku i arratisjes tënde; ku e bat ndejën në arrati; kush u mbajti me bukë, kush u përcuell dhe me kënd pat përpjekun në arratië? Në rast se nuk keni me rrëfye të vërtetën keni për t’u dënue nga gjyqi ushtarak me litar.
Gj.P.I. (Gjegje pyetjes së parë-V.H.) Shkaku i arratisjes sime asht se kur isha Postkomandant në Postën e Bytyçit na friksojshin hallku (njerëzit-V.H.) tuj na thanë se me ardhjen në fuqi të Qeverisë së Ahmet Begut, kan me ju dorëzue në Serbi. Unë tuj kenë si i ikun prej andej kisha frikë që mos të më dëmtojnë autoritetet jugosllave. Kur asht zaptue Kruma prej fuqive Operative të Qeverisë Legale, unë tuj u ndodhun në Bytyç, si mora vesh … (mungojnë tre fletë të dokumentit – V.H.).
P. VI. Curri te kush pretendonte në Shkodër me u mshef? Që keni shpëtue ju, mos keni kenë shok me të?
Gj.P.VI. Sipas fjalëve të tij merret vesh se dëshironte të shkoj të Sylçe Begu në Postribë.
P. VII. Kush asht korrieri i Currit?
Gj.P.VII. Korrier të Currit nuk kemi pa, por kur ishim te shpija e Bajraktar Salih Manit erdhi një farë Sylejman efendija Kusari nga Gjakova dhe lajmëroj Currin se Sylçe Begu ndodhet në Postribë e i arratisun.
P. VIII. Ç’mendim kish Curri? Ç’ishte qëllimi i tij me udhëtimin në Shkodër?
Gj.P.VIII. Mendimi i Currit ishte për me u përpjekun ma së parit me besnikët e tij në Shkodër për me ba një lidhje me qëllim që të mujshim me bashkue fuqi për me mësy Qeverinë Legale. Shumë herë thonte që megjithëse Ahmet Begu e zaptoj Shqipninë, në qoftë se Hysniu me shokë ka mujt me ikë për Itali s’ka për ta lanë gjendjen e sotme të qetë, po përsëri kanë me mësy.
P.IX. Ç’ke shkaku i ndalimit të vijimit të udhëtimit t’uaj për në Shkodër?
GJ.P.IX. Ndalimi i udhëtimit të Currit për Shkodër u ba se Salih Mani pruni lajmin që thonte se asht zaptue Shala, udhët janë zanë edhe s’mund të kalohet. Salih Mani erdhi te na në vendin e quajtur “Bjeshka e Ahmet Gjokaj” së bashku me Met Vejselin e … Vojvoden e Vokshit dhe prunë me vedi 30 kile mollë dhe pak djathë. Ushqeheshim gjith sa herë me bukë e kryp, ka pak djath, edhe njëherë Maxhun Nimani na ka pru mish.  Ndejen e kemi ba katër javë në Bjeshkën e përmendun ku rrijshim mes dy gurëve të mëdhenj, që ishin sa me u mrojtun prej shiut. Curri kishte me vedi një baulle lëkuret, tre plafa, një jorgan, baulla ishte me tesha të veta edhe një takëm komplet për tualet. Prej të hollave kishte në një taklin e punume me dorë rruzash: një lirë Sterlinë dhe një Napulion ari. 
P.X. Si mund të jetë Curri të mos ket [të] tjera të holla? 
Gj.P.X. Si mund të jetë nuk e di, por di se kur asht largue Mehmeti Vogël i ka dhanë 2 Napuliona edhe shpeshherë i ka dhanë Bajraktar Salih Manit ka një Napul.[ion] për me ble duhan, kafe, sheqer, miell e tjera sende ç’ka gjente. Atë ditë që asht vra Curri s’ka pas ma pare veç një lirë sterlinë e një napulion, si thashë edhe ma parë.
P.XI. Mbas ndejes suej në Bjeshkën e Ahmet Gjokaj ku shkuet?
Gj.P.XI. Mbas katër jave ndejes në Bjeshkë, gjysmë ore larg kësaj së parës, [në një vend] që quhet “Bjezhgëz”, aty kemi ndejtë tre javë Curri, unë, Bajraktar Salih Mani, Abdi Bajrami, Adem Bajrami, Rexhep Abdullahi, Met Vejseli.
P. XII. Maxhun Nimani, Ymer Hoxha e Abdullah Syla a ndodheshin me ju edhe nëse jo [a] dini se ku ndodheshin ata?
Gj.P.XII. Maxhun Nimani ka ardhur shumë herë me ne edhe ka ndejt. Ymer Hoxhën se kam pa ndonjë herë, … Abdullah Sylën ç’kem (që kur kem-V.H.) dalë në mal se kam pa asnjëherë.
P.XIII. Në Bjezhgëzen me ç’ka ushqeheshit, kush u siguronte bukën, çfarë vendi ishte ai që rrishit, kush vinte me u pa me ju edhe çfarë lajmesh ju vinin aty dhe ç’ka fliste Curri, cili ish mendimi i tij?
