GJUHA AMTARE, DETYRIMI YNË I SHËNJTË PARA ATDHEUT (Në shkollën shqipe, “Gjuha Jonë”, Filadelfia-SHBA)

10-vetori i krijimit: Nga: LLAZAR VERO publicist – Filadelfia, SHBA  Në gjunjë, para Flamurit Kombëtar Shqiptar… (djathtas-lart, Ll.Vero) 1....

10-vetori i krijimit:

Nga: LLAZAR VERO
publicist – Filadelfia, SHBA 


Në gjunjë, para Flamurit
Kombëtar Shqiptar…
(djathtas-lart, Ll.Vero)
1.Emocionet vazhdojnë…

Gjithmonë më ka emocionuar fillimi  i një dite mësim,i në Shkollën Shqipe "Gjuha Jonë" të Filadelfias. Janë të njëjtat emocione, si atëhere më 7 Mars të vitit 2004, në ditën e parë të jetes së shkollës sonë, këtu në emigracion. Ishte një ditë me diell, prag pranvere.   
Nuk kishte gjë më të bukur, më të gëzuar,  se sa kur sheh nxitimin  e prindërve për të arritur në kohë orën e fillimit të  mësimit!Me kënaqësi vëreje disa nëna të reja, që kishin "luftuar"  me fëmijën, që do të ndiqte klasën e parë, për ta bërë gati sa më shpejt për në shkollë. Prindërit e përkushtuar, vinin nga një orë larg udhëtimi me makinë, si Eftiqi  Hashafi e Mexhit Kobaci ose Lumni e Sahadete Shurdhiqi dhe siellnin në shkollë, çdo të diel, të dyja vajzat e tyre. Të imponojnë me të vërtetë respekt. Ata janë edhe sfida e madhe e atyre prindërve që, ndonëse shkollën e kanë te dera e shtëpisë, nuk e bejnë atë sakrificë për fëmijët e tyre a të afërmit e tyre, për gjuhën shqipe, dashurinë tonë të madhe, detyrimin tonë të shënjtë ndaj Atdheut.        
Janë të bukura dhe të paharruara pritjet e fëmijëve, në hyrje të Qëndrës Kulturore të Shoqatës "Bijtë e Shqipes", në mengjeset e të dielave. Atje do të shikosh sekretarin "veteran" të shoqatës, Vlashi Filin, kryetarin aktual të saj Sadik Elshanin dhe, sipas rradhës së shërbimit, anëtarët e tjerë të kryesisë: Llazar Veron, Ivzi Cipurin, Dritan Matrakun, Bujar Gjokën, Tajar Domin etj. Miqësor me prindërit dhe fëmijët, ata do t'i gjesh aty te dera e Qendrës Kulturore, gjatë tërë vitit shkollor.
Tashmë, fëmijët kanë ardhur, janë grumbulluar te salla e madhe e veprimtarive. Mbrapa tyre qëndrojnë prindërit.Vjen një çast solemn. Do të këndohet Himni  Kombtar i Shqipërisë.  Ndërsa ato fytyra  fëmijësh, papritmas, bëhen serioze. Këndojnë Himnin e Atdheut të prindërve, gjyshërve, të të gjithë të dashurve të tyre. Bashkë me ta këndojnë edhe prindërit. Pastaj mesueset Rajmonda Bardhi, Irini Zenelaj, Kozare Doko dhe  Adelina Ramizi, i shoqërojnën fëmijët për në klasat e tyre. Fillon një ditë e re mësimi për gjuhën shqipe.
Në pushimin e orës së pare, fëmijëve u jepet diçka për të ngrëë ose për të pirë ndonjë gotë lëng frutash etj.  Tashmë, në këtë shërbim, përveç antarëve të Kryesisë së Shoqatës, ndihmojnë edhe studentët shqiptarë të shkollave të mesme, që kryejnë shërbimin në beshkësi e që ua kërkon shkolla. Veç të tjerave, kjo është edhe një rrugë e mire,  që ata ta njohin jetën e shoqatës dhe të bshksisë sonë shqiptare.          
Në jetën e shkollës, kjo është ditë e zakonshme, por në jetën e saj ka edhe shumë ditë tjera të bukura, si organizimi i festave tradicionale të Shqipërisë dhe Amerikës, përgatitjet për festivalin e këngës për fëmijë, mbyllja e vitit shkollor etj. Kësaj ngjarjeje të fundit,  Shoqata jonë “Bijtë e Shqipes”  i kushton më shumë kujdes. Për këtë ditë të gjithë fëmijët, sipas klasave dhe nën drejtimin e mësueseve, përgatitin koncertin e funvitit shkollor. Këndojnë e recitojnë fëmijët, që kur filluan shkollën, ndoshta, nuk dinin të shkruanin dhe të lexonin ose edhe të flisnin rrjedhshëm në gjuhën e prindërve të tyre. Pastaj i vjen rradha ndarjes së  dëftesave, që është me të vërtetë emocionuese për të gjithë. Fëmijët, para se të marrin dëftesën në dduar, ulen në gjunjë para flamurit kombëtar shqiptar, që e mban një nxënës më i rritur, e puthin dhe e venë atë në ballë, duke thënë fjalët: " Të falem, o Flamuri ynë!". Përsëri vijojnë këngë e recitime, mes zërave të gëzuar të fëmijevë. Vërtetë ky është shpërblimi më i madh për ne. Vetë Shoqata jonë është përpjekur,ka fituar më shumë emër dhe nder nga shkolla, jo vetëm në Filadelfia, por edhe më gjërë.


