Që nga rënia e Estradas, deri tek pranverat arabe. Kur rrjetet socialë trondisin pushtetin
Mbyllini ata zogj në kafaz, bëjini të heshtin, nuk duhet të këndojnë më. Në Turqinë e Erdoganit, shteti përpiqet edhe një herë të heshtë int...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/03/qe-nga-renia-e-estradas-deri-tek.html
Mbyllini ata zogj në kafaz, bëjini të heshtin, nuk duhet të këndojnë më. Në Turqinë e Erdoganit, shteti përpiqet edhe një herë të heshtë inteligjencën e atyre që e bezdisin: “Do të crrënjosim Twitterin”, betohet ai. Por nuk është mendimi i një individi, armiku të cilit i duhet mbyllur goja dhe që vë në lëvizje represionin. Eshtë zëri i grimcëzuar i milionave që ngrihet prej rrjeteve socialë, për të tronditur pushtetin që ndihet i kërcënuar dhe zbulohet i pafuqishëm. Të përpiqesh të ndalësh Twitterin, Facebookun apo Instagramin, ose dhe dhjetëra rrjetet e tjerë socialë – ka thënë Cay Shirky i Universitetit të Nju Jorkut – është si të “boshatisësh detin me një kullesë caji”.</p>
Beteja e kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan kundër cicërimave të Twitterit ishte e humbur që pa nisur, sepse në universin fluid të dns-ve, isp-ve, url-ve, sms-ve, aplikacioneve, celularëve, qeveritë që përpiqen të bllokojnë zërin kolektiv janë fëmija proverbial holandez, me dhjetë gishta dhe njëmbëdhjetë vrima në digë.
Tweetet, “tweet-et e mallkuar” që Erdogani, i rregjistruar teksa duket se diskuton me të birin se ku duhet të fshehin paratë, donte t’i bënte të heshtnin, e kanë shmangur bllokimin, kanë fluturuar përmes rrugëve të tjera, janë shumëfishuar, në efektin klasik paradoksal të censurës që zmadhon dhe përhap më shumë, pikërisht ato që duhet të mbysë. Tre milionë e gjysmë tweete janë dërguar në dy ditët e bllokimit të Tëitterit në Turqi. Presidenti Abdullah Gyl është reshtuar kundër Erdoganit. Dhe një skandal lokal, rryshfetet e mundshëm të familjes, është shndërruar – pashmangshmërisht duke konsideruar mediumin – në një cështje globale.
Dueli mes qeverisë së Ankarasë dhe atij rrjeti të mikroblogger-ave që janë krijuar prej tetë vitesh në San Francisco është një luftë pushteti, ashtu si e ka quajtur vetë Erdogani: “Do të bëjmë të ndihet e gjithë fuqia e qeverisë turke”. Por është një luftë e një pushteti solid kundër një pushteti likuid që tashmë prej 13 vitesh demonstron gjithnjë e më shumë pamundësinë e digës që të mbajë ujin e detit.
Sinjali i parë ishte në janar 2001, në një shtet jo të famshëm për përparësi teknologjike, Filipinet. Kur Parlamenti votoi për fshehjen e provave të rëndësishme në procesin e impeachment-it kundër presidentit Estrada, mjaftoi një sms i thjeshtë për të mobilizuar njerëzit në Manila. “Shkoni tek Edsa, vishuni me të zeza”. Më shumë se një milionë persona u përgjigjën. Estrada u rrëzua.
Fuqia tërësore e komunikimit elektronik të castit pati suksese të tjerë në dekadën e parë të viteve 2000. Ishte një stuhi sms-sh që shtyu Jose Maria Aznarin që të largohej, pas tentativës së tij jo të mencur për të fajësuar për atentatet terroristë në stacionin e Atochas, separatistët. Facebooku, Twitteri dhe sms-të penguar Partinë Komuniste të Moldavisë që të merrte pushtetin në vitin 2009, duke zbuluar mashtrimet elektoralë që i kishin ndihmuar të fitonin. Edhe Kisha Katolike, që për dekada kishte fshehur horroret e pedofilisë, u desh të matet me denoncimin e gazetës së Bostonit, The Globe, që brenda pak orësh u përhap rrufeshëm. Gjë që e vuri Romën, bashkë me konferencën episkopale amerikane, përballë një turpi që s’mund të injorohej më.
Eshtë gjithmonë kryesisht aftësia e grumbullimit dhe mobilizimit, më shumë se sa e informacionit, pushteti që qeveritë, demokratike apo totalitare, kanë mësuar t’i druhen. Rrjetet socialë nuk e kanë shpikur protestën, as revolucionet. Kanë ofruar, ashtu si mjete të tjerë para tyre, një isntrument të ri për perceptimin e pakënaqësisë dhe rebelimit. Reformatorët zbuluan dikur tek mundësia e shtypjes së Biblës, duke ua ofruar besimtarëve që ta lexonin drejtpërdrejtë, armën për t’i hequr klerit monopolin doktrinar.
Revolucionarët amerikanë përdornin shërbimin postar të krijuar nga Ben Franklini për të bërë të qarkullonte intoleranca e tyre ndaj perandorisë britanike dhe regjimi sovjetik i njihte mirë mundësitë “vdekjeprurëse” që ofronin fotokopjet, shumë më të fuqishme se kopjet me letër karboni të samizdatit, të teksteve të ndaluar. Në BRSS, edhe letra për fotokopjet zyrtare kontrollohej rigorozisht.
Twitteri, kundër të cilit Erdogani hidhet në panik para zgjedhjeve të 30 marsit, që qeveria kineze përpiqet ta kufizojë duke akuzuar “sektin diabolik” të Falun Gongut se është prapa shumë rrjeteve socialë, është sa një miliardë fotokopje. Roli i tij në pranverën arabe, funksioni si kundër-organizim popullor që i kundërvihej propagandës së qeverisë në rrëzimin e Mubarakut në sheshin Tahrir, në revoltën tuniziane, në kaosin libian, ishte vendimtar. Madje edhe regjimi i ajatollahëve u lëkund për pak kohë para rrjeteve informalë por të pandalshëm të disidentëve dhe grave.
Por pikërisht shtypja e revoltave iraniane demonstroi limitet e “pushtetit likuid” përballë “pushtetit solid”. Ndëshkimi i rojeve të revolucionit fondamentalist, falë penetrimit kapital të informatorëve dhe spiunëve, ishte i dhunshëm, i pamëshirshëm, fizik. Nëse nuk ndal dot mesazhin, “fik mesazherin”, shkruante Evgenij Morozov, një prej kritikëve më të ashpër të kultit të demokracisë së re të automatizuar. Kështu, dyshimi i valës së revoltës përmes Twitter apo Facebook është një instrument i mrekullueshëm për të turbulluar, por krejt i padobishëm për të qeverisur, shfaqet edhe për më entuziastët sic e kanë demonstruar edhe pranverat arabe. Pushteti po mëson, dhe po përpiqet të mësojë, që të përdorë të njëjtin instrument dhe regjimi Chavist i Venezuelës, i bombarduar me tweet-e, përgjigjet po me tweet-e. Që nga shtrati i vdekjes, Chavezi shkruante në Twitter: “Revolucioni është i pavdekshëm, gringot imperialistë nuk do fitojnë”. Erdogan është bërë pakëz qesharak me luftën e tij kundër cicërimave dhe bota qesh me të, por dicka e ka kuptuar: revolucioni i ardhshëm do të shkruhet në Twitter. /La repubblica/bota.al