PËRPLASJE DIPLOMATIKE / Kohë intrigash mes monarkive të Gjirit

Madawi al Rasheed* Al Monitor Fragmentimi i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik është një prej pasojave të paparashikuara të revolta...

Madawi al Rasheed*
Al Monitor

Fragmentimi i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik është një prej pasojave të paparashikuara të revoltave arabe të vitit 2011. Në 5 mars, Arabia Saudite, Bahreini, Emiratet e Bashkuar Arabë nxorrën një deklaratë të përbashkët ku bënin të ditur se kishin thirrur ambasadorët e tyre nga Katari, që sot konsiderohet “enfant terrible” mes monarkive të Gjirit. Arsyet e paraqitura për këtë lëvizje të paprecedentë janë të paqarta dhe i referohen nevojës për “stabilitet dhe siguri”. Ndërkohë, në gazetat filosaudite kanë nisur të botohen artikuj mbi intrigat që Katari kishte thurur në dëm të fqinjëve të vet.
Të tre vendet këmbëngulin se janë përpjekur të bindin Dohan që të ndjekë linjën e Këshillit, duke i kërkuar të tërheqë mbështetjen për Vëllazërinë Myslimane dhe të mos mbështesë më disidentët dhe aktivistët në vendet e tjerë arabë. Arabia Saudite ka përfshirë Bahreinin dhe Emiratet në këtë gjest ndarjeje, por duket qartë se është ajo nxitësja e kësaj nisme kundër fqinjit të vështirë.
Në tre vitet e fundit, Riadi është përpjekur t’i kundërvihet në mënyrë koherente përhapjes së revoltave arabe. Por rezultatet kanë qenë kaotikë. Revolucionet hodhën në erë politikën e jashtme të vjetër të Arabisë Saudite, që përfundoi duke krijuar më shumë armiq se sa miq. Regjimi u detyrua të bëjë zgjedhje politike për të siguruar, pikësëpari, mbijtesën e monarkisë si model qeverisjeje në vendet e Gjirit, në Jordani dhe në Marok. Së dyti, ka mbështetur ushtrinë egjiptiane si forcë kundër-revolucionare.
Vetëm Katari iu kundërvu objektivave sauditë, duke u paraqitur si aleat i forcave të ndryshimit në Lindjen e Mesme, dhe në mënyrë të vecantë Vëllazërisë Myslimane. Doha sfidoi Arabinë Saudite në Afrikën Veriore. Dhe tani akuzohet se kërcënon sigurinë në Gjirin Persik duke mikpritur ata disidentë islamistë që në të ardhmen mund të shndërrohen në thikën pas shpinës së monarkive të Gjirit. Marëdhëniet mes Arabisë Saudite dhe Katarit ishin tashmë të tensionuara që përpara vitit 2011, sepse Doha u ofronte mbështetje grupeve islamikë të llojeve të ndryshëm. Riadi druhej edhe se mos Katari, përvec arritjes së sukseseve në vende si Egjipti dhe Tunizia, mund të shndërrohej në bazë për islamistë sauditë. Kur pa që partitë islamike po afirmoheshin në të gjithë Lindjen e Mesme, Riadi pati frikë se Katari, promotori i tyre, mund të sfidonte rolin e hegjemonit të Arabisë Saudite në rajon. Gjatë mbledhjeve të Këshillit pati përpjekje për të ruajtur një solidaritet në dukje, por marrëdhëniet e tensionuara me Katarin për cështje që lidheshin me sigurinë dhe ekonomikë tregonin që dominimi saudit nuk mund të ishte më i sigurtë.
Irani
Por goditja e vërtetë kundër hegjemonisë saudite ishin përcarjet mes vendeve të Këshillit sa i përket qasjes ndaj Iranit. Ndoshta Arabia Saudite nuk do ia falë asnjëherë sulltanit Qabus të Omanit, për faktin që ka facilituar dialogun mes Teheranit dhe Uashingtonit, që rezultoi në një tentativë serioze për afrim dhe në një përballje të vazhdueshme sa i përket programit bërthamor iranian. Ky afrim mund të interpretohet në Arabinë Saudite si një goditje ndaj pozicionit të saj si aleati kryesor i SHBA në rajon.
Megjithatë, Omani nuk ka pasuritë e Katarit dhe as ambicien për t’u bërë arbitër i politikave rajonale. Dhe mbi të gjitha ky aspekti i dytë i shqetëson sauditët. Katari ka përdorur mjetet e vet të informimit, si Al Jazeera për shembull, për të influencuar opinionin publik arab, si dhe pasurinë e tij për të mbështetur forcat që sfidojnë rendin e vjetër në Lindjen e Mesme. Ndërsa Arabia Saudite është përpjekur me të gjithë mënyrat për t’u kthyer në të kaluarën dhe për të ruajtur të qëndrueshëm pozicionin e saj në një rajon plot trazira./bota.al
* Madawi al Rasheed është ekspert i historisë dhe fesë në Arabinë Saudite. Jep mësim në London School of Economists

Related

Shtypi i huaj 7122474981053427963

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item