Sës bashku,  në ndihmë  të shkollës shqipe, “Gjuha Jonë” (në mes, Vlashi Fili)

2. Kur u hodhën hapat e parë…

Kur Shoqata Atdhetare-Kulturore "Bijtë e Shqipes", në Filadelfia, hidhte hapat e parë, kur nuk kishte një zyrë për mbledhjet mujore të kryesisë, ajo mori nismën për hapjen e shkollës shqipe, për fëmijët e emigrantëve tanë. Duket paksa e çuditshme, por përvoja e këtyre viteve na ka treguar se, kur ke një qëllim të përbashkët, një dëshirë të bukur, bëhet e mundur realizimi i dëshirave, sado të guximshme që të jenë ato. Kështu ndodhi edhe në këtë rast. Ideja e hapjes së shkollës ishte ndër të parat objektiva, që Shoqata jonë i vuri vetes. Por gjithmonë duke menduar për një të ardhme jo të afërt. Ishte guximi i të riut berates, Sotiraq Pema, anëtar i Kryesisë së Shoqatës, që i dha "zjarr" kësaj ideje.  Ai ishte student i mbushur me mirësi, me shumë njohje, përherë i gatshëm për t’i ndihmuar njërëzit e një atdhetar i mirë. Në një mbledhje të kryesisë, ai i njoftoi shokët se kishte gjetur mundësinë për dy lokale mësimi, nëpërmjet sektorit të edukimit dhe çlodhjes të Kishës Katolike të Filadelfias. Drejtoreshë e këtij sektori ishte një zonjë me origjinë shqiptare, e cila u tregua e gatshme për të ndihmuar. Na dha mundësinë për të përdorur çdo të diel dy lokale, një në Northeast të Filadelfias dhe një tjetër në Upper Darby, ku ishin edhe përqëndrimet më të mëdha të emigrantëve shqiptarë. Kaq u desh, për t'u dhënë zemër të gjithëve, për realizimin e dëshirës sonë të madhe - hapjes së shkollës shqipe,  në Filadelfia. U gjetën dhe mësueset, që do të punonin vullnetarisht me fëmijët. Ishin dy zonjat korcare, Mirela Qirici dhe  Luliana Toshi, me përvojë në mësimdhënie. Pastaj edhe një tjetër nga Fieri, znj. Mirjana Kina, për degën e shkollës në Northeast të Filadelfias. Për degën e Upper Darbit dolën vullnetarë, antarja e kryesisë së Shoqatës znj. Elvira Budo, mësuesi dhe poeti fierak Sotiraq  Binjaku dhe mësuesja nga Korça, Mimoza Priftanji.
U shtrua pyetja: Po librat, si do të gjinden? Vepruam në dy drejtime, nëpërmjet ambasadës sonë në Uashington dhe njohjeve  tona vetjake.  Mësues Sotiraq Binjaku, nëpërmjet një miku të tij biznesmen në Fier, z. Agim Qelibashi, na siguroi një sasi të mirë abetaresh dhe libra leximi. Ambasada jonë, nëpërmjet zëvendësambasadorit tonë në Uashington, z.Gjergj  Gaçe, ditën e përurimit të shkollës na solli edhe një sasi tjetër  tekstesh mësimorë. Ishin 84 fëmijë, nga të dy qendrat e shkollës shqipe, që u bashkuan atë ditë, për përurimin e ditës së parë të mësimit në gjuhën shqipe, në ndërtesën e Qendrës Sociale të Kishës Katolike, në adresën 7340 Jakson Str. në Northeast të Filadelfias.
