Një dijetar elegant në zemër të perandorisë së mbyllur
Krijoi me diturinë e tij perceptimin e lirisë si e vetmja gjë e shenjtë, duke guxuar për kohën të shkelte mbi kufijtë natyrorë. Hoxha Hasan ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/03/nje-dijetar-elegant-ne-zemer-te.html
Krijoi me diturinë e tij perceptimin e lirisë si e vetmja gjë e shenjtë, duke guxuar për kohën të shkelte mbi kufijtë natyrorë. Hoxha Hasan Tahsini, vlerësuar si enciklopedist, deri sot mund ta kërkonit vetëm për ndonjë emër rruge, por jo në biblioteka. Dje, për herë të parë, stërmbesa Manushaqe Halili ka thyer “mbylljen” e dijetarit, duke botuar të plotë në shqip veprën e tij, nisur me tri vëllimet e para, promovuar në Akademinë e Shkencave
Ali Aliu
Tri vëllimet e para nga projekti “Vepra” të Hoxha Tahsinit vijnë, për shumicën nga ne, në mos për të gjithë, si një zbulim i madh, i këndshëm gjithsesi, por, fatkeqësisht, pas afro një shekulli e gjysmë. Falë dashurisë, adhuruese të stërmbesës, zonjës Manushaqe Halili, për stërgjyshin e vet të madh, po sheh dritë një vepër madhore e dijetarit shqiptar.
Dalja e këtyre tri vëllimeve është e pangjashme për shumëçka, për mua sidomos që nuk jam i fushave të përfshira në tre vëllimet e para të projektit. I kam lexuar, natyrisht, me endje, madje me lehtësi afro një mijë faqet e tekstit, falë autorit të atyre teksteve që, edhe kur rrëfen për dukuri, fenomene, botë a sfera gjithësish dhe universesh të errëta e mbase misterioze të shkencës dhe të shpirtit, është çuditërisht i qartë, ngasës, miqësor që të bën për vete, të mos i ndahesh. Shfaqja e tyre në tekstin e tij, në rrëfimin e tij, gjallërohet përmes pamjeve krahasuese sidomos, prirjes për t’u shprehur bukur, me gjuhë që edhe objektin më të komplikuar e ngre në shkallë eseje.
Hoxha Tahsini është zotërues i shkencave ekzakte, njohës i filozofisë, i universit hapësirë dhe kohë, i universit njëri dhe botë, që kudo vë dorë me synimin që t’i bëjë dije njerëzimit, rrezaton një magji tërheqëse: e ka ëndërrimin madhor, arsimimin, qytetërimin e njeriut. Vizioni i tij për të nesërmen e globit njerëzor mbetet i hapur, përsosmëri e paarritshme. “Sa herë që merrem me shkencat natyrore, posaçërisht me kapitujt në lidhje me krijimin e gjithësisë, pas kësaj shkencat e tjera më duken të panevojshme dhe më lind dëshira që tërë kohën t’ia kushtoj kësaj disipline, e cila e mëson njeriun me fillimin e fundin e tij”, – thotë ai në fillimin e një studimi. Është dëshmi çastesh shkëndijimi dhe ndriçimi gjenish që mëton zbërthimin e çështjes së çështjeve, të majës së majave, prej nga vetvetiu do të shqyrtoheshin edhe qartësoheshin të gjitha rrugët dhe shtigjet e fushave të tjera, të cilave u kthehej sërishmi Hoxha Tahsini për të nisur nga themelet, nga pika e ujit, për të cilën do të thotë se është univers i tërë në vete kur të zbërthehet. Dhe nisën kështu udhëtimet drejt dijes, në shumë drejtime, duke synuar përfshirje sa më me përparësi, që nga shkrimi dhe leximi, konkret dhe metaforik i botës dhe gjithësisë, që nga një alfabet i përsosur, përkatësisht komunikim i përsosur për njerëzimin, që nga përshkëndijimet e para të dijes dhe filozofisë, që nga antikiteti dhe përtej tek shekujt egjiptianë dhe kinezë, deri në kohën e vet. Do t’u kthehet këshillave më praktike nga përditshmëria e njeriut, përmes artikujve të emërtuar si biseda, do të merret me rrymat e deteve dhe të erërave dhe me rrymat metaforike të njeriut dhe botës, me rrymat që u japin drejtim anijeve dhe timonierëve – deteve dhe oqeaneve pa fund, duke sjellë mbështetjen, për vizionin dhe kauzën e vet, personalitetet dhe mendjet më të ndritura të njerëzimit.
Por ajo që të mrekullon, përshtypja më mbresëlënëse është: pasioni, eleganca dhe mjeshtëria përmes së cilave ai sjell dhe provon të mbjellë farën e dijes, të shkencës më të përparuar të kohës evropiane, në zemrën e perandorisë së mbyllur, ende jo mikpritëse për atë nivel shkence. Në një nga numrat e revistës së vet për shkencat ai do të sjellë një fjalim historik të një ministri francez të kohës për arsim (Zhol Feri) i cili do polemizojë me klerikët që ngrihen kundër reformave të ndërmarra në këtë fushë, arsimin që Hoxha Tahsini e shihte si dritaren e vetme të madhe drejt përparimit dhe qytetërimit. Dhe natyrisht, fjala e ministrit, e shkurtër, vjen si një vringëllimë dhe shkëlqim shpate që pret nyje dogmash terri: vetëm liria, liria e mendimit, mendja e lirë, është e shenjtë, s’ka shenjtëri mbi të, e përfundon fjalën ministri.