Gj.P. XII. Në Bjezhgëzen ushqeheshim me buk misri të cilin e piqshim nevet në një çerep të vogël edhe shpeshherë bajshim kaçamak. Shpeshherë ngjante që me na mungue edhe buka e misrit edhe kaçamaku. Kur këto na mungonin, vendin e tyne e zijmë (zëvendësojmë) me ujë të ngrohtë sa për me mujt me mbajt shpirtin edhe më bjen ndër mend një herë na asht marrë zani ús (prej urije-V.H.). Bukën (misrin) na binte Maxhuni dhe Rexhep Abdullahi. Shkaku i mbetjes tonë pa miell misrit ishte se binte borë edhe Bajram Begu nuk i lente me u largue në ditët që binte borë vetëm që [të] mos njifshin gjurmët e mos të na hetoj kush. Ndeja e jonë aty ishte në një gur të madh, një faqet, kështu që gjysma e atij vendi ishte e hapun të cilën e mbyllnim me plafat që kështu për mos me u dukë flaka natën. Aty nuk lente Bajram Begu me ardhë asnjë njeri me na pa për me [e] mbajt në ma të madhen msheftësi vendin. Lajme s’kishim kurrfare prej kërkah, por vetëm na diftojnin shtrëngimet e nëntoger Kadri Mehmetit në Krasniqe. Në këtë vend shifej në Currin një mërzi e dishprim i posaçëm, as një send nuk fliste. Më vjen ndër mend se në një rast i thanë Currit se Serbia dishron ty me të marrë në dorë dhe me të lanë të lirë. Në ket Curri përgjegji se preferoj vdekjen në Shqipni se sa jetesën ma të mirë në Serbi. Mbas kësaj here nuk asht zanë ma në gojë të shkumunit në Serbi …
P.IV. M[b]as nisjes tuej në Bjezhgëzen tre javë ku shkuat?
Gj.P.XIV. Mbas Bjezhgëzes kemi shkue në vendin që u vramë e u zumë, të quajtun Gomurë. Para zanjes tonë dy javë që kemi shkue në kët vend.
P.XV. Na diftoni të drejtën ç’ishte plani i Bajram Currit me nisjen e tij në mal; këtu si e siguruet ushqimin; kush vinte me u përpjek me ju dhe përgjithësisht me [ç’]llafe e kalojshi tërë kohën tuaj?
Gj. P. XV. Cili ishte plani i tij bash mirë nuk e di se, kur kishin ndonjë send me randësi e të msheft, llafoseshin tinzë nesh Curri me Bajraktarin e delshin gjithë saherë jashta shpellës. Me bie ndër mend se një herë më diftoi se me të dalun dushku do të rregullojm postën dhe për këto pat porosit një herë Maxhunin për me ble një kali se thonte që si të merremi vesh me Shkodër na vinë edhe paret. Dy ditë para se u zumë çoi Maxhunin me Rexhepin në Krasniqe tuej ju dhanë një napul. për me ble letra shkrimi, një laps; dy pal çorapë e tri pal opanga. Një herë isha tuj folë diçka e ai ma preu fjalën tuej më thanë se, ah të kisha me mujt me u marr vesht me një konsull Evropjan. Në vetjen (pyetjen-V.H.) time që i bana se ç’do të delte prej kësaj nuk më dha asnjë gjegje.
P.XVI. Mbasi në rrethin tuej s’kishte njeri tjetër që të dijë me shkrue, përveç jush, ju do të dini se ç’letra i vinë Currit, ç’letra kish me vedi edhe kujt donte t’i shkruente?
Gj.P.XVI. Për deri sa kemi ndejt në mal, si ka ardhë prej kërkujt asnjë letër, se po t’i kishte pru kush letër s’ka pas kush t’ia këndojë perveç meje. Me vedi s’ka pas asnjë letër me randësi, ato letra që ka pas me vedi, në rastin që u arratisem i dogji tuej thanë se mujm me u vra edhe kështu me shtimin e këtyne letrave në dorë të Qeverisë ka me u dhanë shkak damtimi i shumë miqve e besnikëve tonë. Kujt donte me i shkrue në Shkodër nuk e di me siguri, por di se thonte: masi të çoj letrën në shpi në Shkodër, çika e jeme din me shkrue dhe ata kan me ditë ku me i gjetë paret për me mi pru mue. Për me e çue me letra në Shkodër donte me përgatitë një njeri që do ta gjente Bajraktari. Ç’ka më dukej mû dëshironte se si me mujt