31 intervista thjeshtësisht mbresëlënëse

Nga Edi Rama* Secila shumë e ndryshme nga tjetra, por të ndërlidhura shqip; falë një shqiptareje, e cila endet prej kohësh në bibliotekën e ...

Nga Edi Rama*


Secila shumë e ndryshme nga tjetra, por të ndërlidhura shqip; falë një shqiptareje, e cila endet prej kohësh në bibliotekën e botës duke ëndërruar ta kapërcejë edhe kufirin e fundit, ku në fund ndalet për t’u kthyer me alibinë e diçkaje të bukur; zëra, që vijnë nga larg përmes një si harte shenjash e kodesh nga ato të thesarkërkimeve ku papritur, sheh vende që i njeh pa i pasur shkelur kurrë, fytyra që i ke dashur dikur edhe pse i sheh për herën më të parë; apo që i ke njohur e dashur përherë, por papritur i gjen krejt ndryshe, si përtej dritares së hapur drejt botës shqipfolëse nga Robert Elsie në një intervistë që sjell veçanërisht kënaqësinë e një takimi ku tingulli e tronditja shfaqen bashkë si gur i rënë vrik mbi pasqyrën e ujit për t’u bërë rrathë që përhapen rrotull teje, dhe vështrimi tretet pa ngut duke kapërcyer një e nga një kufijtë që shtyjnë njëri-tjetrin; në rrjedhën e kohës që prej dritares së Salman Rushdie vjen si hapësirë vetjake ku zënë vend me radhë, të gjitha kuptimet e mbledhura bashkë prej kohësh dhe vendesh të ndryshme, dhe kujtesa njehsohet me eksperiencën e fëmijërisë ndërsa shqetësimi vjen nga kufiri i fundit, ai që refuzon së brendshmi të pushojë së qeni para raportit të paracaktuar në lidhje me dikë, disa a të gjithë; rrugës, ku ama s’ka hiçasfare pendim për kënaqësinë, kohën, shqetësimin; si një tis, që lidh dritaret e fjalëve të David Grossman-it, Fabio Volo-s e Roberto Saviano-s; krenarë secili në dhimbjen e brishtësinë e vet, si pikënisja e një jete matanë; pa frikë; thjeshtë të kthjellët se “nuk janë lavditë e të shkuarës ato që kanë rëndësi… janë njerëzit.”; vetvetja që “nuk kërkon gjërat e bujshme, por ngjashmëri me disa njerëz me shpresën për ta rritur këtë numër njerëzish.”; ndryshe, sepse heshtin për të folur, thyejnë për të ngjitur, shkatërrojnë për të ndërtuar; qëllimin; apo nevojën, për të ditur gjithnjë të vërtetën e jetuar pa dashur t’ia dish për askënd e për asgjë që kësaj nevoje i bie ndesh, si në botën prej dritares së Dominique Fernandez, e cila lidhet krejt ndryshe me letërsinë e betejat morale; si të gjithë titujt e intervistave me aftësinë që të të shtyjnë drejt krijimit të këtij gjoli leximi me shumë dritare të hapura përtej, ku çdo gjë është e njohur dhe njëherazi ndryshe; si në intervistën me Arthur Japin, në të cilën lëndimi shfaqet si diferenca mes pranimit dhe tolerimit; si shenjat në fytyrë, “thesari yt, sepse prej tyre je ndryshe dhe mund të jetosh ndryshe nga të tjerët.” Jo për t’u ndarë; për t’u futur në botën e dikujt që të tregosh se “në thelb jemi të gjithë njësoj.”; apo vetëm për të provuar; edhe të fshish luftërat nga bota për hir të dikujt; prindërve, që rrinë në një kështjellë madhështore të rrethuar me një kopsht ngjyra-ngjyra në botën e Doris Lessing; gruas që konsideron të zakonshme rënien e perandorive, por të shumë veçantë dhe pse ripërsëritet shpesh, gatimin për djalin; fëmijën; të shfaqur si parandjenjë, parashikim, plagë a mister, kur sheh me vëmendje nga kuadrati i dritares që hapin përgjigjet e Alberto Bevilacqua-s; fëmijën, përherë “një pikë dhe nëse ajo, e ëma, do duhej të ngelte presje.”, si copëz elementare në fizikën moderne, të puqur me letërsinë në “përqendrimin që të bën të  harrosh, vendin ku ndodhesh, orën, ditën, urinë, etjen.”, si formë sa reale aq e mistershme, e pakuptueshme plotësisht; ndaj e rëndësishme, do të thoshte Paolo Giordano; nëna dhe fëmija, janë dhe në qendër të botës që duket nga dritarja e Alessandro Leogrande-s. Titulli nën kornizën e asaj dritareje ka një paralajmërim që dhe nëse e kupton për çfarë bëhet fjalë, gjithsesi nuk e eviton dot zhytjen në mjegull; atë ndjesinë që të kaplon, qoftë dhe për pak sekonda prej të qenit “gjallë mendërisht, por jo shpirtërisht në procesin e tejmbushur me muzg, në det të hapur.”; nga ku ti del duke u kapur tek një kornizë tjetër, fjalësh të lira, për të mos u mbajtur e njëkohësisht për të besuar se “mjafton të njohësh disa njerëz të mirë në ndonjë vend dhe gjithçka mund të ndryshojë.”; mjafton të dish se ku po shkon dhe se në fund të ditës asnjë nga ne nuk ia del; kthimit; duam apo s’duam; mund të jetë kjo korniza që ndërton Jonathan Franzen, Niccolo Ammanti  apo dritarja me ngjyrë të kthjellët e Orhan Pamuk; ose korniza fjalëve të cilat duken të pa drithëruara nga ushtima e duartrokitjeve në një cep të botës që shfaq intervista e Javier Cercas, shkrimtarit që thotë se dhe pas suksesit shkruante njësoj si kur e lexonte veç e ëma.
Janë 31 intervista ku flitet dhe për Shqipërinë e politikën, në rrëfime, analiza a konstatime ku ngjashmëria me vendet e tjera nuk lehtëson aspak rëndesën e mendimeve të sjella pa dorashka ambicieje a interesi, por veç nga pasioni për të qenë mjeshtër i kohës tënde e vizatuar vetë rrjedhën e saj që hyn me vetëdije të plotë në rrjedhë të tjera; njerëzish, vendesh apo kohësh sa lokale, aq më shumë globale, do të thoshte Amos Oz që shkretëtirën e sjell si tërësi e imagjinatave të secilës prej kokrrave të rërës.
Shfaqje e rrallë; për të mos u humbur.
*Parathënie e librit “Shkrimtarët e Shekullit” nga Rudina Xhunga

Related

Kultura 6774085820779166799

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item