Ishte një ditë e mbushur me emocione për të gjithë, si për organizatorët dhe prindërit, nxënësit dhe mesuesit, për të gjithë bashkatdhetarët e tjere e të ftuarit.  Çdo fjalë ishte e ngarkuar me emocione dhe dashuri. U kënduan këngë dhe u recituan vargje të poetëve të Rilindjes, që i dhanë dritë gjuhës shqipe, e nxorën atë nga errësira e shekujve, për të  ardhur në ditët tona, kaq e bukur dhe e dashur. Para fillimit të mësimit, kryetari i Shoqatës Atdhetare-Kulturore Shqiptare- Amerikane "Bijtë e Shqipes", prof. dr. Xhorxh Ziu, u shpërndau fëmijëve abetaret e para. Nga brezi i vjetër i mërgimtarëve e mori fjalën, atdhetari i palodhur, në ndihmë të bshksisë shqiptare, z.Alban Merolli. Pastaj folën mësues e bashkatdhetërë të tjerë.Të gjithë donin të flisnin e të thoshnin një fjalë të mirë për shkollën tonë.   Një zonjë nga Skrapari, Lindita Hyska, që i kishte sjellë të dy fëmijët në shkollë, shprehu gatishmërinë për të qënë edhe ajo një nga mësueset vullnetare të shkollës. Të gjithë atë ditë a uronin me zemër  rrugë të mbarë shkollës shqipe në Filadelfia. Dhe vërtetë nisi mbarë dhe vazhdon mbarë. Brenda pak ditësh erdhën përshëndetje nga emigrantët shqiptarë në Europa dhe në Australi. Shkrimtari i njohur dhe tashmë miku i Shoqatës, Naum Prifti na dërgoi dhuratë disa pako të librit të tij për fëmijë ,"Pas Abetares". Prof. Sejfi Protopapa, që në vitin e dytë të shkollës dhe më pas na dërgonte nga 1000 dollarë, për të ndihmuar shkollën. Në letrën e parë shoqëruese të çekut na nxiste me fjalët e mënçura, se “atë që po bëni ju për fëmijët shqiptarë, në mos ua ditshin prindërit dhe fëmijët, do t'ua dijë Zoti”.          
Gjithnjë e kujtojmë me mall dhe respekt, atë ditë të parë të Shkollës Shqipe "Gjuha Jonë", në Filadelfia. Ishte 7 Marsi i vitit 2004. Datë e shënuar për shkollën shqipe. Ishte rastësi apo një bekim?  Sido që të jetë,  na pëlqen kur e kujtojmë. Është shënjë nderimi dhe përkushtimi  për historinë e shkollës shqipe. Kur je  emigrant, kjo ndjenjë merr një forcë të veçantë, deri në kufijtë e shënjtërimit.  Nuk e teproj aspak, me këto fjalë. Për kryesinë e Shoqatës "Bijtë e Shqipes", për të gjithë anëtarët e saj, për mësuesit, për nxënësit dhe prindërit e tyre, ka fituar me të vërtetë   një respekt të tillë.   Është e vërtetë, se  Shoqata jonë e ngriti shkollën, por shkolla shqipe i ka dhënë asaj  më shumë emër dhe respekt, jo vetëm në Filadelfia, por edhe më gjerë. Shumë përpjekje janë bërë nga bashkatdhetarët edhe më parë këtu, për ngritjen e shkollës shqipe. Një ndër më të vonët ka qenë edhe veprimtari i palodhur i bashkasisë  shqiptare në këtë qytet, i ndjeri Hasan Risilia. I ruajmë me nderim në arkivin e Shoqatës fletoret e tij, me emrat e nxenësve, të cilat e ndoqën për disa kohë shkollën, që hapi ai.

