Kina, lufta për të harruar

Sloganet e epokës së Maos shpallnin fundin e shoqërisë së klasave. Sot është kthyer Yu Hua Historia e sundimit komunist në Kinë mund të shih...

Sloganet e epokës së Maos shpallnin fundin e shoqërisë së klasave. Sot është kthyer
Yu Hua

Historia e sundimit komunist në Kinë mund të shihet nga disa këndvështrime. Një prej tyre është lufta e klasave.
Kina në epokën e Mao Cedunit nuk kishte pronarë tokash dhe kapitalistë. Duke qenë se shiheshin si prototipë të shfrytëzimit të klasave, ata u shpronësuan me shpejtësi pas vitit 1949. Gjatë reformës agrare, pronat e pronarëve të tokave u konfiskuan. Më tej, gjatë shkrirjes në një të sipërmarrjeve publike dhe private, fabrikat në pronësi të kapitalistëve u konfiskuan nga shteti.
Gjyshi im nga babai kishte 30 hektarë tokë, një trashëgimi prej paraardhësve të tij. Megjithatë, ai nuk trashëgoi industrinë dhe mbarësinë e paraardhësve të tij, pasi ia kushtoi energjitë e tij shpenzimeve të pafre, bixhozit dhe orgjive. Cdo vit, shiste nga një pjesë tokë deri kur, në vitin 1949, ai nuk kishte më praktikisht asnjë copë nga prona e tij.
Duke vepruar kështu, ai hoqi dorë nga statusi i pronarit të tokave dhe ata që i kishin blerë tokën u bënë pronarë në vend të tij. Ata iu nënshtruan “seancave të pafundme të luftës së klasave” në fushatat politike që pasuan, dhe të njëjtin fat pësuan edhe fëmijët dhe nipërit e tyre. Sa me fat ishte babai im – dhe sa me fat isha unë! Ia kemi një borxh të madh gjyshit tim për shthurjen e tij.
Në kohën e Maos, kur mangësitë në materiale ishin të përditshme, të gjithë ishim varfanjakë. Edhe ata që dikur kishin qenë pronarë tokash dhe kapitalistë, tashmë ishin varfanjakë – në shumë raste, edhe më të varfër se të tjerët. Në atë kohë, nuk kishte më klasa, e jo më konflikte mes klasave. E megjithatë, ne gjithësesi nuk harronim të bërtisnim: “Mos e harroni kurrë luftën e klasave!”
Këto fjalë ishin lyer me bojë në muret e qyteteve dhe fshatrave kudo në Kinë. Filxhanët e cajit i kishim të gdhendur me këta slogane, ashtu sikurse dhe tualetet. Edhe kur shkonim në shtrat, nuk i shpëtonim dot urdhëresës: Ishte e shkruajtur në këllëfët e jastëkëve, një komandë që na thoshte që edhe në ëndrërr nuk duhej “ta harronim luftën e klasave!”
Sot, vendi im nuk ngjan aspak me Kinën e Maos, i cili vdiq në vitin 1976. Janë shfaqur klasat dhe lufta e klasave dhe cdo ditë lexojmë në media për jetën në të dy skajet.
Në një hotel me pesë yje, një pjatalarëse mori dhe futi në cantë atë cfarë kish mbetur nga një darkë e shtruar atje, me idenë që t’ia conte në shtëpi djalit të saj në moshë kolegji. Ajo që i dhembi më shumë nuk ishte humbja e vendit të punës, por fakti që shihte gjithë atë ushqim të shkonte dëm: “Ishte ushqim shumë i mirë, por ata më kërkuan ta hedh në kosh – sa keq!” Në një hotel në një tjetër qytet, menaxheri i një kompanie dhe tre mysafirët e tij shpenzuan 32 mijë dollarë për një drekë të vetme. I shqetësuar, menaxheri i hotelit kërkoi që të mos paguhej me kartë krediti, por me para në dorë. Pas shumë debatesh, bosi i telefonoi një vartësit të tij dhe i kërkoi të shkojë në makinë dhe t’i sjellë paratë – në monedha 1-juanëshe. Hotelit iu desh të vinte në punë të gjithë stafin që të numëronte kartëmonedhat njëshe, ndërkohë që menaxheri u ul në kolltuk, hapi një revistë dhe tha: “E shihni, unë mundem të paguaj. A mundeni ju të numëroni?”
Një tjetër shembull: Në janar, zyra e kryeprokurorit shpalli arritjet e luftës kundër rrushfetmarrjes. Nga janari, në nëntor të 2013-ës, 36907 zyrtarë ishin akuzuar për korrupsion dhe mitmarrje në 27236 cështje, për një total mrej 910 milionë dollarësh. Qeveria ishte “e etur” të tregonte vendosmërinë e saj për të dënuar abuzimet e zyrtarëve.
Por në prill të vitit 2013, kur Juan Dong nga Xinyangu, një qytet në provincën qendrore të Henanit, si dhe tre aktivistë të tjerë të luftës kundër korrupsionit shpalosën një banderolë në Xidan, nyja tregtare e Pekinit, në të cilën kërkonin që zyrtarët të publikonin asetet e tyre financiarë, aktivistët u arrestuan nën akuzën e grumbullimeve të paligjshëm. Fushata kundër korrupsionit u harrua.
Kina ka pësuar ndryshime të mëdhenj e plot trazira gjatë 30 viteve të fundit. Zhvillimi i saj jonormal ka shkaktuar një hendek shumë të madh mes të pasurve dhe të varfërve, dhe korrupsioni ka ndezur konfliktin mes zyrtarëve dhe popullsisë në tërësi. Këto kohë, shoqëria kineze është e mbushur me kontradikta, por slogani “Mos e harroni kurrë luftën e klasave!” është zëvendësuar prej “shoqërië në harmoni” dhe “stabiliteti është mbi gjithcka tjetër”.
Ai slogan shkundës, “Mos harroni luftën e klasave!” është zhdukur nga skena, duke “ia mbathur” drejt një tjetër bote dhe duke kërkuar ndoshta strehim tek Mao. Për udhëheqësit tanë sot, edhe përmendja e luftës së klasave do të nënkuptonte t’i hapnin gropën vetes.
Kështu pra, gjatë këtyre 64 viteve të fundit, Kina ka shkruajtur një histori absurde të luftës së klasave. Në të kaluarën, klasat u eleminuan, por udhëheqësit tanë na thoshin që nuk “duhej ta harronim asnjëherë luftën e klasave”. Tani klasat janë rikthyer, por udhëheqësit tanë na kërkojnë që lufta e klasave duhet harruar.
Yu Hua është autor i “Djaloshi në agim” si dhe i disa librave të tjerë. Artikulli, i përkthyer nga gjuha kineze, u botua në anglisht tek The New York Times/bota.al

Related

Shtypi i huaj 6303334116276101482

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item