me shkue tinzi (fshehurazi-V.H.) në Shkodër për me ndejt i mshefun. Shpresa e tij që me dal fitues me ndonjë revolucion nër këto anë ishte e humbur se thonte që me pren këta Malësorët se këta ishin marrë vesh me Ceno Begun ka herë e unë nuk kam dit gja. Tanë shpresa e tij ishte në të arratisunit në Itali [të] Hysni Currit e tjerë dhe shumë herë përsëriste se ata të Italisë kan me mbështjellë fuqi dhe kanë me mujt me e ndryshue gjendjen e soçme në Shqipnié. Por me gjithë até kishte shpresë të plotë në fitim me anën e atyne Shqiptarëve që kan hikë në Italié.
P.XVII. Rrethimi i juej si u ba prej anës fuqive Qeveritare; sa vetë keni qenë s’bashkut edhe kush?
Gj.P.XVII. Rrethimi i jonë ash bamë në këtë mënyrë: Në ora 6 të ditës allaturka ishim tuej ndejt në shpellë të qetsueshëm edhe të zhveshun. Bajraktar Salih Mani doli përjashta për me pa, kur qe, po kthen mbas katër – pesë minutash i nxituem tuej na thanë se po ndihet një za edhe mori armën me gjithë Abdi Bajramin e Ali Nimanin e dolën jashtë ku mas pesë minutash vështrimi Aliu kthej tuej na thanë se çohi prej këtuhit edhe shmangni tërthuras se në pashim që na kan hetue do të nisim luftën. Ju, veç në këtë rast, ecni e mos u n[d]aloni kërkund. Me Bajram Begun u shtrënguem s’bashkut, tuj ardhë me ne edhe Met Vejseli u nisëm Bjeshkës tërthuras. Prap mas pesë minutash që ishim nisë të shmangena ra një pushkë edhe mas saj një batare kur po ndijmë edhe britmën e Abdis tuj bërtit ”U vra një!”. Pushka gjithnjë vazhdonte edhe na veçse ecshim në direksionin e diftuem prej Bajraktarit. Mas tri orësh të ecunit tonë, të lodhun, kemi ndryshue direksionin tuej ecun tëposhtë edhe jemi ulë në pushim nër pyell pa u çue dy orë resht. Afër akshamit më thotë Begu mue: – Fillou ti rrugës se unë të za. Masi u largova prej tij nja 50 metra, kam ndie krismen e pushkve rreth Bajram Begut edhe sa jam sjellë të shikoj shof se edhe Bajram Curri vet mbas një lisit të hollë po qëndron dhe shtie pushkë. Mbas pesë minutash lufte Curri u vra. Vrasjen e Currit e kuptova prej ndalimit të tij tuej shti pushkë si edhe prej zanit gjindarmave të cilët bërtitnë tuej thanë: “U vra Begi”. Si pava se Begu u vra, u nisa teposhtë për me ra n’dorë të ndonjë oficeri, se megjithë që pava se ushtarët janë afër, nuk pata besim me u diftumun atyne, e ma pak me ra n’dorë, prej frikës që me atë gjak të nxehtë mos të më vrasin, po tuj mashtrue ushtarët, tuej u thanë që jam gjindarmë, kërkova oficerin për me i ra n’dorë, kështu si u avita (afrova-V.H.) afër nëntoger Kadri Mehmetit i diftova se kush jam edhe ju dorëzova. Përveç meje e Currit ka qenë Bajraktar Salih Mani, Abdi Bajrami, Ali Nimani, Adem Bajrami e Met Vejseli.
P.XVIII. A ke gja ma me thanë edhe a i vërteton fjalët e tuja?
Gj.P.XVIII. S’kam ç’me thanë veç se në rrethimin e Krumës, në maj 1924, kam luftue krah për krah me Kapiten Muharrem Bajraktarin edhe jam tërhjekun me të përsëri në Bicaj, ku për fat të keq m[b]eta tuej humbur kohën me djalin e Alush Agës për me ja rujt dhe Qeveria revolucionare më kapi e më burgosi vetëm pse i jam bindë urdhërave të Qeverisë legale. Shtoj se me u arratis me Currin më ka shtymun frika për mos me më dorëzue në Serbié dhe për mos me më damtue Bytyçi, tuej ken se unë kam ken Postëkomandant atje edhe si Zyrtar kam zabatue urdhënat e superiorëve, të cilat ende i mbaj me vedi për dokumenta. Urdhënit i jam bindë edhe Qeverisë legale edhe me ndej me Currin deri më tash nuk ka ken dëshiri jem por masi u sakatova kamvet nuk kam mujt me u largue. Fjalët e mija i vërtetoj me nënshkrim.