3. Vazhdimësi…

U mbushën mbi dhjetë vjet, nga dita e parë e Shkollës Shqipe "Gjuha Jonë", në Filadelfia. Dhe pa e ndërprerë asnjëherë punën, përpjekjet  për të krijuar kushte sa më të mira për fëmijët, mësuesit e pse jo edhe për prindërit. Kjo u bë e mundur  pas dhuratës prej 64 mijë dollarësh, që dha familja Risilia, për blerjen e ndrtesës së Qëndrës Kulturore të Shoqatës. U punua shumë nga kryesia e saaj, nga bashkatdhetarë të ndryshëm, për kthimin e ndërtesës në një qëndër kulturore, ku kishim hapësira të mjaftueshme edhe për klasat e shkollës sonë. Më vonë, në oborrin e pasëm të ndërtesës ngritëm, hap pas hapi, një local-kafene për bashkasinë tonë dhe ku prindërit e nxënësve mund të prisnin, sa të mbaronte mësimi.
U mbushën dhjetë vjet të shkollës sonë  dhe gjatë këtyre viteve  nëpër dyert e saj kanë kaluar shumë fëmijë. Por edhe mësueset e para, pasi shërbyen disa vite me radhë, janë larguar, duke lenë pas respektin e mirënjohjen e fëmijëve dhe prindërve, të të gjithë bashkësisë shqiptare të Filadelfias. Mësuese të tjera me përvojë kanë ardhur, që punojnë me  përkushtim dhe dashuri me fëmijët,   për t’u mësuar atyre gjuhën e bukur shqipe, gjuhën e prindërve dhe gjyshërve të tyre.   Të tilla janë Rajmonda Bardhi, Liljana Gaba, Nikoleta Papa, Irini  Zenelaj, Majlinda Tahiraj, Kozare Doko, Adelina Ramizi e të tjera. Ato kanë qenë mësuese edhe në Shqipëri ose punojnë në këtë profesion të nderuar edhe këtu në Amerikë. Kjo shkollë e këta fëmijë u kujtojnë atyre vitet e bukura të mësuesisë në Atdhe. Është një pikë lidhjeje, një vazhdimësi, që çdokush nga ne do ta dëshironte.        
Të gjithë këto vite janë të mbushur me kujtime dhe mbresa të bukura. Nxënësit e parë të shkollës, më të rriturit kanë mbaruar kolegjet, të tjerë jane në vitet e fundit të shkollave të mesme dhe përgatiten për të shkuar në kolegje.  Shkolla Shqipe  "Gjuha Jonë", tanimë, ka një histori, ka se çfarë të tregojë.




