RAPORTI I FORCAVE NË HAPËSIRËN POLITIKE SHQIPTARE NË MAQEDONI
Xhelal Zejneli Synimet madhore nuk arrihen me politikë sociale Faktori politik shqiptar në Maqedoni, që nga viti 1991 deri më sot, nuk arrin...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/03/raporti-i-forcave-ne-hapesiren-politike.html
Xhelal Zejneli
Synimet madhore nuk arrihen me politikë sociale
Faktori politik shqiptar në Maqedoni, që nga viti 1991 deri më sot, nuk arrin ta zgjidhë statusin politik të shqiptarëve. Megjithëkëtë, dy partitë kryesore – BDI-ja dhe PDSH-ja, vazhdojnë të qëndrojnë në skenën politike. Në rrethana të tilla, në vende të caktuara të botës, lind ajo që quhet opsion i tretë. Në hapësirën politike shqiptare në Maqedoni, një opsion i tretë nuk duket në horizont. Për moslindjen e opsionit të tretë ka shumë arsye. Një prej tyre është edhe faktori demografik. Sipas regjistrimit të popullsisë të zbatuar në vitin 2002, shqiptarët në Maqedoni përbëjnë 25,17% të popullsisë së përgjithshme. Sipas burimeve jozyrtare ndërkaq, ata përbëjnë 30% të popullsisë. Brenda këtij potenciali demografik jo të madh është vështirë të lindë një opsion i tretë.
Në hapësirën politike shqiptare në Maqedoni, partia në pushtet sërish mund t’i fitojë zgjedhjet, edhe pse gjatë qeverisjes së saj pesëvjeçare (2008-2014), çështjen shqiptare nuk e ka lëvizur nga vendi. Përse ndodh kjo?! Kjo ndodh për arsye se elektorati shqiptar është i parapërcaktuar: një pjesë e tij, rregullisht voton për BDI-në, ndërsa pjesa tjetër, gjithmonë e voton PDSH-në. Përqindja e votuesve të papërcaktuarnuk është aq e madhe. Paraprakisht dihet se kush për kënd do të votojë. Trupi votues i papërcaktuar nuk është gjithaq i preokupuar me programet politike të partive. Të papërcaktuarit nuk bazohen gjithaq as në premtimet e partive gjatë fushatave parazgjedhore.
Trupi votues i këtyre dy partive, pak a shumë është stabil. Sidomos është stabil trupi votues i PDSH-së. Edhe pse kjo parti një kohë të gjatë qëndron në opozitë, trupi votues i saj nuk zvogëlohet. Duke qenë se çdonjëra nga dy partitë e sipërthëna e ka trupin votues të vet, atyre nuk u duhet ndonjë fushatë e madhe parazgjedhore. Me një fjalë, karakteristikë e zgjedhjeve në hapësirën politike shqiptare në Maqedoni është:
- rreth 50% e trupit votues të përgjithshëm, vite me radhë nuk del në zgjedhje; te kjo pjesë e trupit votues nuk arrin të ndikojë asnjë premtim i partive politike;
- trupi votues që del në zgjedhje, është i parapërcaktuar se për kënd do të votojë;
- BDI-ja e ka trupin votues të vet;
- PDSH-ja po ashtu e ka trupin votues të vet;
- përqindja e të papërcaktuarve nuk është aq e madhe;
- ndërmjet dy partive politike të sipërthëna ekziston një animoziteti theksuar;
- animoziteti që ekziston ndërmjet dy partive të sipërthëna, deri diku është i përhapur edhe ndër votuesit e tyre;
- trupi votues i PDSH-së është mjaft konzistent;
- qëndrueshmëria e trupit votues të BDI-së nuk është testuar për arsye se kjo parti, përpos një kohe të shkurtër në vitet 2006-2008, nuk ka qenë në opozitë;
- qëndrueshmëria e trupit votues të një partie matet më së miri nga qëndrimi i saj në opozitë;
- qëndrueshmëria e trupit votues të PDSH-së, midis tjerash ka të bëjë edhe me faktin se ky subjekt hiqet si parti kombëtare me ideologji politike nacionaliste.
Partia politike shqiptare që qëndron në qeveri një kohë të gjatë, për shembull dy mandate, ajo shpejt i merr karakteristikat e një lëvizjeje popullore. Të qenët një kohë të gjatë në pushtet, i mundëson asaj një shtrirje të gjerë në hapësirën shqiptare. Të qenët një kohë të gjatë në pushtet, i mundëson asaj të shndërrohet në ent për punësim. Në një kohë kur papunësia në këto hapësira ka përmasa shqetësuese, preokupim i një të riu të papunë nuk është politika por punësimi, zënia e një vendi pune.
Në anën tjetër, partia shqiptare e cila një kohë të gjatë ndodhet në opozitë, në rrethana të krizës ekonomike, e ka vështirë të shtrihet. Nga sa më sipër rezulton se në hapësirën shqiptare në Maqedoni kemi çekuilibër të raportit të forcave ndërmjet dy partive politike. Pra kemi:
- partinë që është një kohë të gjatë në pushtet, me karakteristikat e një lëvizjeje popullore, dhe
- partinë që është një kohë të gjatë në opozitë, me një shtrirje të kufizuar, por me një trup votues stabil.
