KOMENT / Rikthim në Realpolitikë" - ROBERT J. SAMUELSON

Duhet theksuar se marrja e shpejtë e Krimesë nga Rusia turbullon dhe kundërshton një prej aksiomave më shpresëdhënëse të urtësisë tradiciona...



Duhet theksuar se marrja e shpejtë e Krimesë nga Rusia turbullon dhe kundërshton një prej aksiomave më shpresëdhënëse të urtësisë tradicionale.

Eshtë supozuar – rrallëherë deklaruar hapur, por besuar gjerësisht – se rritja e ndërvarësisë ekonomike mes kombeve, zvogëlon numrin e konflikteve gjeopolitikë tradicionalë.

Globalizimi parandalon luftën. Shtetet kanë shumë për të humbur nëse rrezikojnë konflikte, në të cilët antagonistë do të jenë partnerë të sotshëm tregtarë dhe investitorë ndërkombëtarë. Tendenca është që “gjërat të zgjidhen në tryezë”, në vend që të kërcënohen këto marrëdhënie jetësore.

Ky vizion, i një bote të paqësuar për shkak të interesit ekonomik vetjak, është një version kryesisht amerikan. Ai projekton optimizmin e SHBA, tek pjesa tjetër e botës. Jemi të formësuar prej obsesionit të amerikanëve “për të cuar gjërat përpara”. Ai ofron një emërues të përbashkët për përfshirjen. Etja e përbashkët për sukses ekonomik bën të zbuten dallimet fetarë, rajonalë, racorë, etnikë, pra atje ku konfliktet dhe përplasjet ka më shumë gjasa të ndodhin. Ne të gjithë mund t’i bashkohemi rendjes drejt pasurimit, pa sakrifikuar aspektet përjashtues të identiteteve tanë personalë. Ajo që ka funksionuar për ne, amerikanët, mund të funksionojë për këdo. Eshtë më e lehtë të zgjidhësh mosmarrëveshjet ekonomike, sesa ato grindjet më kokëforta që burojnë nga trashëgimia, historia dhe vlerat.

Deri në një farë pike, gjysmëshekulli i kaluar e ka përligjur këtë vizion. Arritja e tij e madhe është Bashkimi Europian, që nisi si “treg i përbashkët” dhe demonstroi që integrimi ekonomik mund të shuajë armiqësitë e shekujve të tërë me luftëra. “Historia jonë, është ajo e armiqve që bëjnë paqe”, më thoshte një zyrtar i lartë europian. Konfliktet përgjatë linjave kombëtare nuk janë zhdukur, por tani ata janë zhvendosur nga fushëbetejat, tek burokracitë.

Fundi i Luftës së Ftohtë i dha një tjetër shtytje këtij vizioni. Kish marrë fund konkurrenca mes kapitalizmit dhe komunizmit. Rendja e amerikanëve drejt parasë, tashmë kish marrë dimensione globale. Tregtia ndërkufitare dhe investimet u rritën me shpejtësi. Shfaqja e klasave të mesme në disa vende (Korea e Jugut, Brazili, India, Kina) ofroi baza të forta për zhvillimin ekonomik. Ndonëse konfliktet nuk u zhdukën, ata buronin kryesisht prej aktorëve joshtetërorë (al Kaeda), rajone (Afrika) dhe shtete (Afganistani) që ishin në periferi të ekonomisë globale.

Kjo ideologji ekonomike ishte frymëzuese dhe shpresëdhënëse. Në disa vende, solli racionalizim të buxheteve të reduktuar për ushtrinë. Por, duke aneksuar Krimenë, Rusia i hodhi poshtë normat e këtij rendi të ri botëror. Rusia përdori forcën ushtarake, jo diplomacinë. Ajo shpërfilli rrezikun ndaj interesave të saj ekonomikë, si dhe interesave ekonomikë të partnerëve të saj tregtarë. Rusia preferoi të valëvisë flamurin e nacionalizmit.

Po mësojmë edhe një herë një mësim të vjetër: Historia, kultura, gjeografia, feja dhe krenaria shpesh herë e “shtypin” ekonominë. Shteti-komb mbetet, thotë politologu i Harvardit, Jeffry Frieden, autor i “Kapitalizmi global: Rënia dhe Ngjitja në Shekullin Njëzetë”. Ai i përcakton interesat e tij, sipas kushteve që vendos vetë. Vladimir Putini, jo pa logjikë, e sheh Rusinë të kërcënuar në kufijtë e saj, nga një koalicion i udhëhequr prej SHBA, që sipas Frieden “është armiqësor, në kuptimin që shumica e njerëzve në Perëndim do të donin të shihnin regjimin e Putinit të largohej, sepse është autoritar, dhe prek interesat tanë”.

Globalizimi nuk mund të fundosë asnjëherë gjithcka tjetër. Ekonomia nuk është e gjithëpushtetshme. Një goditje për këtë mitologji ishte kriza financiare e viteve 2008-2009. Tregjet nxisin prosperitetin dhe shpërndajnë fitime, por ata gjithashtu shkaktojnë paqëndrueshmëri dhe imponojnë kosto. Bota mund të jetë e sheshtë, sic thoshte Thomas L. Friedman në librin e tij të vitit 2005, në kuptimin që shoqëritë moderne konkurojnë dhe bashkëpunojnë në një sistem të madh global. Por bota mbetet e rrumbullakët, në kuptimin që konfliktet tradicionalë gjeopolitikë, ashtu si dhe aspiratat dhe trysnitë shpesh herë diktojnë ngjarjet që ndodhin (mendoni Iranini).

Ajo që mbetet, është një përzierje e rrëmujshme e të vjetrës dhe të resë. Shtetet i ndjekin objektivat e tyre në mënyra që përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në interesat ekonomikë. (Mendoni Kinën, apo edhe vetë SHBA). Integrimi ekonomik global ka ecur përpara integrimit politik, dhe kjo divergjencë është në vetvete një burim paqëndrueshmërie. Putini me siguri e dinte që lëvizja e tij në Krime do të kishte pasoja – dhe do të ketë.

Një komentator i Financial Times shkruan: “Kompanitë dhe bankat ruse kanë tërhequr miliarda dollarë depozita nga bankat e SHBA dhe Europës, nga frika se mos paratë e tyre ngrijnë për shkak të sanksioneve ekonomikë. Po kështu, institucionet perëndimorë janë përpjekur të minimizojnë ekspozimin e tyre ndaj bankave dhe kompanive industriale ruse”.

Trazira financiare deri tani ka qenë e kufizuar dhe e lokalizuar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sanksionet e vendosour nga SHBA dhe BE për të penguar lëvizje të mëtejshme të Rusisë në Ukrainë. Këto kanë qenë të zbutura për arsye të kuptueshme. Si leva diplomatike, mjetet e globalizimit janë një thikë me dy presa. Transaksionet ekonomikë me dobi të ndërsjellë, nëse ndalen në mënyrë të papritur, shndërrohen në transaksione që garantojnë shkatërrimin e ndërsjellë.


Gjithë kjo mund të ndryshojë menjëherë. Krizat historikisht janë të vështira të parashikohen dhe janë subjekt i keqllogaritjeve. Cfarëdo që të ndodhë, të gjithë kemi marrë një mësim të mirë në kursin e realpolitikës. (Washington Post)/bota.al

Related

Shtypi i huaj 2651587484586398117

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item