Sa bukur: Mësues e nxënës, së bashku për gjuhën amtare…       

Nuk ka qenë e lehtë asgjë, në këto dhjetë vjet. Një nga problemet kryesore mbetet sigurimi i teksteve mësimore. Qeveritë shqiptare nuk e vinin shumë “ujin në zjarr” për këtë problem. Por edhe kur jepnin libra, duhej që ne vet të shkonim dhe t'i merrnim në Tiranë. E paçmuar ka qenë ndihma, që na ka dhënë anëtarja e shoqatës, znj. Yllka Furxhiu, me fotokopjimet e librave. Rrugën e saj po e ndjek një zonjë tjetër e nderuar, Brunilda Matraku. Pas këtyre shëmbujve të mirë, i bëjmë shpesh pyetjen vetes, se sa shumë mund të na ndihmonin bashkatdhetarët tanë, po të kishin dëshirën për të bërë diçka të mirë për shkollën, për bshkasinë tonë.
Ndiejmë kënaqësi të natyrshme për punën e përkshtuar, që kemi bërë dhe bëjmë me shkollën shqipe, këtu në Filadelfia. Është  vërtetë e bukur të punosh për gjuhën shqipe, larg Atdheut tënd, që fëmijët tanë të mos e humbasin gjuhën e të parëve. Por, të themi të vërtetën, nuk jemi të kënaqur sa duhet. Në Filadelfia jetojnë më shumë se 25.000 bashkatdhetarë, pra sa një qytet shqiptar i zakonshëm. Të gjithë e marrin me mend, se sa fëmijë mund të kishim në shkollën ose shkollat tona të gjuhës shqipe. Por, në fakt, ne nuk i bëjmë dot as një qind nxënës, në shkollën tonë. Na hidhëron çdo fëmijë, që largohet nga shkolla. Shtrohet pyetja e natyrshme: A kemi edhe ne, si Shoqatë, përgjegjësi? Patjetër që kemi pjesën tonë. Po prindi, nëna e babai i fëmijës, nuk ka përgjegjësi?! Çfarë t'i them asaj nënës së re, që e sjell fëmijën në shkollë, për disa javë dhe, si për t'u “mburrur“, thotë se fëmija nuk di asnjë fjalë shqip!?  Po në shtëpi, çfarë gjuhe flisni, e pyesim ne. Anglisht, përgjigjet ajo me seriozitet, me nje anglishte të vajtueshme.  Disa prindër të tjerë mundohen të shfajësohen,  se mësimi i shqipes i “pengon” në mësimin e anglishtes?! Po kjo është vetëm një “teori shqiptare” kjo, sepse shkenca e vërtetë e ka vertetuar , se truri i fëmijës mund të mësojë, lirshëm, më shumë se një gjuhë të huaj. Të tjerë thonë se janë të zenë me punë dhe nuk mund t'i sjellin fëmijët në shkollë të dielave, kur ndërkohë i shikon nëpër kafene, ndërsa  të tjerë... T'i lemë përligjiet e kota, se vetëm është çështje mendësie.
Në mbledhjet, që bëjmë me prindërit, u flasim shpesh për rëndësine e të mësuarit të gjuhës shqipe nga fëmijët e tyre. Populli ynë, prindërit tanë, nuk e kanë përbuzur kurrë gjuhën e huaj, por   dhe nuk e ka lënë “mbas dere”, gjuhën shqipe. Dihet se ajo ka një pasuri fonetike,  që nuk bëhet pengesë për mësimin e gjuhëve të huaja. Morfologjia dhe sintaksa e gjuhës shqipe është kaq e pasur, sa qëndron krenare edhe para gjuhëve më të zhvilluara. Atëhere, ku i ka rrënjët kjo mendësi e gabuar e disa prindërve të rinjë emigrantë, për nënvlerësimin e gjuhës shqipe? Disa e shpjegojnë me mendësinë e këtyre prindërve, gjoja, për t'u bërë shpejtë amerikanë, gjermanë, italianë e kështu me radhë, për t'u bërë qytetarë të Botës moderne. Por ruajtja e gjuhës amtare nuk është çështje mode, shijesh, zgjedhjesh,  por është pjesë e identitetit, e karakterit dhe kulturës bashkëkohore.  Kudo dhe kushdo, që të jesh, nuk mund dhe nuk duhet t’i mohosh prindërit e tu, vendin ku ke lindur  ose gjuhën amtare. Asnjë shqiptar(e) i(e) vërtetë, nuk i pranon dhe as nuk duhet t’i pranojë këto  të fundit..