Shtrirja e gjerë e BDI-së dhe fitoret e saj nuk kanë të bëjnë gjithaq me programin politik të saj apo me mjeshtërinë e qeverisjes. Po të kishte BDI-ja një qeverisje politike mjeshtërore nuk do ta kishte lejuar VMRO-në që çështjen shqiptare ta nxjerrë në plan të dytë, për të mos thënë ta margjinalizojë.
Mungesa e baraspeshës në raportin e forcave ndërmjet partive politike shqiptare është pasojë:
- e potencialit demografik të kufizuar;
- e shkallës së ulët të zhvillimit ekonomik;
- e krizës sociale;
- e potencialit shoqëror të kufizuar;
- e mungesës së potencialit të duhur intelektual,
- e mungesës së traditave demokratike;
- e mendësisë fisnore dhe provinciale.
Cilado parti shqiptare në Maqedoni e cila qëndron dy mandate në qeveri, arrin shtrirje të gjerë në shoqëri dhe ushtron ndikim të theksuar. Me këtë rast, ajo de facto ia merr një pjesë të trupit votues partisë oponente. Ajo shndërrohet në njëfarë lëvizjeje popullore, ndërsa partia oponente vetvetiu shndërrohet në një gjysmë-partie.
Mirëpo, nuk duhet harruar se votat e BDI-së, të fituara në një garë të pabarabartë, nuk janë vota politikepor sociale. Politika kombëtare nuk bëhet me vota sociale. Me vota sociale mund ta mundësh oponentin shqiptar, por vështirë e mund VMRO-në. Qëllimet, synimet dhe objektivat politikë nuk arrihen me vota sociale. Qëllimet madhore mund të arrihen vetëm me vota politike.
Partia që ri një kohë të gjatë në pushtet dhe që shndërrohet në njëfarë lëvizjeje popullore, po t’i kalojë tetë vjet në opozitë, mund ta përjetojë sindromën e PPD-së, d.m.th të shkapërderdhet.
Partitë shqiptare në Maqedoni janë parti liderike. Trupi votues dhe mbarë elektorati i një subjekti politik bashkëkohor, nuk duhet të lidhet vetëm për udhëheqësin partiak, por edhe për programin politik të subjektit, të ngritur mbi një ideologji politike kombëtare. Një subjekt politik bashkëkohor funksionon në mënyrë profesionale dhe me parime demokratike.
Partia politike nuk duhet të lejojë të shndërrohet në ent për punësim: për punësime fiktive dhe virtuale apo për punësime nëpër shkolla, me gjysmë orari pune, me të ashtuquajtura aktivitete të lira të cilat askush nuk i realizon. Detyrë parësore e partisë politike është të ndjekë politikë kombëtare, të realizojë programin politik dhe të krijojë ambient të volitshëm për sjelljen e investimeve të huaja.
VMRO-ja e detyron faktorin politik shqiptar të vazhdojë të merret me çështjet tanimë të eksploatuara. Krahas çështjeve “të eksploatuara”, faktori politik shqiptar duhet të krijojë ambient që më në fund, në viset shqiptare të fillojë: ndërtimi i kapaciteteve ekonomike, prodhimi dhe eksporti, në mos në tregje të jashtme, të paktën në tregun e brendshëm. Kjo mbase do t’i ndalte synimet e të rinjve për t’u shpërngulur nga vatrat e të parëve.
* * *
Mungesa e baraspeshës midis forcave politike ka për pasojë qeverisjen autoritare, despotike, tiranike dhe autokrate. Në rrethana të tilla ngulfatet liria e fjalës, liria e shprehjes, mendimi kritik, kritika politike dhe kritika sociale. Ndërkaq shtypi i lirë vihet nën kontrollin e shtetit, të faktorit politik dhe të grupeve të tjera influente. Në rrethana të tilla, proceset demokratike ngecin, ndërsa shoqëria rrëshqet në diktaturë ku prin ideologjia bolshevike, që të përkujton sistemin totalitar. Aty ku s’ka mendim oponent, lulëzon oportunizmi, konformizmi dhe provincializmi i establishmentit. Aty ku s’ka mendim kritik, si murtajë përhapet në politikë poltronizmi i tipit të shokut Zylo, që të përkujtojnë Revizorin e mjeshtrit të realizmit Nikollai V. Gogolit (1809-1852), labirinthet e veprave tëFranc Kafkës (1883-1924) dhe “Zertin” e shkrimtarit çek (francez i natyralizuar) Milan Kunderës (1924-). Në një mjedis të tillë, mjerimi intelektual merr përmasa dramatike.
Shqiptarët qe 23 vjet janë duke e mundur vetveten. Edhe pas kaq vitesh veprimi politik, ende merren me gjuhëndhe flamurin dhe nuk e dinë në janë popull shtetformues ose jo.
Duke qenë se faktori politik shqiptar që nga viti 1991 e deri më sot nuk ka arritur ta zgjidhë statusin politik të shqiptarëve, ndërsa në anën tjetër, në një të ardhme imediate nuk ka gjasa të lindë një opsion i tretë, atëherë shtrohet pyetja: për të lëvizur proceset përpara, ç’duhet të ndodhë në skenën politike?
Tani për tani, e vetmja mundësi është: reformimi, demokratizimi dhe profesionalizimi i dy partive politike ekzistuese. Pjesë e këtij procesi është edhe zëri i inteligjencies si dhe ngritja e vetëdijes politiketë shoqërisë shqiptare.