Dokumenti: Klubi “Vëllazërija” i Filatit dhe një letër e rrallë
115 vjet më parë, Mehmet Sejko dhe Musa Demi, pararendës të atdhetarizmit nga Çamëria, i shkruan në vitin 1909 shoqatës “Vëllazërija” të Elb...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/03/dokumenti-klubi-vellazerija-i-filatit.html
115 vjet më parë, Mehmet Sejko dhe Musa Demi, pararendës të atdhetarizmit nga Çamëria, i shkruan në vitin 1909 shoqatës “Vëllazërija” të Elbasanit
Sfondi atdhetar i shoqërive dhe klubeve patriotike në fillimet e shekullit XX, në trojet shqiptare, ka qenë një tregues i realiteteve të përjetuara në tërësinë e tyre mbarëkombëtare. Jetën politike, shoqëritë atdhetare e kryenin përmes njohjeve dhe bashkëpunimeve që krijonin personalitetet në të gjithë hapësirën, nga Kosova e deri në Çamëri, ku pjesa qendrore e Shqipërisë zinte një vend dominues. Nëse sjellim në kujtesë atë thënien e një latini të lashtë “O kombe, ruani të mëdhenjtë, se përmes tyre do t’ju njohë e ardhmja”, këtë më së miri e fokuson një letër e vitit 1909, që drejtues të jetës së Filatit në Çamëri i drejtonin klubit “Vëllazërija” në Elbasan. Janë Mehmet Sejko, kryetar dhe Musa Demi, sekretar i shoqatër “Vëllazërija” të Filatit, dy personalitete të jetës shoqërore dhe asaj politike që bëhen protagonistë dhe që në emër të klubit i drejtojnë homologut të tyre në Elbasan.
Pa hyrë në detajet e formulimit si një letër e një kohe gati 115-vjeçare për shkrimin dhe bukurshkrimin apo për vulën e përdorur, është përmbajtja e saj e thellë, është mesazhi që përcjell, është fryma e dashurisë dhe e vëllazërisë që manifestohet në shërbim të çështjes kombëtare dhe rritjes së ndërgjegjes në funksion të përparimit të kombit shqiptar. Vetë fakti që dy personalitetet e Filatit, Mehmet Sejko, babai i të mirënjohurve Taho dhe Teme Sejko dhe Musa Demi, një figurë me angazhime të gjithanshme e fisit të Demëve, janë tregues të përfaqësimit intelektual që ata i bënin shoqërisë shqiptare të Çamërisë dhe ku sensi atdhetar i shprehur në letrën e 8 majit 1909, flet për një vëmendje të një niveli të lartë për shqetësimet e kohës.
E gjithë jeta e këtyre familjeve me emër në Filat përcaktonte dhe rrugën e drejtë që i jepnin filozofisë atdhetare të shqiptarëve të Çamërisë, duke përcjellë edhe te vëllezërit e tyre në Elbasan atë interesim për të bashkuar vullnetet në shërbim të përparimit të vendit. Domosdo që këto ishin shoqëri ose klube që u krijuan në ato vite të zjarrta për mëvetësinë e Shqipërisë si një finalizim i filozofisë së rilindjes kombëtare dhe fill pas Kongresit të Manastirit, që më shumë sesa një kongres drejtshkrimor ishte një bashkësi vlerash intelektuale që orientuan shqiptarët drejt prosperitetit për ngjarjet e mëdha që e prisnin.
Viti 1909 është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Elbasanin që mblodhi kongresin e tij dhe përcaktoi hapjen e Shkollës Normale, por për të gjitha trojet shqiptare, sepse përcaktoi ardhmërinë e bashkimit kombëtar në një gjuhë të vetme dhe si një komb i vetëm. Mjaft të lexosh këtë letër të 8 majit të 1909-s dhe bindesh për argumentet intelektuale që përdoren dhe frymën e atdhetarizmit që përcjell, duke pasur si emërues të përbashkët shqetësimin për të qenë të bashkuar në idenë për një komb të njësuar në të gjitha aspektet. Sinqeriteti dhe ndjesia e miqësisë që përshkon këtë letër, kanë brenda vetes edhe domethënien e madhe se edhe pasardhësit e këtyre dy personaliteteve do të ishin bij të së njëjtës sërë në shërbimin për kombin, edhe pse historiografia shqiptare ka vonuar të përcjellë të vërtetat e ngjarjeve në kohë të mëdha, edhe pse të trazuara.
Filat, 8 maj 1909
Të nderçëmes pleqësi të Klubit Vëllazërija Ndë Elbasan
No 70
Zot.
U gëzuam shumë kur mësuam se çeltë dhe një Klub me emër Vëllazëri në atë vënt të nderuar.
U urojmë me gjithë zemërë dhe Zoti t’u përparojë ndjenjat kombjare që dëshëron mëmëdheu ynë, duhet pra kurdoherë ose kur ta dojë nevoja të kemi letërkëmbim që të mundim të mirremi vesh me njëri-tjetrin. Na vjen shumë liksht kur shohim se Klubet e Shqipërisë flenë diku i pasur kaqë nevoja.
