Zvicra në Panairin e Librit në Lajpcig
Retoromanishtja Një gjuhë e rrezikuar nga zhdukja vijon të prodhojë letërsi dhe të habisë Europën Në fokus të këtij viti në Panairin e Libri...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/03/zvicra-ne-panairin-e-librit-ne-lajpcig.html
Retoromanishtja
Një gjuhë e rrezikuar nga zhdukja vijon të prodhojë letërsi dhe të habisë Europën
Në fokus të këtij viti në Panairin e Librit në Lajpcig është Zvicra dhe sidomos letërsia në gjuhën retoromane. Shumica e autorëve retoromanë të Zvicrës shkruajnë në dy gjuhë, në mënyrë që të jenë të pranishëm në tregun gjerman të librit.
Në Zvicër ka rreth 50.000 deri në 60.000 vetë, që flasin sot gjuhën retoromane, apo romansh, e cila është pranë gjermanishtes, frëngjishtes dhe italishtes – gjuha e katërt zyrtare e Zvicrës. Fillimet e saj datohen në vitin 15 para Krishtit, kur filloi përzierja e gjuhëve lokale të Retias me gjuhën latine. Edhe pse gjuhë e një pakice, gjuha romansh ndahet në pesë nëndialekte në: Vallader, Putèr, Sursilvan, Sutsilvan dhe Surmiran.
Sikurse gjuha e sorbëve në Gjermani apo gjuha korse, edhe romansh bën pjesë në gjuhët e Europës të kërcënuara nga zhdukja. Por kjo gjuhë jo vetëm vazhdon të flitet fshatrave të Zvicrës, por në të shkruhet edhe letërsi.
Temat e letërsisë në gjuhën retoromane nuk janë vetëm jeta në Alpe, bagëtia dhe gjuetia, por edhe jeta urbane, sikurse gjendet në librat e Leo Tuor dhe Arno Camenisch, që sipas studiuesit të letërsisë Clà Riatsch janë mjaft inovativë si në mënyrën e të shkruarit edhe në formën artistike.
Zvicra shpenzon shumë para për ruajtjen e kësaj gjuhe të rrezikuar nga zhdukja. Por edhe pse në administratë përdorimi i saj është i suksesshëm, futja e saj në përdorim në shkolla është e vështirë. Po ashtu edhe numri i shkrimtarëve, që shkruajnë në gjuhën retoromane, nuk është i madh.