4. E papritura e bukur, e këtij viti arsimor

Në shtatorin e kaluar, të këtij viti arsimor, shkollës sonë iu shtua edhe një klasë "speciale". Tri vajza të reja amerikane, të fejuara ose të martuara me djemë shqiptarë, kërkuan të regjistroheshin në shkollën tone, për mësimin e gjuhës shqipe. Ato ishin Joyce Zeka, Megan Pajollari dhe Lisa Blasz.  Ky hap i tyre ishte në shënjë respekti për bashkëshortët, për djemtë shqiptarë dhe të afërmit e tyre. Ishte me të vërtetë një gjë e bukur. Këtyre vajzave iu shtua edhe një çift amerikan, John dhe Teresa Graeff.  I pari është pastor në një kishë, ku shkojnë mjaft shqiptarë, ndaj ai dhe e shoqja e ndjenin të nevojshme komunikimin në shqip me ata.  Kryesia e Shoqatës caktoi mësues të tyre anëtarin e kryesisë, z.Ivzi Cipuri, veprimtar i palodhur, i cili ka mbaruar për anglisht, në Tiranë dhe mbrojti masterin, në këtë gjuhë edhe këtu, në Amerikë. Kjo ishte zgjidhja më e mirë e problemit. Ata janë të vëmëndshëm dhe mjaft të interesuar për mësimin e gjuhës shqipe, sa më mirë dhe shpejt. Dallohen, sidomos, Joyce dhe Teresa për zellin dhe punën këmbëngulëse që bëjnë, por edhe Megan e John nuk qëndrojnë pas. Nuk është e lehtë kjo punë edhe për mësues Ivziun, pasi dendësia e punës është e madhe. Amerikanët duan ta mësojnë shpejt gjuhën shqipe.          
Tani shkolla jonë është më e pasur, më e madhe dhe më e bukur.Ndjehemi krenarë për ç'ka është arritur ,por kërkojmë më shumë. Ky dhjetëvjetor, i Shkollës Shqipe "Gjuha Jonë", na nxitë për të bërë edhe më shumë, në të ardhmen. Se ai përkoi me ditën e madhe të Shkollës Kombëtare Shqipe - 7 Marsin dhe Ditën Ndërkombëtare të Grave.  Në festën e madhe, që organizohet çdo vit nga Shoqata jonë, me rastin e këtyre festave, mësueset e shkollës sonë kanë vendin e nderit.  Sivjet, u ftuan të gjitha mësueset, që kanë shërbyer qyshë në ditën e parë të jetës së shkollës sonë. Ato janë: Luliana Toshi, Elvira Budo, Mirela  Qirici, Mirjana Kina, Mimoza Priftanji, Lindita Hysko, Rajmonda Bardhi, Liljana Gaba, Nikoleta Papa, Majlinda Tahiraj, Kozare Doko, Irini Zenelaj, Adelina Ramizi, Kësmete Begollari.Nga të gjithë prindërit dhe fëmijët, që mësuan të lexojnë, shkruajnë dhe flasin shqip në këtë shkollë, nga kryesia e Shoqatës sonë, bashkë me tufat e luleve, ato marrin edhe një falenderim të madh, për punën e përkushtuar, të bukur dhe të shënjtë të mësueseve të gjuhës shqipe, larg Atdheut.


Filadelfia-SHBA, mars 2014

Related

Kultura 5335180302572765457

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item