S’dimë ç’të themi për këtë heshtje që na ka rrethuar, kemi frikë më shumë se mos është heshtj’e përgjithshme, se po të jetë për ne çamërit vetëm, përsëri do jemi të kënaqur. Kur të jenë të tjerë vendet e Shqipërisë më një qëllim, atëhere është mjaft për ne çamët, d.m.th. mbushet dhe qëllimi ynë, se shpresa jonë është te juve.
Ju përqafojmë vëllazërisht
nga ana e Klubit Vëllazërija.
Gëzohemi kur na përgjegjeni.
Shkronjësi Kryetari
Musa Demi Mehmet Sejko
***
Cilësia e shkrimit dhe e mendimit të një letre të tillë vlon edhe nga dashuria për krijimin e së tërës miqësi dhe angazhim në shërbim të kombit për të mos mbetur në heshtje dhe në përçarje siç do të dëshironin edhe fqinjët tanë antikombëtarë. Kjo letër dhe përmbajtja e saj flet si një aktakuzë edhe për ditët e sotme për gjenerimin e jetës në Çamëri dhe mbetet një kambanë treguese se shqiptarët e Çamërisë e kishin të gjallë atdhetarizmin e tyre që e kanë cilësuar edhe rilindësit si një vëmendje specifike.
Mehmet Sejko,
Është njëri nga pinjollët e devotshëm të familjes së Sejkove të Filatit të Çamërisë dhe themelues i Klubit “Vëllazërija” të Filatit bashkë me bashkëqytetarin dhe mikun e tij Musa Demi. Mehmet Sejko është edhe një luftëtar i çetave për lirinë e vendit të tij nga invazionet greke dhe të huajt e tjerë që sulmonin vendin e tij. Është e rëndësishme të themi se Mehmet Sejko, si një atdhetar i mirë që ishte, dhe një intelektual jo për shkak të arsimimit, ka qenë protagonist në hapjen e shkollës së parë shqipe në shtëpinë e tij në Filat bashkë me atdhetarë të tjerë më 1908-n. Është e rëndësishme të theksojmë se ai është edhe firmëtar i memorandumit që u bënë çamët Fuqive të Mëdha në vitin 1919 për bashkimin e trojeve shqiptare me Shqipërinë.
Duhet thënë që pas ndarjes së kufijve dhe protestave për aneksimin e Çamërisë nga Greqia, me ndihmën e Konferencës së Londrës, Mehmet Sejko u detyrua që më 1920-n të vinte në Shqipëri. Është interesant fakti që me vete, në vend të pasurisë së tij të madhe ngarkoi mushkat me librat shqip që të mos i merrte e digjte greku, duke ruajtur të patrazuar idenë e shkollimit të fëmijëve. Rikthehet në Filat më 1924-n, por arrestohet nga autoritetet greke dhe me ndihmën e Ahmet Zogut dhe të Mit’hat Frashërit që ishte ambasador i Shqipërisë në Greqi, lirohet dhe kthehet në Shqipëri mes peripecive të madha, duke humbur shumë pasuri të mëdha që kishte në vendin e tij të dashur, duke mbetur një familje me shumë pak mundësi jetese. Vdiq më 1935-n.
Musa Demi, “Nderi i kombit”
Patriot i madh nga Çamëria u lind në qytetin e Filatit në Çamëri, vilajeti i Janinës, Shqipëri, Perandorisë Osmane në vitin 1878. Babai i tij, Hamid Demi, ishte kryetari lokal i rajonit nga familja Demi e Filiatit. Ai ndoqi shkollën fillore Mektebi Iptida dhe shkollwn e mesme Mektebi Rushdije. Pas katër klasave që vjen e kryen me diplomim në Filat dhe më pas vazhdoi studimet e tij në Janinë.
Në fillim të viteve 1900 u bë një nga themeluesit e Klubit “Vëllazërija” në Filat së bashku me Mehmet Sejkon, që ishte kryetari i këtij klubi. Më 25 gusht 1909, bashkë me Mehmet Sejkon, hapi shkollën e parë për gjuhën shqipe në Filati. Musa Demi dhe me Rasih Dinon së bashku me banorët e tjerë siguruan fondet për ndërtimin e ndërtesës së shkollës.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte shumë aktiv dhe vajza e tij Belkëze Demi, luftoi dhe vdiq gjatë rezistencës shqiptare në Luftën e Dytë Botërore.
Ai u dekorua në vitin 1945 me “Medalje” nga qeveria shqiptare për “Vepër patriotike kombëtare, dhe vdiq në vitin 1971. Në vitin 1978, ai u nderua pas vdekjes me “Medaljen për aktivitet patriotik”. Në vitin 2013, u dekorua nga Presidenti Bujar Nishani me medaljen “Nderi i kombit”.
Përgatiti: Hyqmet Zane