Sh.[efqet] Draga d.v.

Prefekti i Kosovës
H.[asan] Kryeziu

Vërtetohet njësia me origjinalin

Kryesekretari i Kosovës
(firma – M.Perkola, vula)
2. Kërkohet vrasja e vrasësit të Bajram Currit

Edhe në dokumentet arkivore të viteve në vijim, herë pas here do të ketë praktika shkresore që lidhen me vrasjen e Bajram Currit. Me interes është dokumenti i datës 2 maj 1930, me të cilin zavëndësisht Komandant i Përgjithshëm i Gjindarmërisë Major Muharrem Bajraktari, i përcjell Ministrisë së Punëve të Brendshme, shkresën e datës 12 prill 1930, të Komandës së rrethit Tropojë, ku njoftohet ardhja në Çerem e Dragobi e dy të arratisurve nga Jugosllavia, të shtyrë nga bajraktari i Krasniqes Sali Mani për të vrarë vrasësin e Bajram Currit, me argumentin e të drejtës zakonore se “na ka pre Bajram Begun tuej kenë Miku i jonë”.

* Studiues

Burimet:
AQSH, F. 152 – Ministria e Punëve të Brendshme, vitet 1920-1925.
AQSH, F. 154 – Komanda e Përgjithshme e Gjindarmërisë, Vitet 1925-1930.
AQSH, F. 342 – Prefektura e Kosovës (Kukës), V. 1925.
AQSH, F.418 – Bajram Curri.
Fjalori enciklopedik shqiptar, 1, “Kristalina K-H”, Tiranë, 2008.
Kahreman Ulqini, Gjurmë të historisë kombëtare në fototekën e Shkodrës, “8 nëntori”, Tiranë, 1982.
Kastriot Dervishi, Plumba politikës, “55”, Tiranë.
Marubi, Shqipëria-Albania, Pegi, Tiranë, 2012.
Niman Ferizi, Familja Curri, Zara, 1935.
Zef Valentini, Bajram Curri, “Gurakuqi”, Tiranë, 1943.

Related

Histori 709999857362125412

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item