Nuk ka pikë dyshimi se dijetari i formatit të madh, Hoxha Tahsini, ua vinte përballë, fjalën e një ministri evropian të kohës, klerikëve të vendit, për t’i hapur rrugë vetes që edhe në hapësirën dhe kohën osmane të messhekullit nëntëmbëdhjetë të ecet drejt arsyes, drejt mendjes iluministe të Evropës, të sillen mendjet e ndritura të shkencës, filozofisë, të enciklopedistëve francezë, të majave, si mendja e Gëtes, të cilit Tahsini ia njeh pasionin për shkencat ekzakte, por edhe gjenialitetin poetik.
Ai u vinte përpara inkuizicionin e klerikëve të vet, ua vinte përballë mendjen e lirë që nga Pitagora, Galileu dhe Koperniku, Xhordano Brunon dhe djegien e kësaj mendjeje të lirë në furrat mesjetare. Hoxha Tahsini kërkon në vizionin e vet të përtejmen, të pakapshmen, ai kërkon ta zgjojë, siç thotë vetë, nga përgjumja e lodhur më shumë se dy mijë vjet dijen njerëzore. Kërkon t’i hapë rrugë, ta vetëdijësojë mendjen e njeriut, të depërtojë dhe përbirojë përtej, të thyejë kufij, të zgjerojë hapësirën e dijes, të urtësisë, të përsosjes së njeriut, duke kërkuar njëkohësisht edhe shkaqet e këtij lëngimi që nuk merr fund në jetën e globit dhe jetën e njeriut, e që, me sa duket, rrezikon të jetë i përjetshëm. E vuan thellë mendja dhe shpirti i tij këtë plogështi përhumbjeje të globit njerëzor, përhumbje që nuk lejon kthjellim të plotë të horizontit, përkatësisht të mendjes dhe shpirtit.
Prandaj, sipas tij, katër janë shkaqet kryesore të moszgjimit. Në vend të parë i vë idetë e errëta dhe besojmë se gjithnjë ka parasysh mendjen e robëruar të mesjetës, të klerikëve dogmat. Në vend të dytë e sheh si arsye skllavërinë njerëzore. Në vend të tretë thotë moslejimin, pra ndalesat e ndëshkuara me inkuizicionin. Dhe në fund karakterin e pamatur do të thotë, karakterin e paparashikueshëm të njeriut, të njerëzimit. Dhe le t’i shohim një nga një veçmas shkaqet e përmendura, për t’u bindur se secila nga ato në vete është një univers i përmbledhur i sintezave gjeniale.
Botohet i plotë në shqipKrijoi me diturinë e tij perceptimin e lirisë si e vetmja gjë e shenjtë, duke guxuar për kohën të shkelte mbi kufijtë natyrorë. Hoxha Hasan Tahsini vlerësuar si enciklopedist, deri sot mund ta kërkonit vetëm për ndonjë emër rruge, por jo në biblioteka. Dje, për herë të parë, stërmbesa Manushaqe Halili, ka thyer “mbylljen” e dijetarit, duke botuar të plotë në shqip veprën e tij, nisur me tri vëllimet e para.Prej vitesh trashëgimtarja e vetme e Tahsinit, nga gjaku i nënës, ka bërë vajtje-ardhje në Turqi, me shqetësimet e gjuhës së vjetër, osmanishten, dhe mbledhjen e gjithë arkivit dijetarit. Ka rënë në kontakt me profesorë të sotëm, e shkrimtarë turq, që kanë përcjellë natyrën shumëdimensionale të Tahsinit, siç u vlerësua dhe dje në promovimin e veprës.Dy nga vëllimet përfshijnë koleksione të revistës “Përmbledhja e shkencave” që u botua më 1879, shtatë numra kur Tahsini ishte në moshën 68-vjeçare. Vëllimi i parë ka në përmbajtje tre libra: “Historia e shkurtër e Astronomisë”; “Sekretet e Ujit dhe të ajrit”; si dhe “Psikologjia”.Një nga shqetësimet që ka shoqëruar trashëgimtaren lidhet me eshtrat e Tahsinit, tashmë të zhdukura. As takimi më ‘79-ën me Vexhi Buharanë nuk i dha ndonjë gjurmë, ndonëse siç tregon mori ndihmë të madhe prej orientalistit.Hoxhë Hasan Tahsin mbeti i pari dhe i vetmi shqiptar që organizoi dhe drejtoi një universitet ndërkombëtar; – atë osman, – si dhe ishte ngritësi dhe drejtuesi i dy nyjave eprore për diturinë shqiptare: Akademinë e Shkencave dhe universitetin e parë shqiptar në kryeqytetin e atëhershëm të sulltanatit osman, Stamboll. Hoxhë Tahsini njihet si rektori i parë i Universitetit të Stambollit, si ligjëruesi i parë në shkencat sociale e ato natyrore. Natyra e tij kozmopolite do ishte e paperceptueshme për kohën, për perandorinë e izoluar osmane, ku ai vëzhgoi, kërkoi vizione të zbulimit të njeriut duke i lënë vend dijes dhe mendimit. Këto kërkime i kushtuan jetën, duke vdekur në skamje të plotë, izolim nën sëmundjen e